Shqiptarët në Gjermani në mënyra të ndryshme kanë festuar 100 vjetorin e
themelimit të shtetit shqiptar. Të dielën (2.12.) "Yjet e Kosovës"
dhe Projekti Skip kanë hapur në Emmendigen një ekspozitë me vepra artistike.

Në foto, violinisti Alban Pengili
Shoqëruar nga tingujt muzikorë të Alban Pengilit (violinë) Albert Ibrahimaj
(kitarë) dhe Vigan Kuqit (Piano) në qytetin Emmendigen është hapur ekspozita e
artistëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani. Veprat e artistëve Mal Myrtaj, Dan
Gashi, Augustin Pergega, Bukurije Dalladaku dhe Habib Shashivari ngjallën një
interesim të madh tek vizitorët e kësaj ekspozite.
Në hapje të saj, përfaqësuesi në landin e Baden-Würtembergut i qytetit
Emmendingen, Hanno Hurth, duke folur për Shqipërinë dhe shqiptarët tha se:

Përfaqësuesi në landin e Baden-Würtembergut i qytetit Emmendingen, Hanno Hurth
"Shqipëria është atdheu i nobelistes së paqës, Nënë Tereza. Shqipëria
është një vend i tolerancës ndërfetare ku myslimanët, ortodoksët dhe të
krishterët katolikë jetojnë në paqë së bashku dhe ne të gjithë e dimë se kjo
nuk është e vetkuptueshme. Sot në Gjermani jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë,
shumica e tyre vijnë nga Kosova por ka edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia. Në
qarkun e landit pas italianëve dhe turqëve, shqiptarët përbëjnë komunitetin e
tretë më të madh. Në qarkun e landit Emmendigen banojnë 830 shqiptarë, dhe nga
përvoja ime mund të them se ata duan të integrohen, ata duan të marrin pjesë në
jetën shoqërore."
Për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga
kryeqyteti gjerman, Berlin kishte udhëtuar edhe deputeti kristiandemokrat (CDU)
dhe njëkohësisht drejtues i grupit parlamentar për marrëdhënie me EJL, Peter
Weiß. "Në Berlin, nganjëherë edhe në Shtutgart jemi mësuar që të kemi në
të njëjtën kohë një numër të madh të mysafirëve të huaj dhe përfaqësues të
lartë diplomatik. Por që diçka e tillë të ndodh në Emmendigen, kjo nuk ka
ndodhur asnjëherë më parë dhe për këtë duhet t'i falendërohemi zotit Shabani
dhe Shoqatës "Yjet e Kosovës".

Deputeti kristiandemokrat gjerman, Peter Weiß (CDU)
Weiß: Përmes artit dhe kulturës të zbulojmë njëri-tjetrin
Weiß në cilësinë e kryesuesit të grupit parlamentar për marrdhëniet me EJL ka
folur pastaj për historikun e themelimit të shtetit shqiptar dhe rrugëtimin e
tij deri në ditët e sotme. Ndërkaq duke folur për ekspozitën e krijuesve
shqiptarë ai tha: "është një ide e shkëlqyer që ditën e sotmë (edhe pse po
i mbajmë disa fjalime) ta shënojmë me një ekspozitë dhe një festë. Çka është si
të themi: europiane? Ose çka mund të tregojë më shumë Europë se ne përmes artit
dhe kulturës të zbulojmë njëri-tjetrin. Cilat janë dallimet dhe cilat janë të
përbashkëtat. Prandaj edhe në kuptimin politik është një ide bindëse që këtë
ditë ta hapim me një ekspozitë në të cilën artistet me origjinë shqiptare
prezantojnë para nesh krijimet e tyre."

Kryebashkiaku i Emmendingenit, Stefan Schlaterer
Ngjashëm me z. Weiß është shprehur edhe kryebashkiaku i Emmendingenit Stefan
Schlaterer: "Unë besoj që të gjithë jemi të mendimit se arti dhe kultura
janë diçka që lidhin njerëzit përtej kufijve prandaj sot është një rast i mirë
që këtë e bëjmë së bashku me hapjen e një ekspozitë të tillë."

Në foto, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli
Për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës nga Prishtina kishte ardhur edhe
ministri i Diasporës në qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli.
"Më lejoni që t'iu përgëzoj të gjithë juve dhe t'iu uroj për këtë ditë të
bekuar për kombin tonë. Po ashu një falënderim i veçantë vlen për artistët që na
kanë ofruar këtë dhuratë shumë të mirë në këtë 100 vjetor, t'i falendëroj sepse
ata me të vërtetë janë ambasadorë të artit dhe të kulturës gjithandej ku
veprojnë."
Ambasadori Xhakaliu falënderon shtetin dhe popullin gjerman

Në foto, ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu
Pas Makollit të pranishmëve i është drejtuar edhe ambasadori i Repulikës së
Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu: "Një falendërim të madh në këtë ditë
e shpreh për Republikën Federale të Gjermanisë dhe popullin gjerman që u tregua
mik dhe ndihmës atëherë kur ne kishim më së shumti nevojë për ta."
Me interesim të madh të pranishmit kanë përcjellë edhe fjalimin e
europarlamentarit dhe anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Europën
Juglindore, Bernd Posselt.

Në foto, eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt
"Aty ku janë shqiptarët, aty ka kulturë, aty ka muzikë, aty ka piktura, ka
poezi... Unë erdha sot këtu me shumë kënaqësi sepse këtu kam shumë miq
personal....Dhe kur ne sot festojmë edhe ditën e flamurit të Skënderbeut atëherë
duhet të kujtojmë se ky nuk është vetëm flamur i Republikës së Shqipërisë por
edhe një flamur i një personaliteti të historisë mesjetare që ka mbeldhur shumë
popuj për të mbrojtur Evropën në një kohë shumë të vështirë".

Në foto, Tahir Shabani, kryetar i Shoqatës "Yjet e Kosovës"
Në përfundim të aktivitetit kryetari i Shoqatës "Yjet e Kosovës",
Tahir Shabani në një prononcim për DW-në shprehu kënaqësinë e tij që: "100
vjetori i themelimit të shtetit shqiptar nuk u festua vetëm nga shqiptarët por
edhe nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera që jetojnë këtu në landin e
Baden-Würtmmebrgut. Prania e tyre e bëri këtë festë edhe më madhështore."
Në hapje të ekspozitës kanë marrë pjesë edhe i dërguari i ambasadores të
Shqipërisë (Maragarita Gega) në Këshillin e Evropës në Strasburg, Dastid
Koreshi dhe ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita.