09 gusht 2010
Nga Flori Bruqi:Lirinë e Kosovës e shoh edhe në sytë e birit të tij që ka emrin Nëntor...
(Mehmet Kajtazi 1944-2003)
Mehmet Kajtazi u lind në vitin 1944 në Kllodernicë të Drenicës(komuna e Skenderajt).
Një kohë punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vendlindje, në Turiqefc, në Runikë, në Klinë të Epërme dhe në shkollën e mesme "Isa Boletini" në Skënderaj, ndërsa, prej vitit 1973 ishte gazetar dhe redaktor i fejtonistikës në të përditshmen "Rilindja" dhe së fundi deri në vdekje punoi si redaktor profesional për prozë në Ndërmarrjen Botuese "Rilindja", Prishtinë.
Me krijimtari letrare mirrej që nga shkolla e mesme. Ka shkruar kryesisht prozë për të rritur: romane, tregime, novela.
Pjesë nga veprimtaria e tij artistike janë përkthyer dhe botuar në frëngjisht.
Mehmet Kajtazi ishte krijues që ka shfrytëzuar ngjarje të vërteta, personalitete historike e figura tjera, por edhe situata të veçanta të gërshetuara me ndodhi e personazhe fiktive, të cilat në laboratorin e krijuesit janë përpunuar artistikisht.
Tema e fakte të realitetit tonë kombëtar e historik janë brymosur në një varg veprash letrare të Mehmet Kajtazit, të cilat me ngjyrime artistike janë fuqizuar".
Mehmet Kajtazi ndërroi jetë më 25 shtator 2003 në Lozanë të Zvicrës dhe u varros në Prishtinë më 27 shtator 2003.
Mehmet Kajtazi ka botuar këto vepra:
1. ''Nata në gur'' (roman, 1984), botoi "Rilindja", Prishtinë,
2. ''Plaku dhe urat'' (roman, 1986), botoi "Flaka", Shkup,
3. ''Zemër e Thyer'' (tregime, 1987), botoi "Rilindja", Prishtinë,
4. ''Fundi i legjendave'' (roman, 1990), botoi "Rilindja", Prishtinë
6. ''Kodra e pajtimit'' (tregime, 1993), botoi "Ylberi", Prishtinë,
7. ''Ushtimë e Alboderit'' (roman, 1993), botoi "Shkëndija", Prishtinë,
8. ''Shote Galica'' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë,
9. ''Minatorët'' (roman, 1995), botoi "Onufri", Elbasan,
10. ''Thikë në portokall' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë(sponzorues i librit Flori Bruqi).
11. ''Gjeli i katedrales'' (roman, 1996), botoi NB "Rilindja", Prishtinë,
12. ''Santa Ana'' (roman, 1998), botoi NB "Rilindja", Prishtinë,
13. ''Guri i dallëndyshes'' (roman, 1998), botoi NB "Rilindja", Prishtinë,
14. ''Lindja në qiell'' (roman, 2000), botoi "Rilindja", Prishtinë,
15. ''Udha I'' (roman, 2000), botoi "Rilindja", Prishtinë,
16. ''Ndezja e shiut'' (roman, 2001), botoi NB "Rilindja", Prishtinë.
17. ''Një diell tjetër'' (roman, 2003). botoi NB "Rilindja", Prishtinë.
Romani "Ndezja e shiut "u nderua nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën më të mirë në prozë në vitin 2001.
Teatri Popullor i Prishtinës ka inskenuar dramën "Nata e fundit në Goli Otok", sipas romanit ''Shqiptarët në Goli Otok''-5 nëntor 1992 u shfaq premiera e kësaj drame dhe kjo dramë theu të gjitha rekordet duke patur mbi 350 repriza dhe është shfaqur në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë vendit.
Teatri Shqiptar "Kurora" nga Nyoni-i Zvicër (theatre Albanais "Kurora" de Nyon) dramatizoi dhe shfaqi romanin ''Fundi i legjendave''.
5. ''Shqiptarët në Goli Otok'' (roman, 1991), botoi "Dielli", Zagreb.
Etj.
 
Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Mehmet Kajtazi ,diti dhe nxori në pah vuajtjet shpirtërore të popullit të tij të vuajtur gjatë shekujve . Shqiptarët ishin ata që gjakoseshin në kazamatet moniste jugosllave -në atë burgun famëkeq të Goli Otokut.
Subjekti i kësaj drame të hidhur për shqiptarë dhe Mehmet Kajtazin, erudit, i thjeshtë, i dhimbshëm. Ai deri në frymën e tij të fundit mbarti vlera të larta artistike , humane e kombëtare. Mehmeti ,shpeshëherë më thoshte "Një kombi nuk mund t'i mohohet dëshira për të qenë i lirë, dhe për t'iu larguar gjithnjë e më shumë robërisë". ...
Vuajtjet dhe gjendja e mjeruar e shqiptarëve kosovarë në burgun e Goli Otokut në ish Jugosllavi, ka qenë edhe subjekti i thjeshtë i kësaj drame, e cila në çdo detaj paraqet vërtetësinë e madhe të jetës dhe dëshirën për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Përfshirja dhe preokupimet e shqiptarëve për bashkëjetesë është dhe ana tjetër e këtij subjekti . Trupa kombëtare, më dramën e shkrimtarit dhe atdhetarit Mehmet Kajtazi "Nata e fundit në Goli Otok" është mirëpritur me sukses nga shikuesit shqiptar dhe të huaj, jo më pak se 350 herë !!!
Në vend të përkujtimit për shkrimtarin tonë të madh mikun tim,mikun e shkrimtarëve tonë të medhenj :Daut Demaku,Shyqri Galica ,, po shkëpusim shkrimin e tij(Mehmet Kajtazi) më titull:
"KULTURA BASHKON KOMBIN EDHE NË LOZANË TË ZVICRËS"?
"Ilirët bulbërojnë për Arbërinë... Nuk ishim as të "majtë" e asë të "djathtë ".Nuk ishim askushi, ma thanë Hyzer Olluri, Bislim Hoxha dhe Arsim Ferizi.
Ata kanë ardhur nga anë të ndryshme të Kosovës (njëri nga Drenica, tjetri nga Dukagjini dhe i treti nga Ferizaj) dhe askushi do të ngelim, thonë ata, nëse nuk e shohim në harmoni popullin shqiptar në mërgim. Biseda ka një forcë magjike kur dirigjohet nga vullneti i madh për harmoni kombëtare. Këtë nuk e bënë krerët politikë shqiptarë në Zvicër, thonë ata, këtë po e bëjnë "Ilirët", po e bën hapërimi i tyre që me kulturë të bëhemi një.
Kështu shprehet edhe Nadire Hoxha dhe tregon se vëllai i saj nuk është vrarë nga dora serbe pse ai luftoi në emër të kësaj apo të asaj partie politike, por u vra nga ajo dorë gjakatare pse ai donte që Kosova të jetë e lirë.
Unë lirinë e Kosovës e shoh edhe në sytë e birit të tij që ka emrin Nëntor, në nëntor më kanë vrarë vëllanë gjakatarët serbë. Është rregull i përgjithshëm i shteteve të perëndimit që ardhësit në tokat e tyre të mos zhvillojnë aktivitete politike, por nëse ka njerëz të tillë që pandehin se identitetin e tyre mund ta ruajnë dhe ta kultivojnë në korniza politike, këtë edhe ua mundësojnë shtetet mikpritëse, por gjithnjë duke iu përmbajtur ligjeve të shteteve ku ata kanë emigruar.
Shqiptarët që nga koha e krijimit të pruralizimit politik në atdhe, tërë energjinë e tyre e shpenzuan në politikë: krijuan parti të ndryshme politike, ligjet e shteteve mikpritëse nuk lejuan që ato parti të regjistrohen si parti, por krerët e atyre partive shumë të zhdërvjellët dhe në të njëjtën kohë edhe gënjeshtarë dhe nxituan që partitë e tyre t'i regjistrojnë në organet përkatëse jo si parti politike, por si shoqata me emra të ndryshëm.
Kështu vepruan edhe në Zvicër. Gënjeshtarët mund të gënjejnë veten, por jo edhe shtetet me përvojë shtatëqind vjeçarë si shtet, siç është Zvicra.
Zvicra mirëfilli e dinte se krerët e ndryshëm politik të këtyre partive po harxhojnë kot së koti energji, ua tërhiqnin vërejtjen për këtë, por shqiptarët kur vendosin të merren me politikë, janë më ujqër së ujqërit, i prenë hekurat e të gjithë kafazeve.
Si rezultat i një qëndrimi të tillë kobzi, në të gjitha shtetet e Perëndimit, duke përfshirë edhe Zvicrën, shqiptarëve iu servua në pjata një racion, që nuk kishte emër tjetër pos - PËRÇARJE.
Nga avulli plot xëc i këtij racioni shqiptarët nisën të akuzojnë shoqi-shoqin si majtistë e djathtistë, e Atdheu rënkonte në robëri, se nuk punonte as dora e majtë, as dora e djathtë, do të thotë që nga mëngjesi merrte tëposhtëzën rruga jonë.
E themi kështu, ngase për t'u larë mirë fytyra në mëngjes, duhet të përdoren që të dyja duart. Atdheu jo vetëm që rënkonte në robëri, por symbylltas ecte drejt greminës. Këtë tragjedi ndër të parët e kishte hetuar Jusuf Gërvalla, andaj me nxitim e vrau Jugosllavia, siç e kishte vrarë tërë Kosovën që nga dita kur e kishte ndarë Kosovën nga Shqipëria.
Këtë tragjedi të madhe ia kishte sjellë kryesatrapi i Ballkanit, komunisti Tito.
Krerët politikë shqiptarë, duke e njollosur njëri-tjetrin, kishin krijuar mjegull të dendur para syve të tyre dhe fare nuk e shihnin vrasësin. Ai tashmë ishte diku në një varr, por e kishte lënë prapa birin e vet, Slobodan Milosheviqin, i cili dredhinë e Titos nuk e kishte përsosur vrasjen si mjet të vetëm për zhdukjen e shqiptarëve.
Krerët e partive politike, edhe kur vritej aq brutalisht Kosova nga "njeriu" që kishte kultivuar deri në shkallë ndërkombëtare fashizmin serb, merreshin në mes veti duke ia shkëputur herë njëri, herë tjetri dorën e majtë ose dorën e djathtë.
Ishin të gjitha sinjalet që shqiptarët po ngelnin pa duar. Këtë e hetuan edhe të rinjtë shqiptarë në Lozanë të Zvicrës, të cilët më 1 nëntor 1994 krijuan shoqërinë kulturore, për të rritur e për të vegjël, krijuan grupin e valleve shqipe, e nxorën nga dheu rrënjën që po venitej pa diell dhe shpejt e shpejt rrënja mori emrin e vet: ILIRËT.
Ata që e quanin veten të djathtë thanë se me urdhrin e politikës sonë u krijua shoqëria kulturore artistike "Ilirët", kështu thanë edhe ata që pandehnin se i sjell diçka të mirë atdheut majtizmi shqiptar, që i kishte rrënjët te thembra e këpucës së Titos dhe të komunistëve të tjerë më të vegjël se ai edhe për nga pesha e trupit, edhe për nga prestigji, "Ilirët" si ilirët: kishin vendosur t'u takonin të gjithë shqiptarëve.
Këtë fjali po e përsëris: të gjithë shqiptarëve. Ata ishin dhe janë të vetëdijshëm se kultura është mbretëreshë që i bashkon shqiptarët, andaj ata edhe sot "marrin urdhra" nga kjo mbretëreshë. Krerët politikë shqiptarë edhe sot janë të ndarë në Lozanë, e si rezultat i kësaj të keqe ata insistojnë që Festa e Flamurit të mos festohet bashkërisht, ata edhe përvjetorin e Jusuf Gërvallës e kremtojnë ndaras.
Po patën mundësi ata një ditë edhe Diellin do ta ndanin. Shqiptarët e rëndomtë e shikojnë këtë punë të tyre (tepër të ligë dhe tepër tragjike) me skepticizëm dhe me përbuzje, por skepticizmi dhe përbuzja nuk mjaftojnë që të venitet rrënja e përçarjes dhe të zhduket një ditë përgjithmonë.
Të vetëdijshëm për këtë, "ILIRËT" edhe më shumë u mobilizuan që me kulturë t'i bashkojnë shqiptarët. Më 15 mars 2001, biseduam në Lozanë me disa shqiptarë të përkatësive të "Ilirët" nga dita në ditë po i shtojnë radhët me artistë të rinj, të talentuar dhe me plot zell që të krijojnë harmoni në mesin e shqiptarëve në tërë Zvicrën.
"Ilirët" dy herë zunë vendin e parë në Festivalin e Bernës, ku u prezantuan 25 shoqëri kulturore-artistike nga mbarë Zvicra. Shpesh kemi qenë në qendër të vëmendjes në shtypin qendror të Zvicrës, thotë njeriu më përgjegjës dhe më meritor në këtë shoqëri: Ilir Bytyçi.
Në Lozanë, ku e kemi selinë, por edhe në tërë Zvicrën, dhe në shtetet e tjera, ne i kemi vënë vetes për detyrë parësore që të bulbërojmë pak Arbëri edhe në mërgatë, andaj kur këndojmë para publikut ne e sjellim në gjirma të zemrave të shqiptarëve Gjirokastrën dhe Preshevën, Tetovën dhe Ulqinin, Prishtinën dhe Tiranën. Kur këndojnë "ilirët", thotë Arjeta Buzhala, ne kthehemi në Kosovë, sadoqë, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që unë nuk kam qenë në Kosovë.
Nuk kam qenë as unë, thotë burri i saj, Afrimi, dhe tregon se krerët politikë "të djathtë" dhe "të majtë" nëpër tubime të ndryshme bërtitnin dhe klithnin se nuk i nënshtrohemi dot Serbisë dhe detyrë juaj, o bashkatdhetarë, është as ju mos të bëni asnjë hap për nënshtrim, pra as ju mos shkoni në ambasadë të Serbisë për të marrë pasaporta dhe, mërgimtarët e gjorë i mbushnin kutitë e mëdha me deviza të shumta, pas një jave i shihnin krerët e partive politike shqiptare që udhëtonin me mercedesë të zinj, drejt ambasadës jugosllave për të paguar shuma të majme për t'u pajisur me pasaporta të shtetit jugosllav.
Unë dhe nusja ime, Arjeta, nuk deshëm të marrim pasaporta të huaja, andaj edhe për mua kaluan më shumë se dhjetë vjet, që nuk e kam parë Kosovën.
Unë në një mënyrë e shoh Kosovën përmes valleve të "Ilirëve", po presim që këto ditë të marrim pasaporta të Zvicrës, ose të UNMIK-ut në Kosovë, nëse ngjet e kundërta, do të kthehemi përfundimisht në Kosovë: në Atdhe le të punojnë partitë politike, se pa to nuk bën në atdhe, por në mërgatë do të ishte mirë të shënohej fundi i tyre, pra do të shënohej fundi i përçarjeve, "harmonia në valle dhe në jetë i gëzon mërgimtarët", shkroi i madhërishmi Mehmet KAJTAZI.
Dhe...
I kthehem me mendje emrit të moçëm, atij të Drenicës. Lëshoj vetëm një klithmë që e kisha dëgjuar herët në një varg të këngës lirike: "Oj Drenicë, Drenica e kuqe!". Drenica e kuqe, ishte marionetë e të tjerëve që deshen gjithnjë të futej e flijohej në luftë, por që pas përfundimit të luftës, të qortohej, të fyehej, të shlyhej dhe të shuhej tërë ajo që kishte ndodhur ndaj armiqve pushtues. Shuarja e luftërave të Drenicës, ishte bërë sinonim i çdo kohe. Dhe, po të më pyesnin mua ata drenicakë, s'do të rebeloheshin në asnjë luftë! Më pyetni edhe për këtë luftën e mbramë? As që do të pohoja se Drenicës i priu zari! Po, them se edhe sikur të lutej prej qiellit e në tokë: "Zar, zar, të paqa zar!" asgjë s'do të fitonte. Ishte shkelur Berlini e të fitonte Drenica, kjo ishte anakronizëm. Anakronizëm do të ishte sikur të ngritej edhe tërë Shqipëpria. Të mëdhenjtë e lidhën marrëveshjen dhe pas dëmeve e pushuan luftën për interesa të tyre. Drenica digjej flakë e të tjerët përgëzonin. Çfarë ishte kjo luftë? Drenica vuante për bukë, kurse të tjerët hanin e pinin, pa çarë hallet e atyre që mbetën pa bukë e pa kulm mbi kokë. E vërteta i çan edhe gurët. Por, në Drenicë, kishte familje të tilla që s'kishte ç't'i hante miu pas darke!
I nxjerr shënimet që i kisha marrë nga z. Ahmet Dajaku, pjesëmarrësh i luftës së mixhës Shaban Polluzha të Drenicës.
-Populli shqiptarë është si një pemë që ka një trup që ka një degë andej, tjetrën këtej, dhe na duhet një pemë e tillë. Njerëzit tonë duhet të jenë në çdo vend. Për një flamur luftuan ata dhe ne. Fituam apo s'fituam në luftën e mbramë me armë, lufta do të bëhet shumë kohë me laps. Kush fitoj - fitoj - pohonte kapter Bajrami nga Shqipëria. - Paria juaj në Kosovë kanë për të vjellur gjak. Më dëshirë kam të vdes në Kosovë se të dëgjoj se ajo mbeti nën këmbë të shkaut.., - dhe e kishte ngritur zërin kundër çdo rebelimi e lufte të re në Drenicë.
As që mundja ta qetësoja veten nga ëndrra që kisha parë. Meqë Norës ia pata rrëfyer në park, kur Proza ishte zgjuar dhe pinte kafenë e mëngjesit së bashku me ne, e mata jetën e saj, dhe heshtjen kur shihte se patjetër po i vinte kafeja. As që e kisha harruar atë klithmë:"Oh, moj Prozë, Proza ime!". Por, sikur edhe ajo e dinte se ende s'isha shëruar tërësisht nga majasëlli përpiqej të më kruaj. Përpiqesha t'ia largoja dorën, e ajo s'më shkoqej dot. Befasisht i rashë shuplakë në faqe, dhe kur e pa Lumnija, më qortoj:
-Baba, a sheh sesi iu skuq fytyra Prozës!
Isha kthyer me fytyrë prej Prozës dhe vërtet pashë se njëra anë e fytyrës iu kishte skuqur tepër,e mendoja në vete: me cilën dorë i rashë shuplakë, me të majtën apo të djathtën? Në ato përpelitje më kishte dalë gjumi.
Kisha parë edhe shumë ëndrra të tjera, por që më kujtohej vetëm një klithmë: "Lufta i han shtalbakët. Qetësinë pas luftës e krijon frika, dhe asnjë gjeneratë s'mbeti pa i përjetuar së paku dy luftëra, apo edhe më shumë..." Lexova shënimin e një plake nga Llapi: "Mos të kapët dhuna, se s'të ndalë as Tuna!" Ëndrra që më kishte munduar për luftën, mbeti në harresë. Nesër do të bëhet më mirë, shtova në vete, dhe me kaq po e mbyll kapitullin e ditës së sotme...
****
 
Sa shpejt më ra në dorë një skedë, ku në bisedë me Mursel Hajrën, nga Rakinica, plak që i kishte mbushur njëqind vjet, kisha shënuar:
-Derisa të jetë bota s'duhet të humbet lufta e Ahmet Delisë. Kambër Loshit, Nak Berishës dhe e Azem Bejtës... Kisha e parë është ndertuar në Deçan, kurse e dyta është kjo në Deviç. Honrakët e Rakoshit e Kerolltë bëhen vojvodë dhe gjithnjë e kanë ruajtur kishën e Deviçit... - pohonte plaku, që ka vjet që ishte verbëruar sysh.
Kisha kapërcyer kalimthi nëpër një vijë të shkurtër të Shqipërisë, në mars të vitit l993. Më dukej se kisha shkuar të kërkoja zjarr, apo ndonjë ndihmë mjekësore për djalë? Asgjë s'pata t'i dërgoja Shqipërisë e as që mora diçka prej saj. Me dëshirë Shqipërisë do t'i dërgoja libra, për hir të abetares së parë që kushedi nga e kush e pruri në Kosovë dhe fat që mësova shkrim-leximin. Pata marrë me vete pesë romane të birit tim, Arsimit, dhe ato ua fala disa vetave. Ndodh se do ta kenë lexuar romanin, por ketë s'e bëra që të më pranohej se kisha djalë që di të shkruaj. Po, ç'të them për Drenicën dhe librat që lexohen atje. Ka Denica njerëz të shkolluar, ka... Ka Drenica lexues, ka... Ka Drenica veprat e mia, i ka... Por, ç'fat e përcolli atë Drenicë, e në halle të saj mos qofsha!
Në vjeshtë të vitit l995, vizitova Shkollën Tetëvjeçare në Runikë, aty ku më parë kisha punuar, pastaj edhe shokë të tjerë, por edhe Mehmet Kajtazi. Takova vëllain e tij, që ishte emëruar pedagog i shkollës, dhe m'u bë qejfi kur më futi në atë bibliotekë që më parë mezi e pata nisur punën me ato pak libra, e tash ka më shumë sosh. Në një skaj të asaj biblioteke pashë se ishte ngritur një pikturë e Shotë Galicës. E shikova atë pikturë, dhe pa më treguar asgjë, mora vesh se shkolla ishte pagëzuar me emrin e Shotë Galicës. Shotë Galica nuk kishte përmendore para ndertesës së shkollës, por ende ishte ajo përmendorja e Millun Jakshiqit, për të cilin gazetarët e nderuar, z. i ndjerë Nebil Duraku, dhe z. Mehmet Kajatzi, i patën shkruar e botuar fejtonet e para për të. Edhe për Shotë Galicën z. Mehmet Kajtazi ka botuar romanin me titull: "Shotë Galica", por që në atë bibliotekë ende s'ka arritur. Isha duke shikuar në dritare dhe Sheremet Kajtazi dukej se fare nuk më përcillte nga e kisha thelluar tërë atë shikim. Shkolla më dukej se kishte nisur të plasaritej, kurse në anën tjetër pashë shkollën e re.
- Ketë shkollë na lanë serbët ne,. e asgjë tjetër. Morën shkollën e re, por mirë që u ndamë prej tyre. Tash jemi më të qetë - tha Sheremeti.
E pyes pedagogun:
-Po, a mund të gjej shënime nga koha ime?
-Unë, më sa kam hetuar, ato janë në duar të shkive. Mjafton se i kemi këto shënimet më të reja! - m'u përgjigj ai pa fije arsyetimi, dhe u fut në botën e shënimeve që ai përpiqej t'i vë në skedarë të shkollës. Edhe atëherë ndodh se kisha klithur:"O, moj Drenicë!..."
Të tjerët herët patën klithur.
"O, moj Shqipëri!"
 
*****
Për pak çaste e ndala kompjuterin dhe duke u zhdjergur shkallëve teposhtë, dyshoja mos do ta kem bërë ndonjë gabim teknik dhe të më shlyhej, sepse aftësia krijuese s'është e njëjtë në asnjë kohë. Në sallon vërejta se kaftjalli s'ishte i gatshëm. Mora një grishkë bukë dhe e leva me pak mjaltë, e posa e hëngra, më erdhi një trohë fuqi krijuese. Rishtas u ngjita shkallëve përpjetë, dhe mendoja se ku t'i gjeja shënimet dhe çfarë të trajtoja sot. Në tavolinën ku punoj, pashë se i kisha shënimet që i kisha marrë nga prof. Abas Ermenji, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat "Shqipëria e lirë", të botuara në "Albania", më 28.l2.l962, në Romë, kushtuar 50-vjetorit të pavarësisë dhe të Ditës së flamurit. Në vete thosha: "Me shumë vonesë arrita të lexoja shkrime të tilla, apo vallë mos qesh larg botës së librave?" Libri ishte botuar në Romë, çfarë të thosha për romakët? Mjafton se edhe atje lejohej të botohej një libër i tillë, dhe të dalë emri i idologut që s'ka mundur të veprojë në Shqipëri, por krijoi kushte që të punojë edhe atje, jashtë kufijve, për Shqipërinë. Ai, në shkrimet e tij, theksonte se Rusia, Kina dhe Jugosllavia patën për qëllim të sundojnë popujt e vegjël, dhe atë pjesërisht e arritën. Policia serbe hyri në Shqipëri për të vrarë njëmijë e sa kosovarë, kurse brigadat shqiptare dërgoheshin për ta liruar Kosovën. Them në vete: "Anakronizëm i një kohe që hapi shumë varre shqiptarësh!" Në fakt autori i këtij shkrimi përpiqej të bëhet njësimi i shpirtit kombëtar në mbështetje të jehonës që bëri Lidhja e Prizrenit, e cila ndiqte vatrën e kulturës shqiptare. Vënte në spikamë se në luftërat Ballkanike shqiptarët i dhanë grushtin dërrmonjës Perandorisë Osmane; forcat u mblodhën të çthurura, të paorganizuara dhe fati i Shqipërisë mbeti në duar të fqinjëve dhe të fuqive të mëdha. Shqiptarët edhe mëtutje kërkojnë njohjen e autonomisë së tyre brenda katër vilajteve :Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë. Porta e Lartë i mbante gjithnjë me premtime e gënjeshtra. Populli shqiptar, i çthurur dhe i papërgatitur për qëndresë, pa administratë, pa një ushtri, pa një qëndër drejtuese, u ndodh i papritur përballë intrigave të jashtme dhe të veprimit ushtarak nga fqinjët, që i shkelen krahinat shqiptare. Ushtria marshoi në të katër anët. Një pjesë mori nga Perëndimi, drejt Shkodrës, dhe pjesa tjetër nga Juga, drejt Manastirit. Në anën tjetër, një pjesë e ushtrisë greke marshoj drejt Janinës. Kështu, katër vilajetet :Shkupi, Manastiri, Janina e Shkodra u morën nëpër këmbë. Sulmi ishte i papritur, sa që shqiptarët vonë e morën vesh, duke menduar se fqinjët kishin punë kundër Turqisë, dhe jo kundër tyre. Kur e morën vesh qëllimin e fqinjëve ishte tepër vonë" shkruante i nderuari z. Abas Ermenji në shkrimin e tij enkas për pavarësinë e Shqipërisë si dhe për marrëdhëniet fqinjësore të asaj kohe. Rishtas dëshiroja të përsiasja, por u tërhoqa, duke iu frikësuar shkrimtarëve të ardhshëm se mos kjo që po e them, do të cilësohej si parullë!
Sërish u qasem shkrimeve, dhe s'mund të shkëpus veten nga tërë ajo që kisha lexuar dhe shënuar. Mirë që jeta po vazhdon edhe si e tillë, pra me shkrime.
Lexoj në vazhdim për ngritjen e Falmurit në Vlorë, l9l2 (28 nëntor) kur u formua edhe një qeveri e përkohëshme nën kryesinë e z. Ismail Qemalit, duke i njohur fuqitë e mëdha se Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, dhe të ndërhynin që të mos bëhej copëtimi i saj. Për fat, apo pa pikë fati, Austro-Hungaria e para iu përgjigj kësaj thirrje dhe kërkoi që Shqipëria të mos copëtohej! (Këto qenë parulla mashtruese se do të copëtoheshin!...) Luftërat Ballkanike i pushoi Anglia, kur e organizoi Konferencën në Londër, ku morën pjesë ambasadorët e fuqive të mëdha, më l7 dhjetor l9l2. Kjo i caktoi kufijtë e Shqipërisë më l9l3. Austro-Hungaria dhe Italia kërkonin një Shqipëri më të madhe, kurse Rusia dhe Franca donin ta bënin sa më të vogël. Gjermania përkrahte Austro-Hungarinë, kurse Anglia si pajtuese ndërmjet dy palëve, luajti lojën më të rrezikshme. Interesi i Austro-Hungarisë, ishte mosdalja e Serbisë në Detin Adriatik, kurse Italia të siguronte kanalin e Otrandës dhe të mos mbyllej kanali i Korfusit. Shqiptarët mbasi nuk mund t'i dalin zot vendit të tyre, u ndoq vija gjeografike e Italisë dhe e Austro-Hungarisë. Në mars l9l3, me ndërmjetësimin e ministrit britanik, Edëard Grey, Austria ra në ujdi me Rusinë mbi caktimin e kufijve të Shqipërisë së Veriut. Kufijtë e Veriut u qethen dhe u përqethen! Më 30 maj l9l3, u nënshkrua në Londër traktati i paqes ndërmjet Turqisë dhe të aleatëve ballkanikë. Artikulli III i këtij traktati ua linte në dorë fuqive të mëdha caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe rregullimin e çdo pune që kishte të bënte me Shqipërinë. Komisioni prej të dërguarëve të gjashtë fuqive të mëdha, që u mblodh në Firencë të Italisë, me ndihmën e Institutit Gjeografik, caktoj në hartë kufijtë e Shtetit shqiptar, ku më l7 dhjetor l9l3, u nënshkrua Protokolli i Firencës. Në prill l9l3, Ismail Qemali u nis për në udhëtim nëpër Evropë, ku i vizitoi kryeqytetet e fuqive të mëdha. Plaku i Vlorës u kthye në Shqipëri me premtime të thata. Lëvizjen e Vlorës e paraqitnin si pa fe, që kërkonte të sillte një mbret kaur.
Princ Vilhelm de Vied zbriti në Shqipëri më 7 mars l9l4. Esad Topotani arrestohet më l9 maj l9l4. Rebelet ishin për një princ të Osmanllinjve. Parulla e tyre nuk ishte :"duam tokë", por "duam Babanë!"(dmth Sulltanin). Nga kjo dramë targjikomike që luhej në dëm të Shqipërisë i luhati trojet shqiptare. Muhaxhirët e mjerë, të ndjekur me zjarr e dhunë nga trojet e tyre nga Serbia, vdiqen nga uria me mijëra burra, gra e fëmijë nën ullishtat e Vlorës. Trupat e mjerë të tyre i hodhen në det...
Traktati i fshehtë i Londrës, që parashikonte copëtimin e Shqipërisë, u mor vesh nga tërë bota, më l9l7, kur Bolshevikët në Rusi, botuan arkivat e fshehta të misnitrisë së carit. Zogu i shpërndau popullorët si bykun që shpërndan era...!
Mendja rishtas më rrëshqiti në fillim të kapitullit, dhe në vete mirë që lëshova klithmën e poezisë: "O, moj Shqipëri!..." të shkrimtarit romantik Vaso Pashë Shkodranit
Posted by AGJENCIONI FLOART-PRESS at 9:59 MD