E Djelë, 05.19.2024, 03:18am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SKANDALE DEMARKACIONI TË KOSOVËS E SHQIPËRISË ME MALIN E ZI
Studim nga RAMIZ LUSHAJ

E Mërkurë, 04.02.2014, 06:58pm (GMT+1)



    1.
    E jashtëzakonshme. Ministri i Brendshëm i Republikës të Kosovës, Bajram Rexhepi, lidhur me vijën kufitare shtetërore me Malin e Zi në shtator 2010 në Pejë iu deklaroi masmediave:"Çështja e demarkacionit është problem që do të zgjidhet, kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra"(!!!) Ndokush mund të thotë se kjo i përket të kaluares. Jo. Përkundrazi. Është problematikë (ndër)kombëtare përtej aktuales. Në Prishtinë, edhe dy bisedimet e fundit Kosovë-Mali i Zi, mes ministrave të Jashtëm në shkurt 2014 dhe atyre të Brendshëm në mars 2014 (e fundit shoqërue edhe me disa marrëveshje për kufirin, për ruajtjen, pika kalimi të tij, etj.) pohojnë se demarkacioni do të vendoset pas disa muajsh, kësaj vere.

Sivjet, pas atij takimit të parë zyrtar publik dypalësh dakordues të 21 qershorit 2010 në Podgoricë të ministrave të Brendshëm Rexhepi-Brajoviç, nis i katërti vit i çështjes së hapur të kthimit të kufirit nga një kufi administrativ i ish-Jugosllavisë në kufi shtetëror në mes dy shteteve të reja Kosovë-Mali i Zi. Asokohe Rexhepi tha se demarkacioni do të përmbyllet ma së largëti kah fillimviti 2011. Gjenerali Erhard Bühler, komandant i KFOR-it në Kosovë deklaroi botënisht se kjo çështje do të përfundojë në verë 2011. Këtë afat e pohoi prapë edhe ministri Rexhepi. U shty për në shtator-tetor 2011. Zv/kryeministri i Kosovës H. Kuçi, në prag të Krishtlindjeve 2010, lajmnoi një kohë tjetër: vitin 2011. E, këso afatesh të njipasnjishme janë prit e përcjell në kalendarin e çdo viti. Edhe më 2011, më 2012, më 2013. Edhe tani më 2014. Këto tejzgjatje tregojnë se ka probleme të forta e të mëdha të vijës kufitare mes dy shteteve fqinjë. Përndryshe, ekspertë të kufirit, të cilët ishin edhe në "demarkacionin" tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.

2.
Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina edhe për faktin se kësokohe Pejën e drejtonte një malazez. Tani tri komunat kufitare: e Pejës, Deçanit e Istogut (Burimit) drejtohen nga lider shqiptarë të partive kryesore parlamentare të Kosovës, të cilët po ndikojnë në tejzgjatje po jo në këputje drejtësisht e përfundimisht të demarkacionit.
Shqiptarë, e jo vetëm ata, në të dy anët e kufirit Kosovë-Mali i Zi kanë mbetë duke i tund tapitë e pronave të tyre në erën e kohës e të premtimeve gjithfarësh. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze. Fatmirësisht, në mes policisë së dy shteteve e popullsisë së tyre, nuk ka pasë përplasje të përgjakshme, përveçse apelimeve e protestave jo të pakta.

Si e mendon shteti i ri i Kosovës zgjidhjen e këtij problemi të vjetër e të ditës të demarkacionit? Alternativa mbetet e njëjtë prej se nga viti 2010, tash katër vjet: "Nuk do të jetë problem për banorët që kanë tokat në ato pjesë. Ata do të pajisen me leje të veçanta për t'iu mundësuar lëvizja pa ndonjë problem dhe do të punojnë tokat pa pengesa"(!) A thue thue kryepolitikanët e Kosovës: kryeministri Thaçi, kryeparlamentari Krasniqi, presidentja Jahjaga garantojnë se do të jenë tanë jetën në këto poste, në ato karrike zyrtare?! Historia iu ka dhanë leksione në shekuj e shembuj të derisotëm banorëve të këtyre zonave kufitare me lëvizje të shpeshta të kufinit ("granicës") pasi në ma pak së njëqind vjet disa herë janë ndarë-bashkuar-ndarë ndërveti Mali i Zi me Serbinë. Në Luftën e Parë Botërore ishin dy mbretni ballkanike e në fund të saj Mali i Zi hyri nën ombrellën e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (MSKS), sikurse edhe në Luftën e Dytë Botërore nën Jugosllavi (RSFJ), pas Luftës së Kosovës krijuan Unionin Serbi-Mali i Zi. Në vitin 2006 Mali i Zi doli shtet më vete në hartën e botës. Kjo lëvizshmëri e vijës kufitare ka ndodh edhe në mes Kosovës e Malit të Zi pas Konferencave të Paqes në Londër (1913) e Paris (1919), pas ripushtimit jugosllav të Kosovës, në vitin 1974 të shpalljes Krahinë Autonome (KSAK) dhe tani së fundit, pas fitimit të lirisë e pavarësisë së saj.

3.
Deklarata e ministrit Rexhepi është alarmante në se kryejmë përllogaritje: Vija kufitare me Malin e Zi është 78.6 km. Në koft se "kufiri luhet 300 m." atëherë një e rënë e lapsit fjalathotë se Malit të Zi i duhen "falur" rreth 24 km2 sipërfaqe nga territori i Kosovës (!) Në koft se "kufiri luhet 200 m." atëherë "dhurata" prapë është e jashtëzakonshme: mbi 15 km2 (!)

Në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.

Liderët në dy anët e kufirit kanë lëshue deklarata për "demarkacionin" qyshse në fillim vitin 2010, kur kryeministri malazez Milo Gjukanoviç deklaronte se "nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën", "Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit", "dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian", etj. Nga ana tjetër, katër vite kalendarike ma herët, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi deklaronte para mediave në Podgoricë se liderët malazezë "me qëllim i mbyllin sytë" para problemeve lidhur me kufirin,  se qytetarë të Malit të Zi, "kanë zhvendosur njërën nga shenjat kryesore kufitare në dëm të territorit të Kosovës", etj. Këtyre deklaratave zyrtare iu duhet shtue edhe fakti tjetër: edhe nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë ka pasë ndërhyrje në territore të sotme të Malit të Zi, po reagimi mediatik, publik e zyrtar malazez është ma i lartë, ma i shpejtë, ma i fortë. Fjala vjen: më 8 qershor 2011 shqiptarët e Shqipërisë përgjatë një km hynë e zhvendosën  50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), po të nesërmen jehuan gazetat malazeze si "Novosti", etj.
Japonezët kanë një shprehje të madhërishme: "Tokë më fal që të shkel me kambë"!, ndaj nis edhe nga ky shembull aziatik  duhet të shqetësohemi shqiptarisht e botënisht për demarkacionin sikur të kishim edhe një rast të vetmuar si ai i familjes Balaj nga Strellci i Deçanit për pronat  e saj në bjeshkën e Zhlebit.

 Këto prona, kryesisht alpine, nuk janë çështje të një individi, të një fshati apo komune, po janë 36 fshatra të komunave Deçan, Pejë e Istog (Burimi) përgjatë vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Zvarritja në katër vite kalendarike të përcaktimit të vijës së kufirit mes Malit të Zi e Kosovës ka të bajnë pikërisht me zbutjen e shpërthimit të ndonjë revolte të paparashikuar e të padëshiruar. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk paraqiten shifra kaq ballas, kaq shkoqur, sa ma reale. Nganjëherë "demarkacioni" nuk pyet aq fort për "demokraci"!  Dy anët e kufirit nuk kanë nevojë as t'ua zvarritin e as t'ua shafitin problemet e pronave të tyre, po t'ua zgjidhin drejtësisht e shpejt ato.

3.
Fakti që mbi 15 apo rreth 24 km2 tokë etnike shqiptare është në lartësi alpine, në reliev të thyer alpin, në bjeshkë me stane për verime bjeshktare, në pyje, në kullota verore, etj. nuk do të thotë që të jenë jashtë vëmendjes të banorëve në dy anët e kufirit, as të ketë shtyrje,heshtje, mbulim e mos zgjidhje të problemeve nga dy qeveritë e Kosovës e Malit të Zi, as të ndonjë kompromisi të mundshëm me EULEX e KFOR në Prishtinë, etj. Aq ma keq t'i falim pronat kësodore, kësokohe, kësisoj!

Nuk janë pak as mbi 15 km2 apo 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit - ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth "tre Sazan" apo mbi "katër Sazan"(!) Nuk janë pak sikur të kishim qoftë edhe "një Sazan" të tillë.

Të mos harrojmë historinë: principata e mbretëria e Malit të Zi, dinastia çetinase e saj, me pushtime e aneksime dhe dekrete të Fuqive të Mëdha i ka marrë Shqipërisë Etnike qyshse nga luftërat e Ostrogut (1853) e Grahovës (1858) dhe në dy luftërat ballkanike 1912-1913 mbi 9.000 km2. E ka trefishue sipërfaqën e saj në dam të shqiptarëve etnik. Prapë do të vazhdojnë të marrin shteti i Malit të Zi toka shqiptare sa një, tre apo mbi katër "ishuj Sazan" në kufij të Pejës, Deçanit, Istogut (Burimit)?!!

4.
Demarkacioni e ka lidhjen e vet të shumëfishtë (i)direkte edhe me krijimin e parqeve (ndër)nacionale si Parku Ballkanik i Paqes ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi (Plavë-Gucisë) si dhe Parku Nacional i Rozhajës (Mali i Zi), etj. Prej kohësh po punohet e financohet në këto projekte për me i kthye pronat e shqiptarëve etnik në "prona shtetërore" për me e vendos krejt lehtësisht vijën e kufirit shtetëror, sepse kësisoj banorët autoktonë shqiptarë nuk i kanë ma bjeshkë, pyje e kullota të tyre. Krijimi i këtyre parqeve edhe në Plavë-Guci e në Rozhajë synon me i detyrue shqiptarët etnik me u shpërngulë në vise, shtete e kontinente të tjera, me i spastrue etnikisht trevat shqiptare nga shqiptarët trojenik e me i mbush ato me kolonë malazezë, boshnjakë e serbë.
Demarkacioni në mes Kosovës e Malit të Zi paraqet një tjetër rrezik sa të fshehtë e të hapur, keqpërdorimi politik. Në zbatim të procesit të paraparë në nenin 3 të aneksit VIII të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, u vendos kufiri Kosovë-Maqedoni dhe tani në prag të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë duan ta kryejnë "de facto" edhe kufirin shtetëror me Malin e Zi për ta propoganduar si arritje para shqiptarëve e ndërkombëtare, për të vjelë vota, etj.

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rashko Konjeviç, pas nënshkrimit në Prishtinë të marrëveshjes për bashkëpunimin policor  Kosovë-Mali i Zi, para masmediave deklaroi qëllimin tjetër të përcaktimit të sivjetëm të vijës kufitare shtetërore në mes dy shteteve teksa pohoi: "ekspertët malazez dhe ata kosovar së shpejti duhet të finalizojnë demarkacionin e kufirit në mënyrë që t'i dërgohet një mesazh i përbashkët Komisionit Evropian drejt perspektivës evropiane".

    5.
    Në fundvitin 1975, asokohe 20 vjeçar, isha vet i treti në një seminar të ATSH-së në Lezhë sëbashku me gazetarët e vendlindjes time, Gani Qerimi e Ibrahim Hajdarmataj e, rastisi të shkonim zyrtarisht tek anija e peshkimit "Islam Mustafa" në Shëngjin ku kapiteni i saj Fran Ivanaj para disa ditësh kishte ra heroikisht nga plumbat e një anije ushtarake jugosllave e futur në brendësi të territorit ujor shqiptar. Aty, në anije, na folën për "dy kufij detarë shqiptar", njëri në ruajte të Ministrisë së Brendshme e tjetri, ma andejna, në ruajtje të Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk po e çprushi këtë "enigmë" në mes Shqipërisë e OKB-së, etj., e hapur dhe e mbyllur nga E.Hoxha e M.Shehu, etj. Kjo m'u ka kujtue shpesh gjatë debateve e praktikave politike, diplomatike e juridike të viteve të fundit për të ashtuquajturen "Marrëveshje e Detit", përndryshe "Pakti detar Shqipëri-Greqi". Kjo m'u kujtua edhe në prillin 2012 kur tek "Syni i Sheganit" në kufi mes Hanit të Hotit dhe doganës malazeze, policia ujore kufitare malazeze arrestoi tetë peshkatarë të Malësisë së Madhe teksa peshkonin me katër varka në ujërat e shtetit fqinjë, pasi kishte mangësi edhe sinjalistika të kufirit ujor në liqenin e Shkodrës. Në kufirin Shqipëri-Mali i Zi ende qëllohet me plumba nga policia kufitare si në fillim prilli 2012 ndaj shtetasit G.D., që e plagosën në kambë kur hyri 300 m në kufi brenda kufirit me Malin e Zi. E përmedna se ky 300 metërshi më kujton shpeshtas atë masën kufitare të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi. Nejse.

    Dikur, në kohën e monizmit, iu dha Jugosllavisë (sot pjesë e shtetit të Malit të Zi) një hapësirë detare pothuaj sa sipërfaqja e rrethit të Mallakastrës (580 km2) apo ma  e madhe se ajo e Paktit Detar Shqipëri-Greqi (354 km2). Kjo për arsyena të kohës. Në se këtë fakt nuk do ta quajmë "skandal", atëherë duhet të përgaditemi që të mos ndodhemi përballë ndonjë "skandali" tjetër në përcaktimin e kufirit të pritshëm detar me Malin e Zi (tue nistue tek ishulli-tokë "Franc Jozef" në deltën e Bunës; përcaktimi i pikës treshe detare kufitare mes Shqipërisë-Malit të Zi-Italisë (sipas barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë, që do të kënaqte kërkesat e tre shteteve), etj.
    Në fakt prej kohësh, gjatë denoncimit atdhetar e juridik dhe përdorimit politik elektoral të "Paktit Detar me Greqinë", përfaqësues të lartë të së majtës në pushtet kanë deklarua se "do të kemi një të tillë Marrëveshje Detare edhe me Malin e Zi",  ku "nuk do të lëshojmë asnjë milimitër", "vetëm në dy palësh fqinjësi të mirë do ta ndajmë detin", etj.

    Realisht, sikurse me Greqinë, pavarësisht nga Marrëveshja (të paplota) Shqipëri-Itali-Jugosllavi (1968), Shqipëri-Itali (1992), lind nevoja për përcaktimin e kufijëve detarë edhe me Italinë e Malin e Zi. Ne nuk po duam e as nuk mundemi të futemi si ekspertë në thelluta të së Drejtës Ndërkombëtare, të Konventës Montego Bay1982 (Ligji për Detin), etj. Veçse theksojmë faktin se duhet patur kujdes në grykderdhjen e Bunës në det të hapur tek delta e saj, tek dy ishujt e formësuar prej prurjeve lumore të saj në fundshek. XIX, si ishulli disa hektarësh "Franz Jozef" i bashkuar tashma me tokën (si gadishull) dhe tjetri, ishulli strategjik e turistik Ada në Ulqinin nën Malin e Zi. Pikërisht ndërmjet tyre, në deltën e Bunës, duhet të jetë pika me koordinata të përbashkëta dhe të njëjta për të dy shtetet: Shqipërinë dhe Malin e Zi, që të ketë në konsideratë edhe Kepin e Rodonit (ndryshe nga mangësi në Marrëveshjen me Italinë), etj.. Për ma tepër Mali i Zi ka një stacion matës në deltën e Bunës me ndryshime në shtratin e vet prej prurje të saj e l.m.d. të njëjtë me detin, etj.

    Ndryshe nga çdo vend tjetër në hartën e botës, në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi i gjen kaq të lidhun në afri ndërveti kufirin detar, lumor e liqenor, çka kërkon studime e kujdes të veçantë, që të mos plasin një "skandal" tjetër i mundshëm, i radhës.  Nuk ka nevojë për ngutje, pasi Komisioni Ndërkombëtar i Kufinjve zgjati 12 vjet (1913-1925) për ndarjen e kufirit të Shqipërisë Londineze me Malin e Zi (mbretëri e republikë e ish Jugosllavisë Monarkiste). As kufini i sotëm Kosovë-Mali i Zi nuk ka nevojë për përngutje, pavarësisht se e kërkojnë ndërkombëtarët si kusht për integrimin e Malit të Zi e të Kosovës në BE e NATO, pavarësisht se opozita e sotme (sikurse Serbia) ngrihet kundra ngritjes së këtij kufiri nga administrativ në shtetëror, sepse njohja e kufijve ndikon në njohjen e Kosovës nga OKB si shtet i pavarur e sovran.
    
    6.
    Në koft se ia falim Malit të Zi mbi 15 apo 24 km2 nga territori i Kosovës, në koft se Mali i Zi merr prapë territore tokë-lumë-det të Shqipërisë nga delta e Bunës deri në thellësi të ujërave ndërkombëtare të Adriatikut (ndoshta dhjetra apo qindra km2 sipërfaqe), sepse çdo ndryshim i pikës fillestare në Tokë është tregues i ndryshimit të vijës ndarëse në hapësirën ujore detare.

    Në rast se Kosova e Shqipëria ecin me logjikën e lëshimit të territoreve të veta atëherë duhet të ndryshojë edhe sipërfaqja e tyre në hartën e botës dhe në libra shkollor e popullor. Mos vallë prapë duhet të rrudhemi etnikisht në territore si komb para oreksit shoven të fqinjëve malazezë, serbë, maqedonas e grekë?! A thue na e jep pa luftë Gjukanoviçi ishullin Ada? Jo. Atëherë pse ne u dashka t'i falim atij e shtetit të tij multietnik qoftë edhe një metër katëror nga territore të Shqipërisë Londineze e të Kosovës Euro-Atlantike?! Po nuk vepruam drejt, kombëtarisht, do na gjykoj e nuk do na e falin historia shqiptare.

    Ende nuk jemi ulë me kambë në tokë e me duar në tavolinë e të bajmë llogari: sa kilometra katërore është Kosova sot në vitin 2014?! Pak kush e di. Askush nuk e thotë hapur. Sa km2 i kanë marrë Kosovës dardane Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilat kanë status të veçantë?  Fjala vjen: Manastiri i Deçanit nuk lejon të kalojë as autorruga për Plavë nëpër territorin e saj, jo le më pasandej të pretendojnë shqiptarët për pronat e saj!  Ky manastir i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka 2.3 km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët: më pak se gjysma e ishullit Sazan të Vlorës dhe ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit shqiptar.

    Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkon nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,"duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe" të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme. Ka të drejtë ky opozitar serb i Malit të Zi që të ketë kaq frikë nga e nesërmja e vendit të tij multietnik, pasi Ulqini iu është dhënë nga Fuqitë e Mëdha për 100 vjet e ky afat është tejkaluar, se krahina etno-historike shqiptare si e Plavë-Gucisë etj. nuk kanë asnjë marrëveshje apo referendum për bashkimin me Malin e Zi të Krajl Nikollës, përkundrazi janë pushtuar e aneksuar prej tyre. 

Ky sinjal (i)direkt i Bulatoviçit duhet të jetë një tjetër paralajmërim për Tiranën e Prishtinën zyrtare që të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në marrëveshjet e tyre edhe me kufirin e kaltër e të gjelbër me Malin e Zi, me vijen kufitare shtetërore nga delta e Bunës në Ultinën e Epërme të Limit, nga Ulqini në Rozhajë.

    Në koft se Bulatoviçi dashka të na sulmojë ne, shqiptarëve etnikw, si "shqiptaromadh" e don me na e vendos "kufirin tek thana" atëherë ne, pasaardhësit e dardanëve (ilirishtdardha) duhet t'i kujtojmë se emri i kryeqytetit të sotëm të Malit të Zi e ka prejardhjen nga dardha (Pod/gorica) e, përndryshe, të mos mësohet me kërcenue si ia kallxojmë "kufirin tek dardha".


                                 

RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
2 PRILL  1991 – 2014...KËSHTU THA… RAMIZ ALIA: “VETËM N’ FUTA E DEGERMIA... ZBUKUROHET SHQIPËRIA!”Misteri i vrasjes së 4 të rinjve shkodranëNga FRITZ RADOVANI (04.02.2014)
KUR U VRA ARBEN BROCI...Nga VEDAT KOKONA (04.01.2014)
ESHTRAT E BEUT – KUSHTUAR EQEREM VE VLORËSNga EDISON YPI (04.01.2014)
ME FRYMËZIM POETI - PËR PASURITË SHPIRTËRORE NË MALËSINË E GJAKOVËS(Veprimtari përuruese, për librat e studuesit Avdyl Sulaj)Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.01.2014)
FILOZOFI ARTAN FUGA - RESPEKTIMI I JETËS SË TJETRIT DHE TOLERANCA NË BESIMIN FETAR JANË DY VLERAT THEMELORE TË MYSLIMANIZMIT SHQIPTAR (Intervistë) (04.01.2014)
RAMUSH HARADINAJ - MISION I PAMBARUAREsé nga RAMIZ LUSHAJ (04.01.2014)
”SOFRA POETIKE E BORÃ…S” DO JETË TRADICIONALE NË TË ARDHMEN NËN PATRONATIN E SHSHASH PAPA  KLEMENTI XI ALBANI NË SUEDI DHE QKSH MIGJENI NGA BORÃ…SFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (03.31.2014)
META PO LEGALIZON PASURITË E VETAOpinion nga ILIR SECI (03.31.2014)
DITA E LULEVE NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE 'DORA D’ ISTRIA' TIRANË - NISMË QË IA VLEN TË PËRHAPET NË SHKOLLAT E TJERAReportazh nga MURAT GECAJ (03.30.2014)
69 VJET NGA MASAKRA E TIVARIT (03.30.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]