VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RAMA DEKORON ERMONELA JAHON - ËSHTË AMBASADORJA JONË MË E MIRË NË BOTË

E Shtunë, 04.05.2014, 11:28am (GMT1)



Tiranë 5 Prill - Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në përshfaqjen dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.

Ndërsa iu referua shprehjes "Arti nuk ka atdhe por atistët kanë", Rama tha se "jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe".

Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.

"Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë",
vlerësoi Rama.

Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.

Ermonela Jaho ka emocion të madh se rrethohet me dashuri e vlerësim

 "Nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim"
, u shpreh të shtunen në mesditë , sopranoja e njohur Ermonela Jaho gjatë ceremonisë së nderimit me medalje nga Kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj sopranoja Ermonela Jaho theksoi se  falenderonte pjesëmarrësit dhe kryeministrin Rama.

"Doja të thoja se nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj se vlerësimi për njëri- tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrje. Këtë gjë provova me rolin tim në operën "Madame Butterfly" në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë", tha sopranoja e cila  vite qe kendon  ne skenat më prestigjioze të botës me shumë sukses.

"Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri tjetrin, por në momentin kur  i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit.  Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte  mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat,  në operën "Madamme Butterfly" . Ishte ky  rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë", nënvizoi sopranoja Jaho.

Duke shprehur falenderimet për dhënien e kësaj medalje, sopranoja Ermonela Jaho nënvizoi se "ky është hapi i parë që një artist duhet të bëjë për vendin e tij".

Sopranoja e njohur  Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën "Madam Butterfly" në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.

Ajo ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik,  skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees,etj. /atsh
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.