VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTJA JAHJAGA - GJYKATA E POSAÇME, DËSHMI E BASHKËPUNIMIT ME DREJTËSINË NDËRKOMBËTARE

E Djelë, 04.06.2014, 06:56am (GMT1)


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndodhet në Nju Jork, ku mori pjesë në takimin e pestë me temë "Gratë në Botë". Ajo ishte e ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në emisionin "Ditari", nga studio e Zërit të Amerikës në Nju Jork. "‹"‹
 
Zonja Jahjaga foli për mesazhet që i bënë më tepër përshtypje nga konferenca e Nju Jorkut, ku gra nga vende të ndryshme të botës ndanë përvojat dhe arritjet e tyre në vendet përkatëse, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë.
 
Presidentja e Kosovës foli edhe për mandatin e EULEX-it pas afatit të 15 qershorit. Ajo tha se EULEX-i që ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve të shtetit të ri të Kosovës dhe se kompetencat e tij duhet të kalojnë gradualisht tek institucionet e vendit.  
 
Një tjetër çështje për të cilën foli Presidentja Jahjaga në intervistën për Zërin e Amerikës ishte krijimi i Gjykatës së Posaçme që do të trajtonte pretendimet për krime lufte të anëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo tha se Gjykata dëshmon gadishmërinë e institucioneve të Kosovës për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare në përmbylljen e një kapitulli të rëndë të historisë së vendit dhe se gadishmëria e Prishtinës për të bashkëpunuar duhet të shpërbejë si shembull për vendet e tjera, që edhe ato të përballen me të kaluarën e tyre.
 
Zonja Jahjaga foli edhe për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, data e të cilave tha ajo do të shpallet bazuar tek Kushtetuta e vendit; për rolin e presidentes, si faktor uniteti dhe mbi mandantin e presidentit.
 
Ajo foli edhe për qëndrimin zyrtar të Prishtinës ndaj luftëtarëve shqiptarë në luftën e Sirisë, duke e cilësuar të papranueshme dhe të dënueshme pjesëmarrjen e tyre në luftra dhe kauza të panjohura. Zonja Jahjaga tha se Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vatër e terrorizmit, apo strehë e sigurtë e ekstremizmit.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.