VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BIZNESI I FUTBOLLIT AMERIKAN E Shtunë, 08.02.2014, 06:50pm (GMT1) Bejzbolli është konsideruar për një kohë të gjatë ssi sporti kombëtar amerikan, por vitet e fundit ai është lënë në hije nga një sport tjetër i preferuar, futbolli amerikan. Një prej arësyeve janë paratë. Sot futbolli profesionist amerikan është sporti më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara, është një simbol i biznesit amerikan. Ekipet e Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL) po bëjnë përgatitjet e fundit dhe tifozët mezi po e presin fillimin e sezonit të ri. Në Shtetet e Bashkuara, asnjë sport nuk i afrohet popullariteti të futbollit amerikan. Tifozët në mbarë vendin nuk ngopen me ndeshjet e shumta. Disa tifozë, janë lidhur aq shumë me këtë sport, saqë e kanë bërë atë profesionin e tyre. Mike Richman është historian me NFL. "NFL është pjesë e kulturës amerikane. Ke aty ashpërsinë e ndeshjeve, konkurrencën, përgatitjen fizike, që përmirësohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzve u pëlqen shumë. Unë jam i mahnitur nga mënyra sesi luajnë. Përplasjet e lojtarëve, apo gjithë kombinimet, e kanë ngritur këtë sport në një nivel të paparë popullariteti." Por si u rrit ky sport kaq shumë? Ndërsa Liga Kombëtare e Futbollit NFL ka një histori të pasur që daton në vitet 1920, zoti Richman thotë se popullariteti filloi në kampionatin e vitit 1958 me ndeshjen finale që shkoi në kohën shtesë e që vërtet e vuri futbollin amerikan në qendër të vëmendjes. "Nga ajio ndeshje finale, 11 lojtarë hynë më pas në Hollin e Famës të NFL. Dhe kjo bëri që ndeshjet të transmetohen në televizion dhe kur audienca filloi ta ndjekë këtë sport, u krijua një lloj magjepsjeje me futbollin profesional. Dhe u krijua kështu një lloj martese mes futbollit profesional dhe televizionit." Shoqata Hulumtuese e Futbollit Profesional thotë se ky lloj sporti është bërë për television. Me katër pjesë dhe me numrin e duhur të pushimeve për reklama, presidenti i shoqatës Mark Ford thotë se është kombinimi ideal për sport dhe argëtim. Me të ardhurat vjetore rreth 10 miliardë dollarë, NFL siguron tani më shumë të ardhura sesa Shoqata Kombëtare e Bejzbollit dhe Liga Kombëtare e Hokeit së bashku. Gjysma e të ardhurave të futbollit vjen nga liçencat për transmetim. Deri në vitin 2027, NFL llogarit të ketë të ardhura vjetore prej 25 miliardë dollarësh. Kjo shumë është e barabartë me prodhimin e përgjithshëm të vendeve si Paraguai apo Kameruni. Ish shefi i financave i ekipit Broncos, të Denverit, Allen Fears, beson se ka mundësi për më shumë fitime. "Do të duhet bashkëpunim mes ekipeve të ligës për të shfrytëzuar burime të ndryshme të ardhurash dhe disa mundësi të reja. Por 10 vjet më parë askush nuk i mendonte telefonat inteligjentë dhe rrjetin e NFL. Mundësitë janë aty; duhet të veprojmë dhe t'i shfrytëzojmë." Revista Forbes thotë se e ardhmja duket e ndritur për ligën. Tani për tani 32 degët e saj janë mes 50 ekipeve sportive më të vlefshme me mundësi të pafundme për këtë sport, që është bërë pjesë e rëndësishme e kulturës amerikane. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |