VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJERIU I SHEKULLIT ALBERT AJNSHTAJNI- 50 FAKTE NGA JETA E TIJ

E Mërkurë, 01.07.2015, 11:24am (GMT1)


 
Albert Ajnshtajn është shkencëtari më i famshëm që ka jetuar ndonjëherë. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin "Nobel" në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik. Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Kontributi i tij ndryshoi radikalisht pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni. Gjithashtu në atë kohë besohej se "koha" në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s'ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore. Emri Ajnshtajn sot është sinonim me fjalën gjeni. Albert Ajnshtajn është një prej mendjeve më të mëdha të shekullit të 20-të. Disa prej ideve të tij për shkencën, natyrën dhe besimi mund t'ju habisin. Jo më kot është zgjedhur "Personi i Shekullit" nga revista "Time". Por, a e dinit se Ajnshtajni ka lindur me një kokë kaq të madhe sa mamaja e tij mendonte se mos kishte lindur i deformuar? Apo se kishte një fëmijë sekret që para se të martohej? Këto dhe shumë të tjera në specialen e "Tirana Observer".

1. Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe
Kur nëna e Albertit, Pauline, e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur "është i shëndoshë, është i shëndoshë", kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.

2. Ajnshtajni kishte vështirësi në të folur
Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit.

3. Kur Ajnshtajni foli për herë të parë
Një historian ka krijuar një barsoletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha "Supa është e nxehtë", prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: Sepse gjithçka ishte në rregull.

4. Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull
Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: Një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim. Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë "fëmijëria të famshme", është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.

5. Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në kolegj
Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli tek të tjerat. Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.

6. Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm
Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, të cilën më vonë u martua. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne, një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë. Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator, 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit, 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.

7. Ajnshtajni propozon një "kontratë" të çuditshme
Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një "kontratë" të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t'i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t'ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër. Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi çmimin "Nobel" dhe paratë. Ai i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte "më e madhe dhe e shëmtuar". Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.


 8. Ajnshtajni, i preferuari i grave

Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Lowenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.

9. Pacifisti që shpiku bombën atomike
Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t'i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi "Projektin Manhattan" për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

10. Ajnshtajni në Shqipëri
E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak kohë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.

11. Truri shëtiti në kavanoz për 43 vjet
Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri-tjetrin, për shkak se mungonte një "rrudhë" e quajtur prerja silviane. Studime të tjera sugjerojnë se truri i Ajnshtajnit ishte i dendur dhe se lobi inferior, që ka të bëjë me aftësitë për matematikë, ishte më i madh se truri normal.

12. Saga e trurit të Ajnshtajnit
Në fillim të viteve 1990, shkrimtari Michael Paterniti udhëtoi për në Kaliforni bashkë me doktorin Harvey për të takuar stërmbesën e Ajnshtajnit. Ata udhëtuan nga New Jersey me makinë të madhe familjare, ndërkohë që truri i Ajnshtajnit tundej brenda një kavanozi në bagazh. Paterniti disa vite më vonë shkroi për eksperiencën e tij në librin "Në makinë me zotin Albert: Një udhëtim nëpër Amerikë me trurin e Ajnshtajnit". Në vitin 1998, 85-vjeçari Harvey ia dha trurin doktor Elliot Krauss, patologu i stafit në universitetin "Priceton", pozicioni që Harvey kishte më parë. Ai thotë: "Pasi e ruajta trurin për dekada sikur të ishte një relike e shenjtë, dhe për shumë ashtu ishte, e lashë më në fund të lirë. Ia dhashë departamentit të patologjisë në qendrën mjekësore të "Princeton", aty ku Ajnshtajni kaloi 2 dekadat e fundit. U lodha nga përgjegjësia që kisha. Tani jam më i qetë".

13. S'donte ta lodhte mendjen më shumë nga sa nevojitej dhe pëlqente të rrinte zbathur
Përveç sportit të preferuar, lundrimit (sporti që kërkon më pak energji), Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje. Siç tha ai për "New York Times", "Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje". "Kur isha i ri, zbulova se gishti i madh i këmbës gjithmonë bënte një vrimë në çorape", tha ai dikur. "Prandaj nuk vesha më çorape", vazhdon ai.

14. Nuk e ndiqte asnjëherë modën dhe s'ka mësuar kurrë të shkruajë anglisht
Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të "shqiptimit të pabesë". Kurrë nuk e humbi theksin dallues gjerman "I vill a little t'ink" (I will a little think")

15. Tymoste si oxhak
Një anëtar për jetë i "Klubit të duhanxhinjve me llullë", në Montreale, Ajnshtajni citohet të ketë thënë: "Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore". Një herë ra në ujë gjatë një ekspedite me barkë, por arriti heroikisht të mos lëshojë nga dora llullën e tij.

16. E kishte zët letërsinë fantastiko-shkencore
Në mënyrë që mos ta ngatërronte me shkencën e pastër dhe t'u jepte njerëzve iluzione false në lidhje me arsyetimin shkencor, ai rekomandoi abstinencë të plotë nga çfarëdolloj letërsie fantastiko-shkencore. Ai gjithashtu sugjeroi se njerëzit që kanë parë disqe fluturuese duhet t'i mbajnë ato për veten e tyre. Ajnshtajni qetësohej në kuzhinën e tij me violinën besnike, duke u munduar me kokëfortësi të improvizonte diçka që të ngjasonte si vijë melodike. Kur nuk ia arrinte, ai rikthehej tek Mozarti.

17. Alkooli nuk ishte droga e preferuar
Në një konferencë për shtyp me mbërritjen e tij në Nju Jork në vitin 1930, ai tha duke bërë shaka për ndalimin me ligj të alkoolit: "Unë s'pi, prandaj për mua njësoj është". Në të vërtetë, Ajnshtajni ka qenë kritik i hapur ndaj "ligjeve që nuk mund të imponohen".

18. E barazonte monogaminë me monotoninë
"Të gjitha martesat janë të rrezikshme", një herë i tha intervistuesit. "Martesa është përpjekja e pasuksesshme për ta bërë diçka të zgjasë nga një incident". Njihej botërisht se ishte burrë jobesnik, që prirej të binte në dashuri me dikë tjetër pasi sapo kishte shkëmbyer premtimet.

19. Nuk mbante mend ditëlindjet

Me besimin se datëlindjet ishin për fëmijët, qëndrimi i tij përmblidhet në një letër që i shkroi të dashurës Mileva Maric: "E dashur zemra ime e vogël ..., së pari urimet e mia të përzemërta për ditëlindjen tënde dje, të cilën e harrova përsëri".

20. Nuk kishte shtetësi për 5 vite
Ai nuk ishte shtetas i asnjë vendi për gati 5 vite! Që nga viti 1896 (kur refuzoi shtetësinë gjermane në moshën 15-vjeçare) deri në vitin 1901 (kur u bë zviceran).

21. Nuk donte të bënte provimet e gjimnazit

Në kundërshtim me besimin popullor, ai nuk ngeli fare në shkollën e mesme. Ia doli shumë mirë deri në moshën 15-vjeçare. Nuk donte të vazhdonte atë vit që i kishte mbetur dhe provoi të bënte provimin e hyrjes për në kolegj, në të cilin ngeli, dhe gjithsesi u detyrua ta përfundonte gjimnazin.

22. Pse nxori gjuhën në foton e famshme
Ishte ditëlindja e Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh. I lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t'ia prishte foton. (Sikur të ishte aktor në ditët e sotme do t'ia kishte tërhequr aparatin nga duart). Sigurisht që plani i tij doli huq. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.

23. Sa ishte kapaciteti i inteligjencës
Kapaciteti i inteligjencës së Ajnshtajnit ishte 160. Njerëzit e konsideronin të zgjuar. Bill Clinton e ka më të lartë këtë shifër. E vërteta është se kuizet në internet për të vlerësuar inteligjentët u shpikën më vonë, kështu që Ajnshtajni kurrë s'e bëri. Është mirë të themi se ishte shumë më i zgjuar se ne të gjithë bashkë.

24. A besonte Ajnshtajni në Perëndi?
Ajnshtajni ishte hebre; hebre nga populli i Perëndisë. Ai kundërshtoi natyrën e rastësishme të mekanikës kuantike dhe tha "Perëndia nuk luan me zare". Ndër frazat më të njohura të tij janë: "Para Zotit jemi të barabartë në zgjuarsi dhe të barabartë në budadallëk", "Perëndia gjithmonë zgjedh mënyrën më të thjeshtë", "Dua të di gjithë mendimet e Perëndisë; të gjitha të tjerat janë detaje".

25. Pse nuk ishte prezent në çmimin "Nobel"?
Nuk ishte i pranishëm në dhjetor të vitit 1922 për të marrë çmimin "Nobel" në fizikë, sepse ishte në një udhëtim në Japoni. Gjatë kësaj kohe bëri shumë vizita ndërkombëtare. Kishte vizituar Parisin para dhjetorit dhe një vit më vonë vizitoi Palestinën. Pas zbulimit të fundit shkencor, në lidhje me valët dhe materien, në vitin 1924 ai bëri vizita të tjera, por këtë herë në Amerikën e Jugut.

26. Prejardhja e përulur
Ajnshtajni ka lindur në Ulm, Gjermani, më 14 mars të vitit 1879, në adresën "135 Bahnhofstrasse", e cila më vonë u bombardua nga forcat aleate në vitin 1944. Prindërit e tij ishin hebrenj të shtresës së mesme. Ata quheshin Hermann dhe Pauline.

27. Gjeometria dhe filozofia
Lëndët e preferuara në shkollë ishin gjeometria dhe filozofia. Ai e pëlqente kaq shumë gjeometrinë sa filloi ta studionte në moshën 12-vjeçare. Edhe filozofia ishte e rëndësishme për të, pasi ishte studimi i universit dhe kuptimit të jetës. Kjo e inkurajoi të kërkonte përgjigje. Ai studionte filozofi çdo të enjte me një student mjekësie me emrin Max Talemy, i cili bashkohej me familje e tij për darkë.

28. Puna e parë që bëri
Albertit kurrë nuk i është dashur të punojë derisa familja e tij u zhvendos në Milano, Itali. Atje gjeti punën e parë në një zyrë patentash zvicerane në Bern dhe qëndroi për shtatë vite, duke e përdorur kohën e lirë për të studiuar fizikë dhe për të shkruar artikuj për universitetet lokale.

 29. Aspekte të jetës që pëlqente
Natyra dhe muzika zinin vendin e parë. Ajnshtajni pëlqente të shëtiste në natyrë. Shëtitjet e tij ishin koha kur mendohej dhe harronte gjithë botën. Dashurinë për muzikën e mori nga e ëma. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga violina. Kur u bë shumë plak për të luajtur me të, ai ulej dhe dëgjonte muzikën e tij të regjistruar.

30. Paratë nuk e ndihmojnë njerëzimin
Ai shkruan në vitin 1934: "Jam plotësisht i bindur se asnjë pasuri në botë nuk e ndihmon njerëzimin të përparojë, madje dhe në duart e punëtorit më të devotshëm për këtë punë" dhe "Paratë joshin vetëm egoizmin dhe ftojnë abuzimin".

31. Mënyra e arsyeshme për t'u arsimuar
Në një letër të cilën ia shkruante një vajze të re në vitin 1934, Ajnshtajni shkruan: "Ka aq shumë mënyra arsimimi në botë, veçanërisht në shkollat amerikane. Mënyra e vetme e arsyeshme për të mësuar është të bëhesh shembull, nëse ia dilni, një shembull paralajmërues".

32. Shënimet e Teorisë së Relativitetit shiten 6 milionë dollarë

Në vitin 1944, letra e tij ku kishte shkruar Teorinë e Relativitetit, herët në vitin 1905, u nxor në ankand. Ajo mblodhi 6 milionë dollarë dhe sot manuskripti ndodhet në Librarinë e Kongresit. Në ditët e sotme me siguri do ishte shitur për më shumë, por në atë kohë kjo ishte një shifër rekord.

33. Njeriu më miqësor i kohës
Ai lindi në Ulm të Gjermanisë edhe pse familja u zhvendos në disa shtete të ndryshme për të jetuar, ai pëlqente më shumë qytetin e lindjes. Gjatë shëtitjeve të tij në qytet përshëndeste dhe u jepte dorën kujtdo që shihte.

34. Ajnshtajni President

Në vitin 1952, Ajnshtajnit iu ofrua presidenca e Izraelit, për shkak të besimeve të tij, por e refuzoi. Rregulli i universit ishte provë për të që Perëndia ekzistonte. Ai gjithashtu ishte një pacifist dhe botoi librin "Pse luftë?".

35. Kur e mori çmimin "Nobel"
Në vitin 1921 Albert Ajnshtajn u shpërblye me çmimin "Nobel" për punën e tij të foto-elektricitetit. Shumë prej teorive të tij përfshijnë bombën atomike, trajtimin me rrezatim për të kuruar kancerin, zhvillimin e lazerit dhe eksplorimin në hapësirë.

36. Jetëgjatësia
Albert ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai u largua më 18 prill të vitit 1955. 22 vitet e fundit të jetës i kaloi në Institutin e Studimeve të Avancuara në Princeton, New Jersey. Në atë qytezë të vogël të kolegjit, Alberti ishte një fytyrë e njohur. Çdo ditë, zotëria i sjellshëm me flokët gri dilte nga zyra për në shtëpi dhe gjithmonë ndalej t'u fliste kalimtarëve.

37. Pamja karakteristike
Ai njihej për mjekrën e bardhë si dëborë dhe flokët e çmendura. Por si ishin flokët natyralë? Ato ishin të zeza, ashtu siç dalin në fotografitë e moshës më të re. Duke qenë se në ato kohë të gjitha fotot ishin bardhë e zi, shumë kureshtarë e kanë vënë në dyshim këtë fakt, por ishin të zeza, tipike për hebrenjtë.

38. Pas Gjermanisë në "Oksford"
Në vitin 1921 mori çmimin "Nobel", por me rritjen e nazizmit ai shkoi në Angli. Atje mësoi në universitetet "Oxford" dhe "Cambridge", para se të zhvendosej për në SHBA. Me mbërritjen në SHBA Ajnshtajni lëvizi për në Kaliforni, vendi i plazheve dhe dimrave me diell. Atje u bë profesor në Institutin e Teknologjisë në Pasadena, Kaliforni. Gjithashtu dha mësim edhe në universitetin "Princeton".

39. Kërkoi të largojë bombën atomike
Ajnshtajnit nuk ia priste mendja se ç'do të ndodhte në të ardhmen me bombat bërthamore. Në numrin e nëntorit të vitit 1945, ia adresoi këtë çështje revistës "Atlantic Monthly"; kërkesën e përsëriti në nëntor të vitit 1947. Në lidhje me bombën atomike sugjeroi që t'i dorëzohej një qeverie botërore të themeluar nga Rusia, SHBA-ja dhe Britania. Në kohën kur e shkroi, armët bërthamore nuk ishin kaq të fuqishme sa edhe sot.

40. Ajnshtajni refuzon paratë dhe çfarë urrente
Universiteti "Princeton" i caktoi një shumë për rrogë. Atij i kërkuan ta vendoste vetë këtë shumë. Universiteti kishte vendosur për 10 mijë dollarë në muaj, por Ajnshtajni kërkoi vetëm 3 mijë dollarë. Ai gjithashtu refuzoi pensionin prej 7500 dollarësh në vit, duke e cilësuar si "shumë bujar". Pensioni u reduktua në 6 mijë dollarë. Me to bleu një shtëpi modeste, ecte për në punë dhe kurrë nuk pati ndonjë makinë. Çfarë urrente? Të vetmet gjëra që nuk donte dot ishin berberi dhe çorapet. Ajnshtajni kurrë nuk e vizitonte berberin se nuk kishte nevojë për model të ri flokësh, i vjetri i pëlqente më shumë.

41. Sa fëmijë pati dhe ku ndërroi jetë
Gjithsej Ajnshtajni pati tre fëmijë. Një vajzë, Lieserl, dhe dy djem, Eduard dhe Albert. Alberti i ri më vonë u bë profesor inxhinierie në universitetin "Berkley". Djali i tij Eduart ishte skizofrenik. Gruaja e dytë kishte dy fëmijë, Ilse dhe Margot. Ajnshtajni vdiq në vitin 1955 në spitalin e "Princeton". Truri iu hoq për studim dhe iu ruajt në Wichita, Kansas. Atje u vendos në laboratorin e doktor Thomas Harvey, ish-shefi patolog i universitetit "Princeton".

42. Filozofi që e influencoi dhe lënda që s'kuptonte
Në moshën 13-vjeçare Ajnshtajni studioi idetë e filozofit të shekullit të 18-të, Immanuel Kant. Ai pati një influencë të rëndësishme tek Ajnshtajni i ri me idetë e kohës, hapësirën dhe universin harmonik. Kant gjithashtu kishte edhe një sens të lig humori dhe nuk honepse asgjë pompoze. Të dyja këto karakteristika u përcollën tek Ajnshtajni. Lënda që nuk duronte në shkollën fillore ishte greqishtja. Për këtë arsye ra në depresionin fëminor. Gjatë kësaj kohe Alberti i ri i kishte mësuar vetes latinisht, matematikë të avancuar dhe kishte zbuluar dashurinë për gjeometrinë. Më vonë në jetë ai njoftoi zbulimin e Euklidit, si një kënaqësi e madhe në jetë. Ai i referohet një libri për gjeometrinë euklidiane si "i shenjtë".

43. Teorinë e Relativitetit e zbuloi në gjumë

Në vitin 1905, gjëegjëza e fundit së Teorisë së Relativitetit u zgjidh në gjumë. Ajnshtajni citohet të ketë thënë për zbulimin e tij: "Në mendjen time shpërtheu një stuhi dhe me të erdhën edhe përgjigjet". Një mik më vonë thotë: "Ai ka hyrë në mendimet e Perëndisë dhe këto mendime zbulojnë planin e tij për universin".

44. Ç'do të thotë E=mc2 dhe çfarë tregon ekuacioni
Ajnshtajni e përmblodhi teorinë speciale të relativitetit në një revistë disa vite më vonë me ekuacionin legjendar E=mc2. Ky ekuacion përkthehet, Energjia=masa e shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror. Masa përmban sasi të mëdha energjie. Çfarë tregon ekuacioni? Marie Curie zbuloi se një ons (28,35 gramë) radiumi nxirrte 4 mijë kalori/në orë në mënyrë të papërcaktuar. E=mc2 është baza e zbulimit se si dielli dhe yjet kanë rrezatuar dritë dhe nxehtësi gjatë mijëvjeçarëve, dhe për tmerrin e Ajnshtajnit, ky ekuacion sjell edhe prodhimin e bombës atomike.

45. Çmimet e tjera "Nobel"
17 vite pas botimit të Relativitetit, në vitin 1922 Ajnshtajni fitoi çmimin "Nobel" për Shërbimin ndaj Fizikës Teorike. Kishte disa arsye pse çmimin "Nobel" nuk iu dha aq shpesh. Relativiteti në atë kohë ishte mjaft kontroversal dhe teorik. Nuk mund të provohej. Fakti që gjykatësit nuk mund ta kuptonin ishte problem më vete.

46. I ndjekur nga "FBI"-ja
Edgar Hoover dyshonte se Ajnshtajni ishte komunist. Ai shpenzoi mijëra orë për ta bindur "FBI"-në ta dënonte Ajnshtajnin, por pa sukses. Edhe pse Hoover dyshonte se ai ishte komunist, ai kurrë s'do të miratonte përgjimin e telefonave apo të postës. Pas shumë orëve kërkimi, Hoover e braktisi çështjen kundër tij dhe sekretares së Ajnshtajnit, Helen Dukas. Ata kishin mbledhur aq shumë dosje sa preknin tavanin, por asnjëra nuk provonte gjë. Më vonë, miqtë thonë se Ajnshtajni qeshte me këtë histori.

47. Pse teoria s'u pranua menjëherë
Një prej arsyeve që u deshën 30 vite që pjesa më e madhe e shkencëtarëve të mbështeste Teorinë e Relativitetin është se largonte ekzistencën mitike të eterit. Eteri konsiderohej si një substancë infinite në formë xhelatine, si mjeti për përhapjen e valëve elektromagnetike. Ekzistenca e eterit ishte provuar disa herë, por nuk ishte e vërtetë. Ajo u provua për të mbështetur Teorinë e Maxwell, se drita konsiston në valë elektromagnetike. Valët kërkonin një mjet për të udhëtuar dhe ky mjet besohej të ketë qenë elastik, i fortë dhe quhej eter. Relativiteti shkundi këtë besim, por besimi në ekzistencën e eterit ishte kaq i fortë në mendjen më të mëdha, sa ata refuzuan të besonin se nuk ekzistonte dhe i vunë Ajnshtajnit nofkën "mashtrues".

48. S'i fali kurrë nazistët
Ajnshtajni nuk i fali kurrë nazistët për shfarosjen e hebrenjve. Në vitin 1944 ai shkruan: "Gjermanët si një popull në përgjithësi janë përgjegjës për vrasjen masive dhe duhet të dënohen si popull nëse ka drejtësi në botë dhe nëse ka mbetur sado pak nga ndërgjegjja kolektive në botë".

49. Pas vdekjes
Përveç trurit të tij nuk ka mbetur asgjë e prekshme, pasi hiri u hodh në një lumë në SHBA.

50. "Njeriu i Shekullit", nga "Time"
Revista amerikane "Time", në vitin 1999 e emëroi si "Personi i Shekullit". Në kulturën e gjerë emri Ajnshtajn është bërë sinonimi i gjeniut. NJERIU I SHEKULLIT ALBERT EINSTEIN.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.