VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MAQEDONI - OPOZITA PUBLIKON REGJISTRIME TË TJERA

E Enjte, 05.07.2015, 07:01pm (GMT1)

Opozita maqedonase publikoi të enjten, biseda të përgjuara telefonike, ku thotë se dëgjohet Ministrja e Rendit, Gordana Jankullovska duke folur me bashkëpunëtorë të saj dhe me zyrtarë qeveritarë mbi vdekjen e një gazetari të njohur, para dy vjetësh, një rast që vazhdon të shikohet me mosbesim nga një pjesë e opinionit publik, për shkak të rrethanave të pasqaruara të aksidentit ku humbi jetën Nikolla Mlladenov.

Personat në audio-regjistrime dëgjohen, mes tjerash, duke u tallur me rastin dhe me gazetarët e tjerë të cilët shfaqnin interesim për këtë.

Ajo që duket më misterioze në këtë rast është çështja e telefonit celular të gazetarit; autoritetet në fillim patën njoftuar se me anë të lokalizimit të telefonit ishte gjetur trupi i gazetarit Mlladenov, por asnjëherë nuk e përmendën më telefonin që të dihej me kë, eventualisht, kishte komunikuar ai.

Nikolla Mlladenov njihej për qëndrimet e tij kritike, jo vetëm ndaj pushtetit aktual, ndërsa shquhej edhe si veprimtar për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës, Zoran Zaev tha në një konferencë shtypi se dëshmitë tregojnë që procedura është zhvilluar qëllimisht, ose rastësisht, në mënyrë joprofesionale dhe të papërgjegjshme. Ai tha se me ndërrimin e pushtetit do të rihapet çështja "Mlladenov" në një proces të drejtë dhe transparent gjyqësor.

Nikolla Mlladenov kthehej me makinë nga qyteti i Velesit për në Shkup. Trupi i tij u gjet të nesërmen, pas aksidentit, vetëm pasi bashkëshortja e tij kishte njoftuar policinë. za

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.