VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KATINI SHQIPTAR DUHET TË DALË NË DRITËN E DIELLIT Nga SALI BERISHA E Mërkurë, 06.09.2010, 09:58am (GMT1) Çështja e dytë madhore që doja të diskutoja me ju, dhe dua të them këtu, se detyrohem ta ngre në mënyrë të përsëritur, është gjenocidi Tivarit. Gjenocidi Tivarit është një nga gjenocidet më të mëdha në historinë e luftës së dytë botërore deri më sot. Për shqiptarët kjo përbën vrasjen më masive ndoshta në historinë e tyre. Gjenocidi i Tivarit nuk është një fantazi, por është vepra më e shëmtuar, më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë mbi këtë komb. Ata të cilët u mblodhën derë më derë, në të gjitha trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk ishin oficerë, siç ishin oficerët polakë, që u ekzekutuan në Katin, por ata ishin lulja e kombit shqiptar. Ishin djemtë e familjeve shqiptare, të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për t'u pakësuar shqiptarët. U ekzekutuan mbi platformën më barbare dhe në qoftë se në Katin u ekzekutuan burra me uniformë, këta ishin djem të cilët një pjesë e mirë e tyre nuk kishte marrë pjesë në asnjë lloj veprimi, në asnjë anë dhe shumë prej tyre kishin luftuar me flamuj kombëtar kundër pushtuesit. Katini me të drejtë mbahet gjenocidi më i madh, masakra më e madhe e kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore deri më sot, por të nderuara deputete dhe zotërinj deputetë, në qoftë se mbajmë parasysh se kombi shqiptar sot 3.5 milionë, është rreth dhjetë herë më i vogël se kombi polak. Viktimat për frymë tek shqiptarët janë së paku dy herë më të mëdha se sa tek polakët. Ky gjenocid u ndihmua, u bashkë organizua, nga klika barbare e Tiranës. Mos harrojmë se ekzistojnë të gjitha dokumentet, se ata kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi në këmbë gjer tek Hani i Hotit. Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë. Nuk u transportuan në territorin e Bosnjës, nuk u transportuan as nëpër territor tjetër, por vetëm nëpër territor shqiptar. Ekzistojnë të gjitha dokumentet dhe kur diktatori Ramiz Alia vetëm pak ditë më parë do të deklaronte se: t'i gjejnë kosovarët se kush i bëri. Nuk mund t'i lash duart xhelat kaq lehtë ndaj këtij akti. Ndaj dhe Parlamenti duhet të fillojë me vendosmëri Komisionin Hetimor parlamentar, të vendosë bashkëpunimin me të gjitha parlamentet e vendeve përreth, të mblidhet çdo dokument, çdo fakt, çdo dëshmi, ende ka të gjallë, ka dëshmi, ka prova dhe t'i bëhet botës, t'i bëhet shqiptarëve në radhë të parë e qartë se ku shkoi lulja e rinisë shqiptare, se çfarë roli luajti klika barbare e Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilën, keni konstatuar tani se po përpiqen ta rikthejnë me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste. Fenomeni më konstant është përpjekja monstruoze e mediave të kontrolluara prej tyre për t'u krijuar të gjitha hapësirave, kujt, atij që bota demokratike e ka cilësuar si Hitleri i shqiptarëve. Gazetat e kontrolluara prej tyre çdo ditë hapen me tituj për Enverin, për Ramizin, për një bandë, e cila në çdo qelizë është zhytur në krime dhe vetëm krime, e cila për 45 vite me radhë, burgosi dhe ekzekutoi në Shqipëri dy herë më shumë se të gjitha vendet ish komuniste, përveç Bashkimit Sovjetik, të marra së bashku. Para dy javësh po i thoja një mikut tim perëndimor, se vetëm gra janë ekzekutuar mbi 800 nga këto vendet ish komuniste, ngriu, nuk mund t'i besohej, si ka mundësi, po me gratë si ka mundësi. Pra, tani si pa gjë të keqe na boton dhe librin se cilat ishin të mirat e komunizmit, një vrasës ordiner, një frikacak, se trimëri nuk ka pas kurrë ky. Na tregon tani të mirat e një regjimi, në vend që të shpreh pendesë çdo ditë, bashkë me të shoqen e diktatorit, që kur vdiq ai, vazhdonte kjo terrorin. Po, po, kjo vazhdonte terrorin në mënyrën më të fuqishme. Jo, zotërinj deputetë, Katini shqiptar duhet të dalë në dritën e diellit. Ramiz Alia ka qenë në funksione ndër më të rëndësishmet. Ramiz Alia ka qenë në atë periudhë, komisar i divizioneve që shkuan në Kosovë dhe të tjerë, në qoftë se ata nuk duan të thonë të vërtetën mbi këtë gjenocid, e vërteta do u nxirret atyre dhe do të mbajnë të gjithë përgjegjësi për ë që i bën një prej krimeve më të rënda në historinë e këtij kombi. Komisioni parlamentar i ngritur, duhet të bashkëpunoj ngushtë me Parlamentin e Kosovës, duhet të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin e Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e këtyre parlamenteve në nxjerrjen në pah të njërës prej të vërtetave më të zeza në historinë e Ballkanit, gjenocidit të Tivarit. I ka mbetur Tivari, por ju duhet ta dini mirë që nga Hani i Hotit deri në Srebë dergjen eshtrat e mijëra e mijëra shqiptarëve, të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për përkatësinë shqiptare. Kur i ekzekutuan, ekzistojnë dokumente të shkuara, në një platformë, se duhet t'i shkatërrojmë shqiptarët. Kur i ekzekutuan mbi bazën e asaj që kasapi i Ballkanit, Milloshvic, do t'i deklaronte gjeneralit Wesley Clark se: i vramë, i vramë shqiptarët, do t'i vrisnim të gjithë, po nuk na latë ju. Këta janë dhe ky është ky që na thotë se i dinë kosovarët. Është gjak shqiptari i themi këtij diktatori. Do ta dijë çdo shqiptar, kanë kaluar nga Morina në Hanin e Hotit, në territor të Shqipërisë, dhe nuk mund t'i fshehësh duart e krimit, siç kërkon t'i fshehësh. Ti dhe kushdo tjetër të jetë i implikuar në këtë masakër. Duhet studiuar roli i të gjithë atyre që e kryen, sigurisht, i takon edhe Parlamentit të Kosovës të hetojë, por kjo është çështje e tyre, dhe në qoftë se ka edhe atje Kainë edhe ata duhet të marrin ndëshkimin qe meritojnë. Masakra e Tivarit, gjenocidi i Tivarit, do t'i bëhet e qartë shqiptarëve, natyrisht do të fillojë me komision hetimor parlamentar, më vonë do të përfshihen dhe organe të tjera, duke krijuar të gjithë dosjen dhe dokumentacionin e duhur, por shpirti i mijëra e mijëra të rinjve shqiptarë që u ekzekutuan vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike nuk bie kurrë i qetë, nuk mund të prehet kurrë i qetë në qoftë se ne nuk nxjerrim në dritën e diellit të vërtetën e kësaj tragjedie të madhe kombëtare. Ndaj dhe zoti kryetar i grupit, ky komision duhet të ngrihet pranë parlamentit me kohën, mjetet dhe gjithçka në dispozicion. Unë e kuptoj që parlamenti nuk ka të gjitha instrumentet, por parlamenti mund të aktivizojë të gjitha potencialet e këtij vendi në mënyrë që ne të zbardhim një të vërtetë që fle në arkivat monstruoze të krimit kundër shqiptarëve. Ishte tronditëse ajo që deklaroi diktatori i fundit, nuk kam punë me të tha, e kanë kosovarët, ata e kanë bërë. Nuk morri mundimin as të shpreh keqardhje. Mbajti qëndrimin e kriminelit të pakorrigjueshëm para viktimës. Një njeri që ka filluar jetën e tij politike duke vrarë e duke spiunuar shokët e vetë, nga qarku i Beratit deri tek Llambi Ziçishti ë në Tiranë. Absolutisht, një njeri që ka mbijetuar vetëm duke nxjerrë në prita gjatë luftës shokët e tij dhe duke bërë çdo gjë për të eliminuar të tjerët. E dini ju që Llambi Ziçishti është ekzekutuar vetëm për një fjalë, sepse deklaroi kur pa kufomën e Mehmet Shehut, kjo vetëm vetëvrasje s'mund të jetë. Kaq iu desh që ta nxirrnin poli agjent, dhe të ekzekutonin një mjek, cili kishte patur gabimin fatal dhe fatkeqësinë që u bë ministër, por nga ana tjetër ishte njeri që i kishte shërbyer gjithë jetën të sëmurëve të këtij vendi, dhe nuk mund të bëhej pjesë e krimeve të shëmtuara, monstruoze të oborrit. Shkoi atje e gjeti si në gjumë, të krehur, të rregulluar, me gjyslyk, me të gjitha dhe tha kjo vetëm vetëvrasje s'mund të jetë kjo. Kaq u desh, dikush e dëgjoi dhe Ramiz Alia, i cili ishte i përzgjedhuri i diktatorit, dhe nuk ka qenë rastësisht, për të bërë çdo gjë që ai të shkonte në plumb. Por, kthehem tek masakra e Tivarit, është në nderin e madh të këtij parlamenti të jap një kontribut të madh kombëtar në zbardhjen e kësaj të vërtete, në mënyrë që të mos ushtojë më në historinë tonë gjëma e shpirtrave të mijëra e mijëra djemve shqiptarë që u ekzekutuan vetëm sepse ishin gjak shqiptar, vetëm sepse i përkisnin kësaj etnie, këtij kombi. U morën nga shtëpitë e tyre në mbarë territoret që banoheshin nga shqiptarët jashtë Shqipërie dhe në përputhje me doktrinën e zhdukje të shqiptarëve u ekzekutuan. Askush nuk mund të fsheh këtë krim, askush nuk mund të mbulojë, ata që mendojnë se do të mund të fshehin dhe nuk do të thonë të vërtetën, ata dëshmojë vetëm se janë më të ligj, më kriminel sesa vrasësit dhe organizatorët e këtij gjenocidi të paprecedent në historinë tonë kombëtare. -- Nga fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, më 7 qershor 2010 www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |