ATJE ËSHTË NATË
Tani që po të shkruaj këtë letër, atje është natë. Ti je zgjuar Nënë, unë e di, prandaj po të shkruaj këtë letër. Nuk e dija se sa e rëndë është largësia. Nata kur këtu është ditë, e dita kur atje është natë. Në gjysmën tjetër të rruzullit të kam, kur atje, është akoma natë. Orë gjumi është, i njëjti meridian na ndan. Mijra mendime të vinë në mendje. Hallet, e malli për fëmijët që nuk i ke pranë. Jemi larg nëpër botë, si zogjtë shtegëtarë. Dua edhe unë zog të bëhem, të fluturoj për tek ty, të fshij lotët që i fsheh në jastëk, atje ku ke vendosur edhe "ekpozitën" tonë fotografike. E dhimbshme është, nuk të bëj me faj. Kur bëhesh nënë thonë; e di se çfarë është malli i nënës për fëmijën. E ti po e vuan, e qan në heshtje për ne - fëmijët e tu, që morëm rrugët nëpër botë. Për mbijetesë apo jetë më të mirë e të qetë. Jemi larguar, por dashuria për ty është më e fortë sa edhe vetë largësia. Qenka reciproke Nënë, duhemi me të njëjtin rritëm. Ti je zgjuar Nënë, unë e di, prandaj po e shkruaj "me zë" këtë letër.
KUSH I VJEDH PAKOT, LETRAT E KARTOLINAT, POSTA APO POSTJERI?
Të kam shkruar edhe më parë Nëna ime. Edhe urime për datëlindje e festa nëpër kartolina të kam dërguar, por nuk i ke marë. Në duart e ndërgjegjes së varfër të punonjësve të postës kanë përfunduar, ose në kanalin e madh të lumit të Lanës. Nuk është mirë të paragjykoj kështu, por gjasat aty të çojnë. Kujtojnë fakirët shqiptarë se ka para brenda, ndoshta ka patur edhe ndonjë herë 5 apo 20 dollarë. I kanë marë, mirë kanë bërë, kanë ushqyer fëmijët me ato. Buka u ka munguar, e një dhuratë e vogël i është dashur për festat e fundvitit. Pse vetëm ti Nënë ke fëmijët në emigracion, edhe ata kanë "miqtë" e tyre të pakove e letrave jashtë. Varfëri e madhe.
Kam dëshirë të dërgoj ndonjë dhuratë tani për festa, por frika më merr, e di që nuk ka për të arritur tek duart e tua të ngrohta e të lodhura nga jeta. Nuk e di postjeri se sa ke vuajtur ti në jetë së bashku me ne. Nuk e vret mendjen për hallet e tua e tonat që kemi kaluar së bashku. Indiferentizëm i madh. E këto të gjitha i kemi "peshqesh" nga izolimi që i u bë vendit për afro gjysëm shekulli, e nga persekucioni që pllakosi një popull të tërë. Më duket se duhet edhe gjysëm shekulli tjetër për të përmbysur atë "fanar ndriçues" të atij rregjimi të egër, që shkatërroi njeriun njeri, për njeriun "e ri". Pallavrat e diktaturës, dogmat e tyre, që na çuan në këtë katastrofë të madhe, e që askush nuk po e merr dot akoma veten.
Unë po vazhdoj të shkruaj Nënë, a po më dëgjon? Dikur letrat që vinin nga jashtë i çensuronte sigurimi i shtetit, e më pas letër - marrësi vuante dënimin, burgun, internimin apo pushkatimin, ndërsa sot i "sekuestron" posta ose postjeri. Padrejtësi. Sa mirë tani jemi futur në Europë. Të lëvizin edhe shqiptarët. Sihariq shumë i madh, se na ishin zolepsur sytë edhe për një letër karamele, e një shishe koka kola.
Edhe këtu është bërë problem qeveritar çështja e pakove të vjedhura, sidomos nëpër vendet me standart të ulët jetese. Nuk kemi çfarë të bëjmë, do durojmë edhe ca.
Nënë e dashur siç të tregova po e shkruaj "me zë" këtë letër. Atje është natë, por ti je zgjuar e më dëgjon. Kanë parandjenë nënat thonë. A i pive ilaçet, shikoji mirë përpara se ti marrësh. Tani ora aty është 2 pas mesnate. Këtu është mëngjes. Mendova të shkruaj me ditë, për të lehtësuar sado pak pagjumësinë, paçka se atje është natë, se ti me zor e shtyn atë të shkretë natë. "Eshtë e botës nata" - më thoje gjithmonë. E kishe të drejtë - nata është e huaj sepse nuk ka nënshtetësi shqiptare. Po e kujt është nata vallë Nënë? Çfarë kombësie ka ajo?.
Të marr në telefon, e nuk më dëgjon, edhe pse minutat ikin shpejt, unë përsëri të dëgjoj. E kush po pyet për minutat, malli qenka më i madh se ato. Mijra nëna i kanë fëmijët të shpërndarë nëpër botë, ngushëlloju me këto fjalë Nënë, se edhe ato vuajnë për fëmijët që nuk i kanë pranë.
Më më ka marë malli shumë Nëna ime. Nuk e di se kur do të shihemi përsëri. Jeta është shumë e shtrenjtë, udhëtimi po ashtu. Sigurisht mall kam edhe për të gjithë të afërmit e mi, lagjen ku u rrita. Shumë do të ketë ndryshuar, s'kam për ta njohur kur të vi ndonjëherë, të vegjëlit do të jenë rritur e bërë burra, e vajzat nëna për fëmijët e tyre. Sa bukur, jeta lëviz, ecën si uji, ndryshe nuk do të kishte asnjë vlerë.
Çmim për Nënën
Këtu në Amerikë çdo vit ndahen Çmime për Nënat, këtë herë kam menduar të marr edhe një për ty. Problemi është tek dërgesa, postjeri patjetër do ta marrë, tregoi; një Medalje të tillë do ti dërgojë edhe Nënës së tij, vetëm tënden mos ta marrë. Eh nënat shqiptare, nënat e vuajtura të atij rregjimi të egër që mohoi lirinë, jetën. Çmimin më të lartë të botës meritoni. Edhe Statujës së Lirisë do ti lutem, si do që të jetë, patjetër ajo do t'u a dërgojë, e sipër zarfit do të shkruaj "Letër Nënës". Shpresoj të marrësh.
Të dua shumë Nënë!
Të puth me mall bija jote.
U. S. A.