Tani me Armaldo Kllogjerin mund të krenohet jo vetëm Gramshi, por Shqipëria... Një djalosh, me të cilën Perëndia, nuk është treguar e kursyer, as në talent dhe as në hijeshi. Një nga tenorët tanë lirikë më brilant që ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer disa nga kryeveprat e operistikës botërore. Ky përcaktim nuk është i yni, por i maestro Zhani Cikos, drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit. Ndjehet me fat drejtori që ka në gjirin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm artistik, një solist të tillë. Ndaj dhe nuk i dhëmb koka kur përgatit programet vjetore të shfaqjeve, as dhe i dridhet dora kur ideon ngjitjen në skenë të kryeveprave botërore. Se vërtet kanë ikur shumë yje, por edhe janë shfaqur shumë të tillë, këto vitet e fundit. Nuk i ka humbur shkëlqimi dhe emocioni i skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit, sepse në të shpaloset mjeshtëria e lartë artistike e Marjana Lekës, Eva Golemit, Ylber Gjinit, Irini Nikollës, Armaldo Kllogjerit....
Nuk të besohet kur të thonë se, ka interpretuar shkëlqyeshëm te "Rigoleto", "Toska", "Madam Baterfly", "Traviata"... Nuk të besohet, as kur të thonë se është duartrokitur fuqishëm, në Munih të Gjermanisë, Bolonja, Leçe, Foxhia, Mesina të Italisë, Shkup dhe Ohër të Maqedonisë. Nuk të besohet, sepse të thonë se sapo i ka kaluar të tridhjetat. Si për të mbrojtur këtë dyshim, bëjmë pyetjen se deri ku mund të shkojë ky talent? Pa u menduar dhe gjithë kënaqësi, disa nga specialistët e muzikës klasike që pyetëm, ishin të njëjtë në përgjigje. Shumë shpejt Armaldo Kllogjeri, mund të ngjitet në skenën e "Skalës" së Milanos, që është tempulli i muzikës operistike. Mbetemi të paduruar në ardhjen e kësaj ditë, për të ndjerë të njëjtat emocione si ato që na dhuruan interpretimet e sopranos Inva Mula, mexosopranos Enkelejda Shkoza, tenorit Josif Gjipali...
Ngjyrimin emocional kësaj ecurie të suksesshme, padyshim ia shton edhe fakti, se Armaldo ka lindur dhe banuar në Gramsh. Madje, qëndroi edhe disa vite pas mbarimit të gjimnazit në atë qytet. Vetkuptohet, sa shpejt që është ngjitur në majat e mjeshtërisë artistike. Gjithçka, falë këmbënguljes dhe vullnetit të jashtëzakonshëm.
Më kot u lodhëm, për t'i zbuluar ndonjë shënjë talenti në fëmijërinë e tij. Si gjithë të vegjëlit, ka pëlqyer këngët e kënduara nëpër festa apo gëzime familjare. Kujton se, ndërsa përhumbej tek dëgjonte, shpesh herë ata që këndonin, e merrnin në prehër, duke e ledhatur dhe afruar te veshi zërin e tyre... Na përmënd se një xhaxhai i tij, ka kënduar edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Gëzohemi kur nis e na thotë se në fillore, fillova kursin një vjeçar për kitarë. Por, na i shuan më tej kurreshtjen, sepse nuk e përfundoi ngaqë mësuese Athinaja u transferua në Tiranë... Dhe kur prisnim ndonjë shenjë te muzika befas na shfaqet talent në futboll. Orët e fiskulturës i kalonte duke luajtur futboll. E njëjta lojë, vazhdonte edhe pasdite, duke u kthyer në shtëpi vonë, i llangosur nga pëlhuri dhe balta... Shumë shpejt, ia ndjevi lezetin edhe këtij përkushtimi. Filloi të aktivizohej me ekipin e moshave që përfaqësonte qytetin e Gramshit, në aktivitete të ndryshme kombëtare. Ngeli duke u bërë komplimente dhe garanci, trajneri Vigan Guranjaku, prindërve të Armaldos, se djali i tyre ka për t'u bërë portier i shkëlqyer. Besuan dhe e provuan këtë parashikim të dy palët, kur në Librazhd, Gramshi doli i pari në spartakiadën kombëtare. Armaldo ishte ndër të parët, që e çoi lart gjithë gëzim, atë vazo qelqi që përfaqësonte kupën e aktivitetit. Pa mbushur akoma moshën, e thërrasin në ekipin e të rinjve të "10 korrikut". Një portier i guximshëm dhe shtatlartë, që i jepte ekipit qetësi dhe siguri. Kanë luajtur në Elbasan, Kuçovë, Leskovik, Poliçan...Po më shumë se sa udhëtimeve, i gëzohej një çante sporti, që në ditët e ndeshjes ia merrte të ëmës, trajnere kjo, e ekipit të basketbollit. Por vetëm kaq zgjati edhe kjo dashuri... Shkak i ftohjes me sportin, u bë ardhja e një shoku nga Greqia. Me fitimet e punës në emigracion, ai kishte blerë një makinë që për atë qytet të vogël në ato vite ishte ngjarje. Por Armaldo më shumë ju gëzua kasetofonit, që nuk rreshtëte së pushuari gjithë ditën. Arriti të improvizonte shumë bukur disa këngë greke, prej të cilave mësoi pak fjalë... Por edhe aq mjaftonte që një ditë, të tërhiqte vëmendjen e të ndjerit, Alban Llalla, që ishte instrumentist në Pallatin e Kulturës së qytetit. Me sa duket qartësia dhe natyra e vokalit të Armaldos, ishte i kapshëm nga një specialist. Nuk kaluan shumë ditë dhe Armaldos iu besua mikrofoni nga grupi muzikor "Ada". Zëri i tij i mrekullueshëm, e bëri atë shumë të dëshiruar, si në interpretimet e këngëve popullore, ashtu dhe ato të muzikës së lehtë. Por edhe kënaqësia e të qenit këngëtar, pas disa muajsh iu zbeh nga të ardhurat e pakta që siguronin. Për fat kjo moshë ndjenjash, pasionesh dhe dëshirash këtë brez e kapi në demokraci. Shansi për të bërë realitet një ëndërr të tillë ishte vetëm emigrimi në shtetin fqinj, ashtu siç kishin bërë edhe shumë bashkëmoshatarë të tij. Për një vit, punësohet kamarier në një ishull afër Volosit në Greqi. Fiton diçka, por nuk realizon gjithçka ëndërronte dhe synonte. Ndaj, një ditë pret biletën dhe niset drejt familjes. Në gjirin e familjes, siguron qetësinë shpirtërore dhe fillon të mendojë të sigurojë të ardhurat e nevojshme. I rikthehet mikrofonit, këngës. Bashkë me Arjan Brahimin që luante në tastierë e quajnë veten grup dhe fillojnë aktivitetin e tyre privat. Nuk shtonin dot as instrumenta dhe as këngëtarë, sepse të ardhurat do të pjestoheshin. Lodheshin më shumë, por edhe fitonin. Në kohë dasmash, arriti të fitonte disa herë më shumë se sa në Greqi. Por viti nuk ka tre muaj... Pas dy vjetësh, mërzitet edhe me këtë punë dhe përsëri largohet nga Gramshi. Këtë radhë drejt Tiranës... Ndoshta edhe pse aty dy miqtë e tij më të afërt, Dritan Lumshi dhe Arjan Brahimi, kishin filluar Akademinë e Arteve. Gati gjithë ditën e kalonte me ta. Sa qetësohej me shokët, aq edhe përgjërohej për studime. Por, nuk ishte e lehtë edhe pse pretendonte se ishte gjysëm këngëtar. Mbase nga kjo gjysëm u nis edhe Arjani kur një ditë iu lut profesor Burhan Spahiut, që të dëgjonte. Reagimi i profesorit ishte befasues:
- T'i more djalë, ke një zë shumë të bukur. Po të studiosh dhe të punosh, bëhesh këngëtar i mirë!
Mirëpo edhe me këtë konsideratë të çmuar, gjithçka ishte e vështirë. E, ndërsa dy shokët e tij kishin mbaruar më parë Liceun Artistik, Armaldo thjesht gjimnazin. Edhe ideja për të vazhduar Akademinë e Arteve në këto kushte do të ishte pa kuptim e jo më realizimi i saj. Por deri sa të vinte koha e konkurimit kishin mbetur edhe disa muaj. Takojnë fillimisht, Iliriana Demën dhe fillon të mësojë notat e muzikës. Më pas, fillon të njihet dhe studiojë programin e studimit. Konkuron, por nuk pret shpalljen e rezultateve, pasi ishte shumë i emocionuar dhe tensionuar nëse do të fitonte apo jo. Nga Gramshi telefonon Dritanin, i cili i thotë se ke fituar të drejtën për të vazhduar Akademinë e Arteve. Tashmë për Armaldo Kllogjerin, fillon një jetë krejtësisht ndryshe... Nga muzika komerciale ku çdo gjë e mësonte me vesh, tani i duhej ta interpretonte muzikën profesionalisht. Dhe të mos harrojmë se ishte 27 vjeç kur filloi Akademinë. Shtatë vjet më i madh se të tjerët... Po shtatë herë e shtoi edhe sedrën dhe lodhjen për të dalë më mirë se të tjerët. Dritën e dhomës së tij "e fikte" dielli i mëngjesit. U gëzohej ditëve pushim jo për t'u argëtuar, por për të avancuar në përgatitje. Edhe shokun e gjeti si vetja. Hekuran Bllaca nga Gjilani i Kosovës ishte akoma edhe më sedërlli se ai. Bashkë i dhanë gjithçka që dinin njëri-tjetrit. Mezi po pret Armaldo që të përfundojë rruga kombëtare Durrës-Morinë, për të shkuar më shpesh tek miku i tij... Mirënjohës i mbetet veçanërisht profesorit Burhan Spahiu. Më shumë se sa pedagog e ka ndjerë për psikolog. Është njeriu që më ka shtyrë vazhdimisht drejt skenës... I kujtohet konkurimi në festivalin operistik "Marije Kraja". Vitin e parë të konkurimit nuk la gjurmë, nga ku përjetoi zbehjen e dëshirës për konkurimet e ardhshme. Ishte profesor Burhani, që e ngjiti "me forcë" në skenë për ...të fituar Çmimin e tretë me Dukën e Mantovës tek "Rigoleto". Por edhe profesori krenohej dhe mburrej me studentin e tij të shkëlqyer.
E dëshmon këtë të vërtetë edhe ajo që na tregoi Eva Golemi.
- Ndërsa po ndiqnim në hollin e Teatrit të Operas, një koncert me studentë të klasës së tij, në një moment profesor Burhani, më afrohet dhe më pëshpërit: -Ndiqe me kujdes këtë djalë që do të dalë tani dhe mbaje mend, se ka për t'u bërë këngëtar i madh... E dëgjova me vëmendje dhe më la ndjesi të veçantë vokali i tij. Por as më shkonte ndër mend që pas dy vjetësh, atë student që ma komplimentoi profesori, do ta kisha partner te "Rigoleto". Dhe çfarë interpretimi? I shkëlqyer!
Javën që shkoi, nën regjinë e italianit Antonio Petris u luajt në Tiranë opera "Andrea Chenier". U befasua italiani nga interpretimi i Armaldos që i besoi rolin kryesor. Pas shfaqjes, pa u menduar dy herë, i la në dorë ftesën që në fund të prillit, të jetë në Romë, për të interpretuar një rol po kaq interesant sa i Alfredos.
Thënë ndryshe, tenori ynë lirik po i afrohet gjithnjë e më shumë tempullit të "Skalës"...
E çoja vazhdimisht në mësim se ishte i lëvizshëm...
U befasuam kur mësuam se në Teatrin e Operas dhe Baletit, dirigjent i korit është Dritan Lumshi.
Me të mbaruar Liceun Artistik, Dritani u caktua mësues muzike në Gramsh. Pasioni për muzikën dhe të qenit mësues aq i rri, ia kishte bërë shumë të dashura orët e mësimit. Vetëm në klasën e shtatë, nuk ndjehej mirë. Në bangën e fundit rrinte një nxënës shumë i lëvizshëm, që i krijonte bezdi. Për t'i mbyllur gojën, filloi ta ngrinte në çdo orë mësimi... Por ditën që kishin këngë, ishte mësuesi që dëshironte të mos mbyllte gojë nxënësi. I pëlqeu shumë ai zë... Ai fëmija i lëvizshëm, por që kishte zë të veçantë, quhej Armaldo Kllogjeri. Takon të atin dhe i thotë: - Bëj çmos dhe çoje në shkollë muzike djalin, sepse ka zë shumë të mirë për të kënduar.
Pas pesë vitesh, kur Dritani në Gramsh, udhëhiqte grupin muzikor "Ada", saksiofonisti i grupit Alban Llalla, i lutet që të provojë për këngëtar një çun që atij i kishte bërë përshtypje, kur e kishte dëgjuar rastësisht në rrugë. Para sysh i shfaqet pikërisht ai fëmija që i prishte orën e mësimit... Nuk kishte nevojë ta vinte në provë, pasi Dritani prej kohësh ishte mrekulluar nga zëri i tij. Ndërkohë i shpreh keqardhje që nuk kishte vazhduar shkollën e muzikës, por gjimnazin. Por, nuk harroi t'i thoshte edhe dy fjalë që deri më sot nuk ia kishte thënë asnjë prej pjesëtarëve të tjerë të grupit.
-Do të fillosh si këngëtar me grupin tonë, vetëm nëse plotëson dy kushte. E para, duhet të heqësh dorë nga të gjitha veset e moshës dhe e dyta, nëse do të vendosësh të punojmë bashkë, do t'iu përgjigjesh rregullave të shoqërisë sonë.
Mesa duket drejtuesi dhe kompozitori i grupit, akoma nuk e kishte harruar lëvizshmërinë e nxënësit të tij. Por koha tregoi se, Armaldo bashkë me moshën, kishte ndryshuar dhe natyrën. Korrekt dhe i bindur, i shikonte shokët e grupit, si të ishin një pasqyrë e realizimit të ëndrrave të tij. Fakti që ata kishin mbaruar të gjithë liceun, i bënte më të dëgjueshëm dhe më të respektuar. Por, jo më pak imponues dhe autoritar ishte edhe Armaldo, me atë zë të veçantë. Nuk nguroi Dritani që pikërisht këngën që do të merrte pjesë në Festivalin e 32-të në RTSH, t'ia besonte Armaldos. "Pak fat" titullohej ajo këngë si për të paralajmëruar diçka të ngjashme, me atë që do të ndodhte. Një natë para interpretimit njoftohen se, Gramshit i hiqet e drejta e konkurimit. Më shumë nga të gjithë, mërzitet Armaldo. Zbutet ky zhgënjim, kur ai rregjistrim i bërë për Festivalin, u transmetua në koncertin e Vitit të Ri. Pak ditë me vonesë, por gjithsesi kompozitori Dritan Lumshi dhe këngëtari Armaldo Kllogjeri u përgëzuan nga miqtë e shokët për krijimin e tyre interesant. Muaj më vonë, përgatiten për të konkuruar në festivalin "Këngët e stinës". Këtë radhë me këngën "Dua të shkoj me atë që dua". Por edhe këtu, titulli i këngës sikur lajmëronte një kapriço të saj... Komisioni me pretendimin se ajo këngë duhet interpretuar nga një këngëtar më me përvojë, cakton në vend të Armaldos, Shirli Polenën. Edhe Shirli e mësoi këngën nga kaseta, duke u shprehur me sinqeritet se: - Ai djalë e ka kënduar më bukur se unë... Ndërkohë që për Armaldon ishte zhgënjimi i radhës.
Pas mbarimit të Akademisë së Arteve, Dritani emërohet me punë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ndërkohë, Aramaldo ishte student në vitin e parë në Akademi. Dhe krijohet një shans i artë, si për t'i shlyer nga kujtesa ato terslliqe që i kishin ndjekur në dy bashkëpunimet e tyre. Një ditë para dhënies së një shfaqje, sëmuret një nga këngëtarët dhe vendoset që kënga të hiqet nga programi. Ndërhyn Dritani te udhëheqësi artistik dhe i premton t'i sjellë një këngëtar të mirë që është student. Në atë sallë që për Armaldon deri në atë çast ishte magjike, këndon "Tokë e diellit", kompozuar nga Aleksandër Peçi. Më shumë se sa Armaldo gëzoi Dritani për shansin që shfrytëzoi, duke i krijuar mundësinë që të prekë për herë të parë skenën e Operas. Tani kjo sallë është pushtuar denjësisht nga Armaldo Kllogjeri...