Victoria Caroline Beckham është këngëtare, autore tekstesh dhe muzike të këngëve, kërcimtare, dizajnere mode, biznesmene, aktore dhe modele.
Është e pranishme në krye të lajmeve më shumë për thashetheme, për tradhtitë e mundshme të të shoqit, për pjesëmarrje në ngjarjet e shoqërisë së lartë se për muzikën. Natyrisht, botuesit janë fort të kënaqur t'i vënë fotot e zonjës Beckham tutje tëhu, shpesh në gjysmë siluetë, siç ndodh me modelet. Duket se terrori kalimit në anonimat ende nuk e ka braktisur ish Spice Girl, në të vërtetë disi në hije në rrafshin artistik në krahasim me koleget e saj më me fat. Ndokush e kujton ende si "Posh", emri artistik që përdorte kur ishte bashkë me katër tërbimet Spice Girls, por tani është ndoshta më e njohur si Victoria Beckham: mbiemri i saj i vajzërisë, Adams, ka kaluar përfundimisht në plan të dytë.
Ajo ka lindur më 17 prill 1974, tridhjetë e pesë vjet më parë, në spitalin Princesh Alexandria në Harlow, Essex, dhe është rritur në Goffs Oak, Hertfordshire. Babai Anthony ishte inxhiner elektronik dhe mendonte vetëm për të bijën Victoria dhe dy binjakët vajzë e djalë, Louise dhe Christian. E ëma quhej Jacqueline. Victoria ka hedhur hapat e saj të parë në botën e artit si kërcimtare dhe si këngëtare e një grupi ndërkohë që studionte në kolegj.
Nuk ka pse të kujtojmë se studimet i interesonin pak ose aspak. Ëndërrat e lavdisë dhe të suksesit kalëronin në kokën e saj. Prandaj, pasi mbaroi një kurs trevjeçar pranë "Lanie Arts", i përgjigjet një shpalljeje publike të bërë nga "The Stage". Çfarë kërkohej në këtë shpallje? Pesë vajza që do të dinin të kërcenin dhe të këndonin. E për këtë Victoria e dinte se ishte tamam në fushën e saj. Pak e dinë se miqësia me Emma (një prej Spice të ardhshme), zinte fill prej shumë kohësh më herët. Ato kishin luajtur së bashku në disa prova për televizion kur sapo e kishin hyrë në moshën e adoleshenteve.
Të dy mikeshat u gjendën së bashku edhe në provën e re, bashkë me tri vajza të tjera, edhe ato në përpjekje për t'u afirmuar. Duke parë se ato kishin shumë gjëra të përbashkëta dhe sidomos kishin të përbashkët muzikën, lindi prej tyre projekti Spice Girls, një grup brilant dhe i tërbuar, tejet i vendosur për ta imponuar tek të tjerët filozofinë e "Girl's Power" (Pushtetit të Vajzave), një moto që tregon se rikthimi i pushtetit të femrave dhe i dinjitetitm të tyre nganjëherë është në të mirën e të gjithëve.
Historia e suksesit të grupit është një përrallë që do t'ia vlente të tregohej në çdo kohë në tërësi. Mjafton të themi se për pesë vjet të pesë vajzat e mrekullueshme i kanë zotëruar klasifikimet me një stil që është pak të thuash i pashoq.
Victoria ka qenë natyrisht pjesëtarja më e zonja dhe më elegante e grupit. Pamja e saj moderne, i ashtuquajturi look latin dhe buzët e saj shumë sexy, shoqëruar nga një fizik prej topmodeleje, nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes, cilësi që kanë bërë të jetë ndër më të parapëlqyerat e adhuruesve të grupit.
Pastaj bëri bujë të madhe marrëdhënia e saj me futbollistin David Beckham (një sportist dandy shumë i adhuruar nga femrat), marrëdhënie që u kurorëzua pastaj me martesën e tyre dhe me lindjen e djalit të parë: Brooklyn Joseph Beckham, lindur më 4 mars 1999 në Londër. Më vonë patën edhe dy djem të tjerë: Romeo James Beckham, lindur më 1 shtator 2002 në Londër dhe Cruz David Beckham, lindur më 20 shkurt 2005 në Madrid, Spanjë. Çifti ka deklaruar shpesh se do të donte të kishte më shumë fëmijë, sidomos një vajzë.
Në gusht të vitit 2000 Victoria ka debutuar si soliste, me këngën "Out of Your Mind", që ka arritur vendin e dytë në klasifikimin anglez.
Pranvera e vitit 2004 e ka gjetur në syrin e ciklonit për shkak të fushatës së gossipeve që mediat kanë ndërmarrë furishëm kundër bashkëshortit të saj, akuzuar për tradhti të përsëritura bashkëshortore, në mënyrë të veçantë me një ndihmëse të tij personale. U fol edhe për një krizë të fortë midis të dyve, pikërisht për shkak të këtyre përfoljeve, por ish Posh Spice ka saktësuar me vendosmëri se martesa e saj me kapitenin e skuadrës kombëtare angleze nuk është fundosur nga të tillë zëra të ligj.
Zonja Beckham është autore e disa librave, ka luajtur në disa filma, në disa reality show televizive, është në qendër të disa dokumentarëve kinematografikë. Ajo është fituese e një mori çmimesh dhe nderesh për veprimtaritë në fushën e krijimtarisë muzikore, të modës së lartë, të bamirësisë e tjerë.
Victoria adhuron ngrohtësinë familjare dhe, prandaj, urren qëndrimin larg shtëpisë për një kohë të gjatë. Ajo ka krijuar lidhje të forta miqësore dhe i kalon drekat e darkat shpesh në mjedise të tilla. Ndër shoqet e saj të dikrushme lidhjet më të forta i ka me Geri Halliuellin, të cilën edhe sot e kësaj dite e konsideron më të afërtën për të. Ndër gjërat e veçanta të saj është një tatuazh ku janë vizatuar burri, djali i madh e ajo vetë.
Ajo u vendos në Los Anxhelos, Kaliforni, më 12 korrik 2007 si rezultat i një kontrate që David Beckham ka nënshkruar të luajë me LA Galaxy. Me të arritur në Amerikë, çifti u prit nga qindra paparacë dhe nga përfaqësues të mediave, duke shkaktuar një tërbim mediatik. Ata blenë një shtëpi $22 milionë në Beverly Hills me 10 roja sigurie. Për të krijuar publicitet rreth vajtes së tyre në Amerikë, çifti u fotografua vetëm me të brendshmet për revistën e modës W, ku përfshihej edhe një intervistë ku Victoria Beckham thoshte se martesa me David është më e fortë se kurrë. Në tetor 2007 ajo nuk pranoi mundësinë të luante në serialin Sex and the City. Ajo shprehu keqardhje që nuk mund të përfitonte nga ky rast. Martesa dhe karriera e kanë bërë Beckham gruan e 52-të më të pasur në Britani dhe personin e 619-të më të pasur në Britani. Bashkë me të shoqin David Beckham kanë një pasuri prej £112 milionë ($225 milionë)./Elida BUÇPAPAJ