Intervistë me Mishelë Pfaifer, bishttundëse e "Cheri" dhe "Personal Effects"
E Djelë, 04.19.2009, 10:45am (GMT+1)
"Cheri", ose pesëdhjetëvjeçarja dhe djaloshi i njomë, ose Michelle Pfeiffer dhe aktori i ri joshur nga sex-symbol në moshë të rritur. Michelle Pfeiffer, e cila mbush 51 vjet më 29 prill, është protagonistja tejet e pabaesueshme e filmit të ri të Stephen Frears, që pasi debutonte në Festivalin e Berlinit do të dalë në SHBA në qershor. Ende shumë e bukur, biondja Michelle Pfeiffer qesh me pagëzimin "grua burrangrënëse". Në "Cheri" personazhja e saj Lea de Lonval josh në fakt një të ri naiv nëntëmbëdhjetëvjeçar, interpretuar nga Rupert Friend (sipas gosipeve i dashuri i ri i aktores Keira Knightley). "Në anglisht kjo lloj gruaje quhet "xhaguar", si bisha e uritur që të hidhet në fyt... për mua ndërkaq Lea është një mace dhe jo më shumë!" pohon me njëfarë ligësie aktorja, intervistuar në Los Anxhelos, ndonëse jeton në San Francisko me të shoqin, producentin David Kelley, dhe të dy fëmijët e tyre. Rasti është hedhja në treg e filmit "Cheri", bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares franceze Colette dhe mjedisuar në Parisin e kohës së Belle Epoque. Pfeiffer, parë kohët e fundit në filmin muzikal "Hairspray" (pranë aktorit John Travolta) e në filmin fantazi "Stardust", do të jetë së shpejti në ekranët e mëdhenj edhe me tragjedinë romantike "Personal Effects", nga romani i Rick Moody, pranë djaloshit div Ashton Kutcher.
PYETJE: Michelle, beson se shoqëria e sotme priret ende të bëjë dallime midis burrave bishttundës dhe grave bishttundëse? MICHELLE PFEIFFER: "Jo si dikur, por ende paksa nëse "gjahu" është shumë më i ri në moshë, e nëse është mashkull. Një burrë 50 vjeç dhe mashtron një njëzetvjeçare është praktikisht një normë; por njëse ndodh e kundërta, ja që femra do të etiketohet si "xhaguare", gjahtare ose mirëfilli ninfomane. E meshkujt e shkuar në moshë atëherë çfarë janë: atërorë të adhuruar dhe kaq?"
PYETJE: Me Stephen Frears ju tashmi kishit realizuar "Dangerous Relationships" para njëzet vjetësh, për më tepër në një rol që ngjason me atë të filmit "Cheri". Një rastësi kjo? MICHELLE PFEIFFER: "Në fakt me "Cheri" përball sërish një rol gruaje që pas "Dangerous Relationships" isha betuar se nuk do ta bëja kurrë më."
PYETJE: E çfarë është kjo, pra? MICHELLE PFEIFFER: "Ka ndodhur që duke u rritur si grua dhe si aktore, e kam vënë re se shenjat ishin tashmë që kundërpalët mashkullore në filma ndaj aktoreve femra janë gjithnjë e më shumë aktorë përherë e më të rinj në moshë! Nëse vazhdohet kështu do të vijë koha të më paditin për ngashënjim të minorenëve."
PYETJE: E keni fjalën edhe për Personal Effects e për Ashton Kutcher? MICHELLE PFEIFFER: "Tamam. E kam xhiruar këtë filmi para filmit "Cheri". E duhet të them se Ashton është i mrekullueshëm në rolin e protagonistit mashkullor që vuan një humbje të madhe dhe në faza të përballjes së zisë dashurohet në... mua! Ka qenë bukur të shiroja "Personal Effects", duke pasur tashmë mbi të gjitha bekimin e mikes sime Demi Moore! (grua e Kutcher, shënim i përkthimit). Por edhe në atë rast kam thënë: "Është hera e fundit që luaj rolin e një gruaje që shkon me një mashkull njëzet vjet më të re se ajo... Por pastaj ka trokitur në portën time skenari i "Cheri", shkruar mjeshtërisht nga Christopher Hampton, dhe ja ku më keni prapë këtu, një të moshuar bishttundëse."
PYETJE: Don të thuash se je ndjerë keq në këto dy role? MICHELLE PFEIFFER: "Nuk do të thoshja kështu. O Zot, në fillim është gjitjnjë disi e çuditëshme, pastaj gjatë xhirimit njeriu mësohet, dhe qoftë ti e qoftë aktori djalosh fillon të luajë pjesën e tij pa menduar për tjetërgjë veç lojës."
PYETJE: Çfarë keni studiuar rrethe filmit "Cheri", mjedisuar rrotull vitit 1920, kur "kurtizanet" i edukonin të rinjtë në marrëdhëniet me femrat? MICHELLE PFEIFFER: "E kam lexuar biografinë shumë interesante të Colette. Sipas Stephen Frears, Lea de Lonval ishte ajo vetë, Colette. Një shkrimtare tepër e guximshme dhe ekstravagante në kohën e saj, një nga ato që hodhi poshtë shumë tabù dhe që tregohet me gisht nga shoqëria pariziane për një marrëdhënie, gjykuar si e "rrezikshme", me një burrë më të ri në moshë se ajo."
PYETJE: Besoni se sot një autore si Colette nuk do të bënte sensacion? MICHELLE PFEIFFER: "Jo, pas së gjithash ndryshimet e moshës në marrëdhëniet romantike nuk shihen më si më parë. Mendo Demi e Ashton: duken bashkëmoshatarë! Një çift i përbërë nga ajo e rritur dhe nga ai i ri është sot më i pranueshëm, dhe më duket shumë bukur që është kështu. Është dëshmi se gruaja sot di si të mbahet në formë sa më gjatë dhe të jetë ende tërheqëse në të 50-at. E që nuk është e nevojshme për një grua të një moshe të tillë të krijojë patjetër raporte serioze."
PYETJE: Ju keni një bir adoleshent: si nënë çfarë do të provonit nëse ai dashurohej me një 40 vjeçare? MICHELLE PFEIFFER: "Hmm, duke pasur parasysh orët që im kalon çdo ditë duke çatuar në Internet, mund të ndodhë vërtetë. Të rinjtë e sotëm e zbulojnë marrëdhënien dashurore shumë më herët se kur unë isha e re, e si prindër duhet të jemi të zotë t'i ndihmojmë ku të ku të lundrojnë në ketë oqean informacionesh. Duke u kthyer te pyetja juaj: nuk di a do ta miratoja faktin që im bir t'i merrte mësimet e marrëdhënieve fizike dashurore nga një grua më e madhe në moshë se ai... Është një zonë me hije ku nuk do të doja të hyja! (qesh). Në rastin e filmit "Cheri" shohim se gjithsesi gruaja e rritur e shpëton djaloshin jeta e të cilit po merrte shumë për keq. Në këtë kuptim më duket shumë pozitiv ndikimi i një gruaje të rritur te një i rri i përhumbur."
PYETJE: Çfarë mendoni për modën e kohës së Belle Epoque, ju kini xhiruar plot drama në kostume, përfshirë "The Age of Inocence", e çfarë mendoni për modën e kohës së sotme? MICHELLE PFEIFFER: "Moda pasqyron sjelljet dhe shtrëngimet sociale të epokës, nuk ka dyshim. E ndonëse moda si qëllim në vetvete nuk më intereson veçanërisht, nuk mund të rri pa shfletuar javoren e New York Times pa mbetur e habitur nga ekstravaganca e çmendia e sotme e fashion. Gratë e tanishme kanë fituar lirinë: veshjet e dikurshme, si e shikojmë në filmat e mjedisuar mes viteve '800 e '900, ishin shumë të bukura, por ishin të ngushta, të rënda dhe kufizuese. Sot janë shumë më të rehatshme e më të lehta. Moda e sotme trimëron gruan të ndihet e lirë. Sidomoes një grua si unë, që blen veshje dy prerje më të mëdha ngaqë urren gjithçka që shtrëngon, një grua që mendon vetëm për veshje të rehatshme. Jeans-at e ngushtë unë mund t'i mbaj jo më shumë se shtatë minuta. E kuptoj se meshkujve mund t'iu pëlqej, por më duhet t'i heq menjëherë."
PYETJE: Çfarë bëni kur nuk jeni duke punuar ose duke u marrë me fëmijët? MICHELLE PFEIFFER: "Pikturoj. Piktura është pasioni im më i madh pas aktrimit. Pikturoj në vaj, bëj portrete, nature morte, pejsazhe... gjithçka nga pak. Por nuk do t'i ekspozoj kurrë pikturat e mia. Kam ende shumë për të mësuar."
PYETJE: Cili është suksesi i martesës suaj me David Kelley? Jeni një ndër çiftet më jetëgjata në Hollywood... MICHELLE PFEIFFER: "Respekti i ndërsjellët para së gjithash. Raporti midis meje e David funksionon, sepse duke pasur shumë gjëra të përbashkëta, por dy jetë profesionale të ndara, e respektojmë njeri tjetrin tejet shumë. Nëse respekton tjetrin, në një marrëdhënie çifti, gjithçka tjetër zgjidhet vetvetiu. Por është e rëndësishme të zgjedhësh njeriun e duhur. Mua më janë dashur shumë vite para se ta gjeja, e pasi kisha vuajtur marrëdhënie të shëmtuara me burra të gabuar."
PYETJE: Një konsideratë përfundimtare se çfarë do të thotë për një simbol të bukurisë si ju kalimi i moshës mbi 50 vjeç? MICHELLE PFEIFFER: "E bukura e të qenit 50 vjeçe është se më në fund e ke kapërcyer atë gogol numerik dhe e kupton se kjo nuk është tragjedi. Për mua arritja në 50 vite ka qenë një monent çlirues. Njeriu e zbulon se nuk është nevoja të jetë i ri përgjithmonë dhe i gëzohet qoftë vetëm këtij mendimi."/Elida BUÇPAPAJ
Elida Buçpapaj
|