Penelopë Kruz Sançez (Penelope Cruz Sanchez ) ka lindur më 28 prill 1974 në Madrid të Spanjës nga një baba tregtar dhe një nënë parrukiere, pra flokëtare. E thirrur në mënyrë përkëdhelëse Pe, siç e thërrasin edhe në familje, ajo është rritur në kryeqytetin spanjoll së bashku me motrën Monika dhe vëllain. Cruz, përveç spanjishtes, flet kastelançe, frëngjisht, anglisht dhe italisht.
Ajo ka fituar tri çmime Goyas, dy çmime European Film Awards, ka fituar çmimin e Aktores më të mirë në Kanë dhe çmimin BAFTA. Është femra e parë spanjolle që fiton çmimin Oskar dhe e dyta në gjuhën spanjolle që në vitin 1961.
Përpjesëtimet e saj trupore shprehen në mënyrë shumë lakonike: Penelopë Kruz është e lartë 1 metër e 68 centimetër dhe e peshon 49 kilogram. Nisur nga të dhëna tejet premtuese, Penelopë qëkur ishte e vogël është parë si një balerinë e ardhshme shumë e talentuar. Aq shumë ishte përkushtuar ajo pas kërcimit saqë i braktisi studimet e larta në mënyrë që të përqëndrohej në kërcim dhe në lojë aktori. Studion kështu në Konservatorin Kombëtar të Spanjës, njëkohësisht duke vijuar edhe në shkollën e Angela Garrido, të specializuar për Kërcimin Xhaz (Danza Jazz ) të profesorit Raul Caballero. Pastaj ajo transferohet në Nju jork ku studion katër vjet për aktore në shkollën e Cristina Rota.
Kjo është edhe koha kur Penelopë Kruz bëhet e vetëdijshme për bukurinë e saj të druajtur dhe jo të zakonshme. Braktis studimet e rregullta dhe fiton për të jetuar si modele e prodhimeve të veshjeve. Shfaqet në ballinat e para të revistave të modës dhe nganjëherë shfaqet në videot e grupit muzikor "Mecano". Kur ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeçe, ajo bëhet prezantuese e televizionit në emisionin "La quinta marcha", një program për të rinjtë.
Kthesa në karrierën e saj arrin tre vjet më vonë, kur ajo, vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe, luan në filmin "Prosciutto Prosciutto", të regjisorit të shkollës regjisoriale "almodovariane", Bigas Luna. Talenti i saj, por edhe bukuria e saj e ëmbël dhe natyrore, tërheq vemendjen e adhuruesve të kinematografisë. Nën ndikimin e jehonës së rolit të parë, ajo xhiron me regjisorin Fernando Trueba filmin "Belle Epoque", film i një suksesi të madh që i ka siguruar asaj lavdërime të mëdha, çmime dhe famë të madhe. Në vitin 1993 Penelopë Kruz punon për kinematografinë italiane. Interpreton në filmin "La ribelle" të regjisorit Aurelio Grimaldi në fillim dhe pastaj në filmin "Per amore solo per amore" (Për dashuri, vetëm për dashuri ) të regjisorit Giovanni Veronesi.
Në vitin 1997 ajo do të luante role kryesore në disa filma në vendin e saj, në Spanjë: më herët në filmin "Mishi i drithëruar" të idhullit të saj Pedro Almodóvar e më vonë "Hapi sytë" të regjisorit harrakat Alejandro Amenábar. Penelope në këtë kohë është shumë e përkushtuar në veprimtari bamirëse. Ajo është një nga idhujtaret e çështjes së Nënë Terezës. Ajo njihet personalisht nga afër me personalitetin e Nënë Terezës dhe me mjediset e Kalkutës ku kishte qendrën kryesore misioni i saj. Pikërisht në ato vite asaj i jepet mundësia që të kalojë disa muaj edhe në Ugandë si vullnetare e urdhërit Nënë Tereza dhe kryen vepra të mëdha bamirësie.
Pasi xhiron në filmin "Hi-Lo Country", pra në filmin e saj të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zbarkimit të saj në Hollivud në vitin 1998, ajo ia dhuron të gjitha fitimet e saj Misionit "Nënë Tereza". Ndër të tjera, ajo kishte pasur rastin ta shoqëronte Nënë Terezën në vitin 1996, duke dëshmuar se ajo nuk ishte një adhuruese e rastësishme e Nënë Terezës, por një vijuese serioze e rrugës së saj. Aktorja është edhe njëra ndër financueset kryesore të Fondacionit Sabera që ka ndërtuar në Kalcuta një shtëpi dhe një shkollë për vajzat e varfëra dhe një klinikë për të sëmurët tuberkularë.
Suksesi në shkallë planetare për Penelopë Kruzin arrin në vitin 1999 falë interpretimit në filmin "Gjithçka për nënën time" të regjisorit Pedro Almodóvar, film që fiton çmime në të gjithë botën, por mbi të gjitha fiton çmimin Oskar si filmi më i mirë i huaj. Filmi i famshëm, emocionues i Almodovarit e konfirmon Penelopë Kruzin si ikonë të vajzës së ëmbël e joshëse, gruas sensibile e misterioze duke qenë njëkohësisht një bukuri tmerrësisht e papërballueshme në sytë e botës mashkullore.
Në vitet 2000 e 2001 ajo luan në filmat "Nga hutimi apo nga kënaqësia" të Fina Torres, "Pasioni rebel" të Billy Bob Thornton, "Blow" të Ted Demme e "Mandolina e Kapetan Korelit" të John Madden, si dhe "Vanilla Sky" të Cameron Crowe. Në vitin 2002 Penelopë Kruz luajti në filmin "Miq të...shtretërve", në vitin 2003 luajti në filmat "Fanfan la Tulipe", "Gothika", "Masked and Anonymous", ndërsa në vitin 2004 ajo luajti në filmin "Non ti muovere", për të cilin mori çmimin Davidi i Donatelos, si aktorja më e mirë e vitit, si dhe në filmat "Head In The Clouds", "Sahara" dhe "Noel". Ajo është në kulmin e lulëzimit të talentit dhe të arritjeve të saj si aktore. E përkushtuar në mënyrë rigoroze si vegjetariane, Penelopë ka qenë e lidhur sentimentalisht me aktorët Matt Damon e Nicolas Cage, pastaj për gati dy vjet ajo ka qenë në qendër të mediave botërore për fejesën e saj me Tom Kruizin, i cili, për hir të Penelopës, madje e pati braktisur aktoren Nikolë Kidman. Ndarja kohët e fundit nga Tom Kruizi është përjetuar me pikëllim nga Penelopë Kruzi. Por ky pikëllim nuk zgjati shumë pas flakës të saj të re me Mattehew McConaughey, me të cilin e filloi marrëdhënien e re gjatë xhirimit të filmit Sahara në shkurt 2005. Një vit më vonë këta shpallën se janë ndarë.
Më 2006 ajo luajti me mikeshën e saj më të mirë Salma Hyek në filmin Bandidas. Po atë vit mori vlerësime tejet të larta për lojën e saj në filmin Volver të Peter Almodovar. U kandidua për Golden Globe, Screen Actors Guild Award, BAFTA Award dhe Academy Award. Kështu do të ishte aktorja e parë spanjolle që kandidohej në kategorinë e Aktores më të Mirë në rol kryesor.
Në maj 2007 u muar vesh se Penélope dhe motra e caj Monika do të përgatitnin një koleksion prej 25 copash për kompaninë e modës së lartë me qendër në Barcelonë, Mango. Në fund të vitit 2007 do të luante rol kryesor në filmin e regjisorit Jaume de Laiguana për videon e parë single të vëllait të saj, Eduard, titulluar "Cosas que contar". Me mikeshën Mia Maestro dhe motrën Monika ajo kishte treguar edhe më herët interes për modën e lartë dhe pasarelat, duke përfaqësuar firmën L'Oreal.
Më 2008 me Ben Kingsley do të luante në filmin "Elegy", duke fituar vlerësime të larta nga kritika. Ajo u kandidua për çmimin Golden Satellite. Po atë vit luajti në filmin e Woody Allen "Vicky Cristina Barcelona" nën petkun e personazhes Maria Elena, ish gruaja pa stabilitet mendor e Javier Bardem. Edhe ky rol u vlerësua pa masë nga kritika. Për këtë rol do të kishte një kandidim të dytë dhe një Oskar të parë si aktore në rol jokryesor. Cruz bashkëpunoi përsëri me Pedro Almodovar në filmin Los Abrazos Rotos, që do të dalë në kinematë amerikane në nëntor 2009. Ajo do të jetë në filmin muzikal Nine përkrah aktoreve të tjera fituese të çmimeve Oskar si Sophia Loren, Nicole Kidman dhe Marion Cotillard.
Cruz thotë se është vegjeteriane që në vitin 2000, ndonëse është për t'u dyshuar. Ajo ka dhënë shuma të konsiderueshme parash për bamirësi. Më 1997 ishte vullnetare në Ugandë dy muaj. Pas përvojës dashurore me Tom Kurizin thuhet se ka përqafuar shientologjinë, ndonëse ajo është katolike.
Aktualisht është e fejuar me aktorin spanjoll fitues të çmimit Oskar, Javer Bardem. Ata laujtën bashkë në vitin 2007 në filmin "Jamon, Jamon, Live Flesh" dhe një vit më vonë në "Vicky Cristina Barcelona". Ajo I ka deklaruar revistës Marie Claire, botimit spanjisht, se ka dëshirë të lindë fëmijë dhe ka ndërmend gjithashtu të birësojë. Mendoj se pa fëmijë jeta nuk është e plotë, ka deklaruar ajo./Elida BUÇPAPAJ