VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kur vdiste Napoleon Bonaparti

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Kur vdiste Napoleon Bonaparti
E Mërkurë, 05.06.2009, 04:49pm (GMT+1)

ATSH- Napoleon Bonaparti, më vonë i njohur Perandori Napoleoni I-rë, ishte një udhëheqës ushtarak e politik i Francës që, me veprimet e veta, i dha formë politikës evropiane të shekullit XIX. Lindi në Korsikë më 15 gusht 1769. Stërvitur si oficer artilerie, ai shkëlqeu si ushtarak gjatë Republikës së Parë Franceze në fushatat ushtarake kundër Koalicionit të Parë dhe të Dytë (dy prej disa koalicioneve ushtarake të mbretërve evropianë kundër Francës). Më 1799 bëri një grusht shteti dhe e caktoi veten Konsull të Parë - pesë vjet më vonë e shpalli veten Perandor të Francezëve. Gjatë dekadës së parë të shekullit XIX i ktheu ushtritë e Perandorisë kundër çdo fuqie të madhe evropiane dhe dominoi në Evropën kontinentale përmjet një vargu fitoresh ushtarake, duke e ruajtur sferën e ndikimit francez me anë të lidhjes së aleancave të zgjeruara dhe caktimit të miqve e familjarëve si monarkë të vendeve të tjera evropiane, që i shërbenin si vasalë.
     Por, pushtimi i Rusisë më 1812 do të shënonte një pikë kthese në fatin e Napoleonit. Ushtria e tij u dërrmua keq në fushatën ruse dhe s'e mori më kurrë veten. Më 1813, Koalicioni i Gjashtë evropian e mundi në Lajpcig; vitin që pasoi Koalicioni pushtoi Francën, e shtrëngoi Napoleonin të abdikonte dhe e syrgjynosi atë vetë në ishullin e Elbës. Por, pas një viti ai ia doli të arratisej dhe të rikthehej në pushtet, për t'u mundur më pas në Betejën e Vaterlosë në qershor 1815. Gjashtë vitet që pasuan i kaloi i burgosur në ishullin e Shën Helenës, nën mbikqyrjen e britanikëve. Vdiq më 5 maj 1821 - autopsia që iu bë nxori si shkak kancerin e stomakut. Por, kanë qenë të shumë studiuesit e specializuar, deri edhe shkencëtarë, që kanë mbështetur fort hipotezën e helmimit të ngadaltë me arsenik, gjasisht prej britanikëve.
     Konflikti i hapur me pjesën tjetër të Evropës çoi në një periudhë luftërash përgjatë tërë kontinentit; fushatat e tij studiohen edhe sot nëpër akademitë ushtarake në botën mbarë. Edhe pse i konsideruar nga kundërshtarët si "tiran", ai vlerësohet lart për hartimin dhe vendosjen e kodit napoleonian, që hodhi bazat për themelet administrative dhe gjyqësore të pjesës dërrmuese të Evropës Perëndimore.
     Gjatë kohës së Konsullatës Franceze, Bonaparti i atëhershëm ndërmori shumë reforma jetëgjata, si krijimi i një administrate të centralizuar, reforma e arsimit të mesëm, krijimi i një kodi fiskal, kryerja e sistemeve të rrugëve dhe kanalizimeve, si dhe krijimi i Bankës së Francës (bankës qendrore të vendit). Fitore diplomatike ishte edhe marrëveshja që arriti më 1801 me Papa Piun VII për njohjen e Kishës Katolike si kishën më të madhe në Francë dhe riafirmimin e një pjese të statusit të saj në këtë vend. E teproi pak kur e vuri veten në krye të Akademisë Franceze; një vit më vonë (1802) themeloi Legjionin e Nderit, që zëvendësoi urdhrat kalorsiakë ekzistues, një urdhër çmimi i të cilit është sot e gjithë ditën nderimi më i lartë në Francë.
Pasi Senati e shpalli Konsull të Parë të Përjetshëm, Bonaparti nisi të quhej gjerësisht Napoleon. 
     Por ajo çka ishte dukje, kishte pak rëndësi krahasuar me thelbin e regjimit të tij. Grupet e ekspertëve të ngritura prej tij, nën drejtimin e Zhan-Zhak Rexhis dë Kambaser, Konsullit të Dytë, nisën punën për përgatitjen e atyre që më vonë do të njiheshin si kodi napoleonian. Përpunimi i kodit përbënte një ndryshim themelor në natyrën e sistemit ligjor të ligjeve civile, duke vënë theksin tek ligje të qarta e të zbatueshme. Me porosi po të Napoleonit, u kodifikuan gjithashtu ligjet penale dhe ato tregtare; hartimi i një Manuali të Kodit të Kriminalistikës hodhi bazat për rregulla të qarta për një proces të drejtë ligjor.
     Napoleoni njihet sot botërisht si ikonë kulturore që simbolizon gjeniun ushtarak me pushtetin politik. Figura e tij është portretizuar në qindra libra, filma e artikuj. Aq e madhe ishte figura e tij, sa në të gjallë anglezët - një prej armiqve kryesorë - u përpoqën ta ulnin figurën e tij, duke e përshkruar si "njeringrënës", apo edhe "shtatshkurtër", kjo e fundit propagandë që ka lëshuar rrënjë e që mbizotëron edhe sot e kësaj dite. Aq shumë gjeti terren ky abuzim, sa psikologu i mirënjohur Alfred Alder do ta përshkruante më 1908 Napoleonin si njeri që vuante nga kompleksi i inferioritetit (si njeri që kishte zhvilluar një sjellje superagresive, për shkak të shtatlartësisë së ulët), çka çoi në krijimin e termit "kompleksi i Napoleonit".
     Gjenia e tij u shfaq në riorganizimin ushtarak që u bëri forcave franceze, duke theksuar politikën (që sa kishte nisur të zbatohej) e ngritjes në detyrë (në gradë) për shkak të meritave, si dhe në riorganizimin efikas të formacioneve luftarake. Ky riorganizim u dha atyre një mobilitet të atillë, që ishin dhe baza e fitoreve të tij të mëdha ushtarake. Nga shumë teoristë ushtarakë cilësohet si një prej komandantëve më të mëdhenj ushtarakë të të gjitha kohërave e një gjeni i artit operacional të luftës.
     Napoleonit i njihet edhe merita për futjen në fuqi të sistemit metrik (më 1799) dhe shndërrimin e tij në sistemin zotërues më pas në gjithë sferën franceze të influencës, sistem që u bë mbizotërues në Evropë aty nga mesi i shekullit XIX.
     Atij i njihet po ashtu merita e emancipimit të jetës së hebrenjve në Francë, duke abroguar ligjet që i shtrëngonin ata të jetonin nëpër geto e duke miratuar ligje që u jepnin atyre të drejtën e pronës, të karrierës e të njohjes së besimit të tyre. Reagimet ishin të ashpra si brenda, ashtu edhe jashtë Francës, por Napoleoni besonte se Franca veç do të fitonte duke u bërë një vend tërheqës për hebrenjtë, që përndryshe përndiqeshin në vende të tjera evropiane. 
     Por arritjen e vet më të madhe, që në të gjallë të vet, ai do të quante - atë që dhe ishte në të vërtetë - "kodin napoleonian", që mbeti në fuqi në Evropë edhe pasi ai u mund dhe u shtrëngua ta linte skenën e historisë. "Lavdia ime e vërtetë nuk është se kam fituar 40 beteja... Vaterloja do t'i fshijë kujtimet e aq e aq fitoreve... Por... ajo që do të mbetet gjallë përjetë, është Kodi im Civil." Kodi edhe sot e kësaj dite ka shumë peshë në legjislacionet e shumë vendeve të botës, përfshi Evropën, Amerikat dhe Afrikën

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
80 vjetori i Odri Hepbërn, engjëllit të ekranit të madh (05.03.2009)
Elizë, gjeni dy vjeçe, inteligjente si Ajnshtajni (05.01.2009)
Penelopë Kruz 35 vjeçarja ikonë e vajzës së ëmbël e joshëse, gruas sensibile e misterioze, bukurisë së papërballueshme (04.27.2009)
Vaslav Havel nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Demokracisë (04.25.2009)
Sheril Kol më e bukura e botës (04.23.2009)
Intervistë me Mishelë Pfaifer, bishttundëse e "Cheri" dhe "Personal Effects" (04.19.2009)
35 vjeçarja Viktoria Bekam, artiste shumanshme dhe personalitet me ambicie të shumëfishta (04.17.2009)
Armaldo Kllogjeri tenori lirik që ka pushtuar operën (04.16.2009)
Princat e kaltër tani martohen me princeshat e kaltëra, Hirushet me Hirushët (04.13.2009)
Dakota Feining ose Xhudi Foster e re (04.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lartë]