Evita Peron, si shkrepëtiu dhe si u shua një ëndërr argjentinase
E Enjte, 05.07.2009, 05:35pm (GMT+1)
Eva Maria Ibarguren Duarte lindi më 7 maj 1919 në Los Toldos (Buenos Aires, Argjentinë). Nëna Juana Ibarguren ishte guzhiniere për llogari të Juan Duarte, prej të cilit do të kishte katër vajza e një djalë (Elisa, Blanca, Erminda, Eva e Juan). Por "El estanciero" (kështu ishte quajtur Duarte), nuk do ta çonte kurrë në altar për arsye të faktit se...kishte tashmë një familje. Madje të shumtë në numër. Kështu Evita rritet në këtë klimë paksa të dyshimtë me babain që nuk është një baba i vërtetë dhe duke pasur përditë përjetime gjendjesh plot keqkuptime në rrafshet vetjake me pjesëtarët e tjerë të familjes. Fatmirësisht, e gjithë kjo nuk duket të ketë ndikuar aq shumë në karakterin tejet të fortë të çupërlinës. Fakti që është fëmijë e paligjshme nuk peshon shumë mbi të sa peshon shpirtngushtësia e atyre që e rrethojnë. Në fshat nuk bëhet tjetërgjë vetëm se të përflasin situatën e çuditëshme të familjes dhe shumë shpejt nëna e saj e ajo vetë shndërron në "një problem", një lëndë e gjallë për të cilën të thuren përgojime. Pika që bën të derdhet shtamba do të ndodhë në shkollë. Një ditë, në fakt, duke hyrë në klasë, gjen të shkuar në dërrasën e zezë: "Non eres Duarte, eres Ibarguren!" Fjalë tallëse të pasuara nga hingërizje të fëmijëve të tjerë. Ajo dhe motra, në shenjë kryengritjeje, lënë shkollën. Ndërkaq, edhe nëna braktiset nga Duarte. Për të mbijetuar atëherë rropatet duke qepur rroba për llogari të një dyqani. Në këtë mënyrë, e ndihmuar edhe nga dy vajzat e mëdha, arrin ta mbajë familjen me dinjitet. Nëna e Evita, ndërkaq, ka një karakter të çeliktë dhe, pavarësisht jetesës tepër të thjeshtë me të cilën përballet ditë e natë, nuk heq dorë nga rregulli dhe pastërtia në shtëpi.
Por Evita është shumë më pak pragmatike. Është një vajzë ëndërrimtare, shumë romantike dhe e prirur t'i përjetojë ndjenjat me gjithë shpirtin. Herën e parë që vë këmbë në një sallë kinemaje, mjafton të shohë një film dhe i ndizet pasioni për kinemanë. Në këtë kohë familja ishte vendosur me banim në JunÃÂn. Këtu Evita ka mundësinë të njohë një botë vite drite larg realitetit të saj të përditshëm, përbërë nga peliçet, stolitë, të veçanta luksoze. Të gjitha janë gjëra që ia ndezin menjëherë fantazinë e saj të shfrenuar. Kështu që ajo bëhet ambicioze e arrivista. Këto frymëzime fillojnë shumë shpejt t'ia përcaktojnë jetën Evës. E heq mendjen nga shkolla, por nga ana tjetër i përkushtohet aktrimit dhe shpreson të bëhet një aktore e madhe, më shumë për të qenë e admiruar dhe e adhuruar se për dashurinë që kishte ndaj artit. Njëkohësisht, në jetën e përditshme, ajo përkushtohet me mish e me shpirt për të gjetur një "partner të mirë". Pas orvatjesh të pafrutshme me drejtorë ndërmarrjesh, drejtues hekurudhash e pronarë të mëdhenj tokash transferohet në Buenos Aires. Evita është ende një çupërlinë, është vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, dhe kështu që mbetet ende një mister se më kë dhe për çfarë arsyeje ia mbathi për një kryeqytetin argjentinas. Versioni më i besueshëm lë të kuptoht se ajo, pasi u vendos me banim në JunÃÂn, ku jetonte këngëtari i famshëm i tangos AugustÃÂn Magaldi, Eva kishte bërë gjithçka për t'u njohur e për t'u lidhur me të. Pasi ia kishte hapur zemrën se donte të bëhej aktore, e kishte lutur ta merrte me vete në kryeqytet. Por edhe sot e kësaj dite nuk dihet nëse vajza u nis me të shoqen e këngëtarit, e cila gjendej atje për të bërë edhe "chaperon", apo u bë e dashura e artistit.
Sapo shkon në Buenos Aires, përballet me xhunglën e vërtetë e të mirëfilltë të nëntokës së botës së artit. Aktore mediokre, subrete arriviste, sipërmarrës pa skrupuj e kështu me radhë. Por, me shumë këmbëngulje, ia arrin të marrë një rol të vogël në një film, "La senora de Pérez", të cilin e pasojnë role të tjerë të rëndësisë dytësore. Gjithsesi ekzistenca e saj dhe, sidomos, mënyra e të jetuarit, nuk ndryshojnë shumë. Nganjëherë madje ngelet pa punë, ngelet bosh, duke u përfshirë në trupa teatrore sa për bukën e gojës. Në vitin 1939 vjen rasti i madh: një kompani radiofonike ia jep rolin kryesor në një radiodramë. Është fama. Zëri i saj i bën të ndërrojë argjentinasit, duke interpretuar edhe më vonë herë pas here role femërore me fat dramatik dhe pashmangshmërisht me fund të lumtur.
Por më e mira, si të thuash, ende nuk kishte ardhur. E gjitha merr pikënisje nga një tërmet që ndodh më 1943 duke bërë rrafsh me tokën qytetin S. Juan. Argjentina mobilizohet dhe në kryeqytet organizohet një festival për të mbledhur fonde për viktimat e katastrofës natyrore. Në stadium, mes Vipave të panumërt dhe politikanëve kombëtarë, është i pranishëm edhe koloneli Juan Domingo Perón. Legjenda ngulmon se ka ndodhur një dashuri me shikim të parë, një goditje rrufeje. Eva tunduar nga ndjesia e mbrojtjes që Perón, njëzet e katër vjet më i madh, ia jepte asaj, ai i shastisur nga mirësia e dukshme e saj (siç e ka deklaruar ai në një intervistë) e nga karakteri i saj sa nervoz aq edhe i pasigurtë.
Po cili ishte roli që Peron kishte brenda Argentinës? I shikuar me sy të keq nga demokratët, të cilët e akuzonin se ishte një fashist dhe admirues i Musolinit, ai mbahej në pushtet nga forcat e armatosura. Mirëpo në vitin 1945 një grusht ushtarak e detyroi Perón të hiqte dorë nga postet e tij dhe madje arrestohet. Krerët e ndryshëm sindikalë dhe Evita, e cila ndërkohë ishte bërë një aktiviste e vendosur, ngrenë krye derisa ia arrijnë ta lirojnë. Pak më vonë ata të dy vendosin të martohen. Gjithsesi Evita sjell me vete ende një njollë që nuk mund të shpërfillej, ajo ishte një fëmijë e paligjshme. Prandaj gjëja e parë, ajo zhduk dokumentin e lindjes, duke e zëvendësuar me një dokument fals i cili e deklaronte të lindur më 1922, vitin kur vdiq gruaja e ligjshme e babait të saj, duke ndërruar edhe emrin: nga Eva Maria bëhet Maria Eva Duarte de Perón, më aristokratike (vajzat e familjeve të mira, në fakt, mbanin të parin emrin Maria). Më në fund, më 22 tetor 1945, të dy të dashurit martohen. Është kurorëzimi i i një ëndërre, një qëllim i arritur. Është e pasur, e admiruar, e zonja e mbi të gjitha është gruaja e një burri të fuqishëm.
Në vitin 1946 Perón vendos të kandidohet në zgjedhjet politike. Pas një fushate zgjedhore raskapitëse, ai zgjidhet President. Evita gëzohet pa masë, sidomos ngaqë shikon të rritet pushteti i saj personal, ushtruar nën hijen e të shoqit. Dhe ajo rolin e "first lady" e kryen për mrekulli. Adhuron veshje të bukura si në ëndërr dhe të duket sa më vezulluese përkrah të shoqit. Më 8 qershor, duke bërë një sfidë të pamasë, çifti viziton Spanjën e gjeneralit Francisco Franco. Pastaj pritet nga vendet më të rëndësishme evropiane, duke lënë pa gojë opinionin publik argjentinas, që sapo kishte dalë nga një luftë e dhimbshme. Nga ana e saj Evita, indiferente përballë mrekullive artistike e krejtësisht e patakt përballë evropianëve (të famshme disa "gafa" e disa paraqitje të vrazhda), viziton vetëm lagjet e varfëra të qyteteve, duke dhënë shuma të hatashme në ndihmë të nevojqarëve. Kontrasti midis figurës së saj publike dhe këtyre gjesteve solidariteti nuk mund të ishte më i dukshëm. Gjithnjë e mbushur me stolira, e veshur me rroba tejet të kushtueshme dhe e zhytur në shpenzime tejet luksoze e të shfrenuara.
Me t'u kthyer nga udhëtimi i vihet punës sërish me qëllim që t'i ndihmojë të varfërit dhe t'i mbrojë disa të drejta themelore. Për shembull, udhëheq një betejë që t'iu jepet femrave e drejta e votës (dhe ia arrin), krijon një fondacion për të varfërit dhe për punëtorët. Ndërton shtëpi për të pastrehët dhe pleqtë, pa harruar kurrë ndihmat për fëmijët. E gjithë kjo veprimtari bamirëse i jep një popullaritet dhe admirim të pamasë në mbarë vendin. Shpesh të dielave në mëngjes shfaqet në ballkonin e shtëpisë në Rosada para turmës që brohoret për të, e veshur dhe e zbukuruar sa s'ka më.
Mjerisht, pas pak vitesh të një jete kaq të ngjeshur e të kamur, shfaqet në horizon epilogu, nën formën e shqetësimeve banale të barkut. Fillimisht mendohet se vinin nga moskujdesja në tryezën e të ngrënit. Nga droja e trashjes ajo kishte filluar të hante gjithnjë e më pak derisa kishte rënë në mungesë dëshire për të ngrënë, anoreksi. Një ditë, gjatë një kontrolli për apendisit, arrihet në konstatimin e se sëmundja e saj ishte e pashërueshme. Evita, në mënyrë të pashpjegueshme nuk pranon të operohet, duke thënë se nuk pranonte të rrinte në shtrat në një kohë kur rrotull saj ka aq shumë mjerim dhe kur njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë për të.
Gjendja e saj përkeqësohet rrufeshëm rëndohet edhe nga fakti se ajo nuk i prek ushqimet me gojë. Më 3 nëntor 1952 pranon më në fund të operohet, por tashmë është tepër vonë. Sëmundja i jep afat vetëm edhe disa muaj për të jetuar.
Si sillet Peron në këtë situatë tragjike? Martesa e tyre tashmë ishte vetëm një fasadë. Edhe më tepër: gjatë sëmundjes i shoqi fle në një tjetër dhomë dhe nuk pranon ta shohë të sëmurën, sepse tashmë ajo është shndërruar në një gjendje të tmerrëshme. Pavarësisht nga kjo, në prag të vdekjes Evita dëshiron gjithsesi ta ketë të shoqin pranë, vetëm për vetëm. Më 6 korrik, kur ishte vetëm 33 vjeçe, Evita vdes, në praninë vetëm të nënës dhe të motrave. Perón, në pamje të jashtme i fortë, pi duhan pandërprerë në koridorin pranë. Vdekja lajmërohet nëpërmjet radios dhe shpallet zia kombëtare. Të varfërit, invalidët dhe njerëzit e zakonshëm bien në dëshpërim. Madonna e të thjeshtëve, siç ishte quajtur, do të shuhej përjetë dhe po kështu dëshira e saj për t'i ndihmuar.
Elida Buçpapaj
|