I shtati i 11 fëmijëve, Malcolm lindi më 19 maj 1925 në Omaha, në shtetin Nebraska të SHBA. Babai i tij, Earl Little, ishte një prift Baptist, ndërsa nëna e tij, Louise Norton, ishte një emigrante nga Grenada, në atë kohë ishulli i arqipelagut të Antileve i përkiste perandorisë britanike. Që të dy kishin qenë anëtarë të Universal Negor Improvement Association, lëvizjes panafrikane të çlirimit të zezakëve, themeluar në vitin 1914 nga politikani xhamaikian Marcus Garvey.
Në atë kohë midis grupeve raciste më aktive ishte Ku Klux Klan, themeluar në vitin 1867 në Tenesi nga ish pjesëtarë të ushtrisë jugoriste, nxjerrë jashtë ligjit në vitin 1869 dhe rilindur në Xhorxhia në vitin 1915. Pikërisht kësaj organizate i njihet autorësia, më 1931, e vrasjes së babait të Malcolm, i fajësuar pse kishte predikuar në lagje ku ishin të ngujuar zezakët.
Në vitin 1937 mungesa e gjatë e punësimit dhe sëmundja e rëndë që kishte goditur nënën, filluan të shpërbëjnë familjen e Malcolm-it, i cili iu besohet disa miqve të familjes. Në vitin pasues ai u përjashtua nga shkolla për "sjellje të keqe dhe për edukatë josociale" dhe dërgohet në shtëpinë e korrektimit në Lansing. Në janar 1939 asistentët socialë dhe gjykatësi vendosën, pas rëndimit të sëmundjes, ta mbyllnin nënën Louise në karantinë. Ndërkaq Malcolm, në shtëpinë e korrektimit të Shtetit Miçigan, shquhej si student brilant, edhe pse e ndjente shumë ashpër diskriminimin që peshonte mbi karrierën e tij të avokatit.
Pak më vonë, bashkë me familjen, ai u vendos në geton e zezakëve të Bostonit ku punoi si llustrues këpucësh dhe si shërbyes i brendshëm në restorantet e trenave. Pasi hyn në disa grupe anarkike të kohës, ai largohet nga puna për t'u shndërruar në organizator të basteve të paligjshme. Arrin edhe të bëhet shpërndarës droge. I kërkuar nga policia, në vitin 1945, rikthehet në Boston dhe vihet në krye të një bande grabitësish, por kjo përvojë do të ishte jetëshkurtër. Në vitin 1946 arrestohej për një rrëmbim banal dhe dënohet dhjetë vjet me burg. Nga shkurti 1946 deri në korrik 1952 Malcolm ishte një tre burgje të Masaçusetsit. Në koloninë penale të Norfolkut, ku kalon periudhën 1948-1951, ndosh shndërrimi i plotë i tij. Pëmes vëllait të tij Reginald, Malcolm hyn në lidhje me Nation of Islam (Kombin Islam) dhe me kryetarin e tij, Elijah Poole, i cili ndërkohë kishte marrë emrin Elijah Muhammad. Kombi Islam predikonte separatizmin e vetëdëshiruar të zezakëve nga të bardhët (si hap që të ndërmerrej para se të riktheheshin në Afrikë), denonconte racizmin e religjionit të krishterë dhe luftonte kundër drogës, duhanit, aloolit, ushqimeve të papastra dhe çdo lloji të formave të veseve.
Malcolm filloi të mësojë të studiojë e të lexojë duke bërë në të njëjtën kohë shndërrimin e tij në musliman brenda burgut. Bëhet i rrezikshëm deri në atë pikë sa, autoritetet e burgut, për t'i shmangur përplasjet e mëtejshme e lirojnë. Ai gjen punë si shitës, vendoset me banim në Inkster, geto zezakësh në Detroit dhe merr vendimin ta ndërrojë mbiemrin duke e bërë "X", në nderim të kujtimit dhe të travajeve që ia kishte shkaktuar atij mbiemri i vërtetë afrikan të cilit të bardhët ua kishin vënë dhunshëm të parëve të tij të ardhur si skllavë në Botën e Re. Ai vendos të punojë në një linjë montimi në industrinë automobilistike për të kaluar pastaj si kontrollor në Gar Wood, një fabrikë kamionësh, dhe për të bërë një rikthim më vonë në brigjet lindore të Amerikës, duke u shndërruar në një predikues të paarritshëm në Kombin Islam. Hap dhe oganizon xhami të reja dhe e shndërron Kombin Islam në një grup politiko-religjioz të "muslimanëve zezakë, separatistë dhe rreptësisht të organizuar". Në vitin 1958 ai do të martohej me një shoqe të lëvizjes së tij, Betty Shabazz dhe do të vendosej me banim në Nju Jork.
Në vitet 1963-1964 ai arrin në vendimin për të themeluar një grup të përkrahësve të tij, "Organizatën e Unitetit Afrikan". Udhëtimet në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë i ofrojnë argumente për të mbrojtur idetë e tij, të cilat përbëhen nga dy pika themelore: njëra për bashkimin më të ngushtë të grupeve antisegregacioniste vepruese në Jug dhe në pjesën tjetër të vendit, tejtra për përpjekjen që të ndërkombëtarizohet problemi i zezakëve, duke kërkuar afrim me vendet arabe, mbi të gjitha me vendet afrikane dheme ish kolonitë, për të krijuar një front të veprimeve të përbashkëta. Ndërsa Malcolm vazhdonte të merrte pozicione të forta kundër politikës së atëhershme të brendshme e të jashtme të vendit të tij, ai do të gjente kohë për ta shkruar dhe do ta përfundonte, me ndihmën e gazetarit Alex Haley, librin e tij "Autobiografia".
Duke mos u bashkëpajtuar me pacifizmin e Martin Luther Ling, ai ndahet prej këtij pas marshimit mbi Uashington, lejuar nga pushteti qendror. Por stuhia po afrohej. Gjatë vizitës në Kajro do të ishte viktimë e një tentative për t'u helmuar. Sapo rikthehet në Nju Jork, më 14 shkurt 1965, një atentat me dinamit ia ndez shtëpinë dhe mezi shpëton nga kjo ai vetë dhe gruaja e fëmijët e tij. Më 21 shkurt ai duhej të mbante një konferencë shtypi në Nju Jork. Kishte kërkuar që të mos shqetësohej asnjë gazetar dhe të mos kontrollohej asnjëri prej tyre. Nuk ia arrin madje as ta fillojë fjalimin e tij, sepse tre burra në radhën e parë nisën të qëllojnë kundër tij me pushkë dje pistoleta. U godit nga 16 plumbam tre prej të cilëve vdekjeprurës. Kohët e fundit, njëra prej bijave të Malcolm, Qubilah Shabazz, e ka akuzuar kreun aktual të Kombi Islam, Louis Farrakhan, se e kishte dhënë ai urdhërin për vrasjen. Nga thëniet e Malcolm X mbahet mend sidomos kjo: "Njerëzit, kur zemërohen, janë të detyruar të bëjnë që gjërat të ndryshojnë."
Në numrin e nesërm gazeta "The New York Times" me titull "Malcolm X Shot to Death at Rally Here" (Malkolm Iksi qëllohet për vdekje në një mbledhje këtu) dhe me nëntitull "Malcolm Knew He Was a 'Marked Man'" (Malkolm e dinte se ishte një "njeri i vënë në shënjestër"), shkruar nga autori Theodore Jones, thuhet se Malcolm X pak ditë më parë deklaroi në një intervistë dyorëshe në zyrën e tij Harlem: "Unë jam një njeri i vënë në shënjestër. Kjo nuk më shqetëson mua nëse ata nuk do ta trazojnë familjen time." Pse kundër teje?, e kanë pyetur. "Sepse unë jam unë," ishte përgjigjur ai. I pyetur për komentet e njerëzve në Harlem se ata nuk e dine në cilën anë është Malcolm X ", ai, duke zbërthyer xhaketën dhe duke prekur me gisht vendin ku e kishte zermrën, ishte përgjigjur: "Unë e di se jam 1000 kundër Ku Klux Klan, Rockwells dhe kundër të gjithë grupeve të bardha të organizuara kundër zezakëve në këtë vend," tha ai duke e pasur fjalën për Lincoln Rockwell, lider i Partisë Naziste dhe i grupeve të tilla si Citizens Council. Duke e pranuar situatën në të cilën ndodhej, Malcolm X kishte thënë: "Unë ndjehem si një njeri që ka qenë në gjumë dhe që ka qenë nën kontrollin e dikujt. Unë mendoj se vetëm tani unë kam filluar të mendoj për veten time dhe me mendjen time."/Elida BUÇPAPAJ