Karateistët shkodranë medalje në turneun ndërkombëtar "Luan Haradinaj" në Kosovë
E Djelë, 05.24.2009, 05:21pm (GMT+1)
Dy karateistë, Shpresim Daija dhe Roland Çerjani, pjesë e ekipit të Shkodrës, u nderuan me medalje të argjendë në përfundim të Turneut Ndërkombëtar "Luan Haradinaj", që u zhvillua në qytetin e Gjilanit, Kosovë. Karateistët e Vllaznisë të drejtuar nga trajneri i pasionuar Ergys Gucija, morrën pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, ku ishin pjesmarrës klubet më të mira të karatesë në trevat shqiptare. Trajneri shkodran Gucija, tha për ATSH-në se, në turne ishte i pranishëm ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi turneu i kushtohej vëllait të tij, dëshmorit kosovar Luan Haradinaj. Trajneri i Vllaznisë Ergys Gucija, që në këtë turne ishte dhe në cilësinë e përfaqësuesit të Federatës Shqiptare të Karatesë, zhvilloi takime pune me drejtues të Federatës kosovare të Karatesë ku u vendos për një bashkëpunim edhe më të ngushtë. Pas kthimit nga Kosova, karateistët shkodranë po përgatiten për të marrë pjesë në një tjetër aktivitet ndërkombëtar që do të zhvillohet në Mynih, (Gjermani), ku synojnë të fitojnë medalje të tjera. ATSH
www.voal-online.ch
|