E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

CENSUSI 2010 NË SHBA

Një mundësi e humbur për shqiptarët

Nga ILIR HYSA, Ph.D. Candidate, ish specialist partneriteti, Censusi 2010


E Djelë, 10.02.2011, 07:14am (GMT+1)

Do të kisha dëshiruar që këto rreshta të përmbanin një mesazh disi ndryshe. Për shembull, do të kisha preferuar që mesazhi të ishte: Shqiptarët konfirmohen si komunitet i fuqishëm në SHBA. Për fat të keq nuk është ashtu. Megjithatë, tani është vonë për të ndryshuar çfarë ka ndodhur. Pavarësisht nga rezultati i arritur, nuk duhet harruar fakti se Censusi 2010 gjeti mbështetje në komunitetin shqiptar dhe këtu gjej rastin të falenderoj të gjithë ata individë, organizata dhe shoqata, media dhe klube sociale, politikanë lokalë dhe federalë të cilët ndihmuan në fushatën edukative që i parapriu këtij procesi.

A mund të kishte patur më shumë mbështetje? Sigurisht. Por, për të kuptuar thelbin e problemit në konteksin e komunitetit shqiptar në SHBA, po bëj një histori të shkurtër.

Censusi ose numërimi i popullsisë është bërë 23 herë në historinë e shtetit amerikan duke filluar në vitin 1790 dhe përfunduar me të fundit në vitin 2010. Po përdor termin numërim dhe jo rregjistrim, siç e përdorim shpesh ne shqiptarët, së pari për të mos përdorur terminologji ndryshe nga ajo që përdoret në SHBA, meqë po flasim për SHBA-në, dhe së dyti për të mos e ngatërruar censusin me regjistrimin për të ushtruar njërën nga të drejtat bazë kushtetuese të çdo shtetasi të drejtën për të votuar.

Mbajtja e censusit parashikohet në artikullin 1, ndarjen 2 (Article 1, Section 2) të Kushtetutës Amerikane. Themeluesit e shtetit amerikan e bënë një gjë të tillë duke gjykuar se një numërim i popullsisë në çdo dhjetë vjet do të reflektonte ndryshimet demografike në vend dhe mundësonte rindarjen e drejtë legjislative të distrikteve për një përfaqësim sa më të barabartë të shteteve në Kongresin Amerikan.

Me kalimin e kohës, (për arsye praktike) përveç këtij motivi politik, censusit iu ravijëzua edhe motivi ekonomik. Shifrat e censusit janë udhërrëfyesi i qeverisë federale, qeverive të shteteve dhe atyre vendore për përcaktimin e prioriteteve buxhetore të shteteve apo zonave që ato qeverisin. Dhe kuptohet që shtetet apo zonat më të populluara (në bazë të shifrave të censusit) janë ato të cilave iu akordohen më shumë fonde. Kjo do të thotë që çdo qeveri, e çdo niveli qoftë, dëshiron pjesmarrjen e të gjithë qytetarëve të saj për të siguruar tërheqjen e shumës maksimale të mundshme nga Xhaxha Semi (Uncle Sam), siç e quajnë shpesh amerikanët qeverinë e tyre.

Historia e censusit është e gjatë. Dhe për më tepër, roli i këtij proçesi në politikën dhe ekonominë amerikane nuk janë objekt i këtij shkrimi. Këtu dua të ndalem në një motiv tjetër që ka shoqëruar censusin për vite e vite me rradhë dhe që ka evoluar si çdo gjë tjetër në kursin e historisë së njerëzimit. Ky motiv është dëshira e atyre që kanë lënë vendin e tyre (për të prekur tokën e premtuar) për të patur zërin e tyre në census. E kam fjalën për imigrantët. Dhe me zë kam parasysh dëshirën e tyre për t'u njohur nga censusi jo vetëm si individë që jetojnë në vendin e lirisë por edhe si bij krenarë të vendit që lanë pas. Sigurisht që jo të gjithë imigrantët e ndjejnë nevojën për një gjë të tillë me të njëjtin intensitet por kjo është temë për një herë tjetër.

Për të reflektuar këtë dëshirë të imigrantëve dhe për të patur një pamje sa më të plotë demografike, organizatorët e censusit (ligjvënësit dhe zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit"”Office of Management and Budget) përfshinë në pyetësorin e censusit, mes të tjerave, pyetje në lidhje me vendin e origjinës, besimin fetar dhe rracën. Debati rreth ndarjes së fesë nga shteti dhe argumenti mbi të drejtën e individit për të mos bërë publik besimin e tij/saj (ose mungësin e tij) bëri që pyetja në lidhje me besimin fetar të hiqej nga pyetësori i censusit dhe të mbetej thjesht histori. Argumenti për shkurtimin e një pyetësori të gjatë e të ngarkuar bëri që edhe pyetja që lidhej me prejardhjen të shihej në atë formë për herë të fundit në censusin e vitit 2000. Sipas censusit 2000, numri i individëve me origjinë shqiptare në SHBA ishte 113,661, që edhe pse zhgënjyes shënoi një rritje të konsiderueshme nga censusi i vitit 1990 i cili numëroi vetëm 47,710 shqiptarë. Por pyetja në lidhje me prejardhjen u transformua në censusin e vitit 2010 dhe iu dha mundësi kryesisht komuniteteve të mëdha për të deklaruar vendin e origjinës. Shqiptarët nuk ishin mes tyre.

Konflikti mes deshirës për njohje si komunitet dhe kufizimeve të pyetësorit të censusit lanë, si shumë komunitete të tjera, edhe shqiptarët me pak opsione. Fushata edukative që i parapriu censusit 2010 synoi ndërgjegjësimin e publikut rreth rëndësisë së censusit. Në komunitetin shqiptar dhe komunitete të tjera të vogla, kjo fushatë adresoi dëshirën e individëve për njohjen e origjinës duke i udhëzuar ata të plotësonin pyetjen mbi rracën, dhe në nënkategorinë "tjetër" të shkruanin origjinën e tyre, gjë që në shumicën e rasteve u mirëprit dhe në pak të tjera u kundërshtua me argumentin se në pikëpamjen rracore shqiptarët janë të bardhë dhe ky deklarim binte ndesh me atë fakt. Në këndvështrimin tim, ky argument ishte i pabazë. Fakti që shqiptarët janë rracë e bardhë është tashmë i njohur. Megjithatë nuk po ndalem këtu.

Në shifrat e Censusit 2010, numri i grupimeve rracore që u raportuan si komunitete të veçanta ishte 63. Mes tyre nuk ishin shqiptarët. Është e kuptueshme që shqiptarët që u vetë-identifikuan si të bardhë janë përzier me miliona të bardhë të tjerë. Kjo solli si rezultat një numër më të vogël (nga ai që duhej të ishte) të individëve që në kategorinë për rracën u identifikuan si shqiptarë. Kështu që as këta të fundit, duke qenë pak, nuk mundën ti bashkëngjiten listës së 63 rracave dhe janë përzier diku me miliona që thanë se i takojnë një rrace tjetër. Populli thotë: Nga bari i thatë digjet edhe i njomi. Dhe sa për censusin populli do të thoshte: Dolëm me këpucë të kuqe.

E vetmja shifër që kemi tani për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashuara nuk vjen nga Censusi 2010. Ajo shifër vjen po nga Byroja e Censusit por nga një anketë. Anketa Komunitare Amerikane (American Community Survey (ACS)) vlerësoi në vitin 2010 numrin e individëve me origjinë shqiptare të jetë 193, 813. Ky numër është i përafërt sepse nuk bazohet në numërimin e popullsisë por në zgjedhjen rastësore (random sampling) të një grupi të vogël nga i cili nxirren përfundime statistikore. Do të kishte qënë më mirë që një numër i tillë, edhe pse jo i kënaqshëm, të vinte nga Censusi 2010. Megjithatë, asgjë nuk ndryshon më. Dhe populli do të thoshte: Kur nuk ke pulën, ha sorrën. Pra, le të përdorim shifrat e ACS-it meqë nuk kemi shifra nga censusi. Por le ta lëmë popullin rehat (është fjala për mençurinë e tij) dhe të flasim seriozisht për problemet e popullit (jetën e tij të përditshme).

Plotësimi i pyetësorit të censusit historikisht është ndeshur me rezistencën e një pjese të popullsisë amerikane e cila gjykon se qeveria po ndërhyn në jetën e tyre private. Ky nuk është argument i ri në SHBA. Megjithatë, në konteksin historik, klimën politike globale dhe raportet mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara ky argument nga goja e një shqiptari është sa qesharak aq edhe i mbrapshtë. Atëherë shtrohet pyetja: Nëse shqiptarët nuk e përqafojnë argumentin e mësipërm, cili është argumenti për të cilin shumë shqiptarë nuk denjuan të plotësojnë një pyetësor (formular), ku jo vetëm mund të demonstronin krenarinë si shqiptarë (nëse ndjenin ndopak të tillë), por edhe të përmbushnin një detyrim qytetar?

Lexuesi i vëmendshëm e ka vënë re se nuk po caktoj standarte më të larta për shqiptarët dhe të them se ne kemi edhe një detyrim më të madh ndaj vendit kampion të lirisë për miqësinë dhe përkrahjen e dhënë në rrugën tonë të vështirë si komb. Pa dashur të shpreh nënvlerësim apo përbuzje për bashkëatdhetarët e mi, mendoj se problemi është më i thjeshtë nga sa mund të mendojë dikush. Rrjedha e vrullshme e jetës, kombinuar me një indiferencë të theksuar në lidhje me çfarë ndodh në botën që na rrethon është recetë për katastrofë në rrafshin komunitar, madje edhe kombëtar dhe i ka kapluar keqas shqiptarët. Për shembull, sa shqiptarë i njohin personat që i përfaqësojnë ata në Kongresin Amerikan (Senat dhe Shtëpinë e Përfaqësuesve), pa përmendur sa prej tyre i kanë takuar ata persona? Sa shqiptarë i njohin personat që i përfaqësojnë ata në Senatin apo Asamblenë e shtetit ku jetojnë, pa përmendur sa prej tyre i kanë takuar ata persona? Sa shqiptarë i njohin personat që i përfaqësojnë ata në Këshillin Bashkiak apo Komunal të qytetit apo zonës ku jetojnë, pa përmendur sa prej tyre i kanë takuar ata persona? Tani që Censusi 2010 është histori dhe nuk do të flasim më për numërim, sa shqiptarë janë rregjistruar të ushtrojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet lokale dhe federale në SHBA? Mendoj se për të gjitha këto pyetje përgjigjja është e njejtë. Shumë pak.

Ndoshta dikush do të thoshte se politikanët nuk shqetësohen për problemet tona të përditshme. Dhe është e vërtetë që shumë politikanë janë moskokëçarës, madje të pandreqshëm. Por në fund të fundit, edhe nëse ata nuk adresojnë asnjërin nga shqetësimet tona, të paktën ata do të mësonin se ne jetojmë diku dhe kemi në dorë të shprehim kënaqësinë apo pakënaqësinë tonë nëpërmjet votës sonë. Por le të mos fajësojmë vetëm politikanët dhe pretendojmë sikur ne jemi të përkryer. Jo. Ndoshta shumë shqiptarë janë të lumtur me çekun që marrin në fund të javës dhe aty është fundi i interesit të tyre për botën që i rrethon. Në fakt, nuk duhet të jetë ashtu. Mbijetesa kolektive kërkon qytetarë të angazhuar. Një demokraci solide dhe në përsosje e sipër, të cilën e kemi zgjedhur duke lënë pas vendin dhe kujtimet tona, kërkon qytetarë aktivë. Ajo kërkon qytetarë që, edhe nëse zgjedhin të jenë pasivë, së paku të kuptojnë universin ku jetojnë dhe konsekuencat e veprimeve (apo mosveprimeve të tyre). Përndryshe, në një të ardhme jo shumë të largët, në Shtetet e Bashkuara do të thuhet: Dikur, këtu ka patur edhe shqiptarë.

ILIR HYSA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
20 VJET MIQËSI Nga FRANK SHKRELI (10.02.2011)
JA PSE DO TË REKOMANDOJA QË RILINDJA DEMOKRATIKE TA BOTONTE TË PLOTË INTERVISTËN E AMBASADORIT ARVIZUNga ELIDA BUÇPAPAJ (10.01.2011)
TEK NEWS24 - THIRRJE KUNDËR RENDIT KUSHTETUES – PRONARË TË PUSHKATUAR VAZHDOJNË ME PRONA TË KONFISKUARA - PIKËPYETJE SISTEMIT ZGJEDHORNga ELIDA BUÇPAPAJ (09.30.2011)
EVROPA ZBRET NË TIRANËNga FRANK SHKRELI (09.29.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIKAMERIKA E KRIJOI SHTETIN KOSOVAR-THE KOSOVAR NATION, JO KURRFARË "KOMBI KOSOVAR"!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.28.2011)
DEMOKRACI ALA RUSÇENga FRANK SHKRELI (09.28.2011)
AUTONOMIA E LUGINËS SË PRESHEVËS, KËRKESË E KOHËSNga SHABAN MURATI (09.26.2011)
UDHËTIM I VDEKJES I EURO ZONËSNga PAUL KRUGMAN (09.26.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIK"KOMBI KOSOVAR", I PRANUESHËM VETËM PËR ATA QË ENDE NUK KANË KURFARË KOMBI !!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.23.2011)
NDËRROI JETË ISH SENATORI AMERIKAN ÇARLS PËRSI -- PËRKRAHËS I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVENga FRANK SHKRELI  (09.22.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]