Ndërsa arteriet përmes Sheshit "Skënderbej" kanë filluar të funksionojnë, organizimi i stërmadh i kryeqytetit ka fituar normalitetin e nevojshëm për një ditë pune të ngarkuar të banorëve të saj.
Herë me stërmundim, herë me vrullin e nevojshëm, nëpër kohë të mira apo edhe tragjike, tash e dekada me radhë nga ky shesh, nga arteriet e tij, zënë fill të gjitha rrugët e vendit. Kështu është konceptuar ai qysh në themelim të tij, si një zemër që mat ritmet e lëvizjes së një kombi, si një institucion paqeje dhe starti për miliona shqiptarë.
Ata arkitektë që projektuan këtë shesh historik, shëtitoren e madhe të Tiranës dhe ministritë, në kohën e Republikës së Parë dhe Mbretërisë shqiptare, patën vizionin për t'i paraprirë një pritshmërie zhvillimi gati 80-vjeçare të qytetit. Dekadat që erdhën në vijim nën administrimin komunist, më shumë i krijuan devijime dhe arnime atij vizioni se sa e ndihmuan qytetin të përshtatej me aspiratat e një kombi europian. Ndërsa, ndërtoheshin pallate me parafabrikate dhe parqe me aksion dhe slogane socialiste, bulevardi i madh i qytetit mbante gjithnjë dhe më shumë njerëz të dëshpëruar, që jetonin në apartamente që ngushtonin deri në torturë, jo vetëm hapësirën, por edhe personalitetin e njeriut.
Tani që Sheshi "Skënderbej" po i nënshtrohet restaurimit të radhës, ndoshta më të debatuarit në historinë e tij, në mendje na vijnë konturet e kryeqytetit në vizatimet e para të projektit austriak të vitit 1923, projektit të arkitektit italian Brasini të vitit 1925, i cili hartoi projektidenë për organizmin e qendrës së qytetit, të 6 ministrive dhe bulevardit kryesor, planit të dytë të rregullimit të vitit 1926, kur hidhet ideja e parë e Sheshit "Skënderbej", plani i tretë i arkitektit austriak Kohler, ku u hodh ideja e shtrirjes deri tek hapësirat me vila tek Tirana e Re, plani i katërt rregullues i Mbretit Zog i vitit 1929, ku konturohet i gjithë aksi i bulevardit Jug-Veri dhe pastaj puna për konkretizimin e tyre.
Ndërsa punëtorët e firmës sipërmarrëse janë duke vënë pllakat e fundit në variantin provizor të sheshit, siç ka lajmëruar administrata e re në Bashki, plot 81 vjet më parë, pra më 1930 filluan punimet në dy akset kryesore të bulevardit për të përfunduar në Sheshin "Skënderbej", si dhe zgjerimi i rrugëve kryesore të qytetit.
Më 1930 do të fillonin punimet në ndërtesën e Bankës së Shqipërisë, e cila do të inaugurohej më 1938, si një vepër e arkitektit italian, Vitorio Morpurto. Ndërsa më 1931 arkitekti italian De Faust, projektoi variantin e fundit, ashtu siç e kemi sot, të Sheshit "Skënderbej", kompleksit të ministrive dhe bulevardit kryesor të Tiranës.
Përgjatë gati katër brezave njerëzorë, deri në ditët tona, ashtu si njeriu ka nevojë të çlirohet prej një rrobe që i bie ngushtë edhe Tirana kishte nevojë të çlirohej nga rrugët e ngushta dhe shpesh të stërbëra, nga trafiku i ngjeshur dhe gati pa rrugëdalje, superpërqendrimi brenda një vije të verdhë të tejkaluar mbi pesë herë, vetëm gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Është pak e çuditshme, por gjatë këtyre 12-vjetëve të fundit, u punua pa një plan afagjatë dhe total, më shumë nën ndikimin e zgjidhjeve të rrëmujshme, emergjente se sa të përgjigjeve të vërteta urbanistike për shumë çështje, që kryeqyteti i mbartte nga njëri vit në tjetrin, deri në stërmundim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, L.Basha, ndërsa ka paralajmëruar një plan urbanistik afatgjatë në muajt në vazhdim, duke koordinuar kështu dhimbjen e një banori historik të saj, me vizionin e një europiani të sofistikuar që dëshiron të përshtasë ato koncepte jetese dhe shërbimesh që kanë bërë të përmendura disa nga metropolet më të mëdha të botës tonë. Zoti Basha ka bërë të ditur se, "Plani urbanistik i Tiranës ka nisur, ndërsa janë bërë konsultimet në çdo hap të procesit". Siç thotë ai, hapat e para që janë bërë janë ato të ekzaminimit të plotë të punës dhe të të dhënave, hartimit të planit të metodologjisë dhe veprimet e para që do t'i hapin rrugë hapave të tjera ambiciozë.
Tirana nuk ka njohur asnjëherë një start më të shpejtë projektesh për ndryshim se sa gjatë këtyre 100 ditëve të para të administratës Basha dhe as një njeri që të punojë me kaq pasion dhe përkushtim njerëzor për rregullimin e jetës së qytetit. Nuk është fjala vetëm për punimet e vrullshme në Unazën e Madhe të kryeqytetit, për punën model për çlirimin e Sheshit "Skënderbej", për sistemin me tre turne që u punua atje, as edhe për hipotekimin e 124 pallateve dhe komplekseve të pallateve në Tiranë, apo reduktimin e barrës fiskale për biznesin, si dhe identifikimin e njëmijë e një punëve që shkojnë keq në kryeqytet, kryesisht për shkak të keqadministrimit, se sa hedhja e piketave për qytetin e shekulli të ri.
Kryetari i Bashkisë Basha ka bërë të ditur se së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për Bulevardin e Tiranës, për rehabilitimin e Lumit të Tiranës, për tramvajin e qytetit, ndërsa është përmbushur edhe adresimi i sigurisë në trafik për shkollat e kryeqytetit. Tirana do të ketë parkun e saj teknologjik, një projekt aftagjatë për thithjen e investimeve të huaja, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe një sistem të modelit europian të kualifikimit dhe rikualifikimit të të rinjve shqiptarë dhe qytetarëve të tjerë për tregun e punës.
Ndërsa janë duke u vënë pllakat e fundit në projektin që i riktheu Sheshin "Skënderbej" qyetarëve shqiptarë, trafiku i Tiranës është i pari që e ka ndjerë këtë çlirim dhe bashkë me të edhe ajri i Tiranës, si dhe humori i vozitësve që kalonin orë të tëra të bllokuar në një trafik ferri, duke humbur oraret e punës, takimet dhe detyrimet e tjera të përditshme si për mort edhe për dasmë.
Rikthimi në funksionin natyror të sheshit, i konceptuar qysh në vizatimet e para të arkitektit të njohur italian Brasini, është fillimi i mbarë për administratën e zotit Basha dhe një premtim i mbajtur me korrektesë dhe dhembshuri. Natyrisht ky është vetëm fillimi drejt ridimensionimit të Tiranës së madhe europiane, që shndërron edhe periferitë në aktorë të rëndësishëm të jetës së këtij metropoli, ndërsa qendrën në një zemër që rreh me ritmet europiane të jetës.