E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

NË GJURMËT E NJË SKANDALI TË AMBASADORIT RUS NË BEOGRAD

Ç’NDODHI ME AMBASADORIN RUS NË SERBI?

Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI


E Mërkurë, 12.28.2011, 08:41am (GMT+1)

Në faqen e internetit në gjuhën ruse www.svoboda news.ru të datës 21 shtator 2011, zonja Irina Llagunjina njoftonte:

"Gazeta ruse "Izvjestija" të premten e kaluar (16 shtator - E.Y.) kishte botuar një material me titull "Në Beograd kanë ofenduar ambasadorin rus". Po të nisemi nga karakteri i incidentit në Forumin e Beogradit për Sigurinë dhe nga mungesa e reagimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Serbisë për atë që ndodhi, mund të themi se marrëdhëniet prej aleatësh midis Moskës dhe Beogradit i takojnë së kaluarës. Një pohim i fortë ky. Po të hapim youtube dhe të formojmë mbiemrin e ambasadorit rus në Beograd - Konuzin - atëherë mund të bindemi se regjistrimin e asaj që ndodhi e kanë parë pothuajse 83 mijë vetë. Për të na rrëfyer se çfarë ndodhi në Forumin e Beogradit dhe si po reagojnë ndaj asaj ngjarjeje në Serbi, unë i kërkova informacion korrespondentes sonë në Beograd Aja Kuges.

Aja Kuge: 15 shtator. Beograd. Shtëpia e ushtarakëve. Vazhdon punimet Forumi i Parë për Sigurinë, në të cilin marrin pjesë rreth 300 specialistë: diplomatë, analistë, politikanë dhe gazetarë nga 25 vende të botës. Pas fjalës së hapjes të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, pjesëmarrësit filluan të diskutonin temën që u kushtohej çështjeve globale të sigurisë. Por nga radhët e publikut çohet më këmbë befas ambasadori i Rusisë Aleksandër Konuzin. Ai, me një ton plot zemëratë, i drejtohet herë sallës, herë kryetarit të forumit, duke akuzuar pjesëmarrësit serbë të mbledhjes se ata, gjoja, nuk i mbrojtkan interesat e vendit të vet.

Aleksandër Konuzin: Unë jam i shqetësuar thellësisht. Pikërisht në këtë moment KFOR-i i NATO-s, së bashku me EULEX-in, në shkelje të mandatit të këtyre forcave, në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në shkelje të vendimit të Këshillit të Sigurimit të nëntorit të vitit 2009, kanë ndër mend që në pikat e kontrollit të kufirit të sjellin doganierë dhe oficerë shqiptarë... Në këtë auditor nuk po bëhet asnjë pyetje për këtë çështje! A ka serbë në këtë sallë? Pas disa orësh Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të merret me këtë problem. Rusia do të mbrojë interesat tuaja, së bashku me ministrin tuaj të punëve të jashtme, ndërkohë që shtetet anëtare të NATO-s, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të ngrihen kundër interesave tuaja kombëtare. S'u bë asnjë pyetje për këtë çështje! Mua po më krijohet përshtypja se ju përgjithësisht nuk po merakoseni se çfarë po ndodh në çastin e tanishëm në vendin tuaj".

Interesante kjo mënyrë sjellje e ambasadorit rus! Duke shkelur çdo rregull komunikimi me një publik të huaj, duke tejkaluar etikën diplomatike, ai kërkon të bëhet zot në shtëpinë e botës, duke u munduar t'u japë leksion serbëve se si këta duhet t'i mbrojnë interesat e vendit të tyre. E kuptoj dëshpërimin zemërak të ambasadorit Konuzin për zhvillimin e ngjarjeve në Serbi. Ai na zbulon brengën sfilitëse që ka pllakosur Moskën për situatën në Serbi, e cila Kremlinit i ka dalë fare nga kontrolli. Serbia, si nusja para ditës së fejesës, po niset e stoliset para marrjes së statusit për në Bashkimin Evropian. Kurse Rusia rri e kujton me pikëllim në zemër kohët e sakrificave të mëdha që ka bërë për pavarësimin e Serbisë nga Perandoria Otomane, për mbrojtjen e interesave të saj në Luftën e Parë Botërore, çka i çeli shtegun krijimit të Jugosllavisë së ardhshme, për çlirimin e saj nga fashizmi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, për "mbrojtjen" e saj nga NATO-ja gjatë bombardimeve të vitit 1999. Në fushatën e tërbuar që Rusia ndërmori që prej këtij viti dhe që vazhdon edhe sot e gjithë ditën për mbrojtjen e Serbisë para "rrezikut të fundamentalizmit shqiptar", urrejtja ruse për etninë shqiptare u ngrit në të tilla kuota të paimagjinueshme, saqë edhe mes serbëve gjakftohtë ngjallte njëfarë habie.

Mirë do të ishte që politika ruse t'i kthente sytë prapa dhe të shikonte me gjakftohtësi se si Serbia ia ka dredhur paturpësisht Rusisë pas sakrificave të shumta që kjo e fundit ka bërë për të, që prej vitit 1878, kur ajo (Serbia) fitoi pavarësinë.

Më 19 shkurt të vitit 1878 Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Në bazë të atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të plotë. Por fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte politikën e saj drejt Austro-Hungarisë dhe nuk u kujtua më për Rusinë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, Serbia, pasi u bë e pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe diplomatike të Rusisë, kësaj i ktheu krahët aty për aty.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u krijua mbretëria e bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, "e majmur" sidomos me territore shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse, serbët, që ishin "violina e parë" në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, "harruan" të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave marrëdhëniet e veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Rusia vërtet ishte bërë një vend komunist, por rusët kishin vazhduar të mbeteshin rusë. Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar të bëhej tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit gjermanë, por "dashuria e zjarrtë" e serbojugosllavëve për Rusinë Sovjetike nuk zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i kthyen shpinën Moskës dhe u lidhën me Perëndimin.

Por nuk do të ishte pa interes që Rusia t'i kthehej edhe traditës së mendimit racional rus për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg u botua një libër interesant me titull "E vërteta për Serbinë", libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, (nip i Karamzinit, historianit të njohur rus), të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si një gazetar reaksionar. Princi Meshçerski ka qenë njëri nga organizatorët kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të luftuar përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për zhgënjimet e thella që pësuan trupat vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u gjendën mes serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:

"Patrioti serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse një rus, që vjen në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me çështjen e patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i Beogradit... Ata (rusët - E.Y.) u nisën (për në Serbi - E.Y.) me mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet... Atje ata gjetën një popull, pjesa e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët dhe i vjen turp para Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e ulët, populli i thjeshtë, në shfaqjet kryesore të botës së tij shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se nuk ka arritur t'i kuptojë dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit serb...rusi e ndien veten keq...

Rusët u bërtisnin rusëve "shpejt", kur po i përcillnin drejt tokës serbe. Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po priste rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë. Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për të luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një dashurie vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e një njeriu mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të mos u ngjallnin rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë e këtij zhgënjimi të thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos lindte një ftohje armiqësore ndaj serbëve...Por, sado të këqija të jenë përshtypjet e rusëve, prapëseprapë ne nuk duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në gjendje që prej tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej t'ia bëjmë të qarta vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne ishin befasuese, në mënyrë që prej këtyre fakteve dhe prej këtyre përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë një mësim historik, bindës dhe serioz.

Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca përshtypje të rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m'u shqit nga koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i takonte çdo rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që Rusia ka përjetuar...

Disa thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as dy sllavë nuk bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët urrejnë bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin (princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve për shqiptarët - E.Y.). Por atëherë vetvetiu ngrihet çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me njëri-tjetrin, atëherë a ia vleka t'ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka roli historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se...çdo provë duhet të na shërbejë si mësim... Para se të jemi sllavë, ne duhet të dimë të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në fillim shëro veten tënde" (Citohet sipas: Revista "Ogonjok", nr.30, korrik 1995, f.69, 70, 71).

Për fatkeqësinë e politikës ruse ndaj Serbisë, historia përsëritet. Zhgënjimet e thella të princit Vladimir Meshçerski na i përcjell 130 më vonë, me po atë mënyrë rrëfimi, pra, në vitin 2007, një mercenar rus, i cili, në vitin 1992, u rreshtua përkah shovinistëve serbomëdhenj, në luftërat agresive që Millosheviçi ndërmori kundër shumë popujve të Ballkanit.

Gishtat e prerë të Rusisë në Ballkan

Kur u njoha me reagimin e pakontrolluar të ambasadorit rus Aleksandër Konuzin në Beograd, fillova të bridhja nëpër faqet e internetit në gjuhën ruse dhe rashë në një material të gjatë mjaft interesant. Materiali titullohej "Предательство по-сербски" (Tradhti a la serbçe). Autor i këtij materiali është Sergej Suharjev. Ja se çfarë shkruan ky mercenarovullnetar rus në materialin në fjalë, të cilin lexuesve të nderuar po ua përcjell përmbledhtazi:

Sergej Suharjev shkoi vullnetar në Serbi në vitin 1992. Në foto: portreti i Leninit dhe dora e djathtë e Suharevit, me gishtat e prerë. Gishtat i humbi në luftë, përkrah ushtrisë kriminale të Milosheviçit, e cila në vitin 1992 filloi agresionin kundër popullit boshnjak. Tani ai banon diku në rrethinat e Beogradit. Këtë fotografi Suharjevi e mban të varur në dhomën e vet. Fotografia është e 6 gushit të vitit 2007.

"...Kemi qenë shumë vullnetarë rusë që kemi luftuar këtu, shumë prej tyre janë vrarë... Unë kam pas mbyllur sytë para shumë gjërave që ka bërë udhëheqja serbe. Rrija e vrisja mendjen, paçka se gjërat dukeshin açik që luftën e humbëm... Neve, rusëve, që paskëtaj quheshim tashmë si ish-vullnetarë, nuk na lejuan të kishim një grazhd. Vullnetarët rusë që qëndruan në Serbi, s'mundën që s'mundën dot ta gjenin vendin e vet në shoqërinë serbe. Ne duhej të gëzonim po të njëjtat lehtësira, si edhe serbët, por neve nuk na lejuan t'i gëzonim ato. Na e bllokonin fare thjesht çdo hap administrativ që ne ndërmerrnim. Pas luftës kishte mbetur pa na e thënë edhe zyrtarisht: "ne nuk e dimë se kush ju ftoi juve, vullnetarëve, të vini këtu, kthehuni andej nga keni ardhur, ne kishim nevojë për armët ruse, jo për ju...". Unë nuk kam gëzuar asnjë lehtësi, madje nuk kam gëzuar as shërbimin mjekësor falas dhe të drejtën për t'u siguruar për pension, pa folur pastaj për lehtësira të tjera. Mendoj se nuk e kam merituar nga serbët një poshtërim të tillë... Unë gjithmonë e kam thënë se të mbrosh serbët do të thotë të merresh me një punë të pagratshme. Ata janë tepër larg botës tonë shpirtërore, aq më tepër kur një i tillë popull i vogël, si populli serb, ambiciet i ka tej mase perandorake. Nuk dua t'i prekë në ndjenja vullnetarët rusë që erdhën për të luftuar në Serbi, por më duhet ta nënvizoj se sakrificat e tyre nuk dhanë asnjë rezultat për forcimin e marrëdhënieve ruso-serbe. Tani serbëve u qan mendja për Bashkimin Evropian dhe për NATO-n dhe, nisur nga ca hesape maksimale që kanë bërë me vetven, atyre as që iu bëhet vonë fare për Rusinë... Prandaj serbëve paskëtaj nuk duhet t'u jepet kurrfarë ndihme pa shpërblim!!!

Rusia, çuditërisht, nuk nxori mësime nga përvoja e marrëdhënieve me Bullgarinë. Në betejën e vitit 1877 që u zhvillua kundër trupave osmane, në Qafën e Shipkës të maleve Stara Planina të Bullgarisë, Rusia humbi male me të vrarë. Pikërisht nga ajo betejë e ka prejardhjen shprehja e bukur frazeologjike e gjuhës ruse "në Shipkë çdo gjë (gjithçka) është e qetë", e cila përdoret në kuptimin: kur na fshehin të vërtetën, kur e vërteta mbulohet me plaf, kur na thonë se nuk kanë halle. Shprehja përdoret në adresë të atyre që fshehin dhe zbukurojnë një situatë të paleverdishme dhe madje të rrezikshme për ta. Piktori rus V.V. Vereshçagin (1842-1904), njëri nga piktorët më të shquar batalistë rusë, kështu i pati emërtuar tri tablo, të bashkuara në një subjekt të vetëm, në të cilat pasqyrohet vdekja tragjike e një ushtari rus në qafëmalin Shipka në Bullgari, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Ai i pati emërtuar tablotë në këtë mënyrë, nisur nga raportimet zyrtare të gjeneralit F.F. Radecki (1820-1890) për komandantin M.D. Skobelev (1843-1882). Ato raportime ai i pati dërguar asokohe kur një grup i vogël ushtarësh ndodhej nënë breshërinë e trupave osmane që vinte nga tre drejtime, ndërkohë që ushtarët, të torturuar dhe të veshur keq, po ngrinin nga acari. Piktori ka zbuluar anën tragjike të luftës: ai ka nxjerr në pah karrierizmin dhe natyrën kriminale të komandës cariste që i çoi ushtarët rusë drejt një vdekjeje të pakuptimtë. Trupar ruse, po ashtu, në Luftën e Dytë Botërore e çliruan Bullgarinë nga fashizmi. Por sot Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, kurse Rusinë e ka lënë me gisht në gojë.

Serbia ka mbetur si "ishulli" i fundit i Ballkanit, ku Rusia shpreson ende të mbajë të ankoruar "varkën" e vet që do të vazhdonte t'i shërbente për gjoja mbrojtjen e sllavizmit nga ekspansioni perëndimor ekonomik dhe ushtarak. Por, për shkak të dritëshkurtësisë që e ka karakterizuar, politika ruse nuk ka arritur ta kuptojë dot kurrë faktin që serbët i lidh me rusët vetëm prejardhja paradisashekullore dhe asgjë tjetër. Me urrejtjen e thellë që Rusia i ka mëkuar Serbisë kundër kombit shqiptar që prej çerekut të fundit të shek. XIX e deri tani, ajo i ka bërë një dëm shumë të madh, para së gjithash, vetë etnisë serbe, vetë popullit serb. Populli shqiptar, popull rrënjës mijëra shekullor në Gadishullin Ilirik, dhe populli serb, me pararendës të vendosur në këtë gadishull në shekullin VII, janë popuj fqinj dhe marrëdhëniet e tyre nuk duhej të qenë karakterizuar nga acarime të skajshme, deri në përplasje të armatosura. Fajtore kryesore për acarimin e këtyre marrëdhënieve ka qenë politika ruse. Ishte kjo politikë fort armiqësore në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, e cila luajti rolin kryesor në copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës.

Në një intervistë që i ka dhënë gazetës serbe "Veçernje Novosti" më 19 janar 2011, ambasadori Konuzin ka deklaruar:

"Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës, dhe, siç e kam theksuar, nuk ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë. Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet gjetur me ndihmën e metodave politike...".

Një deklaratë e tillë dëshmon fare qartë se politika ruse nuk është çliruar dhe nuk mund të çlirohet dot nga mendësitë perandorake në qëndrimin ndaj së drejtës së popujve për vetëvendosje. Kjo politikë, dikur karakteristike për periudhën e rusocarizmit, ende nuk është në gjendje ta kuptojë që pavarësia e Kosovës përfaqëson një proces përfundimisht të pakthyeshëm dhe të kërkosh "metoda politike" për këtë çështje, pas gati katër vjet pavarësi, do të thotë t'i thuash këmbës dorë.

Dështimin e turpshëm të politikës së vet ndaj çështjes së Kosovës, politika ruse u mundua ta zbuste me investimin e fuqishëm që bëri me blerjen e Karla del Pontes dhe të senatorit Dik Marti për sajimin e mitit për gjoja trafikim organesh njerëzore nga ana e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes këtij miti, politika ruse pati si qëllim që të zhvlerësonte një herë e mirë luftën e popullit shqiptar të Kosovës dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e Kosovës nga vargonjtë e shovinizmit serbomadh.

Politika ruse nuk nxori mësime nga parashikimet e princit Meshçeski për kotësinë e sakrificave të Rusisë për Serbinë. Por ajo vazhdon të mos nxjerrë mësime edhe nga rrëfenja tragjike e vullnetarit mercenar Sergej Suharjev për marrëzinë e sakrificave ruse po për Serbinë edhe në fundin e shek. XX dhe në fillimin e shek. XXI. Unë mendoj se fotografia që ky ish-vullnetari mercenar Sergej Suharjev mban në dhomë diku në rrethinat e Beogradit, sidomos pamja e dorës së tij me gishtat e prerë për një kauzë të marrë, ka një kuptim thellësisht simbolik: Rusisë i janë prenë gishtat në Ballkan një herë e përgjithmonë se pesha e saj e dikurshme politike në këtë gadishull tani mund të vlerësohet si e paqenë.

Rusia nuk qe në gjendje të mbante larg Bashkimit Evropian dhe NATO-s ish-republikat sovjetike të Priballtikut që i ka në derë të shtëpisë, kurse përmes ambasadorit Konuzin në Beograd, kërkon të bëhet zot shtëpie në Serbi, të cilën e ka mijëra kilometra larg. Do të ishte mirë që politika ruse, përpara se të kërkojë të marrë përsipër rolin e të zotit të shtëpisë në Serbi, të rri e të vrasë mendjen shumë më tepër për oborrin e pasmë të saj, për prapavijat e saj të largëta që dikush po ia gllabëron urtë e butë.

Në një informacion të zotit Mihail Vasiljev, me titull "Lindja e largme tashmë ndodhet nën varësinë e Kinës", të botuar në faqen e internetit në gjuhën ruse më 17 qershor 2010, ndër të tjera, thuhet:

"Në Kinë po rritet dëndësia e popullsisë në territoret që shtrihen në kufi me Rusinë. Vetëm në dy provinca që shtrihen pranë kufirit me Lindjen e Largme, jeton një popullsi prej 141 milionë banorë, kurse në Lindjen e Largme dhe në Siberinë Lindore jetojnë gjithsej 6 milionë banorë. Rusët po largohen turravrap nga Lindja e Largme dhe nga Siberia Lindore, në drejtim të pjesës evropiane të vendit, sepse nuk po shikojnë ndonjë perspektivë për vetveten dhe nga frika e pasigurisë për jetën e tyre. Arsyeja: kinezimi i këtyre territoreve nën parullën e partneritetit strategjik. Shumë shpejt kinezët etnikë në Lindjen e Largme dhe në Siberinë Lindore do të jenë më shumë në numër sesa rusët dhe ata do të mund të diktojnë kushtet dhe rregullat e tyre. Detyra e tyre është që të përgatiten për okupimin e Lindjes së Largme dhe të Siberisë Lindore".

Një informacion aspak ngushëllues ky për politikën dritëshkurtër ruse që kërkon të diktojë vullnetin e vet në një vend të huaj dhe shumë të largët. Kanë kaluar më shumë se 133 vjet që nga koha e Kongresit famëkeq të Berlinit, kur fuqitë perëndimore, nën diktatin e politikës shoviniste ruse, filluan copëtimin e trojeve etnike shqiptare, çka shënoi edhe fillimin e armiqësisë së madhe të kombit shqiptar me vendet fqinje, por Rusia asnjëherë nuk është penduar për padrejtësitë e rënda që na ka bërë. Përkundrazi, në të gjitha strategjitë që ajo ka pas hartuar për Gadishullin e Ballkanit, etninë shqiptare e ka pas vlerësuar si të paqenë. Por kohët kanë ndryshuar. Bombardimet e NATO-s të pranverës së vitit 1999, shënuan rilindjen e pranverës shqiptare për mbarë kombin shqiptar dhe i dhanë një mësim të mirë politikës shoviniste ruse se si duhet të sillet ndaj së drejtës së kombeve për vetëvendosje. Le të shpresojmë që pranvera dimrore ruse që ka nisur me rastin e manipulimit të zgjedhjeve të paradokohshme nga ana e dyshes Putin-Medvedjev (apo nga ana e Lolit dhe e Colit të Kremlinit), të çojë në kthjellimin e politikës ruse, e cila duhet të respektojë dinjitetin e një vendi të madh që duhet të ketë peshë në politikën ndërkombëtare dhe t'u jap fund marrëzive foshnjarake për dërgime sobash dhe mangallësh në Mitrovicën e Veriut. Le të shpresojmë që të vijë dita e pendesës së madhe të politikës ruse për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Mendoj se politika ruse duhet të ndjekë shembullin e mercenarit vullnetar Sergej Suharjev, i cili me rrëfimin e vet ka zbuluar faqe botës ringjalljen e thellë shpirtërore që po përjeton pas përfundimit të një lufte të marrëzishme.

Më poshtë po u përcjell lexuesve një pjesë të rrëfimit të tij, të botuar më 25 prill 2010, në faqen e internetit në gjuhën ruse me titull "Një vullnetar rus në Serbi (si po i braktisin veteranët)":

"Pas luftës lexova Kuranin. Dhe, që ta merrni vesh, myslimanët fillova t'i shikoj ndryshe. Unë e pranova profetin Muhamed. Po pse të mos e pranoja? Rezulton që ata (myslimanët - E.Y.) në Kuran e pranojnë Krishtin, atëherë unë pse të mos e pranoj Muhamedin? Ai ka qenë një njeri i mirë... Nuk do të shkoj më kurrë të luftoj... Kur i fala të gjithë, në shpirt ndjeva një lehtësi. Një burrë i mençur ka thënë: "Dhuna sjell dhunë". Kështu është me të vërtetë. Me myslymanët mund ta gjesh fjalën. Rusët duhet të kuptojnë një gjë: cila është feja e dytë në Rusi? Islami. Dhe në qoftë se ne do të fillojmë tani luftën kundër tyre, dhuna nuk do të përfundojë kurrë. Ne ia kemi vërtetuar njër-tjetrit se jemi në gjendje të luftojmë mirë, atëherë pse të mos ndalemi tani dhe të fillojmë të bisedojmë? Unë këtu e ndiej veten ligsht. Del që ne, rusët, japim gjithçka dhe për vete nuk marrim asgjë. Rusia pa serbët s'ka për të pësuar gjë kurrë. Po serbët pa Rusinë? Rajevski (e ka fjalën për komandantin rus që erdhi në krye të trupave ruse për të ndihmuar Serbinë kundër trupave otomane në vitin 1878 - E.Y.) pati ardhur këtu me trupat e veta, luftoi, u vranë me shumicë ushtarë rusë. A i tha kush asohohe Rusisë "faleminderit" për një gjë të tillë? Askush dhe asnjëherë...".

Rrëfimi i çiltër i mercenarit vullnetar Sergej Suharjev, pendesa e tij dhe gishtat e prerë të njërës dorë të tij, le t'i bëhen mësim politikës ruse që ta vlerësojë me objektivitet etninë shqiptare dhe le të bindet përfundimisht se edhe gishat e saj janë prerë në Gadishullin Ballkanik një herë e përgjithmonë.

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
EsseHAVELI, IKONA E LIDERIT ME INTEGRITETI I LE ZHVESHUR POLITIKANËT PA INTEGRITET SHQIPTARËNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
VACLAV HAVEL: HEROI I LIRISË"E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’ --Vaclav HavelNga FRANK SHKRELI  (12.22.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIKVERIU I KOSOVËS NUK ËSHTË "TERRA NULLIUS"!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.22.2011)
KA ARDHUR KOHA E RADIKALIZIMIT TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI, ish deputet në parlamentin e Malit të Zi (12.21.2011)
EDHE UNË JAM SHQIPTARNga VACLAV HAVEL (12.20.2011)
VACLAV HAVEL, PRESIDENTI PARIMORNga MADELEINE ALBRIGHT, Washington Post (12.20.2011)
VOTA E EMIGRANTËVE SHQIPTARË - E PAMERITUARNga ARTUR VREKAJ (12.18.2011)
KUJDES NGA "NDIHMAT HUMANITARE" RUSENga FRANK SHKRELI (12.18.2011)
OPORTUNIZMI I INTELEKTUALËVE DHE POLITIKANga XHELAL ZEJNELI (12.18.2011)
LËVIZJA E DHJETORIT ME MANIPULATORË DHE PLOT KONTRAVERSITETPluralizmi qe solli Dhjetori 1990, data më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisëNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.15.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]