Xhorxh Bush babai feston 85 vjetorin duke u hedhur me parashutë E Djelë, 06.14.2009, 09:22am (GMT+1)
Ish presidenti amerikan Xhorxh Bush i vjetër ka festuar 85 vjetorin e lindjes së tij në një mënyrë të veçantë duke u hedhur me parashutë afër shtëpisë së tij. Bush u ka thënë gazetarëve se ndihet jashtëzakonisht mirë dhe ndjenja që provon në ajër është shumë emocionuese. Në fakt Bushi i vjetër ka kohë që stërvitet nga parashutistët e ushtrisë. I pranishëm në këtë festë ditëlindjeje ishte edhe ish presidenti Bush i ri dhe djali tjetër, guvernatori i Floridas. Në fakt është traditë që Bushi i vjetër, në formë të mirë shëndetësore, e feston ditëlindjen në këtë mënyrë të rrezikshme, për tu ndjerë më i ri. Ai ka festuar në të njëjtën mënyrë edhe 75 vjetorin, ndërkohë që shpreson se do të bëjë të njëjtën gjë edhe kur të mbushë 90 vjeç.
Është hera e 7-të që Bushi i vjetër hidhet me parashutë. Herën e parë u detyrua të hidhej gjatë Luftës II Botërore, pasi avioni i tij u qëllua dhe u rrëzua në paqësor në vitin 1944. Dinastia Bush vazhdon të tërheqë vëmendjen e gazetarëve në cdo aktivitet dhe festë që ata organizojnë.