Gjenerali amerikan Stanli McChrystal mori komandën e trupave amerikane dhe të atyre të NATO-s në kryeqytetin afgan, Kabul. Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, gjenerali tha se civilët afganë do të jenë në qendër të misionit të tij. Ai u zotua se do të përqëndrohet tek minimizimi i viktimave civile gjatë luftës kundër forcave talebane. Gjenerali e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në operacionet luftarake speciale, por zyrtarët thonë se ai është bërë edhe ekspert në luftën komplekse kundër kryengritësve. Në vazhdim mund të ndiqni një portret të komandantit dhe çfarë pret ai të arrijë në detyrën e tij të re.
Lufta në Afganistan dhe përpjekjet që ekstremistët të mos mbizotërojnë situatën në Pakistan, është bërë përparësia kryesore e strategjisë së sigurisë kombëtare të adminstratës Obama. Presidenti Obama ka thënë se synimi i tij është shkurajimi dhe eliminimi i Al Kaidën dhe grupe terroriste të lidhura me të.
Për të kryesuar këtë përpjekje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates bëri të njohur në maj një ndryshim në komandën e Shteteve të Bashkuara dhe të forcave të NATO-s, një vit para afatit. Zoti Gates zgjodhi gjeneralin Stanli McChrystal, duke thënë se donte një njeri me mendime dhe qasje të reja ndaj problemit.
"Kjo është sfida që ne i ofrojmë udhëheqjes së re. Si ta bëjmë më mirë punën? Çfarë idesh të reja dhe a ka mënyra të ndryshme për arritjen e synimeve? Si mund të jemi më të efektshëm në përpjekjet tona dhe çfarë presim të arrijmë"?
Eksperienca e gjeneralit McChrystal ka të bëjë kryesisht me operacionet speciale sekrete dhe shpesh me dhunë, që përfshijnë zbulimin dhe sulmin ndaj objektivave kryesore të armikut. Ai njihet për udhëheqjen e përpjekjeve të suksesshme për kapjen e Sadam Huseinit dhe vrasjen e kreut të Al Kaidës në Iraq, Abu Musab al-Zarqawi.
Por, në dëshminë që dha para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, gjenerali McChrystal u përpoq të argumentonte se në luftën kundër kryengritjes nevojiten më shumë se sa aftësi operuese.
"Në operacionet kundër kryengritjes është e rëndësishme të kihet parasysh se si duhet të operohet, duhen patur parasysh pasojat tek viktimat mes civilëve, mungesa e ndjeshmërisë kulturore dhe kompleksitetet e trashëguara, që kanë të bëjnë me ndarjen e kryengritësve nga popullsia civile; këta faktorë shpesh përcaktojnë suksesin, apo dështimin. Në se mposhtja e një formacioni kryengritës shkakton pakënaqësi mes popullit, fitorja është fallso dhe e paqëndrueshme".
Gjenerali McChrystal po ashtu u vetëmbrojt nga akuzat për keqtrajtimin e të burgosurve nga trupat e tij në Irak në vitin 2003. Ai i tha Komisionit të Senatit se ai e kishte pakësuar përdorimin e teknikave të ashpëra, por të ligjshme, me të marrë komandën e forcave në Irak. Ndërsa komandanti aktual në Afganistan, gjenerali David McKirnan vlerësohet gjerësisht nga zyrtarët, disa analistë thonë se kjo ishte një kohë e mirë për ndryshimin e komandës. Gjenerali në pension Jack Keane ka qenë ish-shef i ushtrisë amerikane.
"Në Afganistan nuk ka patur aq përparim sa prisnin njerëzit në zbatimin e kornizës intelektuale, në një strategji të drejtë dhe në caktimin e kushteve për sukses në vitin 2010...Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se mund të mos e arrijmë suksesin, në se nuk caktojmë një udhëheqës të ri dhe ta nagrkojmë atë me fillimin e një strategjie të re dhe me një ekip të ri personash që të punojnë me të".
Në seancën e konfirmimit në Senat, gjenerali McChrystal bëri të njohur se çfarë shpreson të arrijë në Afganistan gjatë 18 deri 24 muajve të ardhshëm.
"Mendoj që duhet të arrijmë një nivel sigurie, që do të përfshijë secilin prej rajoneve, për përfshirjen e atyre individëve që kanë qenë kundër talebanëve...të sjellim në qeverinë kombëtare njerëz me lidhje me fiset dhe me popullsinë lokale dhe që njihen dhe vlerësohen nga poulli".
Në se kjo nuk ndodh, paralajmëroi ai, Afganistani mund të shkasë përsëri në luftë civile. Nga Gjenerali Mc Chrystal pritet shumë. Suksesi, apo dështimi i tij, krahas me aleatët e NATO-s, forcat afgane dhe agjencitë civile, do të përcaktojë gjerësisht të ardhmen e Afganistanit dhe do të ndikojë fuqishëm tek qëndrueshmëria e Paksitanit dhe e të gjithë rajonit në të ardhmen. ZA