VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - URIME NDËRKOMBËTARE ME RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËSNga FRANK SHKRELI*

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

URIME NDËRKOMBËTARE ME RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS

Nga FRANK SHKRELI*


E Hënë, 03.12.2012, 06:50am (GMT+1)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama dhe figura të tjera të njohura kombëtare dhe botërore përfshirë edhe fitues të Çmimit Nobel për Paqë iu bashkuan këtë javë festimeve të 70-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës me mesazhe urimi e përshëndetjeje, duke shënuar transmetimin e parë të Zërit të Amerikës më 1 Shkurt, 1942. Në festimet me këtë rast, në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Uashington, morën pjesë qindra gazetarë dhe ish-zyrtarë të këtij enti, përfshirë edhe 95 vjeçarin Uolter Roberts, i vetmi që është ende gjallë nga grupi i parë që përgatiti transmetimin e parë drejtuar Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në video mesazhin e tij Presidenti Obama tha se, "Që nga transmetimi i parë gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë zëri i lirisë. Shumë më përpara se ne të flisnim për fuqinë e "diplomacisë publike", ju e bëtë misionin tuaj, ndihmën që Amerika të komunikojë me botën, për të treguar karakterin e vërtetë të vendit tonë si dhe idealet dhe liritë të cilat ne mbështesim. Përballë qeverive të huaja që censurojnë, ju jepni lajme që janë të sakta dhe objektive. Përballë regjimeve që mohojnë të drejtat universale, ju i qëndroni në krah lirisë dhe demokracisë. Ndonjëherë, puna juaj shoqërohet me rreziqe të mëdha dhe sot ne përkujtojmë ata njerëz të familjes së Zërit të Amerikës, të cilët kanë dhënë jetën për këtë mision. Të tjerët mund të përpiqen të zhurmojnë sinjalin tuaj ose të mbysin zërin tuaj, por mesazhi ynë nuk mund të ndalet. Nëse është fjala për familjet e izoluara prapa perdes së hekurt apo për studentët që përpiqen të hyjnë në internet prapa perdes elektronike, disidentë që provokohen nga policia sekrete, apo të rinj që marshojnë për dinjitetin dhe shanset që meritojnë, ju jeni zëri që i kujtoni ata se nuk jeni vetëm dhe se ka një vend me emrin Amerikë, që qëndron përkrah jush.

Kohët e fundit, bota humbi një prej këtyre mbrojtëse të demokracisë. Dy dekada më parë, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë si president, një ndër ndalesat e para që bëri (ish-disidenti anti-komunist dhe ish-presdienti çek), Vaclav Haveli, ishte Zëri i Amerikës. Ai i kishte frymëzuar bashkatdhetarët e tij dhe botën me thirrjen që njerëzit t'i kundërviheshin gënjeshtrave të diktaturës komuniste "duke jetuar me të vërtetën" dhe ai ju njohu ju, Zërit të Amerikës, meritën se e ndihmuat që ai, dhe shumë të tjerë, të vazhdonin, nëpërmjet së vërtetës që ju tregonit çdo ditë.

Vendi ynë është më i fortë dhe bota jonë është më e drejtë si rrjedhojë e përpjekjeve tuaja të palodhura. Prandaj, në emër të popullit amerikan dhe të miliona njerëzve kudo në botë, të cilët marrin shpresë dhe forcë nga puna juaj, ju falenderoj të gjithë juve që jeni Zëri krenar dhe i fuqishëm i Amerikës'', përfundoi video mesazhin e tij Presidenti Obama, drejtuar nëpunësve aktualë dhe dhe ish-zyrtarëve dhe gazetarëve që ishin ftuar të merrnin pjesë në këtë festim.

Zëri i Amerikës u themelua nga qeveria federale e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore për të transmetuar lajme dhe informacion në territorin e pushtuar nga Gjermania naziste. Transmetimi i parë me valë të shkurtëra filloi me fjalët: "Lajmet mund të jenë të këqia. Lajmet mund të jenë të mira. Ne do t'u themi të vërtetën.'' Drejtori i tanishëm i Zërit të Amerikës, Dejvid Ensor tha se këto fjalë janë edhe sot të aktuale. Duke folur me rastin e 70-vjetorit, ai theksoi se enti i transmetimeve ndërkombëtare që ai drejton do të vazhdojë të furnizojë lajme dhe informacione për shoqëritë e mbyllura siç është Irani.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, në video mesazhin e saj drejtuar Zërit të Amerikës, tha se "Në ato pjesë të botës, ku zëri i lirisë është i ndaluar apo i mbytur, ju keni qëndruar në vijën e parë të luftës për një media të lirë. Dhe ndonjëherë, disa nga ju edhe kanë rrezikuar jetën dhe të tjerë kanë sakrifikuar të tyret.......Ne jemi krenarë për ju dhe mirënjohës për punën tuaj. Ju nuk i përfillni qeveritë që kërkojnë të mbytin sinjalin tuaj që depërton përmes Perdeve të Hekurit dhe atyre elektronike, për hir të ndriçimit të forcës së përhershme të lirisë dhe të vlerave demokratike. Prandaj, ndërkohë që ju shënoni përvjetorin tuaj të 70, ju uroj të gjithë juve që keni ndërtuar këtë rrjet mbarëbotëror që keni sot. Ju faleminderit shumë që jeni Zëri i Amerikës'', përfundoi Sekretarja e shtetit Klinton.

Ndër mesazhet e arritura deri tani është edhe ai nga udhëheqsja e pro-demokracisë në Burmë, Aung San Suu Kyi, e cila e karakterizoi 70-vjetorin e Zërit të Amerikës si "˜'ditëlindjen e një miku'', duke thënë se Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera ishin mike që e shoqëronin atë në vitet e gjata të arrestimit shtëpiak, pasi ishin kontakti i vetëm me botën e jashtme dhe burimi kryesor për burmezët mbi ato që po ndodhnin në vendin e tyre.

Udhëheqsi shpirtëror i Tibetit Dalai Lama tha në mesazhin e tij se është fatkeqësi që cenzura mbizotëron gjithnjë në shumë pjesë të botës dhe shtoi se shërbimi tibetas i Zërit të Amerikës luan një rol jetësor për tibetasit kudo, duke transmetuar lajme dhe informacion të pa-anshëm, dhe e cilësoi shërbimin si jashtëzakonisht të rëndësishëm për kombin e tij.

Ish-Presidenti i Polonisë, ish-disidenti polak dhe ish-udhëheqësi i sindikatës antikomuniste polake Solidarnost, Lek Ualesa tha se "˜'Pa Zërin e Amerikës nuk do të kishte fitore mbi komunizimin....Zëri I Amerikës është jetik në çdo shoqëri ku nuk sundon ligji dhe në çdo shoqëri të varfër.''

Edhe personalitete të shquara të politikës dhe kulturës shqiptare përfaqsues të mendimeve e politikave të ndryshme, i kanë dërguar mesazhet e tyre seksionit shqip me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës. Ndër mesazhet e arritura der më tani, sipas faqes elektronike të Zërit të Amerikës, janë edhe udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, në urimin e tij për 70 vjetorin e Zërit të Amerikës tha se Zëri i Amerikës është një zë shumë i dashur për shqiptarët, zë me të cilin shqiptarët janë mësuar qysh në kohën kur e ndjenin më se të nevojshëm për të marrë pak shpresë për të dalë nga izolimi i thellë komunist i atyre viteve të paharruara për keq. Duke thënë se kishte dëgjuar Zërin e Amerikës me babain e tij ç'prej kur ishte i vogël, ashtu, sipas tij, me zë të ulët për të evituar pergjimet e Sigurimit, presidenti shqiptar e cilësoi Zërin e Amerikës si një zë me të cilin shqiptarët janë mësuar të "çertifikojnë të vërtetën që ndodhë kudo në botë'', duke uruar dhe falenderuar seksionin shqip të Zërit të Amerikës, në emër të të gjithë shqiptarëve "për shërbimin e vyer që i ka bërë demokracisë shqiptare.''

Ndërsa, në urimin e saj me rastin e 70 vjetorit të Zërit të Amerikës, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se në 70 vjetët e punës së tij Zëri i Amerikës nuk ishte thjeshtë një mjet informimi, por edhe një zë i lirisë për të gjithë ata që aspironin atë. Zëri i Amerikës, shtoi ajo, është një medium që mundësoi që të dëgjohet zëri i Kosovës në botë, në periudhat më të vështira për vendin.

Edhe kryeministri Sali Berisha uroi Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit të fillimit të transmetimeve duke thënë se Zëri Amerikës ka luajtur rol thelbësor, veçanërisht në zhvillimet demokratike në vitet 1990 në Shqipëri. Duke shtuar se ai kishte qenë dëgjues i rregulltë i këtyre emisione, Kryeminsitri shqiptar thekësoi atë që ai quajti "rolin thelbësor të Zërit të Amerikës në mbështetjen e zhvillimeve demokratike në vend", duke shtuar se "realisht ishte i vetmi faktor i jashtëm në mbështetjen e përpjekjeve tona për të përmbysur në Tiranë, Murin e Belrinit'', dhe e quajti Zërin e Amerikës "si një media të hapësirës mbarë shqiptare''.

Listës së personaliteteve të mëdha shqiptare që uruan Zërin e Amerikës i printe shkrimtari i madh Ismail Kadare. Në mesazhin e tij ai tha se radioja, si një prej çpikjeve më të rëndësishme të shekullit, u bë një nga kundërshtaret më të mëdha të robërisë, e cila, sipas tij, u kthye njëkohësisht në një nxitje për lirinë dhe demokracinë e ardhshme.

Në mesazhin e tij, shkrimtari i madh Ismail Kadare, ndër të tjera tha: "Miliona njerëz në vendet totalitare, të strukur pranë aparateve të radios, merrnin mesazhet e lirisë e të demokracisë. Stacionet e mëdha radiofonike të botês së lirë u kthyen kështu në gjeneratorë të shpresês për gjithë njerëzimin. Midis tyre "Zëri i Amerikës" zinte një vend të pazëvendësueshëm. Kurse për vendin tonë, Shqipêrinë, mund të thuhet se "Zëri i Amerikës" zuri vendin e parë dhe luajti rolin kryesor për nxitjen e demokracisë dhe ngjalljen e shpresës."

Z. Kadare vazhdoi duke thënë se "˜'Në mënyrë të vetvetishme, pa ndërhyrje dhe pa organizim të veçantë, midis popullit shqiptar dhe emisionit shqip të kësaj radioje u vendos një lidhje e habitshme, emotive, që e kapërcente kushtëzimin politik të kohës. Ky mirëkuptim i dyanshëm luajti një rol pozitiv të jashtëzakonshëm për orientimin e drejtë të shqiptarëve kudo ku ata jetonin, drejtë lirisë dhe demokracisë''.

"Mund të thuhet plot gojën se në këte periudhë plot ngjarje dramatike, midis shqiptarëve dhe radios "Zëri i Amerikës" u krijua një histori prekëse që nuk do të harrohet kurrë," përfundoi mesazhin e tij Ismail Kadare.

Në urimin e tij, akademiku nga Kosova, Rexhep Qosja tha se Zëri i Amerikës ka luajtur rol të rëndësishëm në përmbysjen e komunizmit dhe tani luan rol të rëndësishëm në demokratizimin e vendeve ish-komuniste.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi në urimin e tij për 70 vjetorin e Zërit të Amerikës tha se Zëri i Amerikës ka luajtur një rol të rëndësishëm në implementimin e kulturës demokratike në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj.

Analisti nga Kosova Shkëlzen Maliqi, në urimin e tij me rastin e 70 vjetorit të Zërit të Amerikës, tha se Zëri i Amerikës gjatë luftës së ftohtë në këtë pjesë të botës ka qënë zëri i lirisë dhe i demokracisë. Më tej, ai tha se Zëri i Amerikës ka qenë burimi më i rëndësishëm i informacionit në Kosovë sidomos gjatë luftës së vitit 1999.

Me rastin e 70 vjetorit të fillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës, nënkryetari i AAK-së Blerim Shala tha se Zëri i Amerikës ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në Kosovë sidomos në vitet 1990. Në urimin e tij, Zoti Shala gjithashtu tha se edhe tani në vitin 2012 programet e Zërit të Amerikës ndiqen me interes të madh nga qytetarët e Kosovës sepse është burim i besueshëm i informacionit.

70-vjetori i Zërit të Amerikës po festohet këtë vit ndërkohë që ky ent përballet, ashtu siç përballen edhe agjenci të tjera të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara, me shkurtime të konsiderueshme të buxhetit, ndërsa disa prej emisioneve në gjuhë të huaja përballen me shkurtime serioze në personel si edhe me mundësinë e mbylljes.

Nga transmetimet me valë të shkurta të vitit 1942 dhe më vonë, Zëri i Amerikës është sot një ent mediatik me famë dhe reputacion botëror që tërheq rreth 141 milion njerëz çdo javë, nepërmjet transmetimeve në 43 gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe shqipen, nepërmjet radios, televizionit dhe internetit.

Video mesazhet e plota të këtyre dhe personaliteteve të tjera ndërkombëtare e kombëtare, drejtuar Zërit të Amerikës me rastin e 70-vjetorit të themelimit, mund t'i shikoni në faqen eletronike të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.

Burimi i informacionit: Zëri i Amerikës

 

*Autori, i cili mori pjesë në festimet e 70-vjetorit, ka punuar për Zërin e Amerikës për një periudhë 30-vjeçare në detyra të ndryshme, përshirë shef i Shërbimit shqip dhe shef i Drejtorisë së Euro-Azisë.

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PREMTIMI I KLASËS SË MESME URBANE TË RUSISËNga KONDOLIZA RAJS, ish sekretare e shtetit e SHBA, "Washington Post" (03.10.2012)
PYETJE PËRGJIGJE ME MINISTRIN E JASHTËM SERB VUK JEREMIÇINNga ELIDA BUÇPAPAJ (03.08.2012)
Barometri diplomatikBASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, OSE NËN MBROJTJEN E PËRHERSHME TË SHBA-veNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (03.08.2012)
DOSJET E KOMUNIZMIT DHE YLBERI I DEMOKRACISE SHQIPTARENga ARTUR VREKAJ  (03.07.2012)
PUTINI FITON - RUSIA HUMBNga FRANK SHKRELI (03.06.2012)
RTK KA MBETUR MEDIUM I MENDËSISË KOMUNISTE - PSE?!Nga Mr. Sc. NUE OROSHI (03.05.2012)
20 VJET KONFLIKTUALITET PËR PUSHTET - INTERESAT KOMBËTARE TË RREZIKUARA NGA KLASA POLITIKENga ELIDA BUÇPAPAJ (03.05.2012)
Barometri diplomatikDREJTËSIA NË "BISHT TË SORRËS"!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (03.04.2012)
PESHA E DHEMBJES SË NJË SHKRIMTARINga ESHREF YMERI (03.04.2012)
AT STATH MELANI - FIGURË KOMBËTARE QË MERITON TITULLIN "NDERI I KOMBIT"Nga ARTUR VREKAJ (03.03.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]