Sado e habitshme të duket, e vërteta është se për marrjen nga Serbia të statusit të shtetit kandidat në BE, më shumë u gëzuan në Bruksel se sa në Beograd. Në Bruksel u gëzuan sepse i besojnë imazhit iluzionist se më në fund arritën ta tërheqin Serbinë pas trenit të integrimit europian. Ndërsa në Beograd pamë se qeveria nisi të tallet me statusin e shtetit kandidat, ende pa u tharë mirë boja e nënshkrimit nga udhëheqësit e vendeve të BE të komunikatës së samitit të 2 marsit, e cila njoftonte akordimin e statusit të shtetit kandidat për Serbinë.
Në datën 16 mars 2012, edhe në uebsajtin e qeverisë së Serbisë, edhe në uebsajtin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë, publikohet deklarata zyrtare e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, e bërë po atë ditë në Moskë, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, se "Rusia mbetet për Serbinë aleati dhe partneri më i ngushtë". Kjo bombë diplomatike dhe politike u lëshua plot dy javë pasi BE vendosi t'i akordojë Serbisë statusin e shtetit kandidat dhe t'i hapë asaj edhe derën e parafundit për t'u anëtarësuar në BE.
Pra, pas marrjes së statusit të shtetit kandidat të BE, Beogradi shpall zyrtarisht se ai nuk i është afruar dhe as ka ndër mend t'i afrohet orientimit dhe anëtarësimit europian, por ka zgjedhur të zyrtarizojë karakterin prioritar të marrëdhënieve dhe të aleancës me Rusinë. E thënë akoma me thjesht, dushi i ftohtë serb që bie mbi Brukselin është se Serbia, mes dilemës së famshme të diskutuar kaq shumë, nëse do të shkojë me Perëndimin apo me Rusinë, ka zgjedhur zyrtarisht Rusinë. Kjo lidhje gjenetike politike ruso-serbe ka qenë nënvizuar dhe parashikuar nga shumë vëzhgime dhe raporte serioze diplomatike. Por, tani është vetë qeveria e Serbisë, e cila e deklaron këtë fokusim të Rusisë dhe të aleancës me Rusinë si numri një i politikës së jashtme serbe.
Në një farë mënyre, është jo shumë e qartë përse udhëheqja e Beogradit zgjodhi të bëjë këtë kthesë zyrtare apo afishim të ri të boshtit të politikës së saj të jashtme me Rusinë si aleatja më e ngushtë e Serbisë. Këtu nuk kemi vetëm nënvleftësimin apo talljen, që Beogradi i bën hapit të ri të madh të çeljes së derës së anëtarësimit në BE nga akordimi i statusit të shtetit kandidat. Madje ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i lejoi vetes të ironizonte publikisht BE-në, kur deklaroi në Moskë në konferencën e përbashkët të shtypit me ministrin e Jashtëm rus, se "Rusia nuk kërkon ndonjë status kandidati për këtë miqësi".
Deri tani doktrina zyrtare e politikës së jashtme të Beogradit, e shpallur nga Serbia, ka qenë se ajo mbështetet në katër shtylla, të cilat janë BE, SHBA, Rusia dhe Kina. Udhëheqësit e Serbisë janë përpjekur vazhdimisht në takimet dhe në tryezat diplomatike të bindin bashkëbiseduesit se ata kanë zgjedhur këtë alternativë multipolare në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare dhe se do të jenë në gjendje të manovrojnë mes këtyre katër shtyllave. Tani shpallet zyrtarisht se shtylla kryesore është Rusia dhe se aleanca kryesore dhe më e ngushtë e Serbisë është Rusia. Kjo mund të merret si njoftim publik se Beogradi ka hequr dorë nga doktrina dhe politika e jashtme e katër shtyllave.
Ky kurs i ri zyrtar është në të njëjtën kohë heqje dorë e Beogradit nga e ashtuquajtura doktrinë e neutralitetit, që kishte adoptuar Serbia në vitin 2007 dhe sipas së cilës Serbia nuk do të bëjë pjesë në asnjë aleancë. Por, emërimi zyrtar i Rusisë si aleati më i ngushtë, përbën gjithashtu një njoftim zyrtar të braktisjes së doktrinës së neutralitetit. Në fakt, heqja dorë nga kjo doktrinë ka nisur që në vitin 2009, kur Beogradi nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për t'i dhënë Rusisë të drejtën e ndërtimit të një baze logjistike ruse në qytetin e Nishit, e cila është e para bazë logjistike e Rusisë në Europë dhe në Ballkan, që nga koha e Bashkimit Sovjetik dhe e Traktatit të Varshavës.
Nuk mund të mos ngrihet pyetja përse Serbia u ngut kaq shpejt për të çvleftësuar aktin e madh gjeneroz të BE për akordimin e statusit të shtetit kandidat. Përgjigja nuk është aq e komplikuar dhe mund të thuhet thjesht se atë e detyroi presioni i Rusisë që të shpallë me nxitim se aleati i saj kryesor dhe më i ngushtë është Rusia dhe jo Bashkimi Europian. Moska ka qenë prej kohësh e shqetësuar nga mundësia e një anëtarësimi të Serbisë në BE, sikurse është e shqetësuar për politikën e integrimit europian dhe atlantik, që kanë zgjedhur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Moska ka qenë e shqetësuar nga hapat e ndërmarra nga BE për t'i akorduar Serbisë, njeri pas tjetrit, hapat e rëndësishëm të integrimit dhe të anëtarësimit, siç janë Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe tani statusi i shtetit kandidat. Moska ka qenë e shqetësuar edhe nga entuziazmi i pazakontë, që kanë shprehur disa shtete europiane, me indulgjencat dhe bonuset e dhëna Serbisë, për shpejtimin e ritmeve të pranimit të saj në BE. Diplomatë rusë kanë shprehur shpesh herë habinë nëpër takime diplomatike se përse BE tregohet kaq tolerante ndaj Serbisë dhe i jep asaj bonuse, në një kohë që Serbia ka ndërmarrë veprime, që nuk janë në përputhje me kërkesat europiane. Moska është e shqetësuar se mos integrimi europian i Serbisë do ta largojë Serbinë nga sfera e influencës së Rusisë dhe sidomos se mos Serbia do të ndodhet e detyruar një ditë të anëtarësohet në NATO.
Ndaj Rusia ka ushtruar një presion të madh ndaj Serbisë për ta detyruar qeverinë dhe udhëheqjen serbe të përcaktojë publikisht, dhe jo vetëm fshehurazi në takimet bilaterale, se aleati i saj kryesor dhe më i ngushtë është Rusia dhe jo BE, e aq më pak ndonjë shtet i madh europian. Pjesë e këtij presioni është edhe fushata diplomatike ruse kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më publike. Këtë fushatë si presion i drejtpërdrejtë mbi qeverinë, mbi partitë politike dhe mbi opinionin publik serb e ka udhëhequr ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Konuzin, gjë që është bërë më e theksuar pas marrjes së statusit të shtetit kandidat në BE. Në një konferencë me temën "Rusia dhe Ballkani", të mbajtur në Beograd në 14 mars, ambasadori rus shprehur qëndrimin zyrtar rus se marrja e statusit të shtetit kandidat nga ana e Serbisë, mund të prekë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë, por Rusia do ta përdorë kohën që të ndalojë që një gjë e tillë të ndodhë në një plan afatgjatë. Ai paralajmëroi Serbinë për kushtet, që partneri i ri, pra BE, do t'i vendosë Serbisë dhe për afatet e reja të zbatimit të këtyre kushteve dhe se BE do të kërkojë që ato kushte të zbatohen. Ambasadori rus e shtriu paralajmërimin e tij ndaj gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët zyrtarisht kërkojnë të anëtarësohen në BE dhe për herë të parë u propozoi një ombrellë ruse vendeve, që synojnë të anëtarësohen në BE. "Perspektiva e vendeve ballkanike për në BE nuk duhet të shihet si një opsion pa alternativë", - theksoi ambasadori. Me një fjalë, Rusia hedh ofertën dhe mesazhin, që shtetet e Ballkanit mund të mbështeten tek Rusia, nëse shohin që BE ua vonon anëtarësimin. Mesazhi bizantin dhe anti-europian i Moskës në drejtim të Ballkanit synon Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë.
Kursi i ri i shpallur zyrtarisht nga Serbia për orientimin drejt Rusisë është një moment për t'u analizuar nga diplomacia europiane për rikonsiderimin e taktikave të ndjekura prej saj në marrëdhëniet me Serbinë. BE ka dështuar njëherë me këtë politikë preferenciale ndaj Serbisë, kur u investua aq shumë tek ish-presidenti serb Vojislav Koshtunica në vitet 2000-2008, dhe pa se ai investim i madh politik dhe diplomatik u tret në detin e nacionalizmit serb. Tani po bëhet një investim i dytë i madh me presidentin Boris Tadiç, në ndihmë të të cilit u akorduan edhe MSA në vitin 2008, edhe statusi i shtetit kandidat në vitin 2012. Problemet, që po shkakton papushuar Serbia me Kosovën dhe me Bosnjën, dhe sidomos konfirmimi i Rusisë si aleati më i ngushtë i Serbisë, janë të mjaftueshme për të parashikuar se edhe ky investim duket do të ndjekë rrugën e të parit.
Kjo që po ndodh në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë është gjithashtu një moment i nevojshëm analize diplomatike edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Sepse aleanca strategjike, historike dhe aktuale mes Serbisë dhe Rusisë gjithmonë ka gjeneruar dhe pritet të gjenerojë probleme dhe turbullira në Ballkan.