
Çdo Hyqymet, (or lum miku),
Ia len një pushkë një plaku,
Jo, për t'i vrarë të tjerët,
Për t'i provue ata, ma s'paku.
...!
Pasha ngrehi çadrat në Çillaj,
Urdhëroi:- çarmatim në Malësi,
Fjala ish, mbi baza "vullnetare",
Që të mos bahej ndonjë tollovi.
Do armë batalle, të vjetra,
Thonë se u dorëzuan jopak,
Stamolliu, ishte skile e regjun,
Buzëqeshi, por, nuk u kënaq.
Kallxojnë se një plaku nga Begajt,
Që i çonte te çadra mana e qershi,
Pashë Xhaviti, si shenjë mirënjohje,
Një pushkë, (ashiqare), ia fali Atij.
U kthyen mileti, i ranë në fushim,
(Pasha i Turqisë, shihte inatosur),
-Pse ia fale pushkën këtij plakut?
Do na vrasi, -jemi të çarmatosur!
...!

Në foto Murat Beka me të bijën, Sabrien.
( Foto: Vjollca Ibrahimi)
-Si e vrajka një plak tan' Malsinë,
Me një pushkë të vjetër, k'sodore?
E pra, kur ta ndërroj sitën e miellit,
Do t'jau kthej qeserka e pishtole. *
-E paç vu sitën, me e'lshue paskajin,
Qe kjo sitë, veç krundet mi ka lshue,
Ditën, kur ta ndoj at', sitën e imtë,
Ju, kini me ardhë, me u pa me Mue.
Se ç'ka ishte , "sita e mëndafshit",
Këndohet në kangë, hala, edhe sot,
Paria: -Shaban Aga-Abdulla Hoxha,
Midis Gjakovës, drejt e në konop.
...!
Çdo Derzhavë, (or burazer),
Ia len një pushkë një plaku.
Jo, për t'i vrarë të tjerët,
Për t'i provue ata, ma s'paku.
./.
*qeserka e pishtole = armë të vjetra, të para një shekulli
Subjektin e kësaj vjershe, e kam marrë nga plaku 90 vjeçar, Murat Beka (i Begajve) në vitin 2003.
Shenim:- Vjersha është nxjerrë nga libri "Rrokada..., (politike)", që autori e ka ende në dorëshkrim.