Voal-online Shqipëria e ka krijuar tashmë traditën e saj pluraliste. Shqiptarët, nëpër hapësirat e tyre, e kanë tashmë traditën e tyre pluraliste. Prandaj nuk pritet asnjë tronditje, pritet vetëm ecje e natyrshme në proceset e sotme dhe vijuese të vendit. Mbi bazën e përvojave pozitive dhe negative, të pamunguara në këto vite të tranzicionit, me siguri, do të nxirren mësime produktive drejt demokracisë. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin një pasurim i kësaj tradite sado të re dhe sado me kundërthënie nga më të panumërtat, të veçanta apo të ngjashme me dukuritë e vendeve të tjera që e kanë përshkuar më herët apo krahas nesh këtë rrugë. Parakuptohet nga kjo se spektri politik pluralist ka dalë më i fuqishëm se kurrë nga këto zgjedhje. Faktorët që u rikonfirmuan nga vota e 28 qershorit do të dinë të mbajnë qëndrimet e duhura për ta konsoliduar e forcuar secili vetveten dhe kështu edhe përparimin e integrimin e vendit të tyre në zhvillimet bashkëkohore e të ardhme. Faktorët që u rikonfirmuan në këto zgjedhje do të dinë t'i forcojnë e t'i fuqizojnë alternativat e tyre, në mënyrë që pluralizmi në Shqipëri të mos jetë asnjëherë pa alternativa të mirëfillta shpresëdhënëse, pa alternativa të mirëfillta të frymës ndërtuese në interesin e popullit, shprehur nëpërmjet elektoratit shqiptar, si asnjëherë më parë i vetëdijësuar, si asnjëherë më parë pjesëmarrës në vendimmarrjen që ia garantonte vota e tij e 28 qershorit. Kjo traditë që përmendim, lë të mendohet se politika do të ketë arritur të marrë porositë e duhura nga komunikimi më i ngushtë e më i shtruar gjatë parafushatës dhe gjatë fushatës zgjedhore të pjesës së parë të vitit 2009. Lë të mendohet se politika do të dijë t'i ndërthurë interesat e veta me ato të popullit, do të dijë t'iu japë epërsinë dhe përparësinë interesave të popullit. Politika, e mirë apo e keqe, është një pjesë, një organ i pashkëputshëm i shoqërisë. Sa më natyrshëm të funksionojë ky organ në organizmin e shoqërisë aq më natyrshëm do të ndreqet dhe të korigjohet politika, pa qenë nevoja për ndërhyrje jashtëzgjedhore nga ana e të qeverisurve, por duke ia lënë këtë gjithmonë kutisë së votimit, pra rrugës së qytetëruar dhe demokratike. Detyra e politikës është që të jetë në shërbim të qytetarëve, të mos e pandehë asnjëherë veten sikur është mbi shpinën apo mbi kokën e qytetarëve. Edhe pse vend jo i madh, Shqipëria, ka parë gjithçka e gjithkënd, të vijë e të shkojë, të ngjitet e të zbresë. Edhe pse komb jo aq i madh, shqiptarët kanë parë shumë, kanë përjetuar shumë, kanë mësuar, shpresohet, t'i thërrasin kujtesës dhe t'ia japin notën e merituar, herët a vonë, sekujt që del në krye, sekujt që hyp në karrike, më lart apo më poshtë hierarkisë politike.