E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

AZIA KUNDËR EUROPËS

Nga SHABAN MURATI


E Hënë, 05.14.2012, 04:10pm (GMT+1)

 

Vendimi i presidentit të ri të Rusisë Vladimir Putin që të mos jetë i pranishëm në samitin e G-8 në Kemp Dejvid në 18 - 19 maj dhe as në samitin NATO-Rusi në Çikago në 20 - 21 maj, por të marrë pjesë në 6 - 7 qershor në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, SCO, në Pekin nuk është vetëm tregues i stilit tekanjoz stalinian të kreut të ri të Kremlinit. Refuzimi për të shkuar në SHBA dhe për të takuar atje presidentin amerikan Barak Obama dhe kryetarët e shteteve anëtare të Aleancës Atlantike, dhe gatishmëria për të bërë vizitën e parë jashtë shtetit si president në Kinë dhe për të takuar presidentin kinez dhe kryetarët e shteteve të organizatës aziatike SCO shpreh një zhvendosje të rëndësishme të aksit të boshtit strategjik të politikës ruse drejt Azisë. Në mandatin e tij të tretë si president, cari i ri (dhe i vjetër) i Kremlinit ka vendosur që lojën e tij të ambicies globale për të rifituar Rusia statusin e superfuqisë botërore ta luajë në tryezën aziatike.


Në këtë kuadër duhet të shihet edhe rëndësia e madhe që Moska po i kushton forcimit, përpunimit dhe përdorimit të organizatave politike aziatike si SCO. E krijuar në qershor të vitit 2001, me pjesëmarrjen e Rusisë dhe të katër shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik: Uzbekistanit, Taxhikistanit, Kazakistanit, Kirgizstanit dhe të Kinës, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait u projektua nga Moska dhe Pekini si një aleancë e re politiko-ushtarako-ekonomike, në fillimin e shekullit të ri, e cila do të ngrihej si një pengesë e pranisë dhe e një roli të SHBA-së dhe të Perëndimit në qendrën e kontinentit aziatik. Sikundër shihet nga emrat e gjashtë shteteve pjesëmarrëse, ata janë pesë shtete që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik komunist, plus një shtet me regjim aktual komunist si Kina dhe të cilët përveç bazës së përbashkët komuniste kanë edhe karakteristikën se drejtohen që të gjitha nga regjime autokratike. Kjo do të thotë që në sistemin e vlerave ideo - etike ato paraqesin një antitezë të vlerave dhe standarteve të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut që njeh zhvillimi i demokracisë perëndimore.


E konceptuar zyrtarisht si një organizatë aziatike, SCO ka afishuar pretendimin dhe objektivin që të trajtojë dhe të përballojë problematika ndërkombëtare që shkojnë përtej kufijve shtetërorë të gjashtë shteteve anëtare, përtej kufijve gjeografikë të kontinentit aziatik dhe kapin të gjithë globin. Kjo u manifestua qartë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të SCO që u zhvillua në 11 maj në Pekin dhe e cila përgatiti dokumentet dhe projektdeklaratën e samitit të ardhshëm të SCO që do të mbahet po në Pekin në qershor dhe ku presidenti rus do t'i bashkohet presidentëve të pesë shteteve të tjera anëtare.


Intonimi anti-perëndimor, antiamerikan dhe anti-atlantik i SCO dhe i funksionimit dhe i instrumenteve të saj doli qartë edhe nga punimet e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të kësaj organizate. Kundërshtimi i parë i kësaj organizate aziatike ndaj Europës u afishua në çështjen e sistemit të mburojës antiraketë. Gazeta ruse "Komersant" e datës 12 maj shkruante se në projektdeklaratën e samitit të ardhshëm të hartuar nga ministrat e Jashtëm dhe që do të nënshkruhet nga kryetarët e këtyre shteteve është kundërshtimi i SCO ndaj dislokimit të mburojës raketore në Europë, të cilën NATO planifikon ta instalojë në vendet e saj anëtare për mbrojtjen e tyre nga një kërcënim raketor. "Dislokimi i njëanshëm i mburojës raketore do t'i sjellë dëme sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit strategjik", - citon gazeta projektdeklaratën, duke theksuar se ky formulim është referencë e qartë për veprimet e Uashingtonit që po vendos sistemin e tij të mbrojtjes antiraketë në Europë. Adoptimi i këtij qëndrimi të njohur rus edhe nga anëtarët e tjerë të SCO dëshmon se kjo organizatë aziatike po merr mbi vete përgjegjësi dhe mandat që kapërcejnë kufijtë e saj politikë, gjeografikë dhe strategjikë në një kundërvënie të hapur ndaj politikës ushtarake të Aleancës Atlantike në Europë. Duket si një ballafaqim mes Azisë dhe Europës në një çështje kaq të madhe, ndonëse SCO përfshin vetëm gjashtë shtete dhe nuk ka as të drejtën dhe as mandatin të përfaqësojë të gjithë Azinë. Fakti që Kina po afrohet gjithnjë e më shumë me kursin dhe qëndrimet kundërshtuese të Rusisë ndaj Europës, shfaqet si rezultat i një koordinimi mes tyre, ku me sa duket Pekini do të mbështesë Moskën në Europë dhe Rusia me sa duket do t'i krijojë hapësira në Europë penetrimit kinez. Gazeta ruse "Rosiskaja gazeta" theksonte me kënaqësi në 12 maj se në projektdeklaratën e kryetarëve të shteteve anëtare të SCO janë përfshirë të gjitha qëndrimet parimore të politikës së jashtme ruse, për të cilat Moska prej një viti po vazhdon një diskutim të vështirë me partnerët nga Europa dhe SHBA.


Ajo që tërheq vëmendjen është përpjekja e Rusisë dhe e Kinës si binomi drejtues i kësaj organizate për t'i dhënë asaj një përmbajtje dhe drejtim gjithnjë e më të theksuar ushtarak. Që nga vitit 2003 e deri tani vendet e SCO kanë zhvilluar mbi 10 manovra të përbashkëta ushtarake dhe në qershor të këtij vitit do të zhvillojnë manovra të reja të përbashkëta në Uzbekistan. Në vitin 2004 SCO ka krijuar edhe Strukturën Rajonale Antiterroriste, RAS, si një forcë ushtarake për të vepruar dhe ndërhyrë në hapësirën ku shtrihen këto gjashtë shtete. Në takimin e ministrave të Jashtëm në Pekin, siç bëri të ditur ministri i Jashtëm rus S.Lavrov u vendos që një nga ndryshimet që do të ndodhin në SCO do të jetë transformimi i RAS në një qendër universale të luftës kundër kërcënimeve dhe sfidave të reja. Ministri i Jashtëm kinez Yang Jiechi deklaroi se "Ne unanimisht vendosëm të rrisim kapacitetet e SCO në përgjigje të kërcënimeve të reja dhe të ruajmë sovranitetin dhe interesat e sigurisë së shteteve anëtare". Një hap i tillë sjell një element të ri në funksionimin e kësaj organizate e cila merr përsipër edhe një rol policor apo gardiani në hapësirat aziatike.


Kundërshtimi i dytë i kësaj organizate aziatike ndaj Europës ka të bëjë me qëndrimin ndaj revolucioneve arabe. Vendet anëtare të SCO si shtete me regjime autokratike janë shqetësuar nga valët e fuqishme të tronditjeve popullore në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, të cilat përmbysën regjimet despotike dhe sollën një frymë lirie dhe hapësira të reja demokratike në gjithë ato shtete. Revolucionet popullore arabe patën dhe kanë ndikimet e tyre pozitive në të gjithë rajonet e botës duke përfshirë edhe Rusinë, Kinën dhe shtetet e tjera anëtare të SCO. Kjo ka shqetësuar regjimet autokratike në vendet e SCO të cilat vunë në qendër të bisedimeve të Pekinit marrjen e masave të përbashkëta për t'i dalë përpara rrezikut të zhvillimeve të ngjashme me ato të vendeve arabe. Në projektdeklaratën e takimit të ministrave të Jashtëm shprehet pa ekuivok kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj mbështetjes së fuqishme dhe të mirëpritur, që shtetet demokratike të perëndimit, BE dhe NATO, i kanë dhënë kërkesave të drejta dhe kryengritjeve të fuqishme popullore të vendeve arabe dhe në të shkruhet se "vendet anëtare të SCO janë kundër ndërhyrjes ushtarake në punët e shteteve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut". Është e njohur se Rusia dhe Kina gjatë vitit 2011 dolën hapur në mbrojtje të regjimeve despotike dhe autokratike që po tronditeshin nga revolucionet arabe. Një frikë për humbjen e pushteteve dhe për nxitjen e valëve të protestave popullore u ngjall në sallonet më të larta të pushtetit në Kremlin dhe në "Qytetin e ndaluar". Kundërshtimi i tretë i kësaj organizate aziatike ndaj Europës ka të bëjë me qëndrimin ndaj demokratizimit të shoqërisë, lirisë së shprehjes dhe të mendimit të lirë. Jo rastësisht shtetet e SCO vendosën të bashkojnë përpjekjet ndaluese ndaj teknologjisë së informim - komunikimit ndaj rrjeteve sociale të internetit nga frika e infektimit demokratik të statukuove të ndenjura të shoqërive të tyre.


Kemi një dinamikë të lexueshme të përpjekjeve për të krijuar një bllok të madh aziatik si kundërvënie ndaj bllokut europian dhe atlantik. Në optikën e largimit të forcave të NATO-s nga Afganistani në vitin 2014 dhe në perspektivën e krijimit të një vakumi të pranisë ushtarake, politike dhe të vlerave perëndimore SCO po kërkon që të dalë si një forcë organizuese, e cila do të mbajë larg kontinentit aziatik çdo lloj interesi perëndimor, amerikan, europian dhe atlantik. Largimi i NATO-s nga Afganistani po konsiderohet nga Rusia dhe nga Kina si shenjë dobësie e Aleancës Atlantike dhe jo si shenjë e një pjekurie demokratike të shteteve atlantike që ndihmojnë dhe i përgatisin popujt e tjerë t'i drejtojnë vetë punët e tyre. Ambicia e dy shteteve drejtuese të SCO duket se po synon të avancojë ndërhyrjen e kësaj organizate edhe drejt vetë Europës. Nuk duhet harruar se në vitin 2007 SCO ka nënshkruar një marrëveshje me organizatën ushtarake SCTO, Organizata e Traktatit të Sigurimit Kolektiv e krijuar dhe drejtuar nga Moska, si kundërpeshë ndaj NATO-s ku bëjnë pjesë shtatë shtete të ish-Bashkimit Sovjetik.


Koncepti gjeopolitik dhe gjeostrategjik i SCO, i Rusisë dhe i Kinës vjen si një sinjal i një zhvillimi strategjik të pritshëm negativ, si një koncept recidivist kundërvëniesh kontinentesh, shoqërish dhe popujsh në llogore gjeografike dhe jo si bashkëpunim dhe ndarje së bashku e të njëjtave vlerave njerëzore dhe humanitare.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NËN NETANJAHUN IZRAELI ËSHTË MË I FORTË SE KURRËNga FAREED ZAKARIA, Washington Post  (05.12.2012)
Konferenca e 6-të Ndërkombëtare e EUCE-së — Dalhousie University, Halifax, Canada A KA NJË TË ARDHME PËR BALLKANIN PERËNDIMOR NË BE?Nga SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI (05.12.2012)
DY FJALË PËR TAKIMIN E MBRËMSHËM TEK OPINION RAMA-FEVZIU ME DESTINACION ILIR METËNNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.11.2012)
TRAGJEDIA GREKENga FRANK SHKRELI (05.11.2012)
APEL BOTËROR PËR LIRINË E SHTYPIT"Liria jonë varet nga liria e shtypit dheajo nuk mund të kufizohet pa u humbur fare’’ (Tomas Xheferson)Nga FRANK SHKRELI (05.09.2012)
NJË MËSIM NGA IZRAELINga SHBAN MURATI (05.08.2012)
DËRGIMI I SARKOZISË NË GIJOTINËNga MAUREEN DOWD, New York Times (05.07.2012)
NËSE OBAMA FITON, ÇFARË DO TË BËJË AI NË NJË MANDAT TË DYTË?Nga EZRA KLEIN, Washington Post (05.06.2012)
Replikë me "mikun tim" Naim StaraveckaRUHUNI NGA KOMUNISTËT EDHE KUR JU LAVDËROJNË!Nga RESHAT KRIPA  (05.05.2012)
KRONIKË NGA SEMINARI NË NJU JORK ME RASTIN E 100 VJETORIT TË VATRËSNga FRANK SHKRELI*   (05.04.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]