
Para disa kohësh, publiku shqiptar u njoh me një intervistë të zgjeruar të njërit prej personaliteteve të Kulturës dhe Arsimit shqiptar të viteve '70-të, Mantho Bala. Ish- zëvendësministri Bala për më se 10 ditë në kontakt me lexuesin e "Gazetës Shqiptare" dëshmoi historinë e peripecive të tij gjatë ushtrimit të detyrës, derisa përfundoi i shkarkuar nga të gjitha detyrat dhe akoma më keq, e pa veten mes të internuarve të Dumresë së Elbasanit. Peripecitë e tij kishin nisur me konfliktet me Fadil Paçramin, i cili nuk e vlerësonte dhe nuk e respektonte institucionalisht, por edhe me Manush Myftiun, i cili kërkonte që në emër të partisë të uzurponte krejt veprimtarinë e dikasterit ku drejtonte Thoma Deljana dhe Mantho Bala. Sipas Balës, në atë intervistë të zgjeruar, ishte insistimi i tij për të vendosur autoritetin institucional në vend, ajo që e çoi në çarjen dhe rrënimin e tij përfundimtar. Por, sipas tij, nuk kishin mbaruar me internimin peripecitë e paimagjinueshme që i ishin rezervuar nga shoqëria e asaj kohe, por do kishte edhe një tentativë të fuqishme të Sigurimit të Shtetit dhe të vetë zëvendësministrit të tij, zotit Zylyftar Ramizi, i cili paska tentuar që ta bënte bashkëpunëtor të tijin për informacionet në lidhje me miqtë e ngushtë. Por, ndërsa u bë publike kjo dëshmi befasuese e ish- zëvendësministrit të Kulturës shqiptare, reagoi menjëherë, madje tepër i indinjuar, vetë ish-kreu i Sigurimit të Shtetit komunist, Zylyftar Ramizi. Vetë Ramizi deklaron se jo që nuk ka tentuar ta rekrutojë, por me ligjet e atëhershme nuk ishte e mundur të rekrutohej Mantho Bala, pasi një gjë të tillë pikërisht për të e ndalonin në mënyrë kategorike kriteret e kohës. Për të ruajtur paanësinë e dëshmive dhe të etikës gazetareske, gazeta jonë po mundëson botimin e vetë reagimit të Zylyftar Ramizit, i cili e ka pasqyruar atë edhe me shkrim dore.
Zoti Ramizi. Nga sa më sqaruat në lidhje me intervistën që ka dhënë ish-zëvendësministri i Arsimit dhe Kulturës, Mantho Bala, ju jeni revoltuar nga akuza që ju paska bërë se keni tentuar ta rekrutoni në Sigurimin e Shtetit, ndërkohë që ishte shkarkuar nga të gjitha detyrat shtetërore dhe ishte internuar në Dumre të Elbasanit. Për këtë insistoni t'i bëni edhe një përgjigje publike, të cilën ne mendojmë që, për hir të etikës gazetareske t'jua botojmë në gazetën tonë. Pyetja e parë që unë doja të të drejtoja është se si e keni njohur juve Mantho Balën?
Mantho Balën nuk e kam takuar në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë. Kam ditur se ka qenë zv/ministër i Arsimit dhe Kulturës. Për bëmat e tij kam mësuar nga leximi i një artikulli të "Zërit të Popullit" me titull "Një pyetje nga salla". Më ka ardhur keq në atë kohë, duke pyetur veten si qe e mundur që një kuadër i lartë i Arsimit dhe Kulturës të bjerë kaq poshtë, me bëmat e tij sa të turpshme aq edhe flagrante.
Përse? Për çfarë akuzohej në atë artikull dhe kush ishin si të thuash "mëkatet" e tij?
Shpërdorimi i detyrës ishte i plotë dhe për këtë e kishte fajin Mantho Bala dhe askush tjetër.
Për merita në luftë dhe në fusha të tjera, Mantho Bala qe vlerësuar dhe vendosur në postin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës. Këtë detyrë e ka shkelur dhe për këtë ka qenë vetë fajtor. Ai është kritikuar në aktive dhe janë dhënë fakte se Mantho Bala i kishte bërë presion grave e vajzave, që nuk donin ta shihnin me sy dhe jo të plotësonin epshet shtazarake të tij. Këto dhe të dhëna të tjera që kishin të bënin me shpërdorimin e detyrës, u pasqyruan në gazetën "Zëri i Popullit" në artikullin "Një pyetje nga salla".
Ai thotë se keni tentuar ta rekrutoni gjatë kohës që kryente internimin. E kundërshtoni këtë deklaratë?
Nuk di nëse ka qenë i internuar Mantho Bala në kohën që unë qeshë emëruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Komisioni i internim-dëbimeve qe jashtë Ministrisë së Brendshme, i cili në atë kohë drejtohej nga një zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.
Kurvëria nuk ishte objekt i punës së Sigurimit të Shtetit. Këto raste të paktën i ndiqte organi i policisë, sektori i ndjekjes së krimeve. Ishte sektori i ndjekjes së krimeve ai që tërhiqte bashkëpunëtor nga radhët e kurvarëve dhe kurvave për të kontrolluar dhe ndjekur këtë veprimtari antiligjore. Edhe shpërdorimi i pozitës zyrtare siç është rasti në fjalë, që ndiqej nga sektori i ndjekjes së krimeve, nuk kishte të bënte me organin e kundërzbulimit.
Si e argumentoni të kundërtën e asaj që deklaron Mantho Bala?
Për ndjekjen dhe kontrollin e veprimtarisë keqbërëse të çdo forme që ajo mund të ishte, kishte ligje e rregulla të shkruara. Gjithashtu edhe për rrjetin sekret, informatori kishte rregulla dhe forma të shkruara. Askush nuk kishte të drejtë të shkelte apo të vepronte në kundërshtim me të.
Rregullat e periudhës ku bën fjalë Mantho Bala, ndalonin në mënyrë kategorike tërheqjen në bashkëpunim të një personi që vinte nga radhët imorale.
Le të pranojmë logjikën e fakteve, që ju e përjashtoni mundësinë. E zëmë se një bashkëpunëtor i rekrutuar prej Sigurimit të Shtetit në atë kohë kalonte në veprime të dënueshme siç është imoraliteti që ju po i përmendni. Sipas kësaj logjike që ju më folët, i bie që bashkëpunëtori të jetë i përjashtuar nga veprimtaria sekrete?
Në rast se një bashkëpunëtor kryente marrëdhënie intime, përjashtohej nga rrjeti sekret informativ, me qëllim që ai në vazhdimësi të mbahej pastër. Për këto që po shkruaj, ka dokumente, që mund të ruhen edhe sot në arkivat përkatëse, se i kanë dosjet e punës për çdo bashkëpunëtor, si dhe regjistri me gjeneralitetet për çdo individ etj. Unë, sipas intervistës së Balës, e paskam thirrur këtë palo burrë dhe po sipas tij, i paskam shtruar një darkë të pasur me mish e verëra të çdo lloji. Sa shkruan Mantho Bala janë broçkulla. Nuk ka asgjë të vërtetë.
Pse duhet të mos e besojmë se e keni thërritur?
Po të qenë tërhequr nëpër restorante bashkëpunëtorët e Sigurimit apo ata të policisë e kishte marrë lumi rrjetin sekret informativ, e bashkë me të edhe punën agjenturore. Gjithashtu, do të demaskohej në sytë e publikut dhe vetë objektet do ta braktisnin këtë lloj rrjeti agjenturor.
Më tej, në intervistën e tij, Mantho Bala shpjegon se si qe rregulluar me punë e banesë në qytetin e Vlorës dhe këtë ia dedikon një letre që i paska dërguar atëherë Ramiz Alisë.
Pse, edhe këtu s'është i saktë?
Është e drejta e tij të komentojë, por e vërteta është ndryshe. Kur punoja në seksionin e arsimit të rrethit të Fierit, kisha disa shokë. Midis tyre Tili Kolin, Abedin Çamatën, Matish Shestanin etj., me të cilët mbaja lidhje, ku takoheshim herë pas here dhe bisedonim për gjithçka që na interesonte. Sa herë binte fjala për Thoma Deljanën, flinim me respekt. E vlerësonim si njeri fisnik, me kulturë, i apasionuar pas zhvillimit të gjithanshëm të arsimit tonë kombëtar.
Në këto biseda binte fjala edhe për Mantho Balën. Ishte njeri i mirë, por atë sipas tyre, e mori në qafë kolloshnika. Në këtë drejtim, ai nuk falte askënd dhe vazhdonim të tregonim bëmat e Mantho Balës.
Flisnit për strehimin e tij, se s'e paska bërë Ramiz Alia, kur në një intervistë të dhënë më parë nga vetë sekretari i Alisë, Guro Zeneli, ai ka bërë të njëjtën dëshmi si të Balës. Ju po deklaroni se është kontributi juaj?
Në atë kohë qeshë zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe kur gjeta momentin, fola me Hekuran Isain. I tregova për Thoma Deljanën në kohën kur ai ishte ministër i Arsimit dhe i Kulturës e unë inspektor i arsimit në rrethin e Fierit. Shkurt, i fola mirë për Thoma Deljanën. "Mirë, - më thotë Hekuran Isai, - takoje dhe ndihmoje".
Pasi mora aprovimin e tij, shkova në Elbasan dhe takova Xhemal Dymylen, në atë kohë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit. Pasi ia shtrova problemin Xhemalit, më tha se çështjen do ta bisedojmë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit.
Pas një jave, Xhemal Dymylja më merr në telefon dhe më thotë: - Thoma Deljana të vijë në Elbasan, të paraqitet në zyrën e strehimit e të marrë autorizimin, pasi i është dhënë një dhomë e një kuzhinë. Me që m'u dha rasti e shfrytëzova atë edhe për Mantho Balën.
Dhe si e sistemuat Balën?
Ja si është e vërteta e vendosjes së tij në qytetin e Vlorës:
Fola në telefon me Enver Halilin, në atë kohë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Vlorës. Dija se Enver Halili e kishte pasur mik të ngushtë kur ata punonin së bashku në rrethin e Shkodrës.
Sa ia shfaqa mendimin, Enver Halili e priti me kënaqësi dhe në vazhdim të bisedës me telefon më thotë:
- Kemi një rast të mirë për ta ndihmuar Manthon. Këto ditë është larguar Kadri Hoxha, i cili banonte në një banesë shumë të mirë. Di se kjo hyrje nuk është zënë. Do të bisedoj me Komitetin Ekzekutiv të Qytetit që këtë banesë t'ia japin Mantho Balës. Kështu është. Askush nuk i ka hedhur baltë Mantho Balës. Është ky që në vazhdimësi, si me hyneret e tij që nuk kanë të sosur, u ka hedhur baltë të tjerëve.
Këto ditë, gjeta në bibliotekë artikullin e "Zërit të Popullit", "Një pyetje nga Salla". Doja t'ia bëja edhe një herë të njohur publikut që ta njihnin moshat e reja, se mosha e tretë e njeh mirë dhe është në dijeni për hyneret e tij.
Pse s'e bëtë?
U bëra pishman, duke menduar me sinqeritet për kontributin e tij në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, prandaj edhe sqarova, se Mantho Bala nuk është i përshtatshëm për ta futur në rrjetin sekret informativ.
Pra, si përfundim, ju zoti Ramizi, deklaroni dhe argumentoni se nuk keni pasur asnjë herë synim që të rekrutoni në shërbimin tuaj Mantho Balën, siç ai deklaroi në intervistën e dhënë para pak kohësh?
Rrjeti sekret informativ kishte kushte dhe kritere dhe jo çdo njeri i plotësonte këto kushte. Mantho Bala nuk ishte i përshtatshëm për këtë çështje.
Me tërheqjen në bashkëpunim të një individi, nuk merrej zëvendësministri por punëtori operativ i zonës apo i drejtimit dhe, këta të fundit, me aprovimin e shefit të seksionit, të zëvendëskryetarit, apo të kryetarit të degës.
Mantho Bala: Zylyftar Ramizi në "˜76-ën më mori në internim për të më bërë spiun
Si ndodhi që donte t'ju rekrutonte Zylyftar Ramizi, të lutem më shpjego hollësisht?
Ishte pasdite. Ishte gjithë familja në shtëpi. Kur ç'të shikojmë, aty afër të errësuarit te shtegu prej shufrash i oborrit u ndal një makinë tip "gaz sovjetik" nga ata të degës së brendshme. Por s'isha gabuar. Ajo qenkësh vërtet gazi i degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, që kishte ardhur posaçërisht për mua.
Pse, çfarë të thanë?
Në makinë ishte vetëm shoferi. Ai ndaloi makinën dhe pa e fikur fare më tha se duhej të shkoja me të, sepse donte të më takonte dikush nga Tirana.
Juve, shkuat me gaz?
Fjalë është ajo? Shkova me vrap. Së pari qetësova disi gruan, e cila u pre e tëra dhe u bë gati t'i binte infarkt. I thashë të mos mërzitej se do të kthehesha shpejt. Zëre se isha kthyer etj etj. Fëmijëve po ashtu u jepja zemër, ndërkohë që i porosita t'i rrinin afër mamasë. Ç'të të them e ç'të të lë mor bir. Ishin ditë terrori, që do t'ia tregoj varrit ato ankthe që ma vdiqën gruan para kohe dhe më lanë kështu kërcu vetëm.
Ku shkuat me gaz?
Ndërsa u nisëm, filloi mbi fshat të binte muzgu. Makina mori shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Me shoferin as i thashë dhe as më tha gjë, se e dija që e teproja, pasi ai kishte një detyrë dhe e rëndoja po të hapja bisedë apo ta pyesja për gjë. Pasi mbërritëm në Elbasan pashë që makina nuk mori rrugën e degës së brendshme, por u drejtua për te hotel-turizmi i qytetit. Zbrita para tij dhe hyra brenda në holl. Nuk m'u desh shumë për t'u sorollatur se te dera e brendshme u shfaq silueta e vetë kreut të Sigurimit, Zylyftar Ramizit. Normal, u takuam duke i dhënë me kortezi dorën njëri-tjetrit, madje ai ma hodhi në qafë duke më përshëndetur më ngrohtësisht.
Deri këtu nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon, sepse gjithçka ka qenë në normalitet nga sa po më tregoni, apo jo?
Deri këtu nuk ka, por ajo që më befasoi ndodhi në ato sekonda.
Çfarë ndodhi, se po më bëni shumë kurioz?
Mbrapa Zylyftarit, pikërisht në katin e parë, u hap një derë drejt të cilës u nisëm neve. Po ç'të shikoj! Brenda saj, një tavolinë e shtruar si për dhjetë veta me ushqime nga më të jashtëzakonshmet, duke filluar nga llojet e mishrave dhe në fund te ëmbëlsirat dhe frutat.
Më e çuditshmja ishte kur kuptova se ajo tavolinë ishte shtruar vetëm për mua dhe Zylyftarin, i cili paraqitej si person që kishte shfaqur dëshirën për të më dhënë një darkë.
U ulët?
Patjetër që u ulëm dhe filluam nga vera, e cila duhet të pranoj se ishte nga më të shkëlqyerat. Filluam të trokisnim gotat dhe të bënim biseda kot fare, duke pyetur njëri- tjetrin se si kishim qenë, si i kishte nga familja, si po ia kalonte etj etj. Por unë ndërsa trokisja gotën zemrën e kisha të ngrirë, se prisja që ku do të dilte, se nuk diskutoja se nuk ishte këtu problemi, por ai sërish nuk më la të mundohesha në zallahinë e mendimeve të mia, por filloi të dilte ku kishte synimin:
-Shiko, - tha, kij kujdes aty ku jeton, se nuk janë njerëzit të gjithë të mirë si mund t'i mendosh ti. Aty ka nga llumi i reaksionit, aq më shumë që ke njerëz që e urrejnë me shpirt partinë tonë. Ty duhet edhe të të kenë rënë në sy. Hap sytë. Qëndro vigjilent dhe t'i qëndrojmë gjithnjë në krahë Partisë. Mirë bën që u tregon vendin të gjithë provokatorëve, por do të bëje mirë që të na informoje edhe neve mbi veprimet e tyre.
Pra, doli ku synonte?
Po, po, por sa doli te kjo pikë, kuptova se spiunët që më kishin provokuar kishin bërë punën e vet, pasi e kishin informuar, se ndryshe nuk do të thoshte shprehjen "Bën mirë që u tregon vendin atyre, por duhet të na informosh dhe ne". Pra, ti e kupton që ai i dinte përgjigjet e mia.
Pastaj si vijoi?
Pastaj vazhdoi simfoninë e shtatë të tij si sigurims, por që unë me zor prisja ta mbaronte. Në ato pak minuta që vijuan ai tha gjithashtu: -Ti Mantho ke qenë kuadër kryesor i partisë dhe i shtetit, pavarësisht se momenti e solli që për një arsye apo për një tjetër të ndodheni këtu ku jeni. Gjithsesi, Partia i shikon dhe do t'i shikojë mirë njerëzit e saj, por ti duhet të ngelesh besnik. Ja, për shembull, jo vetëm aty ku ti jeton por edhe në Elbasan është filani e filani që ia kanë jo me të drejtë partisë. Sigurisht, ti i njeh. Nuk do të bëje gabim sikur të dije se çfarë mendojnë dhe çfarë komplotojnë kundër Partisë. Le që nuk janë gjë këta që të thash këtu në Elbasan. Janë më të rrezikshëm filani e filani, si dhe fisteku në Vlorë, që ti i ke pasur dhe kolegë e vartës. Ata janë e ç'janë, që së bashku me filan person në Shkodër ç'nuk thurin kundër Partisë. Ti do të bësh mirë që të mos kursehesh për të shkuar edhe me shërbim në këto qytete dhe të kontaktosh me shumë marifet me këta dhe të vjelësh intrigat që planifikojnë kundër Partisë. Duhet ta ruajmë Partinë shoku Mantho. Po ashtu, mund të shkosh edhe në Shkodër për filan e filan person. Për largimin nuk ka nevojë të marrësh leje, se lë unë porosi te shokët e degës këtu në Elbasan. Po ashtu, për shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit nuk është problem, se t'i sigurojnë shokët tanë. Vetëm që ne të jemi vigjilentë.
Çfarë i thatë?
Çfarë t'i thosha. U hutova shumë, se si donte jo vetëm të isha spiun i komshinjve dhe shokëve që kisha në Kosovë, ku jetoja, por të nisesha edhe me shërbim te miqtë e mi më të mirë dhe ndërkohë që ata të gëzonin dhe të më shtronin darkë për vajtjen time unë t'ua qëndisja nga "mbrapa". Ky mund të jetë maskarallëku më i madh për një njeri. Nuk besoj se ka tjetër ves më të urryer në këtë jetë. Por gjithsesi shtrëngova dhëmbët dhe dalëngadalë e mora veten duke i thënë Zylyftar Ramizit:
-Shoku Zylyftar, unë kam qenë dhe do të ngelem besnik i Partisë. Unë po të kem ndonjëherë ndonjë gjë ia tregoj vetë vendin siç ia kam treguar. Po të shikoj pra ndonjë gjë që nuk shkon, di unë si t'i përgjigjem. Nuk lejoj njeri të përdhosë emrin e Partisë se gjen belanë me mua. Besoj se këto nuk janë pak. Partia te unë do të shikojë vetëm njeriun besnik dhe të bindur shoku Zylyftar. Por për sa u përket shërbimeve e më the e të thashë nuk mundem të bëj asnjë gjë, se unë kam hallet e mia, se kam gruan në prag të vdekjes, pasi më ka vënë jeta përpara. Ti duhet ta dish se në ç'gjendje është gruaja ime.
Reagoi?
U pre. Ai ishte gati të nxirrte shkresën dhe të thoshte që të firmosja bashkëpunimin, por kur e pa se s'kishte nga të më kapte ,pasi unë ndryshe nga ndërgjegjja ime, thurja lavde pa fund për partinë që më kishte hedhur poshtë si pleh.
Vijoi darka?
Nuk kishte më kuptim, madje edhe Zylyftari më pyeti nëse doja të rrija akoma apo të më kthente në shtëpi. Unë i thashë se doja të kthehesha në shtëpi se e kisha lënë gruan në gjendje shumë të keqe dhe s'dihej ç'ndodhte ndërsa mendonte se ç'më kishin bërë mua, që më morën me Gaz të Degës. Atëherë ai më dha leje se mund të shkoja nëse doja.
Me makinë ikët?
Me gazin që më morën më çuan prapë. Ai rrinte jashtë me shoferin gati. Sa hipa, shoferi nuk e bëri të gjatë por ndezi makinën dhe u nis në drejtim të Kosovës, ku ndodhej familja ime. Në ato çaste mendoja me vete darkën super luksoze që kishte shtruar Zylyftar Ramizi për të bërë një rekrutim duke thënë me vete: Kaq harxhuakan këta të Sigurimit për çdo spiun që kanë vënë rreth meje? Qenkësh skandal i vërtetë.
Zgjuar ishin?
Jo vetëm zgjuar, por i gjeta të ënjtur nga të qarët. Nuk e prisnin të kthehesha. Menduan se më arrestuan dhe i lanë si zogjtë që u ha hutini të ëmën, pra të vetmuar. Hyra brenda dhe u përqafova me të gjithë.
Të pyetën ku ishe?
Më thanë dhe u tregova se donin të më bënin spiun. Maskarenjtë, bërtita me sa kisha në kokë. Nuk u mjaftuan që luftova që fëmijë. Një jetë pastaj kam punuar si kalë me një idealizëm të shfrenuar. Më zhgarravitën në këtë cep të botës dhe guxojnë dhe më thonë se jam njeriu i tyre dhe se duhet të ruaj të pastër partinë që më vrau. Kështu venin këto mesele që nuk kanë të mbaruar, se si i thotë populli, duhen net dimri t'u dalësh në fund, se nuk mbarojnë ndonjëherë.