Më 17 Shtator, Shtetet e Bashkuara festuan Ditën e Kushtetutës, ditë kjo që në
të njëjtën kohë shënoi edhe 225-vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës amerikane
që konsiderohet si një ''dokument i gjallë''. Kushetuta, si një arritje pas
shumë kompromisesh nga një numër delegatësh që përfaqësonin interesa të
ndryshme, përcakton parimet themelore për një qeverisje demokratike si edhe të
mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Mbi të gjitha, Kushtetuta e Shteteve të
Bashkuara është një dokument i cili kufizon kompetencat e qeverisë federale, me
qëllim për të ruajtur dhe për të zgjeruar të drejtat individe të personit.
Këto, sipas Kushtetutës amerikane, arrihen nepërmjet një numri masash të
parashikuara në atë dokument, përfshirë kompetencat dhe të drejtat e shteteve,
themelimin e tri degëve me kompetenca të barabarta të qeverisë federale të
qëndrës -- dmth, degët ekzekutive, legjislative dhe juridike -- si edhe
sistemin elektoral të zgjedhjeve. Në periudhën kur u miratua kushtetuta
amerikane, asnjë vend tjetër në botë nuk qeverisej nga tri degë të ndryshme e
të pavarura të qeverisë.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara që fillon me fjalët, ''Ne, populli i
Shteteve të Bashkuara, për të themeluar një bashkim më të përsosur, për të
vendosur drejtësinë...për të siguruar bekimet e lirisë....'' u miratua më 17
Shtator 1787 nga Kuvendi Kushtetues në qytetin Filadelfia dhe hyri në fuqi më 4
Mars të vitit 1789.
Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Uorren Burgër shkroi
25 vjetë më pare, me rastin e 200-vjetorit të miratimit të Kushtetutës
Amerikane se "˜'në vend të absolutizmit të një mbretërie, liritë që dalin nga ky
dokument krijuan mundësi jashtzakonisht të mëdha për individët. Ç'prej asaj
kohe'', thotë ai, "njerëz të shtypur dhe të diskurajuar nga të gjitha anët e
botës vazhdojnë gjithnjë të vinë në këtë vend për të jetuar në liri.'' Dhjetë
shtojcat e para të kushtetutës garantojnë të drejtat dhe liritë që amerikanët
gëzojnë sot e që përfshijnë lirinë e fesë, lirinë e fjalës, lirinë e shtypit,
lirinë për të protestuar, e tjera.
Dy qëllimet kryesore të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishin, si të
thuash, një kontratë shoqërore e një filozofie demokratike që përfshinte
''themelimin e një bashkimi më të përsosur'' të shteteve amerikane si dhe
''sigurimin e bekimeve të lirisë'' për çdo individ, jo vetëm për brezin e
atëhershëm, por për të gjithë brezat që vijnë më vonë. Përcaktonte pra, një
qeverisje të ''lirisë dhe të Bashkimit, tani dhe për gjithmonë'', ose një
''Novus Ordo Seculorum'', një rend të ri për shekuj, siç është e vërtetësuar
edhe në vulën zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
Në fillim të debatit prej disa muajsh, rreth përpilimit të Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara në vitin 1787, 55 burrat përfaqsues nga 12 kolonitë e
para zgjodhën Xhorxh Uashingtonin kryetar të Kuvendit dhe Xhejms Madisonin si
njeriun që do të bashkërendonte debatin. Themeluesit largpamës të kombit
amerikan, në debatin mbi kushtetutën e re, merrnin mësime nga historia e kaluar
dhe shikonin përpara drejtë së ardhmes, duke qenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës
se vendimet e tyre do të kishin pasoja të mëdha për brezat e ardhëshmen, ndër
shekuj.
Tomas Pejnë, njëri prej zërave më të dalluar të Revolucionit Amerikan, frymëzoi
kolonitë amerikane si edhe përpiluesit e kushtetutës së re të vendit në lidhje
me atë që është quajtur ''rend i ri'' i Epokës Amerikane, duke shkruar në atë
kohë se ''Kauza e Amerikës është pëgjithësisht edhe kauza e të gjithë
njerëzimit. Shqetsimet tona në këtë periudhë nuk janë vetëm për sot, ose për
një vit ose edhe për një shekull...kemi të bëjmë me një periudhë të gjatë
shekujsh, deri në mbarimin e botës.''
Si i tillë, miratimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishte një moment me
rëndësi historike jo vetëm për Amerikën, por edhe për të gjithë botën. Ajo
ishte një kushtetutë që për herë të parë në histori u shkrua nga ''populli për
popullin''. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës së asaj kohe, Kushtetuta e re
amerikane nuk lejonte që frenat e qeverisjes të merreshin në dorë nga më i
forti, sepse ajo u përpilua nga përfaqsues të zgjedhur nga vet shtetet, të
cilët si pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë, ngulnin këmbë që kushtetuta të
mbronte të drejtat e qytetarëve, të drejta këto që ata ia kishin njoftuar botës
në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë disa vite më parë, më 1776.
Mbi rëndësinë e Kushtetutës së re amerikane dhe mbi rolin dhe efektin që ajo do
të kishte edhe për pjesën tjetër të botës, Xhorxh Uashingtoni pat shkruar se
themelet e këtij vendi nuk u vendosën në një periudhë pa-dijeje ose injorance
dhe bestytnie, ''por në një periudhë historike kur të drejtat e njerëzimit u
përcaktuan, u njohën dhe u kuptuan më mirë se në çdo periudhë tjetër më parë'',
e për të cilat nevojitej një dokument që do t'i siguronte dhe do t'i mbronte
këto të drejta, mbi të gjitha lirinë e individit.
Megjithëse Xhejms Madisoni konsiderohet si babai i Kushtetutës amerikane, në të
vërtetë, Kushtetuta ishte një produkt i kontributeve të gjithë atyre burrave që
ishin të pranishëm në Kuvendin Konstitucional, patriotëve të shtetit të ri
amerikan, të cilët me luftë dhe me penë siguruan fitoren e Revolucionit
Amerikan. 225 vjetë më parë, pas debateve të ashpëra, ata përpiluan dhe
miratuan Kushtetutën amerikane që sot konsiderohet si dokumenti ligjor më me
influencë dhe njëri ndër më të vjetërit në botë. Thuhet se mbi 100-vende anë e
mbanë botës e kanë përdorur atë si model për projektimin e kushtetutave të
tyre, sidomos pas Luftës ës Dytë Botërore. Gjykata e Lartë e Shteteve të
Bashkuara e ka interpretuar atë gjatë 225 vjetëve të kaluara, për t'iu
përshtatur kohërave mderne, por parimet bazë të Kushtetutës Amerikane mbeten
ato që ishin, pothuaj të pa ndryshuara ç'prej fillimit. Është një dokument me
influencë i cili për 225 vjet ka mbijetuar si gur-themeli i shtetit dhe i
qeverisjes amerikane, por edhe si garantues i të drejtave të çdo qytetari
amerikan.
Falë Kushtetutës së Shtetve të Bashkuara, për më se dy shekuj tani, populli
amerikan ka bërë përpjekje të mëdha dhe të vazhdueshme për të ruajtur dhe për
të përhapur parimet e lirisë dhe të tolerancës në vend dhe anë e mbanë botës.
Në kohë lufte dhe në periudha paqeje, është fryma amerikane e lirisë, e
mishëruar në Kushtetutën e këtij vendi e që ka mbijetuar për të mbrojtur të
drejtat e të gjithë njerëzve, që ata të gëzojnë, sipas kushtetutës, "bekimet e
lirisë'', dhe që secili të ushtrojë përgjegjësitë që i takojnë ajo që e ka
bërë të mundur përforcimin dhe mbijetimin e demokracisë amerikane, me gjithë
sukseset dhe të metat e saja, për më shumë se dy shekuj.
Imazh artistik i nënshkrimit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara