Është interesant autosugjestioni ngushëllues, që po qarkullon në botën
demokratike, për humbjen e pushtetit në Gjeorgji nga udhëheqësi i revolucionit
të trëndafilave. Zgjedhjet parlamentare të datës 1 tetor sollën surprizën e
fitores së koalicionit të opozitës "Lëvizja e Ëndrrës Gjeorgjiane",
të kryesuar nga miliarderi i sapohyrë në politikë, Bidzina Ivanishvili, dhe
humbjen e partisë në pushtet "Lëvizja Kombëtare e Bashkuar", e
presidentit Mikael Saakashvili. Pranimi i menjëhershëm i dështimit elektoral nga
presidenti Saakashvili dhe gatishmëria e shprehur prej tij për dorëzimin
paqësor të pushtetit, madje pa shfrytëzuar as kompetencat që ia jep Kushtetuta,
për të qenë pikërisht ai që duhet të propozojë kryeministrin e ri, përbëjnë me
të vërtetë një shembull demokratik të rotacionit paqësor të pushtetit, gjë që
është e pashoqe në historinë gjeorgjiane. Por ai është në të njëjtën kohë një
rast jashtëzakonisht i rrallë për shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik
komunist, ku me përjashtim të tri shteteve pribaltike, që iu bashkuan NATO-s
dhe BE-së, nuk ka ndodhur që partia në fuqi t'i dorëzojë pushtetin paqësisht
opozitës.
Kjo vërtet duhet të merret si një shprehje e progresit demokratik të politikës
në Gjeorgji, por mendoj se kjo është e pamjaftueshme për të vendosur këtë
"fitore" të demokracisë mbi të vërtetën e hidhur dhe dramatike se
revolucioni demokratik i trëndafilave, që shpërtheu në vitin 2003 dhe solli në
pushtet forcat demokratike të udhëhequra nga M.Saakashvili, u plagos rëndë dhe simptomat
lejojnë të shkohet tek mendimi se revolucioni demokratik mund të degradojë
drejt vdekjes klinike. Pse-të, që ngrihen në rastin e kësaj kthese të papritur
dhe të paparashikuar si nga Tbilisi, ashtu dhe nga Brukseli e Uashingtoni,
duhen zbërthyer dhe kanë të bëjnë jo vetëm me fatin e revolucionit demokratik
gjeorgjian, por edhe me revolucionet demokratike në vendet ish-komuniste. Sepse
duhet hulumtuar se cilat janë motivet, që zgjedhësit ndëshkuan me votën e tyre
jo vetëm presidentin dhe partinë e tij në fuqi, por një sistem dhe një mënyrë
jetese shtetërore e shoqërore, që ata vetë e kishin kërkuar me revolucionin
demokratik të trëndafilave. Vështirë që ndokush të mohojë transformimet e mëdha
të Gjeorgjisë në këta 9 vjet të drejtimit demokratik, por revolucioni demokratik
në këtë shtet bëri gabimin e madh fatal, që njësoi demokracinë dhe sistemin
demokratik me udhëheqësin apo individin, që historia apo rastësia e solli të
jetë në krye të revolucionit demokratik.
Gjeorgjia dhe Ukraina japin mësimin e madh të rrezikut të madh të njësimit të
revolucionit demokratik dhe të demokracisë me njeriun, që u ndodh në krye të
këtij revolucioni. Ky identifikim ka me vete farën e dështimit dhe të humbjes
së vlerës dhe të përmbajtjes së vetë revolucionit dhe të demokracisë. Kjo
ndodhi në Ukrainë, po ndodh në Gjeorgji, por ka shfaqur shenja të njëjta edhe
në shtetet ish-komuniste të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Udhëheqësit e rinj të qeverive demokratike të vendeve ish-komuniste kujdesen më
shumë të bindin dhe t'i imponojnë popullit se ata janë transformuesit dhe
çudibërësit e mrekullisë demokratike. Ata kujdesen më shumë për farkëtimin e
një kulti të ri të individit, të ngjashëm me kultin e udhëheqësve të dikurshëm
komunistë, dhe kërkojnë t'i japin demokracisë imazhin e vetes së tyre. Kjo bën
që në shtetet ish-komuniste, sidomos në Kaukaz, Azinë Qendrore dhe në Ballkan,
udhëheqësit e regjimeve tani demokratike të shndërrohen në autokratë të
padiskutueshëm dhe të mos i kushtojnë asnjë vëmendje ndërtimit të institucioneve
demokratike ligjvënëse e ligjzbatuese, por t'i japin krejt shtetit portretin e
tyre. Arroganca e pushtetit, abuzimi me pushtetin dhe zëvendësimi i ligjit me
frymën militante partiake të partisë drejtuese, mbysin demokracinë. Fytyrën e
udhëheqësit e merr qeveria, e marrin ministritë, gjykatat, Policia e Shtetit,
shkenca, Historia, televizionet dhe tërë mediat e mjeruara, të cilat, në vend
të drejtorisë së shtypit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste kanë
teknologjinë informative të portretit të kryeministrit.
Regresi politik në Gjeorgji evidenton rolin okult të oligarkëve miliarderë, që
demokracia prodhoi me shkopin magjik në vendet ish-komuniste. Këta oligarkë e
miliarderë, që me komplicitetin e pushtetit dhe të krimit të organizuar
grumbulluan dhe i shënuan në llogaritë e tyre bankare pasuritë kombëtare, kanë
zgjedhur tani rrugën e marrjes së pushtetit politik dhe të qeverive në
demokraci, duke e realizuar nëpërmjet blerjes me para të votave dhe të
rezultatit të votimeve. Ligjet, rregulloret dhe mënyrat e drejtimit oligarkik
janë kundërvënie dhe erozioni i sistemit demokratik, dhe pjellin një demokraci
jo funksionale.
Ajo që po ndodh në Gjeorgji, nxit interesimin e veçantë, jo vetëm për rreziqet
që u qëndrojnë mbi krye revolucioneve demokratike në vendet ish-komuniste, por
edhe për domethënien gjeopolitike të këtij zhvillimi të papritur. Qeveria
demokratike, që doli nga revolucioni i trëndafilave, zgjodhi orientimin
perëndimor dhe rrugën e integrimit euroatlantik të anëtarësimit në NATO dhe në
BE. Pozicioni gjeografik i këtij shteti në Kaukaz e bën atë të rëndësishëm në
pikëpamje të rrugëve strategjike, që përshkojnë këtë pjesë të kontinentit dhe
të linjave të transmetimit energjetik të gazsjellësve apo naftësjellësve, që
kryqëzohen apo planifikohet të përshkojnë rajonin. Nuk është sekret se ka pasur
dhe ka një përplasje të vazhdueshme të interesave strategjike mes Rusisë dhe
Perëndimit, NATO-s dhe BE-së, lidhur me Gjeorgjinë. Rusia arriti deri atje, sa
që në gusht të vitit 2008-të të pushtojë ushtarakisht dy territore të
Gjeorgjisë, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, dhe të krijojë dy
mikroshtete-kukulla. Kremlini e kishte shprehur haptazi objektivin e tij të
përmbysjes së qeverisë dhe të revolucionit demokratik në Gjeorgji. Kryeministri
rus Dimitri Medvedev dhe MPJ e Rusisë nxituan të përshëndesnin rezultatin e
zgjedhjeve në Gjeorgji, ndërsa tre senatorë amerikanë, me një deklaratë të
posaçme të përbashkët në 5 tetor i drejtuan një paralajmërim të fortë fituesit
të zgjedhjeve, se marrëdhëniet me SHBA-të do të varen nga zhvillimi dhe
thellimi i demokracisë dhe i institucioneve demokratike në vend.
Rusia duket se është protagonisti i heshtur i kësaj kthese kundërrevolucionare
në Gjeorgji. Gazetarja e njohur ruse, Julia Latinina, duke analizuar zgjedhjet,
shkruante në gazetën e Moskës "Novaja gazeta" në 5 tetor, se
"populli gjeorgjian bëri atë që nuk qe në gjendje ta bënte ushtria
ruse". Që do të thotë se në zgjedhjet parlamentare të 1 tetorit dhe në
kthesën e rrugës politike në një kah tjetër, duhet parë dora e zgjatur e
Kremlinit. Skenari fillon me emrin e njeriut, që kryeson opozitën politike dhe
i cili krijoi koalicionin e "ëndrrës gjeorgjiane" me të gjithë
kundërshtarët e presidentit Saakashvili. Bidzina Ivanishvili është miliarderi,
i cili e ka krijuar gjithë pasurinë e tij prej 6,4 miliardë dollarësh në Rusi,
duke u marrë që nga mineralet, energjia, bankat, pasuritë e patundshme, etj.
dhe i cili para një viti vendosi t'i hyjë politikës në vendin e vet.
Ivanishvili është një nga oligarkët e njohur të Rusisë, pasuria e madhe e të
cilit nuk mund të mendohet se u krijua pa mirëkuptimin dhe sponsorizimin e
pushtetit qendror rus. Sepse oligarkë të tjerë, që nuk i janë bindur Vladimir
Putinit, kanë përfunduar ose në burg ose në arrati në perëndim ose nuk janë në
gjendje të shesin as pronat e tyre në Rusi, sepse nuk ua blen kush nga frika e
Kremlinit. Kurse Ivanishvili i shiti vitin e kaluar pronat e tij në Rusi me
çmime të majme dhe mbi normalen e tregut.
Ivanishvili ka shtetësinë ruse dhe është gjithashtu aksionist në kompaninë e
madhe shtetërore energjetike ruse "Gazprom", aksionet e së cilës nuk
i shiti. Këto janë parametra, të cilat peshojnë më shumë se deklaratat e tij
fillestare pas zgjedhjeve, se ai i konsideron SHBA-të partner kryesor, se ai do
të bëjë vizitën e parë si kryeministër në SHBA dhe se ai do të vazhdojë rrugën
e integrimit në NATO dhe në BE. Në konferencën e tij të parë të shtypit pas
fitores elektorale, Ivanishvili kritikoi presidentin Saakashvili për acarimin e
marrëdhënieve me Rusinë, dhe deklaroi se ideja e integrimit të Gjeorgjisë në
NATO nuk është shumë e pëlqyeshme për Rusinë, por unë nuk mendoj se kjo është
çështje strategjike për Rusinë. Natyrisht, një naivitet i tillë politik
tingëllon më shumë si apologji e politikës ruse ndaj Gjeorgjisë, sepse është
fare lehtë të kuptohet se Moska, e cila ka kundërshtuar dhe kundërshton me
forcë çdo zgjerim të Aleancës Atlantike në Europën Qendrore dhe në Ballkan, e
ka edhe më të papranueshme idenë e anëtarësimit në NATO të një shteti të
Kaukazit, që Kremlini e konsideron sferë e influencës së vet. Jo rastësisht,
menjëherë pas zgjedhjeve gjeorgjiane, presidenti autokrat i Bjellorusisë,
Lukashenko, deklaroi nevojën e riintegrimit të Gjeorgjisë në
"Komonuellthin e Shteteve të Pavarura", CIS, që drejtohet nga Moska.
Pritet që Ivanishvili të tregohet më i kujdesshëm se presidenti prorus i
Ukrainës, V. Janukoviç, i cili e ktheu menjëherë timonin e revolucionit të
portokalltë drejt Rusisë. Por edhe pengesa të tilla, në pamje të parë të
pakapërcyeshme, si shkëputja e territoreve të Gjeorgjisë nga Rusia, mund të
gjejnë mënyrën e manovrimit dhe të spostimit të orientimit strategjik të
Gjeorgjisë drejt të ashtuquajturit neutralitet apo finlandizim të Gjeorgjisë,
siç po përmendet në mediat gjeorgjiane.
Revolucioni i trëndafilave u plagos rëndë në zgjedhjet parlamentare dhe
përfundimi që del është se të gjitha revolucionet demokratike të vendeve
ish-komuniste, që njësohen me udhëheqësin, vdesin. Dhe që të mos ndodhë kjo,
duhet që ata udhëheqës të ikin nga pushteti, përpara se të vdesin revolucionet
demokratike dhe demokracia.