U bënë më shumë se 20 vjet që poetët dhe gazetarët
profesionistë Elida dhe Skënder Buçpapaj punojnë të përkushtuar për shqiptarinë
tej e përkëtej Atlantikut. Të përgjegjshëm për punën e profesionin që zgjodhën,
të ushqyer më së shumti nga shpirti i poetit të pagjumë për vendlindjen ata
natën dhe ditën janë në qëmtim të lajmit të jetës së përditshme të shqiptarëve
kudo që banojnë në Ballkan, Europë, Australi dhe Amerikë.
Për ta bërë më konkrete, më permanente, më të ndjeshme, më ndihmuese gazetarinë
shqiptare por edhe duke iu përgjigjur sfidave dhe mënyrës së transmetimit më të
shpejtë të informacionit në Diasporën shqiptare ata kanë hedhur themele të
shëndosha qysh me fillimet e projektit online: ZËRI I SHQIPTARËVE VOICE OF
ALBANIANS, www.voal-online.ch.
Është një projekt ambicioz me një shtrirje globale që ndërlidh një komunitet
lexuesish e krijuesish afër pesëmbëdhjetë mijë abonentë. Dhe kjo falë mundit
dhe përpjekjeve të vazhdueshme. Është e vërtetë se puna këmbëngulëse e
gazetarëve Buçpapaj ne Zvicër falë dhuntive të tyre të rralla për një gazetari
të ligjshme dhe të ekuilibruar, të shpejtë dhe konkluduese, të kuptueshme dhe
inkurajuese ka bërë që të kenë rreth vetes me dhjetëra bashkëpunëtorë që
përcjellin mendimet e tyre për të gjitha fushat e prekshme të zhvillimit dhe
mirintegrimit të botës shqiptare.
"Zëri i shqiptarëve" përcjell lajmin e fundit ashtu siç ndodh falë edhe
partneritetit të sinqertë që këta profesionistë kanë ndërtuar në Diasporë,
Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë; falë edhe seriozitetit për të bërë
gazetari të vërtetë.
Ajo që bie në sy është larmia e rubrikave për të gjithë shqiptarët që krijojnë
e shqipërojnë letërsi dhe pëlqejnë e ushtrojnë artin, muzikën e gjithçka
krijuese tjetër. Pra, kjo tribunë online përmbledh kështu një spektër më të
gjerë se sa të pasionuarit pas lajmit.
www.voal-online.ch është një urë e vërtetë euro-atlantike komunikimi për
shqiptarët e Diasporës në veçanti. Është një vendtakim për të marrë informacion
gjatë ditës sidomos për lajmin e fundit, për analizwn e problemeve që
stërmundojnë shoqërinë shqiptare në tërësi si dhe për mënyrën se si e trajton
integrimin e plotë të Shqipërisë e të Kosovës në BE e mirëfunksionimin e
demokracive në të dy shtetet shqiptare në Ballkan apo edhe në mbrojtjen e të
drejtave të shqiptarëve në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Mal i Zi.
"Zëri i shqiptarëve" online jeton me lajmlindjen për ta përcjellë sa më parë atë tek lexuesi. Falë përkushtimit të tyre, Elida dhe Skënder Buçpapaj kanë
ndërtuar marrëdhënie të ndërsjellta dhe frytdhënëse me institucione ekzekutive
dhe legjislative me Bashkimin Europian në Bruksel dhe OKB në New York. Ata
tashmë janë të mirëpritur me statusin e gazetarit në komunitetin e gazetarëve
botërorë në shërbim të vazhdueshëm të paqes njerëzore, të problemeve më
imediate që na nxjerr jeta përpara, në mbështetjen e vazhdueshme që i japin
përparimit e konsolidimit të demokracive shqiptare në Shqipëri e Kosovë e
përmbushjen e të drejtave themelore si minoritete të shqiptarëve në Luginën e
Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi.
www.voal-online.ch është tashmë në ngjitje e sipër për më shumë audience duke
ofruar tek lexuesi një shërbim cilësor dhe profesional duke iu përshtatur
kështu edhe teknologjisë dhe mënyrës së të bërit gazetari bashkëkohore.
Duhet nënvizuar se dashuria për vendlindjen dhe për kombin pasqyrohet jo vetëm
në faqet e 'Zërit të shqiptarëve' por edhe në librat poetike të tyre që i kanë
bërë ata më të kërkuar për vargun e tyre.
Emrat e Elida dhe Skwnder Buçpapajt i gjen në disa media të shkruara online dhe
në letër, në Diasporë, Shqipëri dhe Kosovë. Një punë fisnike që do mund e
djersë, por do dhe kohë të pakufizuar për të mbajtur gjallë shpirtin e
gazetarit dhe të poetit mërgimtar!
"Zëri i shqiptarëve" online www.voal-online.ch jo vetëm përcjell lajmin e
gjithçka tjetër të shkruar por edhe promovon talente të rinj të gazetarisë nga
komunitetet shqiptare në Diasporë, por edhe talente të rinj në fushën e
letërsisë duke u bërë kështu një shpresë dhe inkurajim për këdo shqiptar që
provon të shkruajë publicistikë apo letërsi. Dhe kjo s'është pak për kushtet e
sotme ku konfuzioni është i madh.
Zëri i shqiptarëve është i kudondodhur për të promovuar Shqipërinë dhe Kosovën
si dhe të gjitha figurat kombëtare shqiptare sidomos këtë 100-vjetor të
Pavarësisë së Shqipërisë!
Është fat për Diasporën shqiptare të kemi një gazetë online me lajme nga e
gjithë hapësira shqiptare. Për më shumë ky projekt është edhe një pasuri e
madhe e pasurimit dhe mbajtjes gjallë të gjuhës shqipe ndër komunitetet
shqiptare në të dy kontinentet.Urojmë më të mirën për këtë projekt kaq
domethënës.