As në Prishtinë e as në Tiranë nuk u kuptua dhe nuk u vlerësua siç duhet kushti
i ri, që Komisioni Europian i vendosi Serbisë në datën 10 tetor për të
respektuar integritetin territorial të Kosovës, nëse dëshiron anëtarësimin në
BE. Është hera e parë, që një kusht i tillë i vendoset Serbisë në një dokument
zyrtar programatik të Komisionit Europian dhe konkretisht në dokumentin
"Strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore për 2012-2013". Kjo e sanksionon
këtë formulim si qëndrim dhe politikë zyrtare e Komisionit Europian, pra e
BE-së ndaj Serbisë. Në aspektin diplomatik dhe juridik ky kusht është për
Serbinë edhe më negativ se sa dështimi i saj për të marrë nga Komisioni
Europian një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, fazë që
Beogradi e pret, pasi mori statusin e shtetit kandidat në muajin mars të këtij
viti. Ish-presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se kjo kërkesë e BE-së është një
lajm i keq për Beogradin. Është pikërisht ky efekt i madh negativ, që i bëri
udhëheqësit e Serbisë, që nga presidenti e deri tek kryeministri, të humbnin
ekuilibrat normalë diplomatikë. Presidenti T.Nikoliç dhe kryeministri I.Daçiç,
i kërkuan menjëherë zyrtarisht komisionerit të BE-së për zgjerimin Stefan Fule,
gjatë vizitës së tij në Beograd në 11 tetor, që Komisioni Europian ta hiqte
këtë kërkesë nga dokumenti i vet, gjë që komisioneri e hodhi poshtë, duke u
bërë të qartë se respektimi i integritetit territorial të Kosovës është parim
dhe qëndrim parimor i Bashkimit Europian.
Kryeministri Ivica Daçiç deklaroi se është seriozisht i shqetësuar, që
Komisioni Europian i kërkon Serbisë të respektojë integritetin territorial të
Kosovës dhe arriti deri atje sa të shprehej që do të kishte qenë më e ndershme
që t'i kërkohej Serbisë të njihte Kosovën, se sa të njohë integritetin
shtetëror të saj.
Kushti i vendosur Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Kosovës
është një avancim më i ashpër në pozicionin e Brukselit ndaj Serbisë. Jo
rastësisht ai ndërmerret pas ardhjes në fuqi në Beograd të një garniture të re qeveritare
nacionaliste, të përbërë nga ish-funksionarë të regjimit të Sllobodan
Millosheviçit, ku edhe presidenti i ri, edhe kryeministri i ri, kanë hyrë në
politikë nga proteksioni i ish-diktatorit serb. Kushti është i rëndësishëm,
sepse i bën të qartë Beogradit se respektimi i integritetit territorial të
Kosovës do të jetë një element esencial i procesit të integrimit të Serbisë në
BE. Ai ka përmbajtje më të thellë se sa thjesht një kundërshtim i ndarjes së
Kosovës, siç po përpiqen të vetëngushëllohen disa qarqe në Beograd.
Interpretimi dhe pasojat diplomatike e juridike shkojnë më tej se kaq. Kjo do
të thotë se BE si organizatë nuk e njeh Kosovën si pjesë të integritetit
territorial të Serbisë, siç pretendon çdo ditë qeveria dhe diplomacia serbe.
Kjo do të thotë se BE e klasifikon dhe e njeh Kosovën si integritet territorial
i një shteti tjetër, të cilin Serbia duhet ta respektojë. Kjo do të thotë se BE
nuk pranon dhe hedh poshtë çdo rivendikim të Serbisë ndaj territorit dhe të
drejtës së sovranitetit të shtetit të Kosovës mbi gjithë territorin e vendit.
Kjo do të thotë se Bashkimi Europian është kundër çdo lloj provokimi, propozimi
apo ideje për ndarjen e Kosovës dhe prishjen e kufijve ekzistues mes Serbisë
dhe Kosovës, gjë për të cilën po flet pothuajse çdo ditë kryeministri Ivica
Daçiç, duke rinxjerrë nga arkivat e pluhurosura serbe planin e ndarjes së
Kosovës, që shtronin në tavolinat diplomatike Millosheviçi dhe Drashkoviçi në
vitin 1999.
Kjo do të thotë se BE i drejtohet Serbisë me kërkesën që të respektojë
integritetin territorial të Kosovës, pavarësisht nëse do ta njohë apo jo
Beogradi shtetin e Kosovës. Pra Serbia i bëhet e qartë më fort se më parë, se
nuk duhet të shkaktojë probleme dhe trazira në çështjen e kufijve dhe të
territorit të Kosovës.
Në realitet kemi një ashpërsim të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë dhe kjo duhet
konsideruar si një hap dhe zhvillim tepër pozitiv, sepse kjo është gjuha me të
cilën mund të dëgjojnë në Beograd. Tani, që atje erdhi në fuqi një garniturë
edhe politikisht, edhe ideologjikisht, edhe publikisht nacionaliste, askush në
Bruksel nuk mund të fshihet më pas justifikimit se duhen inkurajuar forcat
proeuropiane në Beograd, duke u sjellë sikur nuk shihen implikimi dhe politika
zyrtare e provokimit të trazirave në veriun e Kosovës.
Kushti i ri i Komisionit Europian është i rëndësishëm, sepse do të bëjë që të
kristalizohet më qartë për Perëndimin orientimi real prorus, që po ndjek dhe do
të ndjekë qeveria e re nacionaliste në Beograd. Brukseli e mori që në fillim
sinjalin e këtij orientimi të ri zyrtar të Serbisë, kur presidenti i
sapozgjedhur T. Nikoliç zgjodhi ta bëjë vizitën e tij të parë presidenciale në
Rusi. Moskës i intereson të krijojë një vatër të përhershme konflikti të ngrirë
në qendër të Ballkanit dhe Kosova po shfrytëzohet prej saj që, me ndihmën e
Serbisë, të shkaktojë tensione jo vetëm brenda Kosovës, por edhe kundër forcave
të KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Europian. Politika e komprometuar serbe
se "duam edhe BE-në, edhe Kosovën, edhe Rusinë", nuk mund të shitet më në
tregun diplomatik europian, sepse ajo është një pengesë ndaj përpjekjeve të BE
për të qetësuar Ballkanin Perëndimor dhe për të avancuar procesin e zgjerimit
të saj. Vetëm një mbështetje e Rusisë mund ta lejojë kryeministrin e një shteti
të vogël dhe të dobët si Serbia, që të shkelë çdo kufi të etikës diplomatike
dhe të tallet me BE në një veprimtari zyrtare ndërkombëtare, gjatë vizitës së
tij në Budapest në 12 tetor, duke deklaruar me ironi se nuk ishte i sigurtë
nëse Bashkimi Europian do të mbijetonte deri në kohën, kur Serbia do të ishte
gati për t'u anëtarësuar në të.
Kushti i ri i Komisionit Europian ndaj Serbisë është në të njëjtën kohë shumë
pozitiv, sepse ndihmon për të apdejtuar dhe kalibruar më mirë politikën dhe
diplomacinë kosovare. Ai jep një mesazh kthjellues për qeverinë, për
diplomacinë, për politikën dhe për opinionin kosovar. BE i thotë qartë disa
forcave dhe individëve të politikës në Prishtinë se Kosova nuk ndahet, se
kufijtë e saj nuk ndryshohen dhe se as nuk mund të mendohet një i ashtuquajtur
shkëmbim territoresh. Është një mesazh tepër i nevojshëm dhe shumë aktual, për
të sjellë në vete disa mendje politike në Kosovë, të cilat nuk dihet se për
çfarë arsyesh kanë nisur të bien në dashuri me planet serbe të ndarjes së Kosovës,
të ndryshimit të kufijve dhe të shkëmbimit të territoreve. Nuk është e qartë se
për çfarë arsye po qarkullojnë në Prishtinë ide për plane A e për planë B, të
cilat të befasojnë me koincidencën e promovimit të tyre në të njëjtën kohë me
promovimin, që i bëhet në Beograd ideve kundërshqiptare. Sepse nuk mund të mos
habisin ide të ashtuquajtura realiste, që bëjnë thirrje për shkëmbimin e Veriut
të Kosovës me Luginën e Preshevës apo për pranimin e strukturave paralele në
veriun e Kosovës, në një kohë kur BE dhe grupi drejtues ndërkombëtar për
Kosovën, dhe shtete të veçanta si SHBA, Gjermania, etj. Kanë këmbëngulur fort
dhe i kanë vënë kushtin Serbisë që t'i prishë sa më shpejt ato struktura dhe të
ndërpresë menjëherë financimin e tyre.
Nuk mund të mos ndjesh kënaqësi për hapat dhe qëndrimet e Komisionit Europian,
i cili mbron parimet e të drejtave të popujve dhe të marrëdhënieve demokratike
ndërkombëtare dhe shpesh herë është më i avancuar në mbrojtjen e interesave
shqiptare se disa mendje të errësuara në Prishtinë, që vuajnë nga mania e
ekzibicionizmit, për hatër të të cilit janë gati të kalërojnë ide
kundërshqiptare. Politika në Prishtinë do të bënte mirë të vlerësonte dhe të
nxirrte disa mësime nga ky hap progresiv i BE ndaj Kosovës, se sa të rrijë të kërkojë
gjilpërën në kashtë, nëse është shpejt apo ngadalë me studimin e fizibilitetit
për MSA. Nuk duhet harruar se për Kosovën sanksionimi i pavarësisë dhe i
integritetit territorial është më i rëndësishëm se sa studimi i fizibilitetit.
Kushti i ri i vendosur nga BE ndaj Serbisë ka një rëndësi të veçantë për
pozitën diplomatike ndërkombëtare të Kosovës, sepse vjen si kusht i BE dhe i 27
shteteve, që e përbëjnë atë. Dihet se pesë shtete të BE nuk e kanë njohur ende
Kosovën, por tani ato pesë shtete bashkohen me vendimin dhe qëndrimin e
përbashkët të BE lidhur me Kosovën, duke i kërkuar Serbisë që të respektojë
integritetin territorial të Kosovës. Unanimiteti i miratimit të këtij formulimi
përbën një element të ri dhe një zhvillim pozitiv, për të cilën duhen
përshëndetur si shtetet anëtare, që e kanë njohur Kosovën, ashtu dhe shtetet
anëtare, që nuk e kanë njohur atë. Diplomacia e Kosovës ka fituar një argument
të ri në betejat e saj të përditshme për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të
shtetit të vet.