E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
A DO TË BËHET SHQIPËRIA?
Nga RESHAT KRIPA

E Hënë, 11.12.2012, 04:36pm (GMT+1)



Një miku im në Kanada, drejtues i një medie elektronike u kërkoi para disa ditësh një grupi intelektualësh të shkruanin mendimet e tyre në lidhje me temën "A do të bëhet Shqipëria?" Një nga këta isha dhe unë. Isha në dilemë nëse duhej të shkruaja diçka apo jo. Nuk vendosja dot. Jo se nuk kisha material por mendoja se, ndoshta, shkrimi im do të ishte një zë në shkretëtirë. Përse e them këtë? Sepse mendoj se edhe herë të tjera që kam shkruar ato kanë rënë si i thonë fjalës "në vesh të shurdhër". Ndaj nuk vendosja dot t'i përgjigjesha kërkesës së mikut tim.

Para tre ditësh isha i ftuar në një ceremoni zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë ku, në shenjë respekti, u dhurohej familjarëve të disa personaliteteve të luftës kundër fashizmit dhe komunizmit, libri me Aktin e Pavarësisë botuar posaçërisht nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të kësaj feste të madhe. Nuk e di sepse, por krahas vlerësimit për këtë aktivitet, brenda vetes time ndieva edhe një boshllëk, një zbrazëtirë. Krahas rezervave kundrejt disa prej figurave të paraqitura, ndieva një mungesë të shumë figurave të tjera që mendoj se detyrimisht duhej të ishin prezent në atë ceremoni. Kur dëgjova disa emra që m'u dukën të papërshtatshëm për t'u nderuar, së bashku me disa zotërinj të tjerë u bëra gati për t'u larguar, por e mbajta veten. Qëndrova se doja të mësoja gjithshka do të zhvillohej aty.


Le të flasim më konkretisht. Në ceremoni u përkujtuan tridhjetë figura të njohura. Ndoqa me vëmendje prezantimin e tyre. Nga këto vetëm shtatë i përkisnin lëvizjes nacionaliste dhe pikërisht Abaz Kupi, Mit-hat Frashëri, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Safet Butka, Osman Kazazi dhe Imzot Dom Mikel Koliqi. Njëzetetre të tjerët ishin ose komunista të vendosur si Qemal Stafa, Asim Zeneli, Abaz Shehu ose pjesmarrës në lëvizjen komuniste por që, pas mbarimit të luftës e kuptuan se ku po i çonin dhe u ngritën kundër atyre me të cilët kishin luftuar së bashku, madje një pjesë prej tyre u eliminuan pa ngritur krye fare.

Përse ky diferencim? A mund të bëhet Shqipëria me diferencime ndërmjet rrymave të ndryshme? Tani, njëzetedy vjet pas përmbysjes së sistemit totalitar, e quaj të padrejtë këtë veprim. Këtë shkrim nuk e bëj për të majtët e vendit tonë pasi e di që ata nuk janë gjë tjetër veçse një hije e së kaluarës dhe e kanë brohoritur një kremtim të tillë. Shkrimi u dedikohet të djathtëve ose, më mirë, atyre që e quajnë veten të djathtë. Do të doja t'iu thoja që të ruhen dhe të mos bien pre e mentalitetit komunist.

A nuk është folur mjaft, gjatë dyzetegjashtë viteve të sundimit të tyre për "heronjtë komunistë"? A nuk mjaftojnë emërtimet e rrugëve dhe shesheve, shkollave dhe institucioneve të ndryshme, filmave dhe këngëve pa mbarim kushtuar atyre, madje deri edhe një stadiumi me emrin e ndonjërit? Mos vallë duhen hymnizuar ende edhe tani që komunizmi u përmbys? Kjo i ngjan thirrjes "Poshtë mbreti! Rroftë Mbreti!" që e shqipëruar do të thotë "Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!" Do të doja që një gjë e tillë të ishte një lapsus. Nuk do të doja të besoja që kjo ishte një shenjë e "Katovicës", siç më tha një miku im. Nuk do të doja të besoja por, padashur, në mendje më vijnë mendime të ndryshme.

Mendoj me veten time: Ku ishte në atë ceremoni heroi i Termopiles shqiptare, Hysni Lepenica, rënë në përpjekje me fashistët italianë së bashku me tridhjetepesë komandantë të tjerë çetash? Ku ishte diplomati dhe aleati i anglezëve, Skënder Muçua, vrarë nga nazistat gjermanë. Ku ishte Hysni Toska, luftëtari i Pavarësisë dhe Luftës Patriotike të Vlorës, rënë heroikisht në përpjekje me bandat komuniste? Ku ishte Aziz Çami, komandant i forcave të armatosura të Ballit Kombëtar, vrarë po nga komunistët? Ku ishte mësuesi dhe luftëtari kosovar Bajram Salihi, rënë në përpjekje me shovinistët serbë për një Shqipëri Etnike? Të gjitha këto figura madhore mungonin në atë ceremoni. Përse? Mos vallë pse ishin ballistë dhe nacionalistë dhe si të tillë duheshin lënë në heshtje? Një veprim i tillë nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Kush mundet le të më kundërshtojë.

Para fillimit të ceremonisë u shfaqen disa sekuenca filmike. Midis tyre edhe pamje të ekzekutimit të heronjve të kënetës së Maliqit. Prisja të shihja edhe figurat e Abdyl Sharrës dhe yllit të universitetit të Vjenës, Kujtim Beqirit në këtë ceremoni, por ato mungonin. Por nuk mungonte poeti komunist Sejfulla Malëshova, autor i vargjeve të mëposhtme: "Si ylli i karvanit, mbi shekuj rri Kremlini Dhe drita që lëshon, arrin gjer te Shkumbini!" Përse? Mos vallë pse Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri ishin ballistë? Edhe ky veprim nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Edhe një herë kush mundet le të më kundërshtojë. Lista e burrave të shquar të këtij kombi, të mbetur në harresë, është e madhe. Më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre: Xhelal Koprencka, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Hajredin Cakrani, Bedri Pejani, të gjithë firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. A nuk meritonin familjarët e tyre një kopje të këtij akti? Po të tjerë si Hasan Dosti, Patër Anton Harapi, Xhafer Deva, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Ago Agaj, Eqerem Bej Vlora, Myfit Bej Libohova, Abaz Ermenji, Isuf Luzi e të tjerë do të vazhdojnë të quhen ende kolaboracionist? Përse? Mos vallë pse ishin ballistë dhe nacionalistë? Përsëri ky veprim nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Përsëri kush mundet le të më kundërshtojë. Këto mendime bën që të ndieja një boshllëk kur dola nga ajo ceremoni. Ndjeva boshllëk se megjithse Organizata e Ballit Kombëtar dhe nacionalizmi në përgjithësi u vlerësuan me notat më të larta, heronjtë e tyre u lanë në heshtje. Do të doja të kishte një përfaqësim të barabartë ndërmjet dy krahëve të politikës shqiptare, madje po të viheshin në peshore atëherë ajo do të anonte nga nacionalizmi shqiptar, pasi ai ka qenë gjithmonë flamurtar i interesave kombëtare të këtij kombi. Në këtë 100 vjetor të Shpalljes së Pavarësisë ky do të ishte oguri më i mirë në rrugën e bashkimit kombëtar. M'u kujtua kërkesa e mikut tim nga Kanadaja dhe pyeta veten: A do të bëhet Shqipëria? Një pyetje që e bëjnë pothuajse të gjithë shqiptarët. Një pyetje që ende nuk po gjen përgjigje dhe kjo për shkak të amullisë që ka mbuluar vendin. Ç'kuptojmë me këtë pyetje. Një Shqipëri ku qytetarët mos ta quajnë armik njeri-tjetrin, ku partitë politike të shkëputen nga mentaliteti komunist dhe të bëhen si motrat e tyre në Europën demokratike, Mendoj se për të bërë Shqipërinë duhet të çlirohemi nga pasionet partiake. Duhet t'i bashkohemi thirrjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i bëri thirrje Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit, t'i bashkohemi deklaratës së përbashkët të gjashtë vendeve të Europës Lindore, Lituanisë, Letonisë, Hungarisë, Çekisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, drejtuar Komisares Europiane per te Drejtat e Njeriut në BE dhe ku kërkohet ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të kryera nga regjimet komuniste. Duke patur parasysh gjëndjen aktuale mendoj se një gjë e tillë është shumë e vështirë. Mendoj se kjo mund të arrihet vetëm pas 50 vjetësh, atëherë kur në Shqipëri nuk do të ekzistojë më brezi ynë dhe ndoshta edhe ai i fëmijve tanë. Por a do të bëhet Shqipëria? "Shqipëria do të bëhet, Po vallë, do ta gëzoj unë?" Thotë kënga popullore. Kjo do të arrihet vetëm atëherë kur shqiptarët të mos e bëjnë më njeriun baltë si sot por baltën ta bëjnë njeri, ashtu siç veprojnë edhe shtetet e qytetëruara të botës.
-
Autori është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës


RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LETËR E HAPUR MINISTRIT MYQEREM TAFAJ - PSE PO DËNOHEM, ZOTËRI MINISTËR?Nga Prof. As. INA KOSTURI (11.12.2012)
SHQIPTARIA NË 100 VJETORIN E MADH!Nga AJET NURO, Tribuna Shqiptare (11.11.2012)
REFLEKSIONE PARA QENDRËS SË VOTIMITNga SAMI REPISHTI (11.11.2012)
Kuvendi i Shqipërisë nuk e mbajti as një minutë heshtje për Lirak BejkonDEPUTETËT E KUVENDIT TË SHQIPËRISË JANË LILIPUTË PËRPARA LIRAK BEJKOSNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.09.2012)
Barometri diplomatikPRANIMI I MODELIT TË â€œDY GJERMANIVE”, KOSOVËN NUK E SHPIE NË NJU-JORK, POR NË BEOGRAD!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (11.06.2012)
TURQIA: VEND I RREZIKSHËM PËR GAZETARËTNga FRANK SHKRELI (11.06.2012)
VIJA E KUQE BULLGARE PARA PORTËS SË SHKUPITNga SHABAN MURATI (11.05.2012)
(ANTI)LUFTA SHQIPTARENga XHEMAL AHMETI (11.05.2012)
ROLI I AMERIKËS NË BOTËNga FRANK SHKRELI (11.02.2012)
GREVA E URISË, MEDIA DHE TË PËRNDJEKURIT POLITIKËNga RESHAT KRIPA (10.31.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]