100-vjetori i pavarësisë kombëtare është një ditë krenarie, dhe si e me të
drejtë duhet të jetë një festë për të gjithë, për arritjet e shqiptarëve sot,
për luftërat kundër të huajve, në mbrojtje të të drejtave kombëtare. Duhet të
jetë një kujtim edhe i luftës kundër diktaturave të mbrendshme dhe të jashtme,
por mbi të gjitha, në këtë ditë të bardhë, duhet të kujtohen edhe ata që me
jetën dhe veprat e tyre pasuruan historinë e kombit shqiptar, të cilët me
vuajtjet, sakrificat dhe jetën e tyre bënë të mundur këtë festim. Një ndër këta
është edhe Ilia Dilo Sheperi. Është për t'u përshëndetur fakti se këtë vit,
këtij burri nga një familje e nderuar dhe patriotike, por edhe shumë e vuajtur
dhe e persekutuar nga diktatura komuniste, iu dha titulli i lartë "˜'Nderi i
Kombit''. Ilia Dilo ishte njëri nga dishepujtë e Shqiptarizmës, një lavërues i
dalluar i gjuhës shqipe, puntor i zellshëm I arsimit shqip, por fatkeqsisht i
panjohur për brezin e sotëm të shqiptarëve, pasi vepra e tij lihet pas dore dhe
injorohet nga media dhe institucionet e tjera të shoqërisë. Ilia Dilo ishte një
shembull bartës i vlerave të vërteta demokratike dhe të atdhetarizmit dhe qe
cilësuar nga dijetarë të ndryshëm si "˜'Babai i gjuhësisë Shqiptare.'' Pasi
ishte i njohur për patriotizmin e tij, Ilia Dilo ishte caktuar të bënte pjesë
në delegacionin së bashku me At Gjergj Fishtën për të mborjtur të drejtat e
shqiptarëve në kryeqytetet e Evropës, por fatkeqsisht për arsye shëndetsore,
thuhet se nuk kishte mundur të shoqëronte Fishtën në atë udhëtim. Ai luftoi
fashizmin e nacizmin, por edhe komunizmin, ideologjitë më ç'njerzore që ka
njohur historia.
Si i tillë, Ilia Dilo dhe patriotë të tjerë si ai, nuk duhet të harrohen, por
të kujtohen me nderim, ashtuqë të mos tradhtohet gjaku dhe vuajtjet e tyre,
pasi këta si individë dhe si familje, kanë konribuar për të drejtën ,
mirëqenjën dhe për të mbarën e gjithë kombit.
Familja e tij pësoi shumë nga akuzat me të pavënd dhe më të pabesueshme që mund
të trillonte vetëm propaganda e kuqe komuniste.
"˜'Edhe po të më vrisni, edhe po të më therni, në fytin tim do lexoni alfabetin
shqip'', ishte përgjigjëja e Ilia Dilo Sheperit ndaj kërcënimeve të
shovinistëve greke, pasi ishte "˜'mallkuar'' nga Patrikana e Stambollit për
veprimtarinë e tij patriotike. Me këtë burr, i cili i shërbeu Atdheut me
besnikëri dhe dinjitet, duhet të jetë krenare jo vetëm familja e tij e gjërë,
dhe Zagoria nga rrjedhë ai, por në këtë 100-vjetor, me kujtimin e tij të
mburret edhe e gjithë Shqipëria dhe i mbarë kombi shqiptar.
28 Nëntori këtë vit është një rast historik për të kujtuar dhe festuar
pavarësinë kombëtare nga Perandoria osmane. Por është gjtihashtu edhe një
moment në histori për të kujtuar para-ardhësit e shumtë që, secili në mënyrën e
vet -- kanë kontribuar për realizimin dhe kurorëzimin e kësaj dite me fuqinë e
tyre të shpirtit, me kurajon dhe guximin e tyre të pa-përkulshëm si edhe me
angazhimin dhe besimin e patundur në vizionin e tyre për një Shqipëri të lirë,
të pavarur e demokratike. Është gjithashtu edhe një ditë për t'u zotuar për një
të ardhme më të mirë, për një komb më dinamik dhe më të bashkuar, plotë
shpresë, dashamirësi, dhe integritet kombëtar.
Gjatë këtij viti, janë mbajtur dhe po mbahen fjalime të ndryshme me rastin e
28-nentorit që shënon edhe 100-vjetorin historik të Pavarësisë. Por nuk besoj
se asnjë deri tani as nuk i afrohet frymës atdhetare dhe patriotizmit të
shprehur në fjalimin që mendoj mbetet ndër fjalimet klasike, që Ilia Dilo
Sheperi mbajti më 28 Nëntor 1920 në Gjirokastër, në një kohë kur kërcënimet ndaj
Shqipërisë ishin të shumëta.
Në kujtim të këtij rilindasi të madh, sjellim fjalimin e plotë të mbajtur në
Gjirokastër, më 28 Nëntor, 1920 nga Ilia Dilo Sheperi:
Ilia Dilo
"˜'Shqipëria dIvine, Dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shënjtat
ditë të historisë së saj kombëtare: Ditën e Rilindjes së pagëzimit në jetën e
re të Lirisë! Ditën e venies mbi krye të kurorës së Independencës!
Pas pesëqind vjet jetë t'ashpërt të robërisë dhe në një kohë tragjike, kur
arushet e Ballkanit u vërsulën t'a shuajnë pa mëshirë gjallërinë e kombit
shqiptar, në orizontin e Shqipërisë ndriti Ylli i Mengjezit, mbi Kathedralin e
Vlorës shkrepëtiti Diell'i i Lirisë! U ngreh Flamuri madhështor i Skënderbeut
dhe Perëndia e Lirisë së Kombeve dekretoi shpëtimin e Shqipërisë!
Ajo e drejtë e shënjtë q'u ka falur natyra kombeve të botës ju njojt edhe
kombit t'onë që ruan karakterin dhe traditat e Ilirëve, u dha edhe popullit
tonë heroik që ka vaditur me gjak gjithë Sinisinë ballkanike dhe, së fundi, për
t'u shpëtuar dyndjeve të valeve të barbarëve, gjatë shekujve, ka qenë
shtrënguar të lerë Alltarin e Atdheut të vet dhe të kapërcejë male e dete dhe
të përhapet nepër gremina të huaja. Në këtë vend legjendar, që është shkretuar
dëndur nga kataklizmat e luftrave të parreshtura dhe mbi gërmadhat e 70
qyteteve të bukura bërë pajë e zjarrit të legjioneve romane, vajtojnë zogjtë
sot e kësaj dite!
Të tëra këto ngjarje, të gjitha këto tradita e kanë vleftën e kujtimit të
naltë, të heroizmës shqiptare. Dëshmojnë therorësitë e pashembullta të fisit
arbnor. Pasqyrojnë jetën morale të shtërgjyshërve dhe udhëheqin shpirtin e
energjisë e të therorisë së brezit t'onë të ri.
Ja! Kjo është dita simbolike në të cilin kombi shqiptar hyn në radhët ee
popujve të lirë dhe zë vendin që i përket historisë së tij.
Traditat e mbetura nga Pellasgët e Mitollogjisë, trimëri e trashëguar nga
stërgjyshërit t'anë, përmënden sot në kronollogjinë e qytetërimit.
Himni i Indipendencës t'onë këndohet nepër oborret e kombeve të rinjë e të
lirë. Te Deum-i i paradisit të fesë s'onë meshohet sot nëpër Kishërat e botës
ideale! Na përshëndesin, na përgëzojnë, na urojnë kombet e lirë! Na kanë zili e
na falen popujt që përpiqen të harrijnë një ditë të bardhë!
Ideali që kanë ëndërruar stërgjyshërit, ay ideal i shënjtë që kanë profetizuar
heronjtë, protagonistët e luftrave të lirisë s'onë, u realizua sot. Qëllimi i
naltë për të cilin kanë luftuar ata burrërisht nepër malet e ashpërt dhe kanë
derdhur gjakun e vlefshëm të tyre: u harrit, u krye!
Intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendshme që u lojtën një kohë mbi kurizin e
Atdheut nuk e lanë popullin shqiptar të jetonte i lumtur në këto tetë vjetët e
para të jetës së re. Krijuan një situatë të rëndë dhe rrezikuan njëment
tërësinë dhe Independencën e Atdheut.
Gjatë këtyre kohërave të vështira duallën në shesh apostoj të rremë duke
predikuar ungjillin magjik të një bese fatale. Një maqavelizmë që synonte t'i
mësonte popullit shiqptar disiplinën e skllavërisë dhe të ç'këputte nga trup'i
Atdheut vendin më të shëjntë: VLORËN bujare që e ka falur natyra për të qenë
vend i pelegrinazhit të Shqiptarëvet.
Forca ideale, energjia virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar i
kapërcyen, gjithë rreziqet që kërcënonin Atdheun.
Dita e 28 Nëndorit 1920 ësht e para që kremton sot plot enthusiazmë Shqipëria
redente, sbukuruar nga Stili gjer në Shkodër me trendafile dafine!
Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh t'Atdheut. Faluni!
Përunjuni përpara këtij Senotafi të shënjtë! Adhuroni shpirtrat e Deshmorëvet!
Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!
Gëzohuni o Shqiptarë t'arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt'e bukur
që fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male!
Buçitni ju, lumnejë dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju o Dëshmorët e shënjtë
t'Atdheut! Kurajo, durim dhe shpresë, Ti o Shqipëria iredente!''
-----------------------------------------------------------
Është ky një fjalim që u mbajtë në një periudhë të vështirë për shtetin e ri
shqiptar, por që edhe sot u jep jetë dhe shpresë zemërave; është një fjalim që
përcakton karakterin burrëror të Ilia Dilos por edhe të rilindasve të tjerë
bashk-kohorë të tijë; është një fjalim që frymëzon dhe u jep kurajo të lodhurve
dhe nderon heronjtë e të gjitha kohërave.