VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KROACIA, SERBIA DHE ASIMETRIA E FAJITNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
KROACIA, SERBIA DHE ASIMETRIA E FAJIT
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 11.19.2012, 05:46pm (GMT+1)




Vendimi i Dhomës së Apelit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi në datën 16 nëntor për të liruar dy gjeneralë kroatë nga akuzat për krime lufte, risjell në qendër të debatit diplomatik, politik, juridik dhe etik në Ballkan, çështjen e interpretimit të raportit midis shtetit agresor dhe shtetit viktimë, midis popullit agresor dhe popullit viktimë. Gjeneralët Ante Gotovina dhe Mladen Markac, si dy drejtues kryesorë të operacionit të ushtrisë kroate për çlirimin e një pjese të territorit të pushtuar nga ushtria serbe, u shfajësuan nga akuzat e ngritura kundër tyre dhe u kthyen në atdhe, ku natyrshëm u pritën si heronj. Domethënia e madhe e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare është se lufta, që zhvilloi Kroacia me operacionin "Storm" në verën e vitit 1995, për të çliruar trojet e veta nga forcat pushtuese serbe, ishte e drejtë.

Në një farë kuptimi, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish- Jugosllavi, ICTY, mori një vendim historik, jo thjesht dhe vetëm për dy gjeneralët, jo thjesht dhe vetëm për Kroacinë, por edhe për rivendosjen e drejtësisë në Ballkan. Sepse nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë dhe as proces real pajtimi e ripajtimi, nëqoftëse se nuk emërtohen veprat me emrin e vet dhe nëse nuk marrin penalitetin e domosdoshëm ndërkombëtar shteti dhe forcat agresore. Ndaj dhe vendimi i ICTY u brohorit me aq ngazëllim në Kroaci dhe u përshëndet në shtetet e tjera të Ballkanit, ku popujt kanë vuajtur nga agresionet serbe në vitet '90. Ndaj vendimi i gjykatës u mbështet nga shtetet dhe qeveritë demokratike në Europë dhe në botë, si një vendim që shkon në shërbim të së vërtetës juridike dhe historike. Ndaj dhe zëdhënësja e departamentit të shtetit, Viktoria Nuland, në datën 16 nëntor u shpreh në emër të Qeverisë amerikane se "Ne mbështesim plotësisht ICTY dhe pranojmë vendimet e saj".

Ajo që ishte e pritshme, ishte reagimi superemotiv dhe madje histerik, i udhëheqjes shtetërore të Serbisë, ku edhe presidenti, edhe kryeministri, shpërthyen në një fushatë sulmesh kundër ICTY, se gjoja ka marrë vendim politik, se gjoja ka frymë antiserbe, se gjoja po pengon ripajtimin në Ballkan, etj. Ishte e pritshme, sepse edhe presidenti, edhe kryeministri i tanishëm i Serbisë janë njerëz të futur në politikë nga paradhoma e Sllobodan Millosheviçit, arkitektit të luftërave agresive të shtetit serb kundër Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës dhe Kosovës. Me këto qëndrime kundër ICTY, udhëheqësit e sotëm të Beogradit mbrojnë të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me padrinon e luftërave të përgjakshme të viteve '90 në ish-Jugosllavi. Një qëndrim refraktar si gjithmonë, mbajti qeveria e Rusisë, e cila nëpërmjet një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në 16 nëntor, kritikoi ICTY për politikë antiserbe dhe se nuk u bën të njëjtin trajtim palëve në konflikt në territorin e ish-Jugosllavisë.

Nëse do të ishte vetëm apologjia e së kaluarës së errët, kjo do të përbënte gjysmën e së keqes. E keqja më e madhe është se udhëheqësit e sotëm të Serbisë nuk janë shkëputur nga mentaliteti kriminal i së kaluarës së tyre. Madje presidenti nacionalist, Tomislav Nikoliç, edhe pasi u zgjodh president, ndërmori disa deklarata antikroate, duke shprehur pretendime territoriale ndaj Kroacisë, gjë që e ka shtyrë presidentin e Kroacisë të refuzojë çdo ftesë serbe për takim me presidentin Nikoliç.

Qëndrimi ndaj vendimit të tanishëm të ICTY ndan qartë forcat që janë për rivendosjen e drejtësisë dhe për pajtimin e vërtetë, me forcat që kërkojnë apologjinë dhe restaurimin e së shkuarës kriminale. Pamjet antitetike që po shihen në Kroaci dhe në Serbi, ndaj vendimit të tribunalit më të lartë të OKB-së, tregojnë se nuk kemi të bëjmë thjesht me interpretime të ndryshme të historisë së marrëdhënieve dypalëshe. Këtu kemi të bëjmë me mënyrën se si qeveritë konceptojnë ecurinë dhe perspektivën e marrëdhënieve aktuale mes shteteve në Ballkan. Asnjë shtrembërim faktesh nuk mund të fshehë të vërtetën e madhe historike se gjithë luftërat agresive në ish-Jugosllavi, si ato ndaj Kroacisë, ndaj Sllovenisë, ndaj Bosnjës dhe ndaj Kosovës, i organizoi dhe i zhvilloi ushtria dhe shteti i Serbisë. Ishte ushtria serbe ajo, që u bashkua me forcat separatiste serbe në Krajinë të Kroacisë, siç ishte po ashtu ushtria serbe, që u bashkua me forcat separatiste serbe në Bosnje. Luftërat në ish-Jugosllavi ndaluan falë ndërhyrjes së vendosur të SHBA dhe të NATO-s, të cilat ndaluan edhe ofensivën e spastrimit etnik serb në Kosovë në vitin 1999. Qeveritë në Beograd, edhe pas rënies së Sllobodan Millosheviçit, kanë mbajtur qëndrimin që në konfliktet në ish-Jugosllavi e kishin fajin të gjithë njësoj. Të gjitha qeveritë serbe, që nga viti 2000 e deri tani mbajnë të njëjtën vijë shtetërore se për luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi e kishin fajin të gjithë, madje e kishin më shumë ata popuj, që deshën të krijonin shtetet e tyre të pavarura. Kjo ka qenë një linjë për të fshehur të vërtetën e pamohueshme se shteti i Serbisë ishte shteti agresor kundër Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës dhe Kosovës.

Teoria e simetrisë së fajit u shpik si një kamerdare shpëtimi e politikës kriminale të Serbisë së kohës së Millosheviçit dhe ajo synohet të mbahet gjallë nga shteti dhe diplomacia serbe për të sfumuar përgjegjësinë historike të Serbisë për krimet kundër njerëzimit në Ballkan. Por duhet pranuar se në çarkun e kësaj teorie ranë edhe disa qarqe diplomatike e politike europiane, të cilët menduan se aplikimi i teorisë së fajit të të gjithëve do të lehtësonte procesin e paqëtimit dhe të pajtimit në rajon. Në të vërtetë, kjo ishte edhe pikënisja e gabuar e këtij procesi të nevojshëm të pajtimit në ish-Jugosllavi. Sepse në vend të simetrisë së fajit, përvoja historike europiane këshillon teorinë e asimetrisë së fajit. Nuk mund të vihen në një plan edhe shteti agresor, edhe viktimat e tij. Nuk mund të vihen në një plan edhe ushtarakët serbë, që ndërmorën spastrimet etnike dhe genocidin kundër popujve jo serbë, dhe ushtarakët e popujve të tjerë, që mbrojtën familjet, shtëpitë dhe trojet e tyre, që u bënë pre e politikës gjakatare të Millosheviçit. Unë e kam theksuar edhe në librin tim "Serbia kundër Serbisë", (Tiranë, 2005) se procesi i pajtimit në ish- Jugosllavi kërkonte një Nuremberg, ku të dënoheshin qartë shteti agresor dhe kriminelët e luftës, që drejtuan agresionet kundër popujve joserbë. Sepse, nëse do të ishte organizuar një Nuremberg për kriminelët, që drejtuan shtetin agresor të Serbisë, sot do të kishim një fazë më të avancuar të pajtimit në ish-Jugosllavi dhe nuk do të kishim një riardhje në pushtet të trashëgimtarëve dhe të ëndrrave ekspansioniste të Millosheviçit. Po të kishim pasur një Nuremberg, nuk do të kishim sot pretendimet e presidentit dhe të kryeministrit të Serbisë se përse po dënohen në Hagë gjeneralët serbë dhe nuk po dënohen gjeneralët kroatë. Kjo është njëlloj, sikur të dëgjonim në vitin 1945, se përse nuk po dënohen bashkë me gjeneralët nazistë, edhe gjeneralët rusë, që pushtuan Berlinin dhe që kapërcyen deri në eksese nivelin e hakmarrjes ndaj ushtrisë dhe popullit gjerman.

Serbia duhet të pranojë si shtet fajin për krimet e përgjakshme, që ka kryer ndaj popujve joserbë dhe të kërkojë falje për këtë. Kjo nuk është as ndjenjë antiserbe dhe as qëndrim antiserb. Sepse edhe dënimi i kriminelëve nazistë të luftës nuk ishte politikë antigjermane, por politikë kundër krimeve ndaj njerëzimit.

Asimetria e fajit është impostimi më i qartë i kuptimit dhe i mësimeve të konflikteve në ish-Jugosllavi. Kjo do të ndihmonte realisht procesin e europianizimit të Serbisë dhe duhet të ishte një nga kushtet për integrimin e saj në BE. Është hap i madh dhe historik, që këtë e vulosi Gjykata Ndërkombëtare. Por do të ishte vërtet një kontribut në paqëtimin e Ballkanit, që këtë ta kuptonin edhe qeveritë dhe diplomacitë e disa shteteve europiane.

Në fund të fundit, ajo që bënë gjeneralët kroatë, të cilët luftuan për çlirimin e një pjese të territorit kroat, të pushtuar nga forcat serbe dhe të shpallur republikë autonome, ishte një shërbim i madh dhe një model historik. Modeli kroat ishte shërbim i madh edhe për diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, e cila edhe sot do të shpenzonte energji dhe kohë për t'u marrë me Krajinën, siç po merret me Serpska republikën dhe Mitrovicën e Veriut.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ILIA DILO SHEPERI - NJE FJALIM HISTORIK PËR 28 NËNTORINNga FRANK SHKRELI (11.19.2012)
FUNDNËNTORI 2012, TIRANA E DAFINAVE DHE E GJEMBAVENga SKËNDER BUÒªPAPAJ (11.18.2012)
LAVDI MALËSI E MADHE - O NDERI I KOMBITNga FRANK SHKRELI (11.15.2012)
LIBRI I FLAMUR ANAMALIT, ZË ALARMUES PËR GJENDJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE NË GJUHËN SHQIPE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI (11.15.2012)
GORDON JEHONË APELIT TË ZONJËS KLINTON PËR BERISHËN E RAMËN Washingtoni mesazhe politikës. Në interes të kombit shqiptar votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kushtNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.14.2012)
KOMPLIKIMI I LOJËRAVE ENERGJITIKE NË BALLKANNga SHABAN MURATI (11.13.2012)
TË MOS TURBULLOHET POLITIKA AMERIKANE NDAJ KOMBIT SHQIPTARNga FRANK SHKRELI (11.13.2012)
A DO TË BËHET SHQIPËRIA?Nga RESHAT KRIPA (11.12.2012)
LETËR E HAPUR MINISTRIT MYQEREM TAFAJ - PSE PO DËNOHEM, ZOTËRI MINISTËR?Nga Prof. As. INA KOSTURI (11.12.2012)
SHQIPTARIA NË 100 VJETORIN E MADH!Nga AJET NURO, Tribuna Shqiptare (11.11.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]