VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POLITIKA E VETËPËRJASHTIMITNga XHEMAL AHMETI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
POLITIKA E VETËPËRJASHTIMIT
Nga XHEMAL AHMETI

E Hënë, 11.19.2012, 05:57pm (GMT+1)






Një indian plak që jo vetëm se thithë por edhe hanë duhan. Kërcen nga drunjtë, nga shpellat, del papritmas nga uji ose nga ndonjë gërmadhë bërlloku dhe u hidhet në fyt njerëzve që kalojnë rastësisht atypari.
Kur i fut armiqtë e tij në duar i masakron ngadalë me skalpel. Kështu përshkruan Karl May Winnteou-në në tregimin e parë të tij, në vitin 1875. Ky imazh është pasojë e asaj politikës eurocentrike që poshtëronte format e huaja kulturore me qëllimin për të justifikuar moralisht ekspansionet e kolombëve dhe vespuçëve. Edhe pse Karl May në romanet e tij me Old Shatterhand do ta estetizojë Winnetou në deri në atë masë saqë aq lehtë dashurohet çdo femër oksidentale në të, shumicën e veprave të tij dhe të tjerëve atëherë e më vonë i përshkon kjo perspektivë poshtëruese narrative. Kjo metodë nënçmimi e «tjetrit» edhe sot është pjesë e pandashme e biografisë mentale evropiane, oksidentale e qe do shekuj mund të pranojmë se metoda suksesshëm meriton statusin universal.

I. TEORITË

Vitin e kaluar dolën dy studime kapitale rreth këtij problemi: Shkencëtari nga Universiteti i Hagenit Thomas Bedorf botoi librin «Tjerët» dhe sociologeja Sina Farzin e Institutit për Sociologji në Bremen nxori hulumtimin «Retorika e ekskluzionit». Përderisa i pari përshkruan historinë filozofike të konceptimit dhe perceptimit të «tjetrit» (generalized other), Sina Farzin konkretizon problemin e «tjetrit» (other minds) jo si problem ndër kultura, por si fenomen brenda shoqërive demokratike të perëndimit. Ajo analizon retorikat politike për të sjellë konstatimin se pse një praktikë e tillë ekskluzioniste jo vetëm që bllokon jetësimin pozitiv e demokracive pluraliste, por edhe i rrezikon ato,  duke ua kriminalizuar institucionet kyçe. Si përkthehet teoria e këtyre dy autorëve në kushtet shqiptare. Sidomos tre segmente bazike që përbëjnë analizën e tyre janë të rëndësisë së veçantë: legjitimiteti i politikave (partive), kultura retorike dhe teknika e inkluzionit dhe ekskluzionit.

II. MATEMATIKË DEMOKRATIKE

Në fakt po përsërisim diçka që duhet ta dijë çdo qytetar: çdo politikan, pavarësisht pozitës së tij të mëvonshme institucioneve të shtetit i ka disa mijë vota të elektoratit, pra një pjese fare simbolike të masës (jo popullit e as shoqërisë).  Domethënë baza e mandatit është reprezentimi i disa mijë qytetarëve. Shikuar nga ky kalkulim i thjeshtë politikani që nuk ka të besuara poste legale nga institucionet demokratike (përfshi këtu edhe kryetarët e partive) saherë që flet «në emër të popullit» bën demagogji. Troç: manipulon dhe shpif kur thotë «populli vuan dhe donë këtë apo atë...». Ai nuk e ka mandatin për t'u bërë zëdhënës i «popullit» sepse është përfaqësues i elektoratit ose partisë që ka deleguar atë. Kur kemi parasysh sistemin se si funksionojnë partitë kosovare, respektivisht shqiptare (kryesisht nga lartë poshtë e jo anasjelltas) cilën nga partitë dhe politikanët mund ta çlirojmë nga akuza se bën demagogji të hapur?

Vetëm ajo qeveri që merr pëlqimin kualitativ rreth një dosje të caktuar në parlament (pra jo në saj të kamuflimeve numerike) mund të flasë në emër të shumicës, asaj shumice që jo apriori donë të thotë popull, domethënë as këtu (edhe pse e tolerueshme), ajo, qeveria, nuk ka mandatin të flas në emër të popullit, sepse sa herë që flet në këtë mënyrë ajo bën ekskluzion duke shpallur jopopull  (bën përjashtimin automatik) gjithë ata që nuk janë dakord me qëndrimet e pushtetit. Kemi të bëjmë në thelb po me të njëjtën demagogji si ajo e një politikani të thjeshtë.

Tani sërish pyetja; a mund ta çlirojmë qeverinë kosovare nga akuza e të qenurit demagogjike?

III. «KULTURA»  RETORIKE

Parlamenti kosovar jorrallë i përngjanë një fabrike deliktesh penale për shpifje. Natyrisht se çdo parlament në botë është arenë ballafaqimesh ideologjish, politikash e vizionesh të ndryshme. Nuk e kemi fjalën për këtë, por për retorikat e ulëta që janë bërë komunikim standard ndërmjet faktorëve të caktuar politikë.

Shprehjet si «hajdutë», «kriminelë», «halabak», «rrugaç» përdorën më shumë se sa përshëndetjet e zakonshme ndërnjerëzore. Edhe pse shpesh këto «rrëshqitje verbale» janë materie konkrete për gjyqësorin tolerohen detyrueshëm, sepse shumica e reprezentantëve po të njëjtin nivel komunikimi kultivojnë. Në stilin «ti mu unë ty». Kemi të bëjmë me një retorikë degraduese që është shqetësuese sa i përket infektimit të masave: ai që adhuron politikanin  e vetë përpiqet ta imitojë atë në përditshmëri, në shkollë, në kafene, në shtëpi e gjetiu, kur flet për ata «të mendimit tjetër». Përgjegjësia publike e personave që gjenden në optikën e mediave është e qartë. Nuk mund të besojmë se një subjekt (natyror, juridik a politik) që shërbehet me një çedukim të tillë të elektoratit të vetë mund të kërkoj mandatin e «patriotit» apo mozomakeq edhe të ndonjë institutit moral në shoqëri. Nuk po duken të jenë aq trudërmuar liderët në fjalë, mirëpo megjithatë kështu veprojnë. Kontradiktë që e bën edhe absurdin camus-ian që t'i bie të fikët.

Tjetra: Së paku një politikan duhet ta dijë se akuzat e pamaterializuara juridikisht konsiderohen si shpifje edhe atëherë kur ekzistojnë indikacione se një institucion apo politikan nuk e ka pardesynë e pastër. Kalkuluar kështu ftohtë dhe me gjuhën e argumentit,  në kërkim të një kulture korrekte politike shohim se kundërshtarët e acaruar politikë sigurisht se janë të vetëdijshëm se retorikat e tyre nuk kanë asnjë efekt konkret për shoqërinë. Del sheshit se nuk janë vërtet aq të interesuar të luftojnë devijimet e pushtetit, politikave dhe partive, por gjithë kjo shkon në konto të asaj politikës ekskluzioniste me synimin e përfitimit (kupto manipulimit) të pjesës sa më të madhe të tortës elektorale.

IV. EKSKLUZIONI SI TEKNIKË VEPRIMI POLITIK

Shqetësimi pra, që duhet të trondiste më shumë shoqërinë civile kosovare vjen nga ekskluzioni jo si metaforë retorike manipulimi, siç përshkruam më lartë, por më shumë si stil veprimi politik. Si sistem që si finalitet suksesi ka djallëzimin me çdo kusht të tjetrit, atij që është, që mendon dhe vepron ndryshe.

Po i mblodhëm përshkrimet fragmentare të partive, në media dhe nëpër fjalimet e tyre të veçanta fitojmë këto tablo, këto pamje për kundërshtarët e tyre politikë.

PDK sipas VV-së dhe LDK-së. Nëpërmjet një personalizimi shpesh grotesk paraqitet figura e Kryeministrit të Kosovës. Imazhi i tij në psikogramet që ia bëjnë kundërshtarët politikë del si bos i një mafie që ka kapur jo vetëm nëntokën, por edhe politikën dhe gjitha institucionet e porsalindura demokratike kosovare. Në shumë aspekte figura e Al Capone-s del miniaturë qesharake ndaj ish gjarprit me seli në Kukës. Ai qenka «tradhtar» i interesave kosovare sepse ulet pa kushte me ish vrasësit masiv dhe historik të kosovarëve. Ndërsa partia e tij qenka një organizatë profiterësh banditeskë, një grumbull «asasinësh», të cilët duke përdorur edhe mëtutje konspiracionet neoenveriste, staliniste operojnë nëpërmjet frikës, shantazhit, vrasjeve dhe plaçkitjes së ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi.

LDK sipas VV-së dhe PDK-së.  Partia e Isa Mustafës përbëhet nga ish titistë të përbetuar dhe me biografi fanatike projugosllave që me veprimtarinë e tyre paskan sabotuar gjithandej ku kanë mundur luftën e kosovarëve për shpëtim nga kthetrat jugosllave e më vonë serbe. Vetë kryetari i LDK-së paska qenë figura kyçe e zhvatjes së diasporës nëpërmjet 3 përqindëshit, të holla që i kanë keqpërdorur një rreth i ngushtë i kësaj partie. LDK manipuloka duke përvetësuar pa të drejtë heronjtë e luftës së Kosovës, të cilët kanë qenë jashtë UÇK-së, mirëpo as edhe lidhje me «rugovistët» nuk paskan pasur. Në këtë perceptim Isa Mustafa nuk ia kalon figurës së megakapones vetëm sepse nuk gjendet në pushtetin qendror. Kur thellohemi mirëpo në vijat kapitale të akuzave përballemi me një tip politikani të njëjte si ai i shefit të PDK-së.
LDK nuk paska kapital historik kombëtar për të vendosur për fatin konstruktiv të Kosovës. Dhe po u erdhi atyre sërish në dorë do të ringjallin «jaranitë» e vjetra me kolegët e tyre në Beograd.

VV sipas LDK-së dhe PDK-së. Turmë rrugaçësh stalinistë që tentuakan me çdo kusht të sabotojnë proceset e shtetëjetesimit të Kosovës. VV qëllimisht kërkoka bashkimin kombëtar pikërisht në ato momente kur garantuesit e pavarësisë së Kosovës janë duke bërë çmos për ta integruar atë në forumet relevante supranacionale. Veprime, të cilat konkretisht qenkan në interes të drejtë të politikës serbe, e cila ditë e natë shurdhon botën me preventivën që duhet marrë patjetër për ta penguar atë «Shqipërinë që e realizoi dikur Hitleri me kolaboracionistët shqiptarë», pra atë të famshmen «Shqipëri etnike». Kjo organizatë, lëvizje dhe parti përnjëherësh vepruaka si shumica e organizatave radikale, semilegale që për ideal ka përmbysjen me dhunë të rendit ekzistues pa zgjedhur mjetet dhe pa i interesuar shumë se cilat do të ishin pasojat për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Akuza që nuk dallojnë nga ato që i kemi dëgjuar për brigadat e kuqe dhe grupe tjera të dhunshme lartë poshtë Evropës.

Faciti: Këto janë akuzat në vija të përgjithshme. Kështu  përshkruajnë partitë njëra tjetrën raporteve për observatorë, mediave dhe nëpër kancelaritë e institucioneve ndërkombëtare. Ky vetëpërshkrim i faktorëve më relevantë të politikës kosovare na thotë se kemi të bëjmë me një shoqëri që udhëhiqet jo nga parti në kuptimin klasik të fjalës, por nga mafiozë, organizata paramilitare dhe demagogë që ecin edhe mbi kufoma për të mbajtur veten në pozitat që kanë ose për t'ia zënë vendin tjetrit. Kjo formë retorike vlen edhe për partitë që nuk i nderuam këtu duke i marrë si shembull.

V. VEPRIMTARITË ILEGJITIME TË PARTIVE

Sa qëndrojnë këto akuza? Irelevante! Partitë nuk janë gjykata e as nuk kanë mandatin e institutit moral, madje as të elektoratit të vetë, sepse nuk janë as religjione e as fabrika për prodhimin e patriotizmit, por akterë potencial për të marrë pushtetin politik. Ato nuk kanë mandatin për të vepruar si agjenci antikorrupsioni, as si OJQ e as si mediat publike për të mbrojtur të drejtat e «popullit», por për të përfaqësuar elektoratin e vetë në kuadër të atyre institucioneve ku kanë lejuar të votohen.

Jo vetëm partitë, por edhe individët pa funksione shoqërore kanë të drejtë të padisin institucioneve të shtetit ligjor nëse disponojnë me indikacione se dikush shkel ligjin. Nëse gjyqësori vërtet është i kapur nga strukturat e pushtetit atëherë ekzistojnë adresa tjera si Strasburgu dhe shumë institucione tjera ndërkombëtare ku pushtetarët kosovarë nuk kanë gjasa të përdorin influencën në vendimmarrje.

Kështu na del atëherë, pra nuk na mbetet shpjegim tjetër përveçse dëshpërueshëm të konstatojmë se partitë kosovare qëllimisht kanë zgjedhur politikën e ekskluzionit si metodë. E kur zgjedh një parti politike ekskluzionin si formë të veprimit politik (domethënë gjithë janë mafiozë dhe tradhtarë vetëm ne jemi të zgjedhurit e Zotit)? Atëherë kur një partie të tillë nuk i intereson kompromisi i shumicës për të mirën e shoqërisë, por kamuflimi i shumicës për kapjen e demokracisë për interesa të ngushta.

Ekskluzioni nuk ka nevojë për kulturë retorike të argumenteve, respektin për kundërshtarin dhe as për programe konstruktive qeveritare e partiake për shoqërinë, mjafton që atë Winnetou-në e Karl May-t ta përshkruash dhe akuzosh sa më zi që mundesh,  pështysh dhe përjashtosh nga çdo e drejtë morale deri në momentin kur numri i ithtarëve të jetë rritur aq sa për ta marrë pushtetin ose për ta ruajtur atë.

VI. DEMAGOGËT

Shohim krejt zi apo duhet të bindemi se partitë më të mëdha nuk kanë as kulturën elementare retorike ndaj njëri tjetrit? Kemi gabuar llogarinë apo vërtet shumica e partive u marrkan me punë për të cilat askush nuk ua ka dhënë mandatin? Për një gjë jemi të sigurt, e dimë se as zi nuk jemi duke parë e as llogarinë nuk e kemi gabuar: demagogët, të cilët në mungesë të vizioneve flasin në emër të popullit, i kemi më tepër se sa që na lejohet!


XHEMAL AHMETI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KROACIA, SERBIA DHE ASIMETRIA E FAJITNga SHABAN MURATI (11.19.2012)
ILIA DILO SHEPERI - NJE FJALIM HISTORIK PËR 28 NËNTORINNga FRANK SHKRELI (11.19.2012)
FUNDNËNTORI 2012, TIRANA E DAFINAVE DHE E GJEMBAVENga SKËNDER BUÒªPAPAJ (11.18.2012)
LAVDI MALËSI E MADHE - O NDERI I KOMBITNga FRANK SHKRELI (11.15.2012)
LIBRI I FLAMUR ANAMALIT, ZË ALARMUES PËR GJENDJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE NË GJUHËN SHQIPE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI (11.15.2012)
GORDON JEHONË APELIT TË ZONJËS KLINTON PËR BERISHËN E RAMËN Washingtoni mesazhe politikës. Në interes të kombit shqiptar votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kushtNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.14.2012)
KOMPLIKIMI I LOJËRAVE ENERGJITIKE NË BALLKANNga SHABAN MURATI (11.13.2012)
TË MOS TURBULLOHET POLITIKA AMERIKANE NDAJ KOMBIT SHQIPTARNga FRANK SHKRELI (11.13.2012)
A DO TË BËHET SHQIPËRIA?Nga RESHAT KRIPA (11.12.2012)
LETËR E HAPUR MINISTRIT MYQEREM TAFAJ - PSE PO DËNOHEM, ZOTËRI MINISTËR?Nga Prof. As. INA KOSTURI (11.12.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]