Në këto ditë festive të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare
dëgjojmë edhe disa zëra korbash të zinj që, për ta errësuar këtë ditë të
shënuar të kombit shqiptar, nxjerrin në plan të parë një datë tjetër, një datë
të turpshme për t'u përmendur, atë të 29 nëntorit, njëlloj si në vitet e errëta
të sundimit të diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën
e disa individëve të indoktrinuar nga propaganda jashtë kohe e atyre që i
shërbyen me servilizëm diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të
denjoja të bëja një shkrim apo t'u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim
janë ata individë apo, më mirë, personalitete të politikës dhe jetës shoqërore
në vendin tonë që ende i bëjnë elozhe kësaj date. Por të mos zgjatemi me llafe dhe le të shtrohemi në
rrugën e argumentave.
Çfarë është 29 nëntori? Për idhujt e kësaj date është çlirimi i Shqipërisë. Por
a është e vërtetë kjo? Personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave
të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ
i kombit tënd. A ndodhi kjo pas këaj date? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga
një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste
më kujtohet një kënga popullore që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së
bashku me disa luftëtar të tjerë të lirisë dhe demokracisë:
Shqipëri e vogël, plot një milion,
Buzë Adriatikut edhe detit Jon,
Seç hoqi e ç'vuan mjaft nga të huajt,
Por dhe vetja jonë!
Po, ne nuk vuanim nga të huajt se ata, me të vërtetë, ishin shporur nga vendi
ynë por në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte disa herë atij
të pushtuesit. E pra ishin këta shqiptarë të atij shteti që na rrëmbyen mua dhe
qindra fëmijë të tjerë, të moshës 14-16, vjeç për të na përplasur në qelitë e
errëta të ish sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e tmerrshme të punës së
detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të jetuarit. Ju mund të thoni
se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju e keni harruar atë kohë, apo
bëni sikur e keni harruar, kur thërrisnit "kriminelët në litar" për ne, vetëm e
vetëm pse luftonim "Për Liri, Për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!"
Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në
shkollën komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një "supermen" dhe çdo
ballist apo zogist si Sali Protopapa i filmit tuaj "I teti në bronx", apo
ballistët e filmit tjetër "Kur zbardhte një ditë". Por, fatmirësisht, hyra në
burg. Them fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij
kombi. Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t'i vijnë më
këtij vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në
zë të botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon
Shllaku, Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh
e Kudret Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të
tjerë. Këta burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita
e zisë për kombin shqiptar.
Po, ajo nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Është e
tillë pasi personifikon mbi 6.000 martirët e rënë në luftën për demokraci.
Simbolizon mbi 17.000 të dënuarit politik nga regjimi i urryer. Simbolizon mbi
22.000 familjet e internuara nëpër kampet e tmerrshme, ku një pjesë e tyre
gjetën edhe vdekjen. Nje datë e tillë nuk mund të jetë data e çlirimit të
Shqipërisë. Ajo është data e një robërimi të ri të saj dhe, për fat të keq,
kësaj radhe, nga vetë shqiptarët.
Çfarë solli ky "çlirim"? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar.
Ekzekutime burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja
ishte shpëtimi prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të
regjimit, gjë që bëri që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër
që, po të kishin mundësi, t'i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli
"çlirimi" i 29 nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë
të nderuar lexues.
Para disa ditësh dëgjuam një lider të një partie që thoshte se duheshin vlerësuar
meritat e diktatorit Hoxha. Dua ta pyes zotninë:
A ka ndonjë meritë diktatori Hoxha?
Nuk e di se për çfarë merite flet zotnia në fjalë, por unë diktatorit i njoh
vetëm vrasjet prapa shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend
këtu Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa
Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të
vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do
të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim
Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil
Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te
Kadri Hazbiun dhe të tjerë me të cilët kishte qenë "shok armësh".
Kjo është vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë
nga e gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në
pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto janë
merita që duhet t'i vishen diktatorit? Një gazetë e këtyre ditëve shkruante se
një gjë e tillë ishte thënë për të fituar votat e spektrit të majtë. Unë do ta
quaja një gjë të tillë flirtim me djallin. Në rast se një veprim do të gjykohej
me "moralin e lartë" të një lideri, atëherë edhe unë do ta pranoja një
"lajthitje" timen një veprim të tillë.
Përse ndodhën fenomene të tilla pikërisht në këto ditë historike të kombit
tonë? Mendoj se shkaku kryesor ëshër shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të
popullit shqiptar në këtë përvjetor të madhërishëm, ndjenjë që kishte munguar
për vite të tëra. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës
komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve
të tyre të përmbysura nga mbarë populli shqiptar. Këtë e vërtetoi qysh
njëzetetre vjet më parë përmbysja e përmendores së diktatorit dhe nuk mund ta
ngjallë më askush sado të mundohet. Kjo është edhe një kërkesë e Organizatës së
Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet
e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se
duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.
Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një datë të shënuar të historisë
së tij. Kjo datë është 28 nëntori 1912. Ajo është data e pavarësisë, është data
e çlirimit kombëtar, është data që do të bashkojë kombin shqiptar në një të
vetëm.