Pushteti perverton çdo njeri. Ai është diabolik thotë Cioran. Nuk ka pushtet të
mirë apo të keq, konstaton Björn Kraus, por vetëm instruktiv dhe destruktiv. Si
janë pushtetet shqiptare?
Se pushteti dhe perversiteti janë binjakë mësuam kësaj here "live" nga episodi
i radhës i «Big Brother-it» me qeverinë kosovare. Më tepër se nga shumëçka
tjetër njerëzit u irrituan nga perversiteti që protagonistët e politikës ia
bënë idealit të tyre për shtet.
Kjo demontazhë e mitit të shtetit ndoshta nuk do të kishte shkaktuar kaq valë
zhgënjimi sikur të tjerët përbrenda shoqërisë iluminueshëm të kishin sqaruar
opinionin se me ç"˜pushteti do kenë punë: Psikologët asnjëherë deri tash nuk
janë marrë me psikogramet e figurave kyçe në pushtet, nuk kanë vizatuar
dinamikën grupore e klanore të tyre; Sociologët dhe politologët u japin
tëharrësve kosë plastike për të prerë nga faqedheu hithrat që me të madhe i
prodhojnë strukturat e pushtetit (s'ka Power Structure Reserach), ata kurrë nuk
na ofruan një analizë se si funksionojnë ato, se çfarë ndikimi ekonomik,
politik e social kanë për shoqërinë; Pedagogët as gjëma e topave të ndryshkur
rusë nuk i nxisin që të analizojnë se ç'edukatë mbjellin veprimet e të të
ashtuquajturave elita politike.
Listën mund ta vazhdonim me gati çdo segment profesional e qytetar që thirret
t'i shërbejë profesionit e detyrës së caktuar. Nuk ekziston pra një anatomi
konkrete për atë se çka janë dhe si funksionojnë pushtetet shqiptare. E «dimë»
vetëm se ato funksionojnë keq. Nuk na intereson pse-ja e kësaj pune?
FILOZOFIA DHE PUSHTETI
Që në polemikën e Platonit me sofistët e kuptojmë një problem themelor teorik:
filozofi antik papushtetshmërinë e pushtetarëve e sheh tek domosdoja e tyre për
të vepruar jo ashtu siç duan, racionalisht, por ashtu siç ju duket se do të
ishte më mirë. Për kë si do të ishte më mirë? Definim fund e krye antagonik
sapo hapim historinë dhe detyrohemi t'i bindemi konstatimit të Augustin-it nga
Hippo se baza e çdo pushteti është kontrollimi i joracionalitetit të masave.
Augustin-i religjioz edhe pse keqpërdor tezën aristoteliane të «sundimit të të
lirëve mbi të lirët» për të monopolizuar të drejtën e sundimit në adresë të
Zotit (vetëm ky i fundit është i lirë dhe rezulton liri) të tij e prognozon një
realitet që nuk iu hoq asnjëherë prej qafe humanitetit.
Historia ndërkohë ka modifikuar tezën e Platonit në: Pushtetarët janë të
papushtetshëm në të mirë! Mbërritëm tek realisti i të gjitha kohëve, i cili si
duket do të jetë ideologu kryesor edhe i shumë pushteteve të sotshme: Makiaveli
u thotë sundimtarëve që të mos çajnë kokën për autoritet e legjitimitet, sepse
pushteti është diçka praktike, ashtu siç ligjëron edhe Thomas Hobbes tek
«Leviathan»-i tij, operim efektiv që realizohet me koncentrimin e gjithë
pushtetit tek shteti si individ abstrakt.
«Veprimin praktik» këta dy e shohin tek monopoli i çdo force (dhune) nga ana e
pushtetit, jo për diçka të keqe thotë Hobbes, por për të siguruar ekzistencën e
homo lupus-it nga vetekzekutimi. Teori fisnike mirëpo po aq antagonike sa ajo e
Platonit: nëse njerëzit nga natyra janë joracionalë, ujq që mezi presin
kanibalshëm ta zhbëjnë njëri tjetrin, çka janë ata që marrin pushtetin? Ufo?
HOMO HOMINI LUPUS
Veç në shekullin 19 diskurset filozofike bien nga qielli, përtokëzohen e bëhen
më të kuptimta sa i përket dëshirës se si duhet konceptuar (synuar) pushteti.
Johann Gottlieb Fichte (më konkretisht se Kant-i) kushtëzon legjitimitetin e
pushtetit me varësinë e tij nga drejtësia, respektivisht sheh shtetin si
produkt të një kushtetute republikane. Në vend të dhunës së monopolizuar vjen
mekanizmi i kontratës politike ndërmjet shtetit dhe faktorëve kryesorë të
shoqërisë civile (ideja e lindjes së sindikatave etj.).
Filozofia ia lanë borxhin shoqërisë dhe i jep një ideal në trastë. Max Weber
asnjë shekull nuk ia lejon ëndrrën banorit të «Leviathan»-it hobbsian: «Pushtet
do të thotë të shfrytëzosh shansin e imponimit të vullnetit tënd përbrenda
rrjetit shoqëror, përkundër çdo rezistence dhe pa marrë parasysh se në çka
bazohet a shans». Kjo i bie sikur ta kishim nxjerr Makiavielin pas katër
shekujve viteve prej varri. Rikthimi është djegës por teorikisht real.
As teza e bukur e Hanna Arendt-it që thotë «pushteti është bashkëveprimi i
njerëzve të lirë në hapësirën politike në favor të shoqërisë» (Pushteti dhe
dhuna) nuk na shpëton nga përvoja e pushtetit në praktikë. Edhe pse pushteti
rishfaqet në të gjitha format e mundshme (është postpanopthik siç thotë Zygmund
Bauman) një vijë të kuqe e mban përherë si flamur; perversitetin!
PERVERSITETI I SUNDIMIT
Nga teoritë lart pamë se filozofia i ka kushtuar shumë pak vëmendje natyrës
njerëzore si bërësja dhe bartësja e pushtetit. Më tepër ajo është përpjekur ta
studiojë atë individin abstrakt shtetin. Meganihilisti i postmodernes,
filozofi frankorumun Cioran në një bisedë me filozofin spanjoll Fernando
Savater (1977) reflekton për esencën e çështjes: «Besoj se pushteti është e
keqja vetë, shumë i keq [...]. Kam njohur njerëz që u bënë me pushtet. Ishte
diçka e tmerrshme [...] pyes veten si ka mundësi që një njeri normal akcepton
pushtetin. Padyshim sepse pushteti është kënaqësi, është ves. Prandaj nuk ka
diktator që vullnetarisht tërhiqet nga pushteti [...] pushteti është diabolik.
Djalli ishte thjesht një engjëll që donte pushtet. Fiksimi për pushtet është mallkimi
më i madh i njerëzimit». Cioran flet këtu për njeriun konkret. Me gjithë këtë
njohje dhe reflektim të thellë Cioran nuk mund t'i kërkojë species me tru që
t'i jepet anarkisë. Një hierarki, një rend është i paevitueshëm. Dhe në krye të
kësaj hierarkie do të qëndrojnë gjithmonë njerëzit.
E ata njerëzit historikisht kanë qenë pervers në ushtrimin e pushtetit. Nuk ka
nevojë të mbajmë ligjërata mbi atë vrasjet, incestet, vëllavrasjet dhe orgjitë
tjera antike për të skicuar karakterin e pushteteve antike. Nuk kemi nevojë të
përshkruajmë mijëra librat që janë shkruar për diktatorë nga mesjeta e deri te
Hitleri, i cili mbante të kafazuar mbesën e vetë për ta keqshfrytëzuar si
objekt seksual. Paranojën e Stalinit e mban gjallë Putini. Orgjitë dhe haremet
e Berluskonit na bëjnë të qeshim me zor.
PYETJE SHQIPTARE
Perversioni i politikës shqiptare manifestohet më shumë në pyetjet që kanë të
bëjnë me njeriun, me personalitetet e jo me pushtetin si ansambël abstrakt: si
ka mundësi që njerëz që thonë se deri dje kanë vepruar si komandantë të një
lufte për të shpëtuar masën nga gjenocidi të korruptohen rëndë e rrastë sapo të
ngjiten pushtetit duke eutanazuar dita ditës sa më shumë po atë masë? Si është
e mundshme që njerëzit të cilët çapkanohen ta kenë bërë shtetin e përdhunojnë
atë në çdo hap të veprimit të tyre? Para së gjithash: Pse lejojnë shoqëritë
shqiptare një trajtim të tillë? Si
duhet të sillen ata kur pushtetet ia nxjerrin fundin me perversitetin e tyre,
si ta mbrojnë veten?
VETËKONTROLLI NË PARADEMOKRACI
Pikërisht se nuk ekziston garancia për karakterin e përkryer, pra perversioni
do të vazhdojë dhe atë jo vetëm si telefonata që ndajnë joligjërisht vende pune
pushteti në pasmodernë që tipizohet jo në të mirë e të keq, por vetëm në
instruktiv e destruktiv (Björn Kraus), mund të mbahet brenda kufijve të
normales vetëm nëpërmjet atyre kontratave politike të Fichte-s, atyre
marrëveshje që bëhen ndërmjet kastave politike dhe sovranit (shoqëria civile,
sindikatat, OJQ-të etj.) për të siguruar balancat e domosdoshme në shoqëri.
Ndoshta ideja e hedhur qëmoti se demokracitë e brishta duhet si vetëkontroll
t'i delegojnë shoqërisë më shumë pjesëmarrje në politikë nëpërmjet
referendumeve e iniciativave qytetare (demokracia direkte) do të ishte shpëtimi
i vetëm i ruajtjes së shtetit nga pervertimi i tij.
Veçanërisht në këto kushte parademokracie kosovare pushteti del i paaftë për të
operuar me strukturat e tij pa rënë ndesh vazhdimisht me ligjet dhe
kushtetutën. Vetëm zgjedhjet elektorale nën buçimën e euforisë, turbopatriotizmit
dhe dasmave publike po shohim se jo vetëm që nuk e përparon, por edhe e përmbys
shtetin e me këtë edhe shoqërinë sa më thellë në kriza.