Një heshtje e habitshme e diplomacisë dhe e qeverisë shqiptare po shoqëron disa
zhvillime negative në disa shtete të Ballkanit, ku qeveri dhe personalitete të
larta zyrtare atakojnë publikisht apo prekin interesa të drejtpërdrejta të
shtetit të Shqipërisë. Gjatë muajit dhjetor autoritetet e Beogradit u bënë të
njohur ambasadave të shteteve të mëdha dhe të të gjithë vendeve anëtare të BE
të ashtuquajturën platformë politike të bisedimeve të qeverisë së Serbisë me
Kosovën, e cila pritet të diskutohet në parlamentin serb në 11 janar. Sipas një
logjike profesionale, Tirana duhet të ketë marrë informacion që në atë kohë.
Pas një qarkullimi disaditor dhe fragmentar në disa organe serbe, platforma u
botua e plotë në gazetën serbe "Danas" në 21 dhjetor dhe Tirana nuk
mundet më të justifikohet me mungesën e informacionit. Përveç aspekteve të
zakonshme të dinakërive diplomatike dhe juridike serbe për zhbërjen e shtetit
të pavarur të Kosovës, për të cilat i takon qeverisë së Prishtinës t'i
përgjigjet, (ndonëse sipas Kushtetutës dhe përgjegjësisë kombëtare i takojnë
edhe asaj të Tiranës), platforma e Serbisë përmban një propozim zyrtar, i cili
i adresohet drejtpërdrejt qeverisë së Shqipërisë. Në nenin "E" të
propozimeve të paraqitura në platformë formulohet tekstualisht se "Garant
i sigurisë dhe i statusit të demilitarizuar të Krahinës Autonome të Kosovës e
Metohisë mund të jenë forcat e armatosura të BE-së (EUROCORPS), Ushtria e
Serbisë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Kemi një propozim të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, hartues kryesor
i platformës, i cili pohon se e ka punuar atë gjatë shumë viteve, drejtuar
direkt qeverisë së Shqipërisë, që forcat e saj të armatosura të bëhen garante
të sigurisë në të ashtuquajturën "krahinë autonome të Kosovës", së
bashku me forcat e armatosura të Serbisë. Para se të hyjmë në atë se çfarë
nënkupton ky propozim, duhet të vëmë në dukje se "abc"-ja e
diplomacisë dhe e politikës së jashtme kërkon që një propozimi të tillë të
rëndësishëm zyrtar duhet t'i jepet një përgjigje zyrtare nga pala, të cilës i
drejtohet propozimi. Forma nuk ka rëndësi dhe vetëm profanët mund të mbrohen
pas justifikimit se propozimi serb nuk ka ardhur ende në Tiranë në kanale
diplomatike. Beogradi e lëshoi ballonin e vet të provës në drejtim të
Shqipërisë dhe ai po fluturon në qiellin diplomatik të Tiranës. Jo rastësisht
Serbia e "konsultoi" me ambasadat kryesore në Beograd, e qarkulloi në
qarqet diplomatike në Beograd e në Bruksel dhe e botoi edhe në shtyp, me qëllim
që të bënte testin. Serbisë i duhej të regjistronte se si do të reagojnë
qendrat e rëndësishme të diplomacisë perëndimore si Brukseli e Uashingtoni, por
edhe si do të reagojnë dy shtetet më të interesuara për objektin e platformës,
Kosova dhe Shqipëria. Uashingtoni, Brukseli dhe Prishtina, në forma të
ndryshme, menjëherë e hodhën poshtë platformën serbe.
Diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë po hesht në një mënyrë të papërligjshme dhe
me një mungesë të tejtheksuar përgjegjshmërie shtetërore dhe kombëtare.
Propozimi i Serbisë don të thotë që Shqipëria duhet të heqë dorë nga njohja dhe
mbrojtja e Kosovës si shtet i pavarur, duhet të pranojë statusin e ri të saj si
"krahinë autonome e Serbisë" dhe për më tepër, duhet të dërgojë
forcat e saj të armatosura, që bashkë me forcat serbe të garantojnë varësinë e
Kosovës nga Serbia dhe rendin e qetësinë serbe në këtë të ashtuquajtur krahinë.
Me një fjalë, ka një propozim zyrtar serb për të krijuar një forcë policore të
përbashkët të Serbisë dhe të Shqipërisë, për të bërë xhandarin e Serbisë në
Kosovë.
Pyetja e parë që lind vetiu është se përse Serbia i drejton një propozim të
tillë të çuditshëm Tiranës dhe çfarë sigurie apo informacioni ka ajo se qeveria
e Tiranës mund të tregohet e gatshme të lëshojë Kosovën dhe të mbështesë
Serbinë në këtë strategji. Çfarë sigurie ka Beogradi që mendon se qeveria e
Tiranës mund të jetë e gatshme të dërgojë forcat e saj ushtarake, që krah për
krah me forcat ushtarake dhe xhandarmërinë serbe të patrullojnë territorin dhe
popullin shqiptar të Kosovës. Është një pyetje që lind natyrshëm po të kemi
parasysh se u bë disa herë që Serbia po i ofron Tiranës propozime
"gjeneroze" në dëm të pavarësisë së Kosovës dhe "në dobi"
të qeverisë së Shqipërisë. I tillë ishte edhe propozimi i presidentit të
mëparshëm serb, Boris Tadiç, drejtuar Tiranës qershorin e vitit të kaluar për
të prishur dhe ndarë Kosovën përgjysmë mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe Beogradi
ofronte lejimin e krijimit të "Shqipërisë së Madhe".
"Pse"-të janë të shumta. Një përgjigje mund të gjendet te shpella e
errët, e pazbuluar, e marrëdhënieve të nëndheshme mes politikës serbe dhe asaj
shqiptare, hulumtimi i së cilës natyrisht shkon përtej kufijve të një shkrimi
dhe detyrës së analistit.
Serbia mund të jetë inkurajuar nga shumë veprime dhe qëndrime të qeverisë së
Tiranës, e cila pas vitit 2005 ka krijuar për biznesin dhe për penetrimin serb
në Shqipëri klimën më të favorshme të heqjes së dyerve, më shumë se Ahmet Zogu
dhe Enver Hoxha në kulmin e tyre të miqësisë me Serbinë. Serbia mund të jetë
inkurajuar nga fakti që diplomacia dhe qeveria shqiptare kanë ndjekur në
politikën e tyre të jashtme kursin idiot se "çfarëdo të bëjë dhe sido që
të sillet Serbia ndaj Kosovës, marrëdhëniet dypalëshe serbo-shqiptare nuk
preken nga kjo gjë". Serbia mund të jetë inkurajuar nga fakti se Tirana
nuk ngre asnjëherë çështjen e reparacioneve, që Serbia duhet t'i paguajë
Kosovës për shkatërrimet dhe masakrat në vitet 1998-1999. Nuk ngre asnjëherë
Tirana çështjen e reparacioneve, që duhet t'i paguajë Serbia Shqipërisë për
minat dhe predhat serbe të hedhura në territorin e Shqipërisë gjatë luftës në
Kosovë dhe nga të cilat janë shkaktuar qindra viktima të pafajshme në malësitë
e Shqipërisë së Veriut, nga është edhe vetë kryeministri i Shqipërisë. Serbia
mund të jetë inkurajuar edhe nga fakti se Shqipëria praktikisht ka përkrahur në
Këshillin e Europës rezolutën famëkeqe të Dik Martit dhe madje në mënyrë
skandaloze ka votuar pro saj, në një kohë kur katër deputetë turq votuan
kundër. Lista e mëkateve është tepër e gjatë dhe do të meritonte një libër.
Mungesa e reagimit të diplomacisë dhe të qeverisë së Shqipërisë ndaj
propozimeve apo provokimeve zyrtare të Serbisë nuk mund të mos shihet me dyshim
në Kosovë, kur shohin se vëllai i madh, që u bie tumpanave dhe çiftelive
patriotike nga mëngjesi deri në darkë për gjithë shqiptarët në një shtet, nuk
shprehet as me gjysmë fjale e as me gjysmë zëri për veprime, plane, propozime
dhe qëndrime të politikës dhe të diplomacisë serbe, të cilat godasin interesat
jetike të kombit shqiptar dhe interesat shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë.
Heshtja e Tiranës nuk mund të mos shkaktojë dyshime edhe në NATO, ku kreditet
atlantike të Tiranës janë në nivelet minimale, sepse Brukseli e sheh se
Beogradi me platformën po kërkon dëbimin e forcave të NATO-s nga Kosova dhe për
çudi, në vend të tyre, i bën ftesë një shteti anëtar, nga më të dobëtit e
aleancës, të dërgojë forcat e armatosura atje.
Pika e mbingopjes ka kaluar prej kohësh dhe qytetarët kanë të drejtën
demokratike të kryqëzojnë përgjegjësit e një situate të papranueshme, kur kemi
kapur nivelin e mjerueshëm të shtetit me aksionet më të ulëta ndërkombëtare në
Ballkan. Sepse në atë kuotë arrihet, nëse nuk reagon ndaj Serbisë, që të
nëpërkëmb, ose nuk reagon kur ish-presidenti i Greqisë,K. Stefanopullos, del
dhe deklaron në 22 tetor 2012 se "Korça është tokë greke", nëse nuk
reagon kur një parti parlamentare në Greqi në 1 janar 2013 deklaron se
"nacionalistët grekë do të vendosin rendin në tokën e lashtë greke të
Ilirisë". Nëse një diplomaci dhe një qeveri nuk reagon ndaj cenimit të
interesave, të sovranitetit dhe të dinjitetit të shtetit dhe të kombit, ajo i
krijon shtetit gjendjen ku, siç thotë një filozof i vjetër, "nuk është
vështirë të bëhesh krimb, mjafton të mos ankohesh kur të shkelin". Kjo ka
të bëjë me njerëzit, por kjo ka të bëjë edhe me shtetet. Nga filozofia dhe
mentaliteti i nënshtrimit nuk të shëron as anëtarësimi në NATO e as anëtarësimi
në BE, sepse ka të bëjë me genin e atyre, që drejtojnë shtetin dhe kombin.
Mungesa e reagimit kur të prekin interesat jetike të shtetit dhe të kombit
është shenjë e qartë e atrofizimit të diplomacisë dhe të qeverisë.