Sipas një njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti
Demokratik Kombëtar i Amerikës botoi një raport mbi një studim të ri që
vlerëson gjëndjen politike në Shqipëri, të ndërmarrë nga këjo organizatë
tetorin që kaloi, bazuar në mendimet e pjesëmarrësve të dhjetë grupeve në katër
qytete: në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
Siç dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë
jo-qeveritare që ç'prej themelimit të tij më 1983 përkrahë institucionet si
edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e proceseve demokratike anë e mbanë
botës, duke krijuar dhe duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile.
Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh anë e mbanë
botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan, qëllimi i
këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera, është për të
identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve, udhëheqësve
politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23 Qershor të
këtij viti.
Në njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit
shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i
tyre është në rrugë të gabuar. Në mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin
papunësinë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët
kryesorë që kanë një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e
jetës së tyre. Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media, Instituti Amerikan
thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t'i ofruar Shqipërisë
statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian, shikohet nga disa
prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi dhe si një tregues,
për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.
Vihet në dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë,
e kanë të qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Ata
duan një të ardhme për vendin e tyre ku ligjet respektohen, ku rregullat
zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të funksionojë për të gjithë, pa dallim. Ata u
shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë më i lartë
dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet se cilat
vlera -- merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe shpirtërore
-- të nderohen dhe të kultivohen. Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi
politik, pjesëmarrësit shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se
sistemi politik nuk është i interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.
Pjesëmarrësit e grupeve të këtij raporti janë kritik sidomos ndaj asaj që ata
thonë se është distanca që ekziston midis tyre si qytetarë dhe politikanëve të
vendit dhe shprehen se do të dëshironin që politikanët të tregojnë një
mirëkuptim më të madh ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët.
Pjesëmarrësit në këtë studim shprehen se politikanët shqiptarë nuk kanë treguar
asnjë interesim për problemet e përditëshme të qytetarëve. Ata u bëjnë thirrje
politikanëve që të tregohen më mirënjohës ndaj shqetësimeve të tyre dhe
kërkojnë prej tyre më shumë llogari për premtimet e dhëna dhe për vendimet e
marra.
Në raport ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të
grupeve, është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve. Sipas
Institutit Demokratik Amerikan, pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete
të ndryshme të Shqipërisë, kishte një përvojë personale me korrupsionin, pasi
ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një shërbim, ishin
detyruar t'i jepnin ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të
tjerë të administratës publike. Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu për
raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre -- duke pranuar se kanë
dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë -- kanë kontribuar në përjetësimin
e korrupsionit në vend.
Ndër përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e
konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe
ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan
se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke
përmendur përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin
e rrymës elektrike. Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim, thuhet në raport,
fajësojnë ''ata në fuqi'' për gjëndjen e keqe ekonomike, një çështje këjo që
sipas tyre, ''është shqetësimi më i madh në jetën e tyre të përditshme''.
Muajin që kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën
Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe
me Presidentin Nishani, me ç'rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet
nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe
ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madlajnë Ollbrajt. Përveç zonjës Ollbrajt,
ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë
ish-zyrtarë të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë
gjithnjë lidhje dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të
Presidentit Obama.
Robert Benjamin i Institutit Demokratik Amerikan në takim me Presidentin
Nishani në Presidencë