VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË PROJEKT I STËRMADH LUNDRIMI GJEOPOLITIK NË BALLKANNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË PROJEKT I STËRMADH LUNDRIMI GJEOPOLITIK NË BALLKAN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 02.04.2013, 05:52pm (GMT+1)




Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, në bisedimet e zhvilluara në Shkup në 28 janar me kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski paraqiti propozimin që Maqedonia të bashkohet me projektin stërmadh të Serbisë për ndërtimin e një rruge ujore Beograd-Selanik. Ky projekt, i cili për Ballkanin mund të klasifikohet në gjininë e fantashkencës, synon ndërtimin e një kanali të madh ujor në një gjatësi rreth 700 kilometra, që të lidhë lumenjtë Danub dhe Moravë në Serbi, me lumin Vardar në Maqedoni dhe lumin Aksios në Greqi, për të bërë të mundur lundrimin e anijeve nga kryeqyteti serb deri në portin e madh grek të Selanikut. Njoftimi se ky propozim apo kjo iniciativë e Qeverisë serbe iu parashtrua zyrtarisht Qeverisë maqedonase dëshmon se Serbia ka nisur hapat e para në rrugën e përpjekjeve për zbatimin e një megaprojekti, i cili mund të jetë ambicia më e madhe infrastrukturore që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë në Ballkan. Një ditë më parë, ministri serb i Burimeve Natyrore, i Minierave dhe Planifikimit hapësinor, Milan Baçeviç, nënshkroi në Pekin me kompaninë shtetërore kineze "Gezhouba Group Corporation" një memorandum mirëkuptimi, për të hartuar projektin për një studim vizibiliteti për ndërtimin e një korridori ujor të lundrueshëm nga Beogradi në Selanik.

Qeveria e re e Serbisë, pa mbushur gjashtë muaj të ardhjes në pushtet, po shfaq një nxitim për të nisur zbatimin e këtij projekti të stërmadh dhe ajo ndërmori hapin e parë zyrtar të kërkesës për mbështetje dhe të lejes së njërës nga qeveritë e dy shteteve të tjera, përmes të cilave parashikohet të kalojë ky kanal i lundrueshëm lumor. Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, e mbështeti iniciativën e Serbisë, duke deklaruar se projekti mund të kontribuojë gjerësisht për zhvillimin e ekonomisë. Burime të qeverisë serbe bëjnë të ditur se edhe Presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliç, e ka ngritur çështjen e projektit të kanalit të lundrueshëm lumor Beograd-Selanik me presidentët e Maqedonisë dhe të Greqisë, gjatë takimeve të zhvilluara me ta, por është hera e parë që kryeministri serb e paraqet zyrtarisht gjatë bisedimeve me një qeveri partnere si kjo e Maqedonisë.

Projekti futurist i ndërtimit të një korridori ujor të lundrueshëm Beograd-Selanik është një ëndërr e vjetër 100- vjeçare strategjike dhe gjeopolitike e Serbisë. Ajo që bën përshtypje është fakti se edhe ish-Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë, që ishte dikur shteti më i fuqishëm ekonomikisht dhe më me peshë politike e diplomatike ndërkombëtare në Ballkan dhe nëpërmjet këtij roli siguronte financime kolosale nga Lindja dhe nga Perëndimi, nuk tentoi të ndërmerrte hapa praktikë për vënien në jetë. Nuk tentoi as diktatori Sllobodan Millosheviç, me gjithë ëndrrat e tij të sëmura nacionaliste dhe voluntarizmin ekstrem. Nuk tentuan as qeveritë e periudhës postmillosheviçiane, që nga kryeministri Vojislav Koshtunica e deri tek presidenti Boris Tadiç.

Ethja e papritur fantastiko-shkencore, që kaploi qeverinë e re të kryeministrit Ivica Daçiç dhe të presidentit Tomislav Nikoliç, nuk buron nga fakti se rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare të Serbisë janë tani më të favorshmet se kurrë gjatë 100 vjetëve për realizimin e kësaj ëndrre. Nuk vjen as nga justifikimi se udhëheqësit e tanishëm i kuptojnë më mirë perspektivat e infrastrukturës lundrimore se sa gjitha qeveritë e mëparshme serbe. Nuk vjen as nga ndonjë zbulim i befasishëm i ndonjë thesari të fshehur të qeverisë serbe, që mund të shkaktonte nxitjen e pasurisë së madhe për projekte të stërmëdha. Nuk buron as nga ndonjë mundësi që qeveria e re e Serbisë të ketë gjetur burime dhe fonde kolosale financimi në shtetet e mëdha apo në institucionet financiare ndërkombëtare, për realizimin e këtij projekti fantastiko-shkencor, i cili me vlerësimet më optimiste të vetë qeverisë aktuale serbe do të kushtojë 17 miliardë euro. Po t'i vendosësh gjithë këto në kuadrin e krizës së rëndë financiare, që po kalon bota dhe rajoni, dhe ku nga tre shtetet e korridorit lumor, Serbia dhe Maqedonia janë ndër ekonomitë më të varfra të Ballkanit, ndërsa Greqia me një ekonomi dhe financa në reanimacionin e spitalit të eurozonës, mjafton të zgjosh nga gjumi edhe optimistët e sëmurë.

Edhe pa argumentet që rreshtuam më sipër, projekti i ndërtimit të një rruge ujore të lundrueshme Beograd-Selanik tingëllon si fantashkencë për njëmijë e një arsye objektive. Të ndërtosh një korridor ujor të lundrueshëm 700 kilometra të gjatë, nëpër lumenj si Morava, e cila në gjithë gjatësinë e saj prej 245 kilometra ka vetëm tre kilometra të lundrueshme apo nëpër lumin Vardar, i cili si në pjesën që kalon në Maqedoni, ashtu edhe në pjesën që kalon në Greqi, nuk ka asnjë kilometër të lundrueshëm, do të thotë që të ndërmarrësh një aventurë, e cila nga vetë ekspertët serbë vlerësohet si mision i pamundur. Serbia, jo vetëm nuk ka para dhe burime financimi, por as mundet të përballojë kosto të megaprojekteve infrastrukturore, të cilat edhe Bashkimin Europian do ta bënin të mendohej dy herë. Serbia është një shtet i vogël dhe i varfër, me një ekonomi të dobët, ku borxhi i jashtëm është 24 miliardë euro dhe borxhi publik 12 miliardë euro, ku papunësia është 24 për qind dhe ku kriza financiare ka shfaqur efektet e saj në shumë drejtime. Ja çfarë thotë ekonomisti i njohur serb, Aleksandar Stevanoviç: "Nuk ka asnjë shans që ndonjëri të fillojë të ndërtojë një kanal, kostoja e të cilit është baraz me prodhimin e përgjithshëm kombëtar vjetor të Serbisë". Ish- zëvendëskryeministri i ngarkuar me integrimin europian, Bozhidar Deliç, duke hedhur poshtë projektin qeveritar të kanalit, në emër të Partisë Demokratike deklaroi në parlament se "Ekonomia është në rënie, kështu që projekte të tilla jorealiste duhet të ndalohen menjëherë".
Përse qeveria e re e Serbisë, pa mbushur gjashtë muaj nga ardhja në pushtet dhe kur ka njëmijë e një halle për të zgjidhur, vendosi të nxjerrë nga sirtarët këtë projekt të vjetër ambicioz gjeopolitik? Kjo lidhet me programin, me politikën dhe me strategjinë ekspansioniste rajonale të kryeministrit nacionalist Ivica Daçiç dhe të presidentit nacionalist Tomislav Nikoliç, dyshja që aspiron t'i japë Serbisë jo vetëm përmasat e "Serbisë së Madhe", por edhe një rol të ri të fuqishëm zotërues në krejt gadishullin e Ballkanit. Kryeministri dhe presidenti i Serbisë e shohin projektin e një korridori ujor Beograd-Selanik si një objektiv strategjik dhe ata janë të obsesionuar nga realizimi i një ëndrre gjeopolitike rajonale të Serbisë. Ministri serb, Milan Baçeviç, i ngarkuar nga qeveria me dosjen e rrugës ujore Veri-Jug, deklaron se "ky është projekti më i madh strategjik i Serbisë".
Ëndrra e vjetër serbe si fuqia kryesore sunduese në Ballkan ka qenë dhe mbetet dalja në detet e ngrohta. Avantazhin që Serbia kishte fituar me krijimin e Federatës Jugosllave për daljen në detin Adriatik, e fshiu vetë Serbia me ambicien e pafrenuar të sundimit absolut nëpërmjet dhunës mbi popujt joserbë, gjë që çoi në shkatërrimin e federatës dhe në kthimin e Serbisë në origjinën e vet si shtet pa det. Duke rihapur projektin e korridorit të lundrueshëm ujor Beograd-Selanik, Serbia kërkon të shndërrohet në shtetin kontrollues të korridorit kryesor të transportit ujor mes përmes Ballkanit dhe të fitojë daljen në detin Egje.

Kjo ëndërr gjeopolitike e udhëheqjes nacionaliste serbe bazohet në planin e krijimit të korridorit strategjik Veri-Jug në Ballkan, mbi konceptin e një aksi fetar. Gjatë vizitës së tij në muajin nëntor të vitit të kaluar në Greqi, presidenti serb Nikoliç iu drejtua medias greke: "Imagjinoni se si do të ishte forca e Ballkanit, kur të rreshtoheshin tri shtete, Serbia, Maqedonia, Greqia, nga Veriu në Jug" . Këtë sens gjeografik të këtij aksi e rihapi kryeministri Daçiç në Shkup, kur deklaroi se Maqedonisë nuk i vjen asnjë kërcënim nga Veriu për ekzistencën dhe identitetin e saj dhe Serbia është gati ta ndihmojë politikisht, nëse do t'i vijë nga shtetet e tjera. Nuk është nevoja të jesh diplomat për të kuptuar se kryeministri serb bënte aludimin e tij provokues në adresë të Shqipërisë dhe të Bullgarisë.

Me gjithë entuziazmin për të realizuar këtë megaprojekt gjeopolitik, udhëheqja e Serbisë e ka të qartë se pas çdo ëndrre të zbret në tokë llogaria, që nis nga paraja dhe asnjëra nga të tria shtetet e planifikuara në këtë korridor ujor nuk ka as të dhënën më minimale financiare për t'ia kushtuar buxhetin dhe financat korridorit ujor të Serbisë. Ndaj Serbia u është drejtuar fuqive të mëdha lindore, të cilat kanë interesa jo vetëm të karakterit ekonomik, por në radhë të parë politik e strategjik në Serbi dhe në Ballkan, si Rusia dhe Kina. Ministri serb i ngarkuar me projektin deklaroi se ka zhvilluar bisedime dhe ka konstatuar interes nga Rusia dhe nga Kina për pjesëmarrje në këtë projekt. E vetmja e dhënë konkrete deri tani është një farë interesi i Kinës, e cila nënshkroi edhe memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë e Serbisë për studimin e vizibilitetit. Vështirë të besohet se do të tregohet e gatshme qeveria kineze të hedhë 17 miliardë euro për të realizuar një megaprojekt, që në fund të fundit nuk ka as interes transporti për mallrat kineze dhe i shërben më shumë vetëm Serbisë dhe aspiratave të saj gjeopolitike në rajon.

Vështirë të besohet se edhe Rusia dhe ndonjë fuqi tjetër e madhe apo ndonjë kompani e madhe serioze të rrezikojë të hedhë në erë 17 miliardë euro në një korridor gjeografik, i cili vuan nga një pastabilitet kronik, me tensione të vazhdueshme nacionaliste dhe ku mjafton një shkëndijë për të ndezur konflikte lokale. Kështu që shenjat e deritanishme janë se udhëheqësit aktualë të Serbisë do të duhet të kënaqen vetëm me faktin se ëndrra e tyre gjeopolitike po shtrohet në tryezat e niveleve të larta qeveritare ballkanike. Dhe me sa duket, me ikjen e kësaj garniture nacionaliste serbe nga pushteti, do të ikë edhe ëndrra e korridorit të lundrueshëm ujor Beograd-Selanik, për t'u rikthyer në arkiva. Por edhe qarkullimi virtual diplomatik i projekteve të tilla dhe lundrimi nëpër ëndrra të tilla gjeopolitike nuk i bëjnë mirë Ballkanit dhe gjenerojnë turbulenca, që trazojnë qetësinë, për të cilën rajoni ka aq shumë nevojë


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISË ATDHETARE PËR SKËNDERBEUNNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA) (02.04.2013)
THJESHT ATDHEDASHURI - TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.03.2013)
ROLI I PRESIDENTIT WOODROW WILSON NË MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË SHQIPËRISËKUJTESA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS - ME RASTIN E PËRVJETORIT TË VDEKJESNga Prof. SAMI REPISHTI (02.03.2013)
QUO VADIS SHQIPËRI?Nga RESHAT KRIPA (02.02.2013)
ANGELA MERKEL - 'NE PO PËRBALLOHEMI ME HISTORINË'Nga FRANK SHKRELI (02.01.2013)
REPUBLIKA ISLAMIKE E IRANIT ARRESTON KORRESPONDENTËT E VOA-s DHE TË BBC-sëNga FRANK SHKRELI (01.30.2013)
PD DHE PS NUK JANË DY PARTI POR DY USHTRI - DHE JANË TË FRIKSHMENga ELIDA BUÇPAPAJ (01.29.2013)
FRYMA E DAVOS-itNga FRANK SHKRELI (01.29.2013)
SINDROMI I ÇALLMXHINJVE TE DERZHAVNI IMAMËT!Nga ISUF BAJRAMI (01.29.2013)
RIDALJA GJEOPOLITIKE E RUSISË NË MESDHENga SHABAN MURATI (01.28.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]