Kriza politike po hyn në muajin e dytë të vitit 2013. Sikur ky pështjellim
gjërash që po ndodh të mos kishte fillin e tij në të hënën e 24 Dhjetorit, sot
do t'i besonim mbase besëtytnisë së numrit 13 që thuhet se nuk sjell shumë fat.
Ai "pak fat" që ka mbetur, lidhet padyshim me mbështetjen që po na e japin
partnerët tanë ndërkombëtarë, që duken të vendosur të na shoqërojnë në çdo
sfidë të brendshme dhe të jashtme që na ngrihet. Por, kjo vendosmëri e ky zell
i mungon më së shumti politikës sonë prej fëmije të llastuar, e cila duket se
s'çan kokën për gjësend tjetër, pos për mënyrën si të shndërrojë në poenë
politikë, madje edhe ajrin që thithim.
Rikthimi i dy liderëve maqedonas në istikamet e tyre, dhe mungesa e një nisme
të sërishme për rivendosjen e dialogut, rrezikon të shkurajojë politikën
ndërkombëtare, e cila po përballet prej vitesh me këtë adoleshencë politike të
partive maqedonase. Këto të fundit nuk po arrijnë dot edhe pas pesë javësh, ta
tejkalojnë veten dhe të denjojnë në emër të interesit të qytetarit, të gjejnë
një zgjidhje të arsyeshme politike dhe me sa më pak dhimbje. Ndërsa pritshmëria
për një gjë të tillë sa vjen e rritet, vijon të trashet papërgjegjësia e këtyre
dy forcave kryesore të kampit maqedonas.
Nëse nga njëra anë, moskokëçarja e partisë në pushtet rrjedh nga nënvlerësimi
që i bën opozitës, duke gjykuar mbi numrin e protestuesve që bllokojnë rrugët,
nga ana tjetër, harbimi i opozitës që ngul çizmen në asfaltin e ftohtë, rrjedh
nga shpërfillja e rëndë që u bëhet kërkesave të saj. Si rezultat, ky
ekskomunikim në mes dy faktorëve kryesorë maqedonas ka të ngjarë të shkatërrojë
si kullë kartash procesin e integrimeve evropiane, që do të rezultonte me
pasoja që nuk kemi dëshmuar se dimë t'i menaxhojmë.
Rreziku, ndërkaq, që i shtohet këtij ndërlikimi të situatës politike, është
zhvendosja e "valës" së ekskomunikimit në kampin politik shqiptar. Së këndejmi,
duhet thënë se mungesa e komunikimit normal nuk duhet të shqipërohet, ashtu siç
ka ndodhur këto ditë. Është e palejueshme që të riciklohet diskursi i ulët,
banal dhe apolitik në mes përfaqësuesve të politikës shqiptare, në kohë kur
është ngritur më këmbë e tërë bota politike evropiane që të paqëtojë partitë
maqedonase dhe të krijojë ambient normal politik, si parakusht për vlerësime pozitive
nga KE.
Gjithsesi, është simptomatike që ky degjenerim i komunikimit, sado rastësor,
ndërmjet dy partive më të mëdha shqiptare, pason një takim, në parim, normal
mes kreut të opozitës shqiptare me kryeministrin e vendit. Megjithatë, takimet
e tilla dhe komunikimi me politikën maqedonase, nuk duhet assesi të zhvillohen
në dëm të komunikimit ndërshqiptar, sepse në të kundërt kemi bërë punën e
Sizifit në krijimin e mirëbesimit etnik dhe politik në dekadën e fundit.
Sidoqoftë, është mendim përgjithësisht i pranuar se mungesa e një kualiteti të
ri të politikës shqiptare, është shkaku që fyerjet dhe sulmet verbale deri në
kërcënime, të shpërfaqen hera-herës, si një reprizë e bezdisshme që zor t'i
pëlqejë ndokujt. Koha ka provuar se partitë shqiptare po dështojnë së treguari
kreative në administrimin e çështjeve politike, përpos në formulimet e reja të
akuzave të vjetra, duke ngecur tutje kësisoj në formën "primordiale" të
konfrontimeve të ulëta. Në të vërtetë, do të duhej të ishin pikërisht subjektet
shqiptare modeli, me të cilin do të shërbehej politika maqedonase në zgjidhjen
evropiane të problemeve. Por në vend të kësaj, ato zgjedhin të bëjnë versionin
më të keq të veprimit politik, duke përjashtuar normat etike nga ligjërimi
publik i tyre dhe duke sjellë rrugaçërinë në politikë.
E ndërsa vendi ynë kridhet në probleme të panevojshme, herë të politikës
maqedonase dhe herë të asaj shqiptare, ora e rezultateve që duhet dëshmuar në
Bruksel po bie me shpejtësi. Vizita e papandehur e komesionerit Fyle rikujton
se BE po na vëzhgon syhapur dhe se jo shumë tolerancë prindërore duhet të
presim nga ajo.