E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
A DUHET TË PRANOHET IZRAELI NË NATO?
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 02.12.2013, 08:13am (GMT+1)




Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bëri të ditur një zhvillim të brendshëm interesant në gjirin e NATO-s, për të cilin me sa duket nuk janë kryeministri turk u deklaroi gazetarëve që e shoqëronin në avion gjatë rrugës për në Budapest në 5 shkurt, se Turqia ka bllokuar iniciativat e ndërmarra brenda NATO-s për anëtarësimin e Izraelit në këtë organizatë.
"Ne si Turqi do të ndalojmë hapat e gabuar të NATO-s. Ne kemi parë hapa të tillë për futjen e Izraelit në NATO. Ne i ndaluam ato. Ne kemi vijat tona të kuqe. Për ne, të jemi bashkë me Izraelin në NATO, nuk do të jetë kurrë në konsideratë", citon gazeta turke kryeministrin e vendit.

Në planin diplomatik dhe organizativ atlantik, deklarata e kryeministrit të Turqisë është tepër interesante për disa arsye: 1- Ajo tregon se ekzistojnë brenda NATO-s nisma, që jo të gjithë i dinë, për të anëtarësuar Izraelin në NATO. 2- Ajo tregon se tema e anëtarësimit të Izraelit është bërë objekt bisedimesh në nivelet më të larta mes disa shteteve anëtare të NATO-s. 3- Ajo tregon se një ose disa shtete të rëndësishme të NATO-s e kanë trajtuar këtë temë në bisedime me një ose disa shtete të rëndësishme të NATO-s, ndër të cilët edhe Turqia. 4- Ajo tregon se çështja e anëtarësimit të Izraelit në NATO mund të bëhet objekt diskutimi të brendshëm në tryeza më të gjera, ku marrin pjesë 28 shtetet anëtare të aleancës. 5- Ajo tregon se Izraeli duhet të ketë paraqitur në nivelin me të lartë zyrtar miratimin për përçapje të tillë nga autorët e kësaj nisme brenda NATO-s.

Kjo rrethanë e brendshme diplomatike brenda organizatës sinjalizon se çdo qeveri e një shteti anëtar do të duhet të formulojë qëndrimin e vet lidhur me çështjen nëse duhet të pranohet Izraeli si anëtar i Aleancës Atlantike. Në këtë sens, edhe qeveria e Shqipërisë do të duhet të përcaktojë një qëndrim të sajin paraprak, të formuluar në përputhje me interesat shtetërore, jetike dhe kombëtare të Shqipërisë, si dhe në përputhje me interesat strategjike dhe qëllimet e Traktatit të Atlantikut Verior. Burime të mirinformuara pranë qeverisë shqiptare bëjnë të ditur se Tirana nuk disponon informacion lidhur me këto lëvizje organizative brenda aleancës dhe për këtë arsye nuk ka ende një qëndrim të formuluar lidhur me këtë.
As nga qeveria e Izraelit nuk ka pasur ndonjë përçapje në drejtim të Tiranës për të kërkuar përkrahje. Në këtë kuadër, mendoj se është e këshillueshme që edhe sinjali më i vogël, dhe sidomos kur vjen nga nivelet më të larta të një shteti nga më të rëndësishmit e NATO-s si Turqia, do të duhet të vërë në lëvizje qeverinë e Shqipërisë për të përgatitur formulimin e një qëndrimi të saj, në eventualitetin, kur do të ballafaqohet me këtë temë në tryezat diplomatike.

Çështja e një anëtarësimi të mundshëm të Izraelit në Aleancën Atlantike është rrahur prej kohësh në qarqet diplomatike jashtë NATO-s, në qarqet akademike, shkencore, publicistike dhe politike ndërkombëtare. Për shkak se nuk është një çështje e thjeshtë, madje paraqitet tepër e komplikuar, as në NATO nuk është folur kurrë zyrtarisht në forumet e 28 shteteve anëtare, dhe as vetë qeveria e Izraelit nuk është shprehur publikisht me një kërkesë apo qëndrim zyrtar për këtë anëtarësim. Me sa duket, Tel Avivi ka adoptuar të njëjtin qëndrim, si për çështjen e disponimit të armëve atomike, për të cilat "as e pohon dhe as e mohon", nëse Izraeli është i interesuar zyrtarisht të anëtarësohet në NATO. Ministria e Jashtme e Izraelit, në korrik të vitit të kaluar, e pyetur nga shtypi izraelit për këtë çështje, deklaroi se "Izraeli aktualisht nuk po ndërmerr ndonjë hap konkret për të aplikuar për anëtarësim në NATO ose në BE". Ministri i Jashtëm izraelit i kabinetit të mëparshëm, Avigdor Lieberman, ka qenë një përkrahës i vendosur i një anëtarësimi në NATO. Ish-ministri i Jashtëm bullgar, Solomon Passi, me origjinë hebreje, deklaroi pas takimeve me ministrin e Jashtëm izraelit verën e vitit të kaluar, se Izraeli nuk duhet të hezitojë që të thotë me zë të lartë se dëshiron të bëhet anëtar i NATO-s dhe i BE-së, dhe se Lieberman është shumë në favor të kësaj linje. Presidenti i Kongresit Botëror Çifut, Ronald Lauder, që ka qenë edhe ambasador i SHBA-ve në Austri, në një shkrim të botuar në gazetën gjermane "Die welt" shkruante se "shtetet europiane anëtare të NATO-s duhet ta pranojnë shtetin e Izraelit në Aleancën Perëndimore". Gazeta izraelite "Haaretz" theksonte në 31 gusht 2012 se anëtarësimi i Izraelit në NATO është alternativa, që do ta bënte Izraelin të jetë i mbrojtur nga politika "një për të gjithë dhe të gjithë për një" e aleancës së 28 shteteve.

Fakti që tani rezulton se brenda NATO-s, në nivele shumë të larta dhe të ngushta të saj, janë ndërmarrë përçapje apo nisma për mundësinë e anëtarësimit të Izraelit në NATO, tregon se kemi hyrë në një fazë të re në trajtimin e kësaj çështjeje, ku secili shtet anëtar duhet të jetë i përgatitur t'i përgjigjet pyetjes, nëse duhet të pranohet Izraeli në NATO. Natyrisht Izraeli është një shtet i rëndësishëm i Lindjes së Mesme, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n dhe me shumicën e shteteve anëtare të NATO-s dhe bën pjesë në programin e NATO-s për Dialogun Mesdhetar. Izraeli është një shtet, që i përket botës demokratike dhe me një nivel të lartë zhvillimi industrial e teknologjik. Është edhe një shtet, që ngërthen lidhje emotive të forta me pjesën më të madhe të shteteve perëndimore.
Mirëpo anëtarësimi në organizatën politiko-ushtarake të NATO-s, ku 26 shtete i përkasin Europës dhe vetëm SHBA e Kanadaja janë jashtë kontinentit tonë, konsiderohet një çështje, që duhet të veçohet nga impulset dhe konsideratat emotive dhe që duhet të udhëhiqet nga një solidaritet dhe një soliditet brenda Aleancës Atlantike, të cilat duhet të ruhen dhe të avancohen me kujdes të madh. Është tepër e lexueshme se përkrahësit, brenda dhe jashtë Izraelit, të një anëtarësimi të tij në NATO, nisen nga konsiderata kryesore që të sigurohet dhe mbrohet Izraeli. Është një konsideratë e rëndësishme strategjike për Izraelin, por nuk mund të kualifikohet e mjaftueshme për të qenë determinante në vlerësimin e kërkesës së tij për anëtarësim. Nëse marrim kriterin gjeografik, Izraeli i përket një zone, që është jashtë perimetrit organizativ themelues të aleancës dhe aplikimi i një kriteri të tillë do të hapte rrugë edhe për pranimin e shteteve të tjera, që janë në të njëjtën zonë gjeografike dhe që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me Perëndimin, që nga Egjipti e deri në Marok. Nëse marrim kriterin e përkatësisë në botën demokratike dhe të vlerave perëndimore, kjo do të hapte rrugën për përfshirjen edhe të shteteve të tjera, që e plotësojnë shkëlqyeshëm këtë kriter, si Australia, Zelanda e Re, apo Japonia dhe Koreja e Jugut.

Izraeli është një shtet mik i NATO-s, por kriteri bazë duhet të jetë nëse anëtari i ri ndihmon të lehtësohen dhe të zgjidhen problemet dhe sfidat, me të cilat përballet aleanca sot, apo i shton ato probleme edhe më shumë. Është e vështirë të besohet se aleanca do të fitonte tani nga pranimi i një shteti të Lindjes së Mesme, i cili është në vorbullën e një konflikti 65-vjeçar të pazgjidhur me Palestinën, sepse do të sillte brenda organizatës një konflikt të nxehtë, tepër të komplikuar dhe tepër të vështirë për t'u zgjidhur, siç është konflikti izraelito-palestinez. Vështirë të besohet se NATO do të fitonte nga anëtarësimi i një shteti, i cili është në gjendje lufte me shumicën e shteteve kufitare të tij dhe që mban nën pushtim pjesë të territoreve të shteteve fqinje, që nga lufta e vitit 1967, dhe disa nga këto shtete janë ndër miqtë më të mirë të Perëndimit në Lindjen e Mesme. As atmosfera e ndezur e pragut të luftës me Iranin, që ka krijuar prej një viti qeveria e Beniamin Netaniahut, nuk duket se mund të cilësohet element inkurajues. E thënë më përmbledhtas, në kushtet e tanishme, Aleanca Atlantike nuk do të fitonte gjë duke futur në gjirin e vet Izraelin, pa u zgjidhur konflikti izraelito-palestinez dhe ai izraelito-arab, dhe pa u krijuar dhe pa u pranuar në Lindjen e Mesme dy shtete, që e njohin njëri-tjetrin, Izraeli dhe Palestina. Siguria afatgjatë e Izraelit arrihet duke kërkuar dhe vendosur paqen përfundimtare me fqinjët e tij arabë dhe pas arritjes së kësaj perspektive mund të krijoheshin kushtet për të diskutuar çështjen e pranimit të Izraelit në NATO.

As NATO-s dhe as Perëndimit nuk do t'i shërbente provokimi i një vale të re acarimi afatgjatë të marrëdhënieve me shtetet arabe në një nga zonat më të rëndësishme strategjike, gjeopolitike dhe gjeoenergjetike të globit, siç është Lindja e Mesme. Aq më tepër në periudhën e tanishme, kur revolucionet demokratike arabe, në zhvillim e sipër që prej dy vjetësh, kanë sjellë një klimë dhe një tendencë të re gjeopolitike në favor të demokracisë dhe në favor të Perëndimit në planin strategjik. Dhe do të ishte e papërshtatshme të krijohen situata frenuese të këtyre zhvillimeve pozitive, nëpërmjet nismave të anëtarësimit të Izraelit në NATO. Aleanca Atlantike, për herë të parë në historinë e saj, mori pjesë në një operacion ushtarak në Lindjen e Mesme, siç ishte ai në Libi kundër regjimit të Gadafit, dhe kjo ka sjellë një imazh të ri pozitiv për Aleancën Atlantike në krejt Lindjen e Mesme. Kjo ndërhyrje pati një kosto të madhe financiare për NATO-n, por ajo krijoi një pozitë të re të avancuar strategjike për vetë rolin dhe interesat e NATO-s në rajon. Ndaj nuk do të ishte e këshillueshme që të zerohet ky kontribut dhe ky rezultat, duke ftuar Izraelin të bashkohet me NATO-n. Dhe së fundmi: siguria e Izraelit, edhe pa hyrë në NATO, është e garantuar përballë çdo kërcënimi të jashtëm nga shteti më i fuqishëm i botës, SHBA.

Qeveria e Shqipërisë duhet ta shohë këtë çështje me gjakftohtësi shtetërore, jashtë dhe larg çdo emocioni personal të pajustifikuar dhe ekzaltimi të pakthyer, që ka karakterizuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin. Miqësia e vërtetë mes shteteve nuk do të thotë të hidhesh në zjarr si budallai për shtetin mik dhe as të prishesh me gjysmën e botës për hatër të tij. Aq më tepër, nuk duhet parë nga Tirana anëtarësimi i Izraelit në NATO si një këst për të shlyer hipotekën, që nazizmi i krijoi Europës me holokaustin, sepse interesi kombëtar dhe shtetëror i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar nuk është pjesë e llogarive të borxheve historike, reale ose virtuale, të të tjerëve.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRESIDENTI OBAMA SHPREH BESIMIN E TIJ FETARNga FRANK SHKRELI (02.09.2013)
PËRGATITJE PËR STUHINË HISTORIKE TË VERILINDJES AMERIKANE - VIHET NË FUNKSIONIM QENDRA E OPERACIONEVE EMERGJENTE NË NJU JORK, DEKLAROHET GJENDJA E EMERGJENCËS NË MASSACHUSETTSNga ARTUR VREKAJ (02.08.2013)
6 SHKURT 1967, KUR SHQIPËRIA U SHPALL KUNDËR ZOTITNga FRANK SHKRELI (02.07.2013)
XHON KERRI NË KRYE TË DIPLOMACISË AMERIKANENga FRANK SHKRELI (02.06.2013)
ORA PËR MAQEDONINË PO BIE ME SHPEJTËSINga SHKËLZEN LUSHAJ (02.05.2013)
FACEBOOKPOLITIKA“E ardhmja e njerëzimit nuk është evoluimi i teknologjisë, por mënyra e përdorimit të saj.” (Dominique Wolton)Nga ELVIN LUKU (02.05.2013)
NJË PROJEKT I STËRMADH LUNDRIMI GJEOPOLITIK NË BALLKANNga SHABAN MURATI (02.04.2013)
REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISË ATDHETARE PËR SKËNDERBEUNNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA) (02.04.2013)
THJESHT ATDHEDASHURI - TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.03.2013)
ROLI I PRESIDENTIT WOODROW WILSON NË MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË SHQIPËRISËKUJTESA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS - ME RASTIN E PËRVJETORIT TË VDEKJESNga Prof. SAMI REPISHTI (02.03.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]