"Më përshkruaj shqiptarët. Si janë ata?", kështu më pyeti një mik imi
zviceran me të cilën dikur kishim studiuar bashkë në Universitetin e
Freiburgut. Diplomati që do ikte në Kosovë donte të mësonte, dhe atë për dyzet
e pesë minuta, sa më shumë për popullin «atje poshtë», për historinë,
politikën, mentalitetin, veset, ritet dhe traditat. Më tërhoqi vërejtjen: «Para
se të nisësh me përshkrimin tënd mos e harro atë konkluzionin e mikut tonë
Prof. dr. Christian Giordano që tha se shqiptarët janë ndër ballkanasit që
prijnë për nga vetëpërshkrimi negativ». E qëlluar: modë është bërë portretimi
plotë veturrejtje ndër shqiptarë!
Vetëm edhe një orë kishte mbetur për të formuluar opinionet, ligjëratën mbi
qenien shqiptare. Si rezultat i atyre shënimeve dolën 12 teza mbi qenien
shqiptare, pjesë e të cilave janë edhe këto 3 tezat e mëposhtme mbi
oportunizmin shqiptar:
TEZA E PARË Vetëkritika si imponim
E urrejnë veten shqiptarët, pasi para tjerëve flasin gjithherë keq për veten?
Këtë do ta pohonte çdokush që i njeh vetëm sipërfaqësisht shqiptarët. Ose që
shfrytëzon edhe atje ku s'duhet metodën aristoteliane të induksionit. Portreti
autark negativ më shumë duket të jetë rezultat i një lodhjeje kronike nga
«fatumi i padrejtë» dhe «dështimet» e elitave të tyre për tua sjellë lirinë sa
më herët. Me një autosugjestion frytplotë ata ushqejnë përshtypjen kurrë të mos
kenë kapur me kohë epokat; gjithmonë me vonesë të madhe qenkan integruar në
procesin e iluminizmit, arsimimit, shtetësisë e kështu me radhë. Evropiani me plis
mallkon veten jo pse urren apo dashuron tjerët, por sepse xhelozon fatin e të
tjerëve që e kanë lënë pas në mirëqenie dhe në civilitet çka do të që jetë
kjo e fundit. Vetëpërshkrimi negativ dhe specifik i shqiptarit del pra nga
grindja e përhershme me vetveten, nga refuzimi i statusit në të cilin gjendet,
ai gjithmonë pretendon të mos jetë ashtu siç është, por ndryshe, më mirë. Kemi të bëjmë nëfakt me një mentalitet që dëshiron
progresin permanent? Vetëkritika (edhepse tmerrësisht agresive) si motor shtytjeje
përparimi? Pjesërisht qëndron. Mirëpo më shumë se ky motiv vetëkritika
shqiptare është pjesë e një strategjie mentale, të cilën shqiptari e ushtron me
shekuj.
TEZA E DYTË Oportunizmi si strategji mbijetuese
Pasi që shqiptari gjithmonë mendon të mos ketë gjetur formulën adekuate se si
duhet jetuar më së miri, ai është elastik. Jorrallë edhe aventurier altruist.
Aq elastik saqë bind edhe tiranin më mizantrop të jetë qeni më besnik i tij. Gati
çdo perandor i ka konsideruar gardën më besnike të tij. Gati çdo religjion i
numëron si të vetët dhe të gjitha ideologjitë (komuniste, liberale, fashiste,
naziste) i kanë trajtuar si operatorët më të efektshëm në terren. Dhe në çdo
bilanc final kemi parë se ata, shqiptarët, nuk janë besnik të asnjërit dhe askujt.
Po me atë lehtësi që i përvetësojnë situatat edhe i shporin, sikur kurrë të mos
kishin qenë komunistë, sikur kurrë të mos kishin besuar në Hitlerin e sikur e
gjithë përpjekja për të qenë jugosllavët sa më origjinalë s'ishte gjë tjetër
përpos aktrim i zakonshëm për ta siguruar mëditjen.
TEZA E TRETË Formula e tolerancës
Se ç "˜oportunistësh maratonik dhe të përkryer janë shqiptarët dëshmon historia
e elitave të tyre: ata luajtën e luajnë rolin e hoxhës, të klerikut, të
gjeneralit, të beut a valisë, të ultrakomunistit a fashistit, të demokratit apo
anarkistit pa dyshuar kush kurrë në autenticitetin e tyre. Të veshur si
priftërinj dhe nëpërmjet «fjalës së Zotit» krijuan gjuhën dhe alfabetin, të
veshur si osmanë shpallin pavarësinë, të rreshtuar si stalinist vjelën Rusi,
Kubë e Kinë, duke u sjellë jugosllavë ndërtuan e finalizuan edhe një shtet të
ri.
Nga këtu rrjedh edhe diversiteti kulturor, fetar dhe ideologjik i shqiptarëve.
Se gjithë këto botë kulturash, feshë e doktrinash të cilat janë armike të mërzitshme
ndër veti nuk kanë arritur ta përmbytin qenien shqiptare në ndonjë konflikt
nuk është meritë e «tolerancës gjenetike shqiptare» siç duan të na lajnë kokën
me akull irracionalët, por është rezultat i oportunizmit tradicional të elitave
shqiptare nëpër histori.
«Nëse elitat shqiptare e kanë bërë këtë me qëllim, të themi, si një doktrinë
mbijetuese atëherë qenkan më të mençur se të gjithë», bëni zvicerani. Nuk kemi
të dhëna historike shqiptarët të jenë sjellë kështu për çështje taktike. Ata
kanë vepruar kështu. Kjo është historia e tyre. Dhe kjo teori natyrisht se mund
të përdoret edhe nga më destruktivët për të justifikuar rolin e tyre në këtë
apo atë sistem. Pse jo? A nuk do të ishte fantastik një pajtim ndërveti? Së
paku në shenjë dasme ndarëse nga oportunizmi, i cili vetëm për diplomatët është
i shëndetshëm!