E Shtunë, 12.14.2024, 09:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
VEPRIMTARIA ZONALE E SHOQATËS "DARDANIA"- JUBILEU I PAVARËSISË NË MANNHEIM
Fotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ

E Djelë, 05.19.2013, 02:21pm (GMT+1)


 



 
Qytetin e madh të Mannheim-it e ndanë vetëm ura, e cila mban emrin e njërit nga kancelarët e zëshëm të Gjermanisë "Konrad Adenauer", me qytetin e Ludwigshafen-it. Të dy qytetet, edhepse u përkasin dy republikave, fqinjësia ka fshirë kufirin dhe punësimet janë fort të ndërlidhura, reciproke në gjigantet industriale, të njohura në tërë Gjermaninë e më gjerë. Njëri nga këto është Kombinati Industrial "BASF", i cili prodhon, pothuajse, gjithëçka, përveç armëve. Ky gjigand industrial, me një shtrirje prej 15 km gjatësi, dikur punësonte 70 mijë punëtorë, por, përfeksionimi, përsosja e teknologjisë ka reduktuar këtë shifër. Një tjetër gjigand industrial është ndërmarrja "Grünzwei Hartmann", që prodhon lëndën izoluese për industri dhe ndërtimtari dhe funksionon në degëzime edhe në qytetet dhe qytezat përrreth. Kjo industri solide zë fill shumë dekada më parë.

Brezat mërgimtarë në Mannheim dhe Ludwigshafen

Përmendem qysh në nismë të shkrimit industrinë e dy qyteteve binjake, si dëshmi se në këto mjedise jeton dhe punon një komunitet mërgimtarësht shqiptarë, madje nga të gjitha trojet jashtë Shqipërisë londineze dhe, se fundi, edhe nga Shqipëria e vjetër, i shumtë në numër. Ngulitja e mërgatës shqiptare zë fill në fundvitet `60-a, të ashtuquajturit "punëtorë me qendrim të përkokohshëm", por që rezulton të jenë të përjetshëm, ta ngrysin jetën larg Atdheut. Rrenacakët komunistë e dinin mirëfilli të vërtetën, por, si gjithherë, propaganda leha-qene komuniste e ka për hobi gënjeshtrën dhe mashtrimin. Ajo ngjason në shumëçka me tellallin e sotëm RTK-në, të uzurpuar nga "luftëtarët" e pasluftës në Kosovë.

Përgjatë dekadës të përndjekjes të madhe, në vitet `90-a, shifra e "punëtorëve të përkohshëm" do të shumëfishohej me ardhacakë, fillimisht, të moshës rinore dhe më vonë edhe me ata të të gjitha moshave.

Erërat e demokracisë, me nismë portualët e Gdanskit të Polonisë, të prirë nga kryesindikalisti i zgjuar dhe stoik Leh Valesa, të mbështetur fort nga Papa Vojtila, (Papa Johanes Paul i II-të) dhe Përendimi demokratik, tundën edhe themelet e krijesës artificiale politike Jugosllavisë. Për rrjedhojë, edhe Kosova, populli i saj u përfshi në vorbullën e lëvizjes demokratike të Evropës Lindore dhe ballkanike. Por, Kosovës, për ndryshim nga vendet e tjera, përveç demokracisë i mungonte edhe liria.

Konfrontimet, përballjet, ndeshjet ballore të popullit të Kosovës me pushtuesin, afro një shekullor, serbo-sllav, u reflektuan edhe në Mërgatë. Bashkëjetesës të klubeve të popujve të Jugosllavisë, po u vinte fundi. Ndarja ishte e pashmangshme. Dhe, ndonëse shqiptarët ishin kudo shumicë, lokalet klubore u "pushtuan" nga ata. Baza e këtyre klubeve shërbeu si bazë e ngritjes në shoqata, duke ndryshuar edhe statutin dhe gamën e veprimtarive, në përputhje me nevojat që kishte Atdheu ynë, Kosova jonë e pushtuar.
Si dhe pse lindi Shoqata kulturore shqiptare "Dardania"

Tej dy dekadave më parë, në nismë të viteve `90-a, në lokalet e ish-klubit, në Mannheim, u mblodhem për ta themeluar një shoqatë, e cila do ta zgjeronte veprimtarinë, në krahasim me klubin paraprak. Mysafir rasti kishim edhe profesorin nga Tirana, Astrit Leka, pinjoll i familjes Leka nga Borshi i Sarandës, tashmë, i bërë i njohur me realizimin, vendosjen e bustit të Skënderbeut në parkun buzë Liqenit të Gjenevës, Zvicër si dhe përpjekjet për ta bërë të njëjtën gjë edhe në kryeqendrat e shteteve të tjera të botës, si dëshmi e kontributit të shqiptarëve, të dhënë për mbrojtjen e krishtërimit në Evropë dhe më gjerë.

Më kujtohet, asaj mbremjeje u lakuan disa emra për pagëzimin e shoqatës dhe, në fund, triumfoi propozimi i dhënë nga kryetari aktual, Naser Hoxha, i përforcuar edhe nga sugjerimi i mysafirit, profesor Leka. Dhe, kështu u themelua Shoqata kulturore shqiptare "Dardania", e cila herë me ritme normale e herë me ritme ngritëse, sot është bërë e zëshme, qendër e veprimtarive, jo vetëm në Mannheim, por edhe zonale.
Kryetari i Shoqatës "Dardania", Naser Hoxha, flet për punën, veprimtarinë shumë dimensionale të Shoqatës: "Kryesia e Shoqatës punon në baza vullnetare. Motoja e punës është integrimi në shtetin ku jetojmë e punojmë, por, pa e cënuar statutin dhe prejardhjen tonë. Në qytetin e Mannheim-it kemi një rol të rëndësishëm, pasi jemi mirë të organizuar dhe të respektuar. Në çdo vit marrim pjesë në manifestimin e kulturës të komuniteteve, që mbahet çdo vit në Mannheim dhe ne i prezantojmë me fanatizëm e besnikëri vlerat tona kombëtare dhe shtetërore. Për këtë jemi verësuar dhe ndihmuar nga pushteti komunal i qytetit të Mannheim-it.

Njëra nga veprimtaritë më mirë të organizuara në Gjermani dhe në të gjithë Mërgatën ka qenë Kuizi i Diturisë për vitin shkollor 2009 - 2010, i mbajtur në Mannheim, nën patronatin e SHKSH "Dardania" dhe Shkollës shqipe "Shote Galica" në Mannheim.

Për 10 vjet me radhë organizojmë turnirin e futbollit, me emrin "Dardania Cup", organizimi i të cilit është në nivelin e duhur dhe shquhet në shkallë Gjermanie. Turniri ndihmon njohjen në mes të rinjëve dhe të rejave, komunikimin dhe lidhjet me mjediset tjera ku jetojhnë shqiptarët.
Shoqata është mjaft aktive në aksione humanitare, sidomos në zbutjen e varfërisë për shumë familje në Kosovë; ka ndihmuar në shërimin e të sëmurëve; ka dhënë ndihmë për përmbytjet në Shkodër; për të goditurit nga shpërthimi shkatërrues në Gërdec të Tiranës, si dhe ndihma për destinacione të ndryshme", - thotë kryetari i Shoqatës "Dardania" Naser Hoxha.

Kryesia e Shoqatës përbëhet nga 13 anëtarë, të cilët vijnë që nga Hodonoci i Dardanës kufitare me Serbinë e deri nga Juniku, zonë kufitare ndërshqiptare, me Shqipërinë:

1.- Naser Hoxha, kryetar
2.- Shaqir Hoxha, nënkryetar i parë
3.- Vehap Zuka, nënkryetar i dytë
4.- Musa Latifiu, sekretar
5.- Adem Buzuku, përgjegjës për kulturë dhe sport
6.- Besnik Potoku, përgjegjës për kulturë dhe sport
7.- Bekim Bilalli, përgjegjës për media
8.- Jeton Hoxha, anëtar
9.- Jeton Sylejmani, -"-
10.- Ahmet Izmaku, -"-
11.- Admir Bakiu, -"-
12.- Mustafë Cacaj, -"-
13.- Arif Dervishaj, -"-

Shoqata "Dardania" ka gëshetuar mrekullisht mirë përfaqësimin e brezave në kryesinë e saj. Kryetari Naser Hoxha vjen nga Juniku, është mesomoshë, ndërsa Vehap Zuka vjen nga Hodonoci i Dardanës, përfaqëson brezin e ri. Mërgimtarët e vjetër, si Muharrem Hoxha e Sabri Potoku, edhepse gjithnjë aktiv, kanë preferuar që djemtë e tyre, Jetoni dhe Besniku, ky i fundit vjen nga Mitrovica, të jenë pjesë e kryesisë të Shoqatës.
Kur Juniku shpallte neutralitetin një shekull më parë, fshatrat e Dardanës, përballeshin me provokime të vrazhdëta, deri me armë zjarri, të serbëve dhe të malazezëve, të cilët krali i kishte ngulitur në fshatrat kufitare kolonët e ardhur nga zona të pabukëshme, të djerra dhe ishin të gatshëm të vrisnin fqinjët e tyre shqiptarë, me qëllim të nxitjes të shpërnguljes të dhunshme, për t`u shtrirë në tokat e tyre. Dhe, metoda të tilla paraprake e kanë boshatisur nga shqiptarët, pjesën më të madhe të Kosovës Lindore. Kudo përrreth kufinjëve është vepruar me të njëjtën taktikë dhe strategji. Shembullojmë këtu me masakrat e Dabishevcit dhe të Prapashticës të viteve 20-a, ku ushtarët serbë e bullgarë vranë dhe therën shumë qindra banorë të asaj zone, pa kursyer as fëmijtë dhe as gratë.

Manifestimi i 5 - vjetorit të Pavarësisë


Një sallë e madhe katërkëndshe, me një dekor skenik domëthënës: Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova dhe, ushtari i tij Adem Jashari. Në sfond, fotoja e kaçakës heroinë, Shote Galica, emrin e të cilës e mban Shkolla shqipe në Mannheim, flamuri kombëtar dhe ai zyrtar i Kosovës si dhe flamuri i shtetit pritës, gjerman.

Organizatori, kryetari i Shoqatës "Dardania", Naser Hoxha, përshëndeti të pranishmit, familjet e dëshmorëve, të ftuarit në këtë manifestim: kryetarin e komunës të Junikut, Agron Kuqin; konsullin e Republikës të Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj dhe veprimtarin, ish të burgosurin politik, Idriz Zeqiraj. Në mes tjerash, kryetari i Shoqatës tha: "Sot po festojmë ditën më të mirë të historisë moderne të Kosovës, 5-vjetorin e pavarësisë. Çlirimi i Kosovës është ngjarja më e shënuar, pas pavarësisë të Shqipërisë më 1912, që nga luftërat e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Sot kombi ynë kremton 5 vjetorin e pavarësisë të Kosovës, duke u përulur me nderimin më të madh para veprës monumentale të shtetbërësit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova; luftës deri në sublimim të komandantëve të parë në Kosovë: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha me shokë.

Mirënjohje të veçantë për shtetin ku jetojmë e punojmë, Gjermaninë, SHBA, Anglinë dhe Bashkimin Evropian, të cilët, me paktin ushtarak të tyre - NATO-n, përzunë forcat pushtuese serbo-sllave, duke çliruar Kosovën, sollën dritë e liri në trojet tona stërgjyshore. Shqiptarët ishin, janë dhe gjithmonë do të jenë popull besnik të tokës dhe të maleve të tyre. Me krenari të madhe dhe besim të plotë, uroj që këtë ditë ta kremtojmë në paqe dhe të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Shoqata kulturore shqiptare "Dardania", kryesia e saj, beson dhe uron fort që populli i Kosovës dhe qeveria, nuk do të harrojnë kontributin, ndihmesën e Mërgatës shqiptare, për mbijetesën, çlirimin dhe rindërtimin e vendit. Ata do të dijnë t`i japin vendin e merituar Mërgatës shqiptare. Gjithashtu, do të dijnë të çmojnë miqtë e popullit shqiptar, të cilët ndihmuan në kauzën e tyre kombëtare për liri dhe demokraci. Qofshim gjithmonë bashkë dhe unik. Përendia e bekoftë kombin tonë. Përendia i bekoftë miqtë tanë",- e përmbylli fjalën e tij kryetari Naser Hoxha.
Tani radhën e kanë mysafirët. Moderatorja e talentuar strugiane, Hamide Ademi, fton në foltore konsullin e e Republikës të Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj, i cili përshëndeti dhe uroi festën të pranishmëve, në emër të Përfaqësisë Konsullore dhe të Shtetit të Kosovës. Konsulli Zemaj, në mes tjerash, bëri një përvijim historik të popullit të Kosovës, përballë pushtuesit një shekullor serbo-sllav. "Vrasjet, burgjet dhe përzëniet nga trojet e tyre të shqiptarëve, kanë qenë moto të pushtuesit përgjatë gjithë shekullit të shkuar. Presidenti Ibrahim Rugova, me lëvizjen e tij paqësore, do të ndryshonte rrjedhën e mëtejme të mashtrimit dhe të sundimit armik, duke i hapur rrugë një epoke të re, të cilën sot po e jetojmë, me lirinë personale, kolektive dhe shtetërore. Sot, në këtë datë jubilare, kujtojmë dhe nderojmë sakrificat dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve të kombit si dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për miqtë tanë ndërkombëtarë, me pararojën e lirisë botërore, aleancën ushtarake NATO",- potencoi, veç tjerash, konsulli Astrit Zemaj.

Kryetari i komunës më të re të Kosovës, Junikut, Agron Kuqi, përshëndeti të pranishmit, në emër të komunës të Junikut dhe të popullit të Kosovës. "Është një emocion i veçantë për mua, ndjenjë e veçantë, ndjenjë atdhedashurie sot në mesin tuaj. Shënimi i 5-vjetorit të pavarësisë të Kosovës, na kujton përpjekjet shekullore të shumë brezave, që nga Rilindasit tanë, që dhanë mund, sakrifica, gjak dhe jetë për lirinë e Kosovës, e cila kulmon me luftën mbrojtëse e çlirimtare të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës, të përkrahur nga koalicioni Euro-Atlantik, NATO dhe populli liridashës i tyre, deri në shpalljen, pesë vjet më parë, të pavarësisë të Kosovës.

Pjesë e veçantë, shumë e rëndësishme dhe integrale, ishte Diaspora. Ju, të dashur bashkatdhetarë, formësuat idenë, aktivitetet, veprimet politike, diplomatike, kulturore, financiare, aksionet e deri te lufta e UÇK-së.

Të nderuar përfaqësues të Basdhkisë të Mannheim-it, zonja e zotërinj, ne, kosovarët, u jemi mirënjohës shtetit dhe popullit gjerman, të cilët u ofruan mikpritjen, që nga vitet e `70-a të shekullit të kaluar, shumë veprimtarëve, patriotëve të lëvizjes kombëtare për pavarësi të Kosovës dhe, në veçanti, të 200 mijë kosovarëve, të cilët u ndodhën përballë dhunës, terrorit dhe të shfarosjes të shqiptarëve, nga makineria pushtuese serbe. U jemi mirënjohës edhe për ndihmën e pakursyer që vazhdoni të jipni për shtetndërtimin e Kosovës.

Tani, kur jemi të lirë dhe të pavarur dhe po shënojmë pesë vjetorin e parvarësisë të Kosovës, duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi të privilegjuar, si brez që arritëm lirinë dhe pavarësinë. Por, njëkohësisht, duhet të jemi përgjegjës për rolin, përgjegjësitë, bartësitë e institucioneve qeverisëse, për brezat që sakrifikuan, për ne dhe për brezat që vijnë, për të ndërtuar institucione të qendrueshme e demokratike: ekonomi të zhvilluar, arsim cilësor, shëndetësi të avancuar e padallim mirëqenie për sejcilin qytetar; qarkullim të lirë e pa kufizime, si pjesë integrale të familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe të strukturave Euro-Atlantike".

Gjithashtu, institucionet e Kosovës e, me theks të veçantë, Qeveria e Kosovës, duhet të këtë kujdes për Diasporën, jo vetëm për shërbime të mira administrative, publike, gjatë pushimeve vjetore, por, sidomos, ajo duhet të ofrojë programe e projekte për investitorë dhe lehtësime në procedura dhe garanci në investime potenciale të Diasporës.

Vëllezër dhe motra, ne e ndjejmë se zhvillimet pozitive që ndodhin në Kosovë, ju bëjnë të lumtur dhe krenar, sikurse ne kur dëgjojmë dhe shohim sukseset tuaja, këtu, në Gjermani, Europë, sepse, pikërisht, ju jeni ambasadorët më të mirë, ngase përfaqësoni kulturën tonë, identitetin dhe Kosovën në përgjithësi. Urime dhe e gëzofshi pavarësinë e Kosovës", - e përmbylli fjalën kryetari i Kuvendit komunal të Junikut, Agron Kuqi.


Halabakët stalinistë zunë karriket

Idriz Zeqiraj, i cili për 15 vjet radhazi ka vepruar dhe jetuar në këtë mjedis, dikur, foli me nostalgji e dhembje për ata që i mungojnë kësaj kremte madhështore, ndonëse kishin kontribuar aq shumë për Kosovën. Sot, veç të tjerëve, kujtojmë me nderim të thellë Nënëlokën Razë të Çoçajve nga Gjonaj i Hasit, e cila. edhepse kishte hyrë në dekadën e shtatë të jetës, e shoqëruar nga djemtë Halili e Seferi, vajza Nazifja, nuset Rufadija e Shefkinazja, me mbesat Afërditën, Meritën, Arjetën, Teutën, Juridën, nipërit Ilirin, Agronin, Blerimin, Kastriotin me motra e vëllezër më të vegjël, zinin një pjesë të sallës, qoftë në mbledhjet e Aktivit të LDK-së, apo në tubime tjera të mërgimtarëve, ku debatohej për hallet politike, jetësore e materiale të Kosovës.

Dhe, ishte kjo Nënëloke që theu tabunë se politika, tubimet e kuvendi janë vetëm për burra. Për rrjedhojë u krijua një traditë emancipuese dhe gratë e vajzat, veç koncerteve ku bëhej muzikë, u bënë pjesëmarrëse edhe atje ku bëhej politikë. Njëra nga ato, nuse Rufadija, pas një operacioni të rëndë, tashmë, ka zënë shtratin, nuk mungonte asnjëherë, përkrah bashkëshortit të saj, Halil Çoçaj, kryetar i parë i LDK-së për Mannheim dhe Ludwigshafen me rrethinë.

Roli i Mërgatës për Atdheun, Kosovën ka qenë i veçantë në paqe dhe në luftë, prandaj, ajo duhet të jetë aktive dhe pjesëmarrëse direkte, jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në drejtimin politik të vendit. Përfaqësimi i Mërgatës me 10 (dhjetë) deputetë në Kuvendin e Kosovës, duhet të jetë përzgjedhje vendore, e bazës, e Mërgatës dhe jo e qendrës, Kosovës, sepse ata do të duhej të përfaqësonin, besnikërisht, bazën deleguese e përfaqësuese.

Mërgata e mirëpriti krijimin e Ministrisë të Mërgatës, por ajo u fye rëndë, kur në stafin qendror të saj zunë karrikët halabakët stalinistë, në mesin e tyre edhe ata që penguan Gardën e Republikës, për të bërë ceremoninë përcjellëse, me rastin e amëshimit të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova. Me gjithë respektin që kemi për ministrin e Mërgatës, Ibrahim Makolli, ai deri më tani ka kontaktuar vetëm me militantët e partisë në pushtet, ndërkohë që pjesa absolute e mërgimtarëve janë anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së, të partisë të Presidentit Rugova.

Një përshëndetje të çiltër dhe shumë të përzemërt çiftit të mrekullueshëm e simpatik Shkurte Fejza dhe Hajrush Behluli. Këngëtarja Shkurte Fejza bëri epokë në skenat e Kosovës, të Evropës dhe të botës, me këngët e saja, me reportuarin thellësisht patriotik e kombëtar, duke frymëzuar brezat shqiptarë, për qëndresë e përballje me pushtuesit serbo-sllav. Ndërkohë, në të gjitha turnetë e saj muzikore, e ka shoqëruar bashkëshorti i saj ideal, Hajrushi, si mbështetje dhe forcë morale, për të qenë gjithnjë e suksesshme në skenë dhe gjithë gaz e shëndet në jetë, - tha në fjalën përshëndetëse, veprimtari Idriz Zeqiraj.

Shoqata kulturore shqiptare "Dardania", 4 (katër) mysafirët e ftuar i nderoi më mirënjohje dhe me nga një dhuratë, me simbolikën domëthënëse për jubileun e pavarësisë. Në mirënjohje ishte motivuar arsyeja e shpërblimit për katër mysafirët, të dalluar në veprimtaritë e tyre përkatëse: 1.- Agron Kuqin, kryetar i Kuvendit komunal të Junikut; 2.- Astrit Zemaj, konsull i Rerpublikës të Kosovës në Frankfurt; 3.-Shkurte Fejzën, këngëtare epokale shqiptare; 4.-Idriz Zeqiraj, veprimtar. Të shpërblyerit vlerësuan lart nderimin e bërë nga Shoqata "Dardania", duke u falenderua me përzemërsi, me zotimin se do të jenë përjetësisht shërbëtorë të përkushtuar të popullit dhe të Atdheut tonë.

Sharmi i programit - fëmijtë në skenë



Sado i begatë të jetë një program festiv, pa praninë e fëmijëve në skenë, është i mangët. Në kuadrin e Shkollës shqipe, mësues të zellshëm, artdashës, bëjnë një punë të shkëlqyer, por edhe të vështirë, tërësisht me nismë individuale, duke thirrur në ndihmë edhe mjeshtër të kërcimit, të kendimit, instrumentistë të veglave muzikore. Organizarorët e manifestimeve festive, të cilët përkushtohen për paraqitje të suksesshme në skenë, kur u mungon grupi lokal, vendor, huazojnë gjetkë, siç bëri "Oda Shqiptare" e Berlinit, me moderator Hajriz Mamaj, duke ftuar grupin e nxënsëve të Shoqatës "12 Qërshori" nga Vjena, e kryesuar nga Rolanda Limani, në 100-vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë. Po ashtu, grupi i fëmijëve të Shoqatës "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen, Bavari, i përgaditur nga Gazmend Dashi dhe Shemsi Haziri, kanë qenë pjesë e disa programeve artistike në Mynih e deri në Stuttgart. Mjaft i njohur për programe artistike është edhe grupi i nxënësve të Singenit, me koreografin e shkathtë Rrustem Selca, në kuadër të klubit "Kosova", i cili ftohet për në tubimet festive nga Shoqatat tjera të Landit të Baden Würtembergut dhe përfomon me grupin e fëmijëve valltarë mjeshtërisht, papërtueshëm dhe vullnetarisht.

Çuditërisht, jo gjithmonë vlerësohen fëmijtë e skenës nga mediat, madje as mësuesit dhe prindërit e tyre, të cilët i shoqërojnë fëmijtë përgjatë përgaditjeve, ushtrimeve, duke përshkuar me dhjetra kilometra rrugë, edhepse palët, pra, fëmijtë, mësuesit dhe prindërit nuk paguhen, janë vullnetarë. Përveç ndonjë fotografie, i gjithë programi i tyre përfshihet në një fjali të zgjeruar: "Grupi i fëmijëve u paraqit me një program të pasur artistik"! Dhe, kjo do të përligjej sikur të ishte Ansambli "Shota" i Prishtinës, apo Ansambi i Këngëve dhe Valleve të Tiranës, të cilët janë profesionistë të njohur dhe paguhen për artin, shfaqjet e tyre në vijimësi.

Nxënësit virtuozë të Shkollës shqipe në Mannheim

Për tri dekada radhazi fëmijtë e Shkollës shqipe "Shote Galica" në Mannheim, Baden Würtemberg, janë pjesëmarrës në skenat e ndryshme festive. Fati i mirë për fëmijtë shqiptarë të qytetit me rrethinë kanë qenë mësuesit mirë të përgaditur dhe fort të përkushtuar, më parë Sabri Potoku dhe tani Hatixhe Ramadani. Në jubileun e pavarësisë të Kosovës, në mbremjen festive të organizuar për këtë ngjarje historike, mësuesja Hatixhe Ramadani, nga foltorja, komunikoi, modestisht, me publikun numerikë: "Bashkatdhetarë të nderuar, mysafirë, prindër dhe nxënës të Shkollës shqipe, në Mannheim, ju urojmë ditëlindjen e shtetit të Kosovës, 17 Shkurtin. Askush nuk mund të mos jetë i lumtur me faktin se ne, sot, pas atyre përpjekjeve të gjata dhe të sakrificave pambarim, kemi Republikën tonë, shtetin tonë, jetojmë të lirë dhe shumë më të sigurtë se dikur. 17 Shkurti për ne, shqiptarët, është njësoj si 28 Nëntori, është e njëjta festë, i njëjti gëzim. Çdo zemër shqiptare kremton dhe gëzohet në këtë ditë. Prandaj, Shkurti dhe Nëntori, për ne, Shqiptarët, kanë një emër: Pavarësi. Shkolla shqipe në Gjermani po mundohet, për aq sa e lejojnë rrethanat, të kontribuojë, ndihmojë në ruajtjen e identitetit, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare. Nxënësit e Shkollës shqipe, si gjithmonë, edhe kësaj radhe, do të prezantohen me një program të shkurtër, por të pasur kulturo-artistik. Duke ju dëshiruar një mbremje të këndshme dhe disponim të mirë, po fillojmë me programin e nxënësve", - tha me krenari të ligjshme mësuese Hatixhja.

E para në skenë ngjitet Fjolla Trepça, me poezinë "17 Shkurti"; poezinë e marrë nga "Bota sot", "Dardani të qofdha falë", e reciton Eriola Muçolli; poezinë "Republika", me autor Veli Veliun, reciton Laura Duli. Recitalin kushtuar "Atdheut", me autor Arif Demollin, deklamojnë: Atdhe Buzuku, Fijona Bekolli, Leorent Çelaj, Laura Kelmendi dhe Dion Salihu. Në vijim kori këndon këngën "Sot ne festojmë", të autorit Veli Veliu. Poezinë hymn "Gjuha shqipe" të Naim Frashërit, e reciton Nora Trepça; poezinë "Pavarësia" e reciton Majlinda Metolli; poezinë "Kosovë, vendi im", e reciton Flondi Bekolli; poezinë "Shkolla shqipe në mërgim", e reciton Fatos Bajrami; "Urim nga zemra", reciton Vlera Kelmendi, si dhe poezinë, tashmë, proverbiale "Mëmëdheu", të Anton Zako Çajupit, e reciton Fisnik Bajrami.

Programi i Shkollës shqipe pëmbyllet me "Vallën e Pavarësisë", njëra nga katër vallet në reportuarin e nxënësve, të përgaditura nga mësuesja. Pjesëmarrës të vallëzimit janë nxënësit e lartcituar si dhe të gjithë nxënësit tjerë prezent. Përzgjedhja e poezive, recitalit, këngës korale dhe e vallës si dhe përgaditja e nxënësve, është bërë nga mësuesja Hatixhe Ramadani, në kuadër të aktiviteteve të lira kulturore të shkollës.
Hatixhe Ramadani - mësuese dhe nënë shembullore
 
Bashkëshortët: Hatixhe dhe Tefik Ramadani

Çifti Tefik dhe Hatixhe Ramadani kanë migruar nga fshati Qarr i Bujanocit në Prishtinë. Zotëri Tefiku ka studjuar defektologjinë dhe ka qenë mësimdhënës në Shkollën e mesme mjekësore në Prishtinë. Për kundërshti të organizuar kundër pushtuesit serbo-sllav, është dënuar dhe ka vuajtur burgun politik. Mësueja Hatixhe ka punuar në arsim, mësimdhënie në Prishtinë dhe është shquar në procesin edukativ dhe mësimor. Rrethanat e rënduara për kryezotin e familjes, detyruan familjen Ramadani të emigrojnë në Gjermani, duke u vendosur në qytetin madh të Mannheim-it. Në mjedisin e ri, çifti Ramadani u orientua në dy objektiva: njohja dhe afrimi me mërgatën shqiptare si dhe integrimi në shtetin pritës, gjerman, duke zënë vend në Këshillin e qytetit. Zoti Ramadani, përveç pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, lokale e qendrore, u kyç në komisionin e 3%-it, për Landin e Baden Würtembergut dhe loboi deri në përmbylljen e aktivitetit të këtij Fondi në Mërgatë. Njëkohësisht, arriti të ushtrojë profesionin e tij në mjekësi.
 
Gazetarja e afirmuar e Televizionit gjerman - Arta Ramadani

Çifti Ramadani kanë tre fëmijë: Artën, Vjosën dhe Visarin. Arta ka studjuar për gazetari, media. Si studente u shqua në një lloj radio-kontakti, me tematikë kulturën, rininë dhe marrëdhëniet në mes vendorëve dhe të huajve, i cili kishte pika të përbashkëta me radio-kontaktin e Tiranës, të viteve `90-a, i udhëhequr nga djali trim dhe i zgjuar i Kosovës, Flamur Gashi, tani ambasador i Republikës të Shqipërisë në Sarajevë, Sokol Olldashi, Ardita Buçolli me shoqe dhe shokë, veçse ky i fundit ishte tërësisht politik, në favor të demokracisë. Vitin e shkuar, Arta fitoi çmimin e parë prestigjioz të gazetarisë gjermane. Tani është konkurente e një çmimi tjetër edhe më të zëshëm. Disa muaj më parë, televizioni ZDF e dërgoi në Prishtinë, për të bërë një reportazh politik, ku dominonin intervistat me opozitën dhe analiza e gjendjes aktuale në Kosovë. Tani në projektin e Artës dhe të interesimit gjerman është Veriu i Mitrovicës, marrëdhëniet ndërnjerëzore atje dhe efekti i kulturës në përafrimin e palëve, aktualisht, në konflikt. Vjosa ka mbaruar studimet dhe vazhdon të punojë, ndërsa Visari është në provimet përmbyllëse të studimeve, me synim magjistraturën.

Tematika e programit, që nga titujt e poezive, të këngës, recitalit, të vallës, përzgjedhja e tyre, pikërisht, për mbremjen festive të pavarësisë, bie në sy përkushtimi profesional dhe kombëtar i mësuesës Hatixhe. Ajo është në skenë pranë fëmijëve, ka një përkujdesje si mësuese dhe nënë. Prindërit, fëmijtë e të cilëve vijojnë rregullisht mësimin plotësues në gjuhën shqipe, kanë fjalë miradije për mësuesen Hatixhe, si mësuese dhe si njeri. Sjellja e saj gjithë takt, edukatë dhe mirësi, përmbushë shkëlqyeshëm normat më të larta pedagogjike. Të punosh, për 19 vjet radhazi, pothuajse, vullnetarisht, sepse shpërblimi është fare simbolik, i papërfillshëm për standardet evropiane, dëshmon vullnetin e mirë, idealin patriotik e fisnik, për të kontribuar, ndihmuar, në çdo rrethanë e mjedis, për bashkëkombasit, për Atdheun, i cili, edhepse i lirë dhe i pavarur, ende nuk po arrin të plotësojë obligimet si shtet i shtetasëve të tij.

Mosvijimi i mësimit - vetëdija e ulët kombëtare
 

Mësuesja Hatixhe Ramadani shpreh mirënjohjen për mbështetjen që i jep Shkollës shqipe Shoqata kulturore shqiptare "Dardania" dhe përvijon historikun dhe vështirësitë aktuale të Shkollës shqipe në Mannheim dhe më gjerë, në Gjermani. "Shkolla shqipe në Mannheim funksionon nga viti 1985/86. Unë kam filluar të punoj nga viti shkollor 1994/95, vitin e ardhshëm bëhen 20 vite. Mësuesi paraprak ishte Sabri Potoku, ndërsa mësuesi i parë në Mannheim ka qenë Ibrahim Hasani. Unë kam pasur punktin në Heidelberg, Weinheim dhe Wiesloch, me largësi udhëtimi rreth 50 kilometra. Aktualisht punoj vetëm në Mannheim.

Mësimin plotësues e vijojnë një numër i vogël nxënësish, aktualisht 40 nxënës, numër ky simbolik, në raport me shumësinë e mërgimtarëve në qytetin e Mannheim-it me rrethinë. Arsyet për mosvijim janë të ndryshme: neglizhenca e prindërve; kuptimi jo i drejtë i rëndësisë të shkollës dhe mësimit plotësues; vetëdija e ulët kombëtare; koprracia e pakuptueshme e prindërve, sepse u dhimbsen 20 euro në muaj për fëmijën, përkatësisht, mësuesen, ndërkohë që në kurse të ndryshme paguajnë edhe nga 50 euro në muaj!

Vështirësitë janë të shumta: mungesa e interesimit nga ana e prindërve; çështja e pazgjidhur financiare (mësuesja paguhet nga kontributet e prindërve, 20 € për një nxënës. Gjithashtu, jipet edhe një participim, pjesëmarrje nga ministria e kulturës të Baden Würtembergut, nëpërmjet Konsullatës të Kosovës në Stuttgart. Mesatarja e këtij participimi, pjesëmarrjeje është diç më pak se 100 euro në muaj! Punohet, praktikisht, në baza vullnetare. Unë nuk kam kontratë pune dhe as sigurim pensional te pala gjermane!

Shkolla shqipe, mësimi plotësues është i legjitimuar dhe ka të njëjtin organizim si shkolla gjermane: është zgjedhur Këshilli i prindërve, i cili ka kryesinë dhe kryetar aktual është Arton Salihu, nënkryetar Rabit Kadriu, ish-nxënës të Shkollës shqipe, tani prindër. Ndihmojnë të gjithë prindërit dhe sidomos nënat, për sjelljen e fëmijëve në ushtrime, për udhëtime për të shfaqur programe kulturore si dhe për pjesëmarrje në kuizët e diturisë në nivel të Gjermanisë.

Shkolla e Mannheim-it ishte nikoqire e kuizit të diturisë në vitin 2010. Këtu duhet cekur edhe ndihmën e Shoqatës kulturore shqiptare "Dardania" të Mannheim-it, sidomos kur është në pyetje sigurimi i lokalit. Përmes përfaqësuesit të komunitetit tonë, pranë organeve të qytetit Mannheim, bashkëshortit tim - Tefik Ramadani, ekziston një bashkëpunim i mirë me strukturat e qytetit. Në saje të një bashkëpunimi në vijimësi, siç është pjesëmarrja e çdovitshme e Shkollës shqipe në ditët e kulturës ndërkombëtare dhe veprimtari të tjera, që organizon komuna, qyteti, në koordinim me sektorin për intregrim të të huajve, qyteti i Mannheim-it, për mbajtjen e kuizit të diturisë na ka ndihmuar me 700 euro.

Me fëmijtë që vijnë rregullisht në mësimin plotësues, jam e kënaqur. Ata e mësojnë gjuhën dhe kulturën si dhe janë më të lidhur me Kosovën. Por, nuk jam e kënaqur me nivelin e përfshirjes të të gjithë fëmijëve të moshës shkollore në procesin mësimor. Justifikimi i pa bazë, madje banal, se kinse fëmijëve po u ngatërrohen gjuhët, po pengohen në procesin mësimor, në rastin konkret, me gjuhën gjermane, nuk qëndron fare.
Shkencërisht është provuar se një fëmijë mund të mësojë 4 (katër) dhe 5 (pesë) gjuhë, njëherësh, paralelisht. Këtë e kam provuar ke tre fëmijtë e mij dhe tek shumë nxënës të mij, që kanë ndjekë me rregull Shkollën shqipe, përkatësisht, mësimin plotësues. Unë apeloj tek të gjithë prindërit, që t`i dërgojnë fëmijtë në Shkollën shqipe, sepse ata duhet ta kenë të qartë se nga kjo nuk kanë asnjë dëm. Përkundrazi, ata dhe shoqëria vetëm sa përfitojnë nga përvehtësimi i mirë i drejtëshkrimit dhe i gjuhës amëtare", - bën thirrjen e sinqertë, mirëdashëse dhe atdhetare, mësuesja shembullore e Shkollës shqipe "Shote Galica", në Mannheim, Hatixhe Ramadani.

Shkurte Fejza - një jetë në skenë




 


Bashkëshortet: Shkurte Fejza dhe Hajrush Behluli

Shoqata kulturore shqiptare "Dardania", gjegjësisht, kryesia e saj, për ta bërë festën jubilare më të madhërishme, kishte përzgjedhur për ftesë Shkurte Fejzën, eposi serioz e atdhetar i të cilës përkon, pikërisht, për festat kombëtare. Asaj mbremjeje manifestoi forcë e vitalitet, sikur të ishte në ditët e rinisë të saj. Jehona oshëtimë e zërit të saj, pasohej nga duartrokitje dhe ovacione. E palodhshme, për ta mundësuar edhe kërcimin masiv të mërgimtarëve, Shkurta këndoi një mori këngësh, pa e shkëputur melodinë kënduese e vallëzuese.

Në mbremjen jubilare festive, me një program të përzgjedhur artistik, u paraqit edhe Grupi "Pishat" i Deçanit, me këngëtarët, tashmë, të njohur, Veton Mushkolaj dhe Bujar Osaj. Muzika ritmike dhe vallëzimi masiv i mërgimtarëve, krijuan atmosferë të hareshme e festive. Për më shumë se një orë, pa pauzuar fare, i priu vallës, me flamurin kombëtar në njërën dorë, i veshur me rroba kombëtare, mërgimtari i hershëm, nga Ilirida, Nazmi Veliu, (vëllai i madh i nr.2 në BDI, Fazli Veliut), një veprimtar i kudondodhur i Mërgatës tonë.

Veprimtari, gazetari dhe mjeshtri i kamerës, Halil Rrustemaj, e përcolli me vëmendjen e duhur tërë manifestmin jubilar, të organizuar në 5-vjetorin e pavarësisë të Kosovës. Si mjeshtër i i fiksimit me kamerë dhe tekstin shpjegues gojor, të transmetuar nga Televizioni qendror e lokal, satelitor e tokësor, në Kosovë dhe Diasporë, gazetari me përvojë, Halil Rrustemaj, mbremjen jubilare në Mannheim të Gjermanisë, e bëri pronë në çdo familje të Shqiptarisë.

Retrospektivë: Viti 1991. Veprimtari Sefer Çoçaj më telefonoi nga klubi shqiptar i Mannheim-it, duke më njoftuar se "ka arritur Grupi muzikor i Shkurte Fejzës nga Kosova, me misionin për të dhënë një seri koncertesh muzikore, në ndihmë të arsimit në Kosovë. Rezervimi për fjetje në hotele është i kushtueshëm. A keni mundësi t`i strehoni për tri javë në shtëpi"? - Besoj se po, megjithatë, po e bisedoj me vëllanë tim, Seferin (Zeqiraj), - u gjegja unë. Vëllai im e kishte blerë një shtëpi tre katëshe një vit më parë dhe unë, fillimisht, si beqar, pastaj edhe i martuar me fëmijë, kam banuar dhe jetuar gratis ke im vëlla për 10 vjet radhazi.

Edhepse e dija se vëllai im është i gatshëm e derëhapur, thashë -besoj se po-, kisha një paragjykim se shqiptarët e Kosovës janë më buzëhollë, më të rëndë, më pretendues për rehati dhe ngrënie, se sa shqiptarët e Shqipërisë së vjetër. Vetëm pak muaj më parë kishim pritur në familjen tonë Grupin artistik të përmetarit Lakmi Hasimi, virtuoz i njohur veglave muzikore, prej 22 anëtarësh, kryesisht, amatorë, përjashto këtu xha Lakmiun me tre djemtë, Sejfullah Miftari, i njohur me Cekja i Beratit, redaktorja e emisionit për fëmijë pranë RTSH, Keti dhe ndonjë tjetër, që nuk arrij ta shquaj me emër. Grupi u stacionua në shtëpinë e vëllait dhe ne, nëpërmjet aktivistëve tanë, kryesisht, të LDK-së, ndëhynim për të siguruar salla të lira dhe bënim agjitimin për koncerte. Ata ishin hallexhi, shumë modestë dhe të lehtë për t`i pritur dhe mbajtur në familje. "Ju lutem, ju mos u ngushtoni për neve, sepse neve na mjafton një dhomë e madhe për fjetje", - na tha xha Lakmiu. Shumica e grupit ishin nga Jugu i Shqipërisë, qenë të mrekullueshëm, andaj edhe sot vazhdojmë të jemi miq të mirë.

Përgjigja nga vëllai im, Seferi, ashtu siç pritej, ishte pozitive. Siç dihet, Ludwigshafen-in, ku ne jetonim, e ndanë lumi Rajna, por e lidhë një urë e njohur me Mannheim-in. Renda ke klubi i atjeshëm, për t`i marrë. E njihja vetëm Fitim Domin, me të cilin kishim shërbyer në arsim, në vitet `60-a, ai në Llap dhe unë në Gollak, komuna e Prishtinës, ndërsa Shkurtën dhe motrat Mustafa i kisha parë në televizion vetëm në fillim-vitet e `90-a. Grupi e kishte autobusin e prenotuar nga Kosova dhe kishte planifikuar vendqendrimin falas dhe, që andej, për të lëvizur ndër qytete të tjera gjermane për koncerte.
 
Në përbërjen e grupit të Shkurte Fejzës ishin 16 anëtarë: Grupi muzikor "Bajram Curri" i Universitetit të Prtishtinës, i prirë nga profesor Shaqir Gashi; Motrat Mustafa, Shahidja dhe Safetja; motra e Shkurtes, Naxhija - më e reja e grupit, 15 vjeçare; humoristi i njohur Fitim Domi, i njohur në skenë me Mixha Ramë; një teknik instrumentesh dhe koordinuesi e menagjuesi i koncerteve, Hajrush Behluli, bashkëshorti i Shkurte Fejzës. Çifti Fejza-Behluli gjatë ditës ishin në shoqëri të Grupit, por flinin ke Ana Schreiber, aktiviste për çështjen e shqiptarëve të Kosovës, e cila bashkëjetonte me një mërgimtar nga Suhareka.
 
Naxhije Ferjza

Grupi ishte shumë simpatik dhe i papërtueshëm. Në ditë pushimi apo kohë të lirë, vinin shumë mërgimtarë, për të ndejur me mysafirët artistë nga Kosova. Vajzat, pa pritur lutje, i rroknin veglat dhe këndonin për vizitorët. Paragjykimi im për "buzëhollët" e Kosovës, po zvetnohej çdo ditë e më shumë. Zonja e shtëpisë, kunata ime, e cila, gjithashtu, quhej Shkurte, punonte në dyqanin e saj në katin përdhes, andaj, mengjesin duhej ta përgadiste dikush nga anëtarët e grupit. Dhe, këtë detyrë fisnike e kryente, mrekullisht mirë, Mixha Ramë, sepse ai me Shaqir Gashin zgjoheshin të parët.

Gojëkëqinjtë stalinistë të Kosovës, pacipshëm, kanë përfolur dhe shpifur, madje edhe me shkrim, për shtëpinë e vëllait tim, në Ludwigshafen, se kinse ajo është blerë me paratë e mërgimtarëve, se gjoja ajo më përket mua e jo tim vëllait, edhepse në atë kohë unë kisha vetëm diç më shumë se një vit që kisha emigruar në Gjermani dhe vetëm tre muaj që Dega e LDK-së, me seli në Stuttgart, me kryetar Hafiz Gagicën, më kishte angazhuar në aksionin "Ta ndihmojmë Kosovën për vetëmbrojtje", në komisionin prej 5 vetësh, i cili e mbulonte Gjermaninë e tërë.
Zef Deda pjesë e Grupit të Shkurte Fejzës
 
Humoristi i famshëm shkodran Zef Deda
 
Humoristi Fitim Domi (MIxha Ramë)

Koncerti i parë do të jipej në Ludwigshafen. Paradite Shkurta, në dhomën e pritjes, u konsultua me trupën artistike për koncertin e mbremjes. Fitim Domi tha se "kam dëgjuar për Zef Dedën që është në Gjermani".
- Po, është 100 km larg prej këtu- i thashë.
"-A njihesh me Zefin dhe a mund të na sjellësh në koncertet tona", - pyeti Fitimi.
-Zef Dedën e kam mik, - u gjegja krenarisht.
Fitim Domi priti përgjigjen e pjesës të dytë të pyetjes, por unë heshta.

Gjakovari i zgjuar lexoi hezitimin, ngurrimin, mëdyshjen, dilemën time dhe, duke i rënë lehtas me shuplakë tavolinës, për të më "zgjuar" nga heshtja, vazhdoi: "Ti e ke hallin se çfarë do të bëjë në skenë Mixha Ramë, kur aty është Zef Deda. Unë, Fitimi, jam mësues i anglishtës, kurse Mixhën Ramë e luaj për hobi. Ndërsa Zef Deda është humorist profesionist, mjeshtër i zanatit të tij skenor, njëri nga më të mirët në të gjithë Shqiptarinë. Prandaj, unë po e kërkoj, pa u merakosur fare për eklipsimin tim". Edhe Shkurta e aprovoi ftesën. Dhe, në prezencë, prani të tyre i telefonova Zef Dedës, duke i thënë se Grupi i Shkurte Fejzës dëshiron që ju të bëheni pjesë e tij qysh sot.

E vonuam drekimin, në pritje të Zefit, por ai po vonohej në tepëri. Sofra qe shtruar dhe grupi sapo filloi ngrënien, Zefi arriti, i mbushur frymë nga nxitimi. Duke i ururar mirëseardhjen, e pyeta: - Zef Deda, a doni në dhomë të pritjes për të pushuar, apo në kuzhinë me drekuar? "-Më mirë në kuzhinë me drekuar",- u gjegj prerazi Zefi. Ai përshëndeti me dorë mbi zemër dhe u ul në karrikën që e kishte lënë bosh Fitimi, enkas për Zefin, i cili filloi të hajë, si i babëzitur, por edhe duke folur, aftësi e veçantë e tij. Të tjerët stopuan ngrënien dhe vetëm e shikonin dhe e dëgjonin me habi e vëmendshëm Zef Dedën.

Pas tre - katër minutash, për së uluri, u zgjati dorën, duke i thirrur në emër: Fitim Domin, Shkurte Fejzën, Motrat Mustafa dhe Naxhijen. Të tjerët ia prezantova dhe Zefi, pasi e pikasi emrin e profesor Shaqir Gashit, duke bërë analogjinë me profesor Ahmet Gashin, të cilit Partia dhe Enveri ia nxinë jetën, madje për dekada radhazi, sepse djemtë e tij, Luani dhe Fatoni, ishin veprimtarë të nacionalizmës, antikomunistë të bindur në radhët e Mërgatës të Amerikës.

Shqiptarët e Shqipërisë londineze në përgjithësi dhe Shkodra në veçanti, janë mikpritës me zemër. Qoftë edhe i kontaktuari për herë të parë, ndjehet si mik i vjetër në familje, ngaqë sjelljet janë të natyrshme, modestia dhe përzemërsia janë simotra. Shkodrani Zef Deda, me humorin e lindur të tij, krijoi një atmosferë familjare me Grupin muzikor, të prirë nga Shkurte Fejza dhe prova për koncertin e mbremjes, pothuajse, kaloi suksesshëm. Në skenë Zef Deda dhe Mixha Ramë plotësuan, harmonishëm, njëri-tjetrin, duke shpërfaqur një spektakël të paparë deri asaj nate në Mërgatë.

Në koncertin në Bade-Baden ishim mysafirë të vëllezërve Aziz e Dan Gashit dhe të Isa Shalës, por, mungoi Zef Deda. Të nesërmen Grupi vazhdonte turneun në Koblenc. I telefonova Zefit të udhëtonte për atje dhe në stacionin e trenit do ta priste një aktivist i LDK-së. - Për lehtësi njohjeje mbaje në dorë një gazetë Kosove, por mos bëj numra si Cekja i Beratit, në Bahnhof-in e Mannheim-it, i cili vuri në lëvizje policinë vendore, me "çatallimet" e tij humoristike, para kamerave të mërgimtarëve, - i thashë unë. "- A do të vijë dita të punojmë edhe për kryq të verdhë, apo vetëm për të kuqin",- më pyeti gjithë humor Zefi? -Ditë të mira do të vijnë paskëtaj, - ka thënë Naim Frashëri, - e ngushëllova unë. Ato ditë unë u bëra "shefi" i Zef Dedës!

Ngushtohesha deri në lot për mërgimin e Zef Dedës. Më kujtohej, dikur, kur lajmërohej përformimi i Zef Dedës në Tiranë, biletat shiteshin shpejt dhe të tërat. Mërgimi nuk është arena e artistit. Aq më keq në Gjermaninë ligjore, ku trajtohet njësoj si bariu si gjenerali. Dhe, kjo të kujton një shprehje të romëve të fillimit të pushtetit komunist në Jugosllavi: "Kaj gabeli, kaj zotnia, rrënoftë Revolucija" (Si gabeli, si zotnia, rroftë Revolucioni.)

Angazhimin e Zef Dedës në koncertet e Shkurte Fejzës e inkurajoja për dy arsye: E para, prania e Zefit shtonte numrin e spektatorëve dhe, e dyta, ta afirmoja talentin e tij të veçantë në fushën e humorit, për t`u bërë i kërkuar nga mërgimtarët, duke organizuar spektakle të pavarura. Arritja e qëllimit të dytë qe i pjesëshëm, sepse në Kosovë mjeshtërit e humorit numërohen me gishtërinj, ndërsa amatorët janë masiv dhe e kanë banalizuar skajshëm këtë gjini të bukur të artit skenik. Në skenat e humorit në Kosovë dhe në Mërgatë, për ndryshim nga ato në Shqipëri, mbizotërojnë britmnat e çjerra dhe të sharat me nënë dhe babë! Dhe, këtë "kënaqësi" nuk mund t`ua dhuronte mërgimtarëve tanë, mjeshtri i madh i humorit të mirëfilltë Zef Deda. Hiqni një paralele në mes të humoristëve dhe të repërve të Kosovës, do ta gjeni të njëjtin fjalor, zhargonin e rrugëve.

Shkurte Fejza me Grupin e saj do të shkëlqenin në turneun e tyre humanitar dhe kombëtar, duke depozituar në arkën e arsimit të Kosovës 41.000 (dyzetë e njëmijë) marka gjermane. Çuditërisht, asnjëherë nuk kam mësuar se kush e pengoi botimin e një reportazhi për turneun e Grupit të Shkurte Fejzës në atë kohë?!

Baca Mark: "Shkurta e ka hak një kalë pare"

Grupin e Shkurte Fejzës, të ardhur enkas për ndihmë arsimit në Kosovë, duhej ta shoqëronte kryetari i Këshillit të Arsimtarëve të Shkollës shqipe në Gjermani, Rifat Hamiti, i cili, përgjatë mandatit të tij ka qenë mjaft i suksesshëm në komunikimin me kolegët e tij mësues. Por, duke qenë i zënë me procesin mësimor dhe larg, në veri të Gjermanisë, më sugjeroi që Grupin ta shoqëroja unë në disa koncerte. Në Stuttgart, nën organizimin e Klubit "Fazli Graiçevci", i drejtuar nga mërgimtari i hershëm Murat Kryeziu, në koordinim me Nëndegën e LDK-së për Baden Würtemberg, me kryetar Shaban Bobaj, u dha një koncert madhështor. Edhepse salla ishte mjaft e madhe, nuk përmbushi kërkesat masive të mërgimtarëve, prandaj edhe u përsëdytë koncerti.

Shkurte Fejza është sa e rreptë, aq edhe e drejtë dhe e drejtëpërdrejtë. Sjellja e saj, ndryshe nga femrat tjera të buta, ose që shtirën si të tilla në prani publike, i pëlqente bacës Mark, një burrë i moshuar patriarkal e kanunor, i Malësisë të Gjakovës, punëtor i hershëm i Mërgatës, në Stuttgart. "Shkurta asht malësore e burrneshë, e ka hak nji kalë pare", - tha baca Mark, kur ajo fotografohej me një grup mërgimtarësh. Dhe, kur Shkurta u afrua në ndejën tonë, baca Mark i tha: "Shkurte, nuk më dukësh e pameçme, kur ke dijtë me e ndalë për vete një djalë si Hajrushin". Ishte ky një mendim i shprehur në formë dhe përmbajtje sa origjinale, po aq të përkryer. -Baca Mark, kaq shumë po të pëlqen Hajrushi, - e ngacmova unë?
"-Po, se po m`i ngjan Mbretit Zog, me ato musteçet e holla dhe në pamje e sjellje fisnike, si princ", - u gjegj baca Mark. Vlerësimi që i bëri baca Mark, e përkëdheli Hajrushin dhe kur cikërrohej me Shkurtën, më thoshte: "Kujtoja Shkurtës se çfarë ka thënë baca Mark".

Me një rast tjetër turneu, kishin marrë me vete djalin pesë vjeçar. Shkurta nuk ishte e gatshme t`i përmbushte tekat e fëmijës. "Të shtatë motrat jemi rritur me një palë rroba", - thoshte modestisht ajo. Ndërsa Hajrushi ishte më i butë me djalin dhe thoshte se "Shkurta, vërtet, i ka lindur fëmijtë tanë, por rritur i kanë gjyshja me tezet, sepse ajo ka qenë e angazhuar shumë me koncertet muzikore brenda dhe jashtë Kosovës".
Profesor Shaqir Gashin e takova pas plot 22 vitësh. Barra e viteve e kishte dugur mjaft. Por, vitaliteti dhe vituoziteti që manifestoi në 100 vjetorin e Pavarësisë të Shqiprisë, të organizuar në Frankfurt, nga kryetari i Lidhjes shqiptare në Botë, dega në Gjermani, Sebastian Nuiçi dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e artistëve për Gjermani, e kryesuar nga Hasan Qyqalla, ishte një befasi e këndshme për të pranishmit numerikë. Ajo që na shpjegoi atë ditë gazetari dhe analisti i mirënjohur Bajrush Morina, për zbulimin, studimin dhe ripërtritjen e melodive, gjithnjë në ngritje artistike të lirës shqiptare, është një mrekulli e llojit të vet.

Befasia e përlotshme e Shkurte Fejzës

Një vit më vonë, pas turneut muzikor në Gjermani, në Tiranë takova çiftët: Shkurte Fejza e Hajrush Behluli si dhe Remzije Osmanin me Halil Hamzën. Unë kisha shoqëruar një kontigjent ndihmash për në Shqipëri, si kontribut i Qeverisë të Kosovës dhe të LDK-së. Hajrushi më propozoi: "-Kam një makinë "Lada", eja të shkojmë në Kukës për dy ditë, sepse jemi mërzitur në Tiranë". Duke mos dashur t`i ngarkoja miqtë me hallet e mia, siç ishte malli i depozituar në repartin ushtarak të Lundrës, tej Saukut të Tiranës, edhepse i koracuar, ishte kohë tranzicioni dhe relativizohej çfarëdo sigurie, andaj edhe nuk mund të largohesha, miqëve u servira një variacion lokal, brenda Tiranës, vizitë dhe ndejë familjare.
Familja Daku numëronte dekadat që kishte zbritur nga Kalaja e Dodës, Peshkopi, në Tiranë. Teta Sanije, e mbetur e ve, kishte marrë nuse për djalin e vogël, Fadilin, nga kosovarë të Mbretërisë. Nuse Shpresa ishte kushërirë nga nëna. Dhe, pikërisht, këtë familje e pikëtova për të kaluar një mbremje me miqtë e mij të Mushëtishtit të Suharekës. Telefonat ishin të rrallë, kryesisht, pronë e zyrtarëve të lartë. Andaj vajtëm pa paralajmërim. Na pritën me shumë ngrohtësi, ashtu siç dinë të presin vetëm shqiptarët e Shqipërisë së vjetër. Aty gjetëm mikeshën e shtëpisë, nënën e Shpresës, dadën Fazë, e ardhur nga Mamurrasi, Kurbin, e cila po shkelte në të 70 vitet e jetës.

Fillimisht, mysafirët i prezantova thjeshtë: janë miqtë e mij nga Kosova. Nusja e shtëpisë pyeti: "Si i pini kafet"? Ende pa u gjegjur, Hajrushi më bërryloi pakujdesshëm. - Çfarë ke,- i them me habi, por me zë të pakët. Hajrushi, duke rrapëlluar lehtë buzët, vuri shuplakën e dorës sipër barkut. E kuptova që nuk kishin ngrënë darkë dhe kishin uri. Ata ishin parelinj, por helmimet nga ushqimi në Tiranë, në atë kohë, viti 1992, ishin bërë të zakonshme. Ndërkohë, nuse Shpresa kishte përcjellur mini-lëvizjet tona, unë instikivisht përkula kokën, për të parë përmes derës të qelqtë të sobës elektrike, shporetit. Shpresa kërkoi falje që nuk na kishte lutur për darkë qysh në fillim. Dhe, solli pullën, për të ngrohur dy tepësitë, njëra patate me mish dhe tjetra me pite malësie, Kosove. Ishte miqësi e re dhe respektoheshin reciprokisht, andaj e kishin shtruar mirë dhe dy plakat e nusja veçsa e kishin bërë shenjë, pasi dhëndërri punonte në gastronomi dhe kthehej vonë në shtëpi, madje i ngopur.
 
Pasi darkuam, pimë edhe kafet. Tani fillova me prezantimin e ngeshëm të mysafirëve. Fillova nga gratë, sepse burrat janë bërë të njohur nga dy këngëtaret, shumë të zëshme në hapësirën gjithëshqiptare. Shqipëria londineze i njohu e fundit, sepse ishte e kursyer në promovimin e artistëve jashtë kufijëve të saj, qofshin ata edhe shqiptarë! Cenzurë, madje e egër, kudo dhe për këdo. Madje, reklamimi i artistëve, konsiderohej modë e praktike borgjeze dhe revizioniste! - Është Shkurte Fejza dhe Remzije Osmani dhe këta janë burrat e tyre, Hajrushi dhe Halili, - bëra prezantimin unë.

Dada Fazë i fshiu sytë, ndriçimi ishte i mangët dhe, në heshtje, vetëm shikoi ngultas. Futi dorën e djathtë nën bluzën e pullosur, pastaj më thellë, poshtë këmishës dhe tërhoqi një tojë, duke nxjerrë jashtë një zhag - bezeje të vogël dhe brenda tij një kasetë, fort të zhubrosur, e vjetëruar nga jashtë. Ishte një kasetë e hershme, origjinale, me këngët e Shkurte Fejzës. Të gjithë shtangëm ngas kjo befasi e këndshme, ndërsa Shkurta u prek deri në përlotje. Pastaj, hapi çantën, nxori kasetën më të re dhe shkroi sipër: "Me dashuri e respekt dadës Fazë - nga Shkurte Fejza".
U krijua një atmosferë e ngrohtë, intime e miqësore. Mysafirët e shtruan muhabetin me dadën Fazë. Ajo filloi rrëfimin e jetës: "Prindërit më kanë thënë se serbët i vranë tre djemtë e mixhës të babës dhe babën e goditi plumbi në qaf dhe i doli nën sy, ku i mbeti një gropë e përjetshme, por mbijetoi. Gjithmonë i kujtonte djemtë e shtëpisë të vrarë dhe plagën e vet. Kur u bashkua Kosova me Shqipërinë, baba me vëllezër mori hak, bile edhe plaga u pagua me kokë. Serbët ishin kolonë dhe na i vranë djemtë, për të marrë tokën tonë. Edhepse ata kanë ikur nga Kosova, toka e tyre në letra, por e jona me fakte, tash është vënë në shitje. Evropa po na thotë se serbët i kanë tapitë dhe ata janë zotër të tokave tona!! Prindërit vdiqën me mall Kosove.

Gjatë ikjes të përgjakshme, unë kam lindur në Tropojë. Mbretëria na vendosi në Mamurras, na dha tokë dhe u bëmë të pasur. Vëllai i madh, Bajrami, i cili në janar u nda kësaj bote, iu bashkua partizanëve, kurse unë dhe motra ime, Shaha, bënim triko e çorape leshi për partizanët. Baba me mixhallarë ndihmonin me ushqime partizanët. Një dhomë e shtëpisë tonë u bë muze i luftës. Vëllai Bajrami mbaroi shkollën e tregëtisë, por nuk ushtroi asnjëherë profesionin, pse nuk pranoi të punojë në Sigurim.

Edhepse kishim ndihmuar luftën, donin të na shpallnin kulakë, armiq. Vite me radhë na mbajtën në tension të internimit, të burgut. Tokën që na dha Mbretëria, na e mori Partia. Nuk na lanë vend as për ta mbjellur një lehë me qepë. Mall i kishim frutat. Rrinim nën ethe kush e ka radhën e ndëshkimit, internimit, burgut" - foli me lotë e dhimbje, për jetën e pajetuar, nën diktaturën e egër komuniste, plaka e mirë e gojëtare, dada Fazë Shala - Maxharraj.

Naser Hoxha - njeri i traditës dhe organizator i mirë 


Juniku, komuna më e re në Kosovë, është qendër e Rekës të Keqe dhe e Vokshit. Ai është fshati më i madh në Kosovë, ka një histori të veçantë, e cila e shquan nga fshatrat tjera të Kosovës. Më 1912 është mbajtur Kuvendi i Junikut, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kohës, pas shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë, ku do të bëhej lidhja e besës për çlirimin e trojeve shqiptare. Për rrjedhojë, qendrat e vendosjes të kohës, do ta njihnin Junikun si zonë e lirë dhe neutrale.

Oda e Junikut është e njohur në Kosovë dhe në të gjithë Shqiptarinë. Ajo ka qenë dhe mbeti një institucion i drejtësisë tradicionale, tipike shqiptare. Pikërisht në këtë Odë, nga një familje emërmirë dhe atdhetare, nga prindër Brahim dhe Sofije Ramosaj - Hoxha, më 1960, u lind Naser Hoxha.

Gjyshi Avdyl Imer Hoxha ishte kryetar i Kuvendit të Junikut, ndërsa babai Brahim Adyl Hoxha pleqnar i zëshëm në Dukagjin dhe Kosovë. Atdhetarizmi familjar u dëshmua përgjatë gjithë shekullit të shkuar. Në fund-dhjetorin 1997, studenti Edmond Hoxha, nip i Avdyl dhe Brahim Hoxhës, nga djali dhe vëllai, do të ishte njëri nga martirët e parë të lirisë, të rënë së bashku me shokët, guerilasit llapjanë, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu.

Familja Hoxha, krahas traditës, me kohë përqafoi edhe bashkëkohoren, arsimin, madje shkolloi jo vetëm djemtë, por edhe vajzat. Naseri, njëri nga pinjollët e Familjes Hoxha, shkollimin fillestar e bëri në Junik, gjimnazin në Deçan, ndërsa Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Djali i Familjes Hoxha, sinonim i Odës të Junikut, do të ishte gjithmonë nën përgjimin dhe goditjen e pushtuesit. Naser Hoxha, tashmë, jurist i diplomuar, më 1991, do të niste rrugën e mërgimit. Ai u vendos në qytetin e Mannheim-it, duke u angazhuar në veprimtaritë e Mërgatës shqiptare, e cila po i shtonte radhët gjithnjë e më shumë, nga presioni i shtuar serbo-sllav në Kosovë.

Në Mannheim jetonte dhe punonte, që nga vitet `70-a xhaxhai i Naserit, Muharrem Hoxha, një veprimtar i hershëm i Mërgatës. Naseri u kyç në LDK-së, në Mannheim, duke u ngritë edhe në cilësinë e anëtarit të kryesisë. Mannheim-i, si qendër masive e mërgimtarëve, vizitohej shumë nga kuadrotë e LDK-së. Naseri i priste dhe i shoqëronte personalitetet politike të Kosovës. Ai kujton vizitën e profesor Fehmi Aganit, të cilin, pas dr. Ibrshim Rugovës, e çmonte më se shumti. Duke parë shumësinë e ikanakëve të Kosovës, Naseri u angazhua për organizimin dhe inkuadrimin e tyre në aktivitetet e kohës. Me nismën personale të tij, më 1994, themeloi Aktivin në Waghäsel, duke u zgjedhur kryetar i këtij aktivi.

Naser Hoxha është njëri nga themeluesit e Shoqatës kulturore shqiptare "Dardania" dhe nga viti 1977 kryetar i saj. Ai do ta fillonte punën si punëtor në një firmë gjermane. Në saje të korrektësisë të pashoqe, do ta fitonte besimin e shefit të firmës, i cili, tashmë, i ka lënë hapësirë Naserit, për ta menagjuar, pothuajse, të gjithë aktivitetin e firmës tregëtare. Puna nuk e pengoi asnjëherë Naserin, për t`u aktivizuar në veprimtaritë e gjithanshme të Shoqatës dhe së bashku me Kryesinë simpatike dhe të zellshme, do ta impulsonte aktivitetin e saj.

Naser Hoxha është i martuar me Kumrije Dacaj-Hoxha, motër medicionale dhe kanë tre fëmijë: Argjira, motër medicionale, drejtimi i Psyhiatrisë; Brahimi - Informatikë dhe Meshatronikë; Laura - klasa 8 (tetë) gjimnaz. Familja mërgimtare Hoxha bënë jetë të harmonishme, duke ndihmuar reciprokisht njëri - tjerin në punët e çdoditshme.

Shoqata "Dardania" shpallë "Vitin e Humanitetit"
- Me moton: "Ndërtojmë një shtëpi, ngjallim një shpresë"
 

Shoqatat shqiptare, ashtu si dikur shoqëritë kulturore kombëtare në mërgim, që punonin për afirmimin e etnikumit shqiptar, për lirinë, pavarësinë dhe shtetformimin shqiptar, sot në Mërgatë ruajnë identitetin kombëtar, nëpërmjet arsimit dhe kulturës si dhe kultivojnë ndjenjat humane, njerëzore, duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, skamnorëve në Atdheun e tyre dhe tonin, Shqipëri dhe Kosovë.

Shoqata humanitare "Nëna Tereze", e ideuar nga dr. Ibrahim Rugova dhe e shtrirë në të gjithë etnikumin shqiptar dhe në Mërgatën shqiptare, kudo që ajo jeton dhe punon, me veprimtarinë e saj të organizuar, në mënyrën më të përkryer të funksionimit, veprimit, ndihmoi shumë në zbutjen e varfërisë masive dhe absolute, madje jo vetëm në Kosovën e pushtuar, por, edhe në Shqipërinë e lirë, me një tranzicion të egër dhe të stërzgjatur, si rrjedhojë e rezistencës të racës sllavo-bizantine komuniste, për të ruajtur, madje, me çdo çmim pushtetin, qoftë edhe duke i torturuar materialisht dhe terrorizuar fikisht dhe shpirtërisht shqiptarët e persekutuar mizorisht, për gjysmë shekulli me radhë. Edhe pushtuesi më barbar nuk do të arrinte të mjeronte ekonomikisht, ta privonte politikisht, ta sakatoste fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht, në këtë masë, sa e dhunoi, poshtëroi dhe e përgjaku klika fodulle e vrastare e Enver Hoxhës.

Shoqata "Dardania" në Mannheim, me kryetar Naser Hoxhën, ashtu si edhe Shoqatat tjera simotra: "Kadri Zeka" në Kirchheim-Teck, e drejtuar vite me radhë nga veprimtari i hershëm i Mërgatës, Xhafer Leci, tani kryetar Nderi i saj; Shoqata "Sali Çekaj" në Pffaffenhofen, e prirë nga Osman Ferizi dhe të tjera, me guxim kanë ndërmarrë nisma humaniteti, deri në strehimin e familjeve të veçanta, me varfëri ekstreme. Dhe i kanë realizuar me sukses aksionet e tyre, në saje të vullnetit të mirë dhe harmonisë kolektive brenda kryesive të shoqatave të tyre zëmira.

Në rrethanat e rënduara politike dhe ekonomike për popullin tonë, madje në të dy anët e kufirit, përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave, u manifestua suksesshëm edhe humaniteti, bëmirësia e firmave private dhe e individëve të thjeshtë. Rast eklaktant është humaniteti i njërit nga njerëzit e zëshëm të Mërgatës të sotme, Maxhun Smajli. I njohur si reporter i luftës më parë dhe i "Marshit të mërgimtarit", vitin e kaluar, duke e përshkuar me këmbë rrugëtimin në relacionin Gjermani - Kosovë, në nderim dhe përkujtim të 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s, deri në çlirimin e Kosovës, ai me familje, shokë e miq realizoi dërgimin e dy kontigjenteve me ndihma, brenda 6 muajve, për disa familje skamnorësh si dhe për dy shkolla në rrethin e Pukës. Për të ndërmarrë nisma të tilla personale, duhet ta kesh zemrën bjeshkë të madhe, sepse, siç thotë populli "pa e lënë veten keq, nuk mundesh me i bë mirë tjetrit".

Shoqata "Dardania", përvjetorin e 5-të të pavarësisë të Kosovës, e shpalli si "Vitin e humanitetit", me moton: "Ndërtojmë një shtëpi, ngjallim një shpresë". Kësaj radhe u zgjodh një familje junikase, 18 anëtarët së cilës jetojnë në një hapësirë prej vetëm 60 metra2. Në mbremjen jubilare të pavarësisë të Kosovës, aktivistët e Shoqatës "Dardania" ishin veshur me bluzat e dizanjuara enkas për aksionin: "Ndërtojmë një shtëpi, ngjallim një shpresë". Dhe, ky ishte sinjali i një aksioni, për të ndihmuar një familje të rënë në nevojë, i cili do të pasohej nga aksione të tjera përgjatë -Vitit të Humanitetit"

Lëndëzimi i aksionit dhe biseda e ngrohtë me Agron Kuqin
 
Agron Kuqi (majtas), në intervistim

Në mbremjen e së nesërmes mërgimtarët e Mannheim-it me rrethinë u mblodhën në lokalet e Shoqatës kulturore shqiptare "Dardania", për të lëndëzuar aksionin e shpallur një ditë më parë dhe për të biseduar me mysafirin special, kryetarin e komunës të Junikut, Agron Kuqin. Ishte një takim pune, një bisedë e hapur, e ngrohtë me njeriun - kuadër, i ftuar veçmas nga Atdheu, në festën jubilare të pavarësisë të Kosovës. Me gjithë pritjen dashamirëse të zyrtarit të opozitës të pushtetit lokal, mërgimtarët ishin kritikë për rrjedhat politike dhe ekonomike në Kosovë dhe në veçanti, për krimin e organizuar, hajninë zyrtare, drejtësinë e përtokur, qeverinë nepotike e korruptive aktuale, të inkriminuar, fatalisht, në krimin politik dhe atë ekonomik në Kosovën tonë të nëpërkëmbur nga bandat grabitëse, gjobitëse dhe vrastare seriale.

Njëri nga aktivistët e dalluar, të djeshëm dhe të sotëm, Sabri Potoku, ishte mjaft kritik për gjendjen ekonomike të Kosovës dhe paaftësinë e qeverisë, për ta menagjuar buxhetin shtetëror.Trajtimi social është katastrofal. Ka raste kur një familje 16 anëtarëshe, pa asnjë të punësuar, trajtohet me 65 euro në muaj! Nivelizimet në trajtim janë paradoksale, fyese dhe injoruese, kur akademik Mark Krasniqi paguhet njësoj si një shërbyes shkolle. Në bisedë u kyçen edhe puntori i hershëm Gani Knushi, Besim Zeka dhe mërgimtarë të tjerë. I pari i komunës të Junikut, Agron Kuqi, u përgjigj në pyetjet e mërgimtarëve, duke dhënë edhe një informacion për të sotmen e komunës dhe planin zhvillimor në të ardhmen e afërt.

Mysafiri vlerësoi lart veprimtarinë e Shoqatës "Dardania": "Participimi, pjesemarrja juaj me ndihma materiale është vlerë njerëzore. Ju do ta keni përkrahjen e komunës të Junikut, jo vetën në aksionin aktual, por edhe për nisma të tjera fisnike, që mund të ndërmerrni në vijimësi. Ne do t`ju përcjellim me shkrim dhe pamje vizuale të objektit shtëpi në ndërtim. Që sot do ta keni një marrëveshje, madje me shkrim, me komunën tonë. Përzgjedhja e modaliteteve është e Juaja. Ne do të jemi kooperues deri në finalizimin e aksionit", - tha në fjalën e tij, bashkëbiseduese me mërgimtarët, kryetari i komunës të Junikut, Agron Kuqi.

Kryetari i Shoqatës "Dardania", Naser Hoxha, në emër të anëtarësisë dhe të mërgimtarëve tjerë, të Mannheim-it me rrethinë, falenderoi mysafirin Kuqi, për informacionin korrekt, duke u zotuar se do të jemi në kontakte të vazhdueshme, për të mirën tonë të përbashkët. Ai ftoi mërgimtarët e pranishëm t`i përgjigjen aksionit, sipas vullnetit personal të gjithësecilit.

Në atë mbremje u mblodh kesti i parë prej 5.500 euro, duke e lënë të hapur aksionin për të nesërmen dhe në vijim. Për aksionin humanitar: "Ndërtojmë një shtëpi, ngjallim një shpresë", me nga 500 euro startuan, nisën aksionin: Muharrem Hoxha, Gani Knushi, Lah Gaxherri, Mustafë Cacaj, Rrustë Gaxherri, Naser Hoxha. Dhe, lista emërore e dhuruesëve vazhdon me shuma të ndryshme.

Kryetari i Shoqatës ka bindje pozitive për vullnetin e mirë dhe kontributin që kanë dhënë shumë aktivistë të Shoqatës, por më emër shquan: Muharrem Hoxhën, Iljaz Ismailin, Tefik Ramadanin, Adem Buzukun, Musa Latifin, Sabri Potokun, Naser Hoxhën dhe të tjerë.

Asaj mbremjeje, për të pranishmit, Shoqata "Dardania", në kuzhinën e saj, kishte përgaditur një darkë modeste, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë, intime e familjare. Folën me radhë, si në - Odën e Junikut -, më të moshuarit, pastaj ata të moshës të mesme dhe të rinjtë, së fundi. Të tre brezat ishin të një mendjeje se humaniteti, bëmirësia për njerëzit në nevojë, më shumë begaton dhe fisnikëron shpirtin tonë, se sa varfëron apo dëmton xhepin tonë. Prandaj, kjo trashëgimi e artë e brezave, është koduar dhe vendin e fjalimeve lumë të dikurshme, po e zënë veprimet faktike të tanishme.

Muharrem Hoxha - sinonim i brezit të veprimtarëve të hershëm të Mërgatës

Brezi i hershëm i mërgimtarëve, pas një pune të gjatë dhe të mundimshme, tashmë, të pensionuar, mbetën gjithëherë në ballë të aksioneve. Ata janë shumë, por, duke përmendur njërin syrësh, si sinonim të një brezi të tërë, sikur përmbushim qëllimin e temës në trajtim, bacë Muharrem Hoxhën, i cili, me kohë, i ka kaluar të 70 vitet e jetës, i biri i Avdyl Hoxhës, kryetarit të Kuvendit të Junikut, më 1912; vëllai i pleqnarit të njohur, Brahim Hoxha; xhaxhai i heroit Edmond Hoxha dhe i kryetarit të Shoqatës Naser Hoxha.

Retrospektivë: Bacën Muharrem Hoxha e njoha para 23 vitësh, kur po themelonim Aktivin e LDK-së për Mannheim e Ludwigshafen me rrethinë. Pastaj, në të gjitha tubimet e shpeshta që mbaheshin në vitet `90-a, në Mannheim dhe Ludwigshafen, ai ishte i pranishëm. Shumë aktiv ishte edhe në Shoqatën humanitare "Nëna Tereze" në Gjermani, e kryesuar nga doktoreshë Antje, një gjermane tipike, e përkushtuar fort për çështjen shqiptare, për popullin e saj të pushtuar dhe të rënë në një mjerim të thellë.

Personalisht kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj me doktoreshë Antje-n, të jem vartës i saj, si përgjegjës për financa të Shoqatës "Nëna Tereze", e cila mbulonte gjysmën e Gjermanisë. Me një aftësi të veçantë, ajo arriti ta kulmojë bashkëpunimin me shoqatat simotra evropiane, në veçanti, "Caritas-in" gjerman, austriak e holandez, duke qarë bllokadën humanitare serbo-sllave dhe duke futur kamionët transportues me ndihma në Kosovë.

Në pranverë dhe verë të vitit 1998, lufta, më sakt, masakrat e filluara në Kosovë, kishin shpëngulur një popullatë të konsiderueshme të fshatrave të Dukagjinit dhe ishin strehuar në Malësinë e Gjakovës, Tropojë. Duke qenë pjesë e Emërgjencës të luftës, qysh në nismë vura në dispozicion të luftës objektin familjar, Fabrikën e miellit dhe magazinat rrethanore në Mamurras të Kurbinit, një afarizëm i filluar vetëm dy vjet para luftës. Aty do të bëhej magazinimi i ushqimeve dhe i bazës tjetër materiale për luftën dhe refugjatët, përfshirë këtu edhe armatimin.

Së bashku me bacën Muharrem shoqëruam një karvan kamionash transporti me ndihma nga Gjermania për në Shqipëri. Me ne ishin disa djem të Drenicës dhe kosovarë të Mbretërisë, punëtorë të Fabrikës, kryesisht, shoferë të kamionave të tonazhit të madh, të cilët kishin aftësi ngarëse në rrugët e veshtira dhe të rrezikshme, duke përshkuar Mirditën, Pukën dhe Tropojën, për në Malësinë e Gjakovës.

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë teknike të udhëtimit, nëpër rrugët e këqija dhe të lëna në harresë, siç i pati krahasuar me "rrugët e Bangladeshit", miku im i vjetër, Kadri Os(Mani), tanimë, i amëshuar, (ndjesë pastë), banda e kuqe e uniformuar e Tropojës, në bashkëpunim të ngushtë e kriminal me stalinistët e Kosovës, e mbështetur fort nga qendra socialkomuniste pushtetare në Tiranë: Mejdani, Nano, Meta, Gjinushi, Milo, Klosi me kompani, ishte në pritje të gjahut, atje, mesmalesh në Tropojë, pikërisht ata që, më 12 shtator të atij viti, do ta ekzekutonin prijësin e "Studentëve të dhjetorit", kryetarin e parë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, tribunin e demokracisë, heroin kombëtar - Azem Hajdarin.
Breshëri kallashi u shpraz, nga uniforma policore, brenda magazinës ku shkarkonim mallin nga kamionët. "Kushëri, qenka shkruar me vdekë edhe kur njeriu është me mision humanitar", - më tha i shqetësuar baca Muharrem Hoxha, i cili qendroi aty, deri në mbylljen e depos ushtarake, e betonuar dhe e koracuar rrast.

Kishte kaluar mesnata e 18 qershorit 1998. Drejtoresha e spitalit të qytetit në Bajram Curr, e sjellur nga Gjirokastra, sikur e tërë Malësia e Gjakovës të ishte analfabete, na u lutë të ndanim gjysmë kamioni me ushqime, ndihmë për spitalin dhe punonjësit e tij, sepse aty punonin 11 mjekë e ndihmës-mjekë të Kosovës dhe ishin në trajtim mjekësor tej 20 pacientë ushtarakë dhe ikanakë nga Kosova.
Aprovuam kërkesën e drejtoreshës, por u tradhtuam nga ajo. Një kombi dhe një veturë e gjate, gadi sa ato te nuseve amerikane, u parkuan prapa kaminonit tonë, i cili ishte në shkarkim e sipër, në një hyrje anësore të spitalit. Në errësirën e natës, njerëz të pa autorizuar, mbushnin dy makinat e tyre. Kundërshtisë të bacës Muharrem, iu gjegjën me një gjuajtje hekuri, i cili, veçsa nuk e goditi në kokë, për ta lënë pa frymë. Ndërkohë, mësuam se ishin njerëzit e drejtoreshës të spitalit. Turp e krim!

Stalinistët shquhen për institucionin e shpifjes

Stalinistët e Kosovës nuk kanë mashtruar dhe shrytëzuar vetëm institucionet sociale të shteteve pritëse të emigracionit, siç kemi mësuar për "themeluesin" e "UÇK-së" në Zvicër. Ata kanë mashtruar dhe shfrytëzuar, për vite me radhë, edhe mërgimtarët tanë, se kinse po punojnë për Kosovën. Ata regjistroheshin, fiktivisht, për punë në firmat e shqiptarëve, të cilat paguanin tatimet përkatëse shtetit, për këta dallaveraxhi e horra mashtrues.

Dhe, nga ana tjetër vilnin para, në emër të Kosovës, të burgosurëve politikë, gjoja se po ndihmonin familjet e tyre, por, kur u bë ballafaqimi faktik, doli bllof, rezultoi gënjeshtër e kulluar, sepse, sa për tymnajë, kishin dhënë, tek-tuk, simbolikisht, nga 50 apo 100 marka dhe kaq. Në hallet e mia, ende pa u ngopur mirë me bukë, nga burgu, sa i gjatë, po aq i rëndë, me 375 marka ndihmë sociale mujore, kam hedhur, në një paketë të hapur, 50 marka.
 
Në fillim dr. Rugova e, pastaj, Presidenti Rugova, përgjues i vëmendshëm i jetës të popullit të vet në Kosovë dhe Mërgatë, për të stopuar, frenuar shfrytëzimin, keqpërdorimin dhe mashtrimin e mëtejshëm të njerëzve atdhetarë shqiptarë, në veçanti, të mërgimtarëve tanë, plasoi, lëshoi atë porosinë sintezë, madje maturisht, të shprehur me urtësinë e popullit: "Mos hidhni pare në kapuç"!

Porosia e hyjnorit Rugovë, i cili parashikoi, madje, një dekadë më parë, rast unik i profetizimit, parashikimit, për të gjitha kohërat, të gjithë rrjedhën e ngjarjeve, deri në çlirimin e Kosovës nga miqtë e Tij personal ndërkombëtarë, botërorë, por që i bëri, mençurisht, edhe miq të popullit shqiptar, ndikoi, ashtu siç mund të ndikojë hajmalia sugjestionuese tek një besimtar fanatik islamik, për t´u këndellur e kuptuar të gjithë mashtrimin e rranacakëve stalinistë, të dëshmuar, tashmë, si hafije të Serbisë; përçarës të popullit dhe të faktorit ushtarak; sabotimit të luftës deri në boshatisjen e Kosovës nga shqiptarët; vrasësitë serialë të shqiptarëve, të konsideruar si kundërshtarë politikë, për të marrë pushtetin me dhunë.
Mërgimtarët kuptuan hilenë e stalinistëve dhe u orientuan në dhënien e kontributeve të tyre në mënyrë të organizuar, të evidentuara me shkrim, transparencë, tejdukshmëri të mjaftueshme, me llogaridhënie të pranuesit, më sakt, të pranuesëve në dorëzim, fillimisht - dorazi dhe, nga maji i vitit 1992, nëpërmjet kontos zyrtare, bankare.

Stalinistët u gjenden të befasuar nga braktisja e menjëhershme që u bëri masa e mërgimtarëve, madje, jo vetëm brezi i hershëm, por edhe shumë nga ata që dikur i llogarisnin si besnikë të tyre. Të tërbuar nga porosia e dr. Rugovës dhe efekti magjik i saj, të organizuar si në korin e bretkocave, stalinistët filluan propagandën leha-qene, njësoj si ideologu i tyre, Hoxha i Tiranës me bandën e tij byroiste, i cili theu tri rekorde: terrorizimin vrastar të popullit shqiptar; varfërimin ekstrem të shqiptarëve dhe supërfuqi propagandistike leha-qene në botë.

Me fitoren e demokracisë në Shqipëri, aparatçikët burokratë komunistë do të dilnin tepricë teknologjike. Shumë syrësh morën rrugën e mërgimit dhe hynë në aleancë me sivëllezërit e tyre ideologjikë, stalinistët e Kosovës në Evropë, kryesisht Zvicër dhe Gjermani. Nostalgjikët e enverizmit, të specializuar me fjalorin sharës kundër imperializmit amerikan dhe kapitalizmit evropian e botëror, nxënës të denjë të Sofokli Lazrit, pasi u mundën nga malësori Berishë, duke pësuar fiasko në luftën kundër demokracisë, më 22 mars 1992, tashmë, me forca të bashkuara me stalinistët e Kosovës, iu sulën dr. Rugovës dhe LDK-së, duke përdorur të gjithë arsenalin pezhorativ komunist, që më parë kishin sharë dhe anatemuar prof. dr. Sali Berishën.

Stalinistët shquhen për institucionin e organizuar të shpifjes. Garda e mërgimtarëve të vjetër u vunë në shenjestër të institucionit të tyre shpifës. I akuzuan për gjithëçka: për klubet e përbashkëta me popujt e tjerë jugosllavë; për mosaktivizimin në lëvizjen e tyre ilegale, por që në fakt UDB-a ishte brenda, bilëz në kryesinë e saj; për mosleximin dhe shpërndarjen e fletushkave të tyre ultra komuniste, kopje të shtypit të kuq të Moskës, të cilat më shumë merreshin me njëri-tjetrin, se sa kundër pushtuesit; i akuzonin, paushall, në grup, si bashkëpunëtorë të UDB-së, ndërkohë që disa kuadro të larguar nga ai Sigurim, i kishin denoncuar disa nga krerët e Lëvizjes, si bashkëpunëtorë të UDB-së, madje të dërguar enkas për spiunim dhe përçarje në mjediset e mërgimtarëve.

Marrja e pashaportave, thirrje në bisedë informative, hetim, burgosja, për rrjedhojë, humbja e punës e, herë-herë, dhënia e mijëra markave matrapazëve, sekserëve të Sigurimit, për ta rifituar dokumentin e udhëtimit, ishte vepër ekskluzive e stalinistëve, argatë të UDB-së në Mërgatë.
Ne që jemi marrë me fonde, brenda dhe jasht Gjermanisë, e themi me bindje dhe e argumentojmë me shënimet besnike e faktike të kohës, se mërgimtarët e hershëm ishin dhe mbetën shumë më bashkëpunues dhe më kontribues për Atdheun, se sa shumë të shkolluar më të vonshëm, disa prej të cilëve përdorën hilenë dhe stratagjemat nga më bajatet, për të dhënë sa më pak ose aspak, për mbijetesën dhe lirinë e Kosovës.
Ky soj sorollopi, me nismën e luftës, dhanë një herë në 10 vjet, nga 300 ose 500 marka, duke u futur në grixhën e stalinistëve, ndërkohë që mërgimtarët e vjetër jipnin nga 100 e më shumë marka në muaj. Lexues të nderuar, kush dyshon në vërtetësinë e këtyre të dhënave, mund ta shpalosë dokumentacionin e kohës dhe faktet do t`ia heqin çdo dyshim të mundshëm.

Stalinistët shqiptarë, të ideologjisë ruso-sllave, dështuan në përpjekjet e tyre për t`i "pushtuar" klubet dhe shoqatat ekzistuese të zëshme, të cilat kishin qenë mirë të organizuara dhe shumë kontribuese, për rezistencën e popullit tonë ndaj pushtuesit, kryesitë e të cilave kaluan "en bloc", në grup në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i quajtën titistë, ashtu siç vazhdojnë edhe sot të shpifin për LDK-në, stalinistët e Lëvizjes, krahu i boshtit sllavo-orthodokës, Beograd-Athinë-Moskë.

Eshtë skajmërisht e habitshme dhe tmerrësisht cinike se stalinistët e Lëvizjes sot botojnë edhe libra, madje, me paratë e mërgimtarëve të vjetër, me një barrë shpifjesh kundër tyre. Edhepse janë akuzuar drejtëpërdrejtë për hafije në shërbim të Serbisë, stalinistët nuk provojnë të demantojnë akuzat e rënda të spiunazhit, por rrekën të kamuflohen me akuza në drejtim të të tjerëve dhe dalin qesharak dhe shumë më të dyshimtë para opinionit shqiptar.


IDRIZ ZEQIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ËSHTË DANIMARKA NË KRYE TË FITUESVE TË FESTIVALIT EVROPIAN TË KËNGËS - EUROSONG (05.19.2013)
KRISTO KIRKA, PATRIOT I DY SHQIPËRIVE!Nga Prof. SAMI REPISHTI (05.19.2013)
SPAÇ 21-23 MAJ 1973, 40 VJETORI I NGRITJES SË FLAMURIT PA YLLNga BEDRI BLLOSHMI (05.19.2013)
PAPA FRANÇESKU - 'DEZINFORMACIONI, DENIGRIMI DHE SHPIFJA JANË MËKAT' Papa - 'I krishteri duhet të fitojë ndaj tundimit për t'u përzier në jetën e të tjerëve' (05.19.2013)
NEXHMIJE PAGARUSHA MERR DEKORATË NË NDERIM TË KARRIERËS NGA UNIVERSITETI AABNë shënimin e 80-vjetorit të lindjes së saj (05.18.2013)
QEVERIA DO TË KËRKOJË SQARIME NGA AMBASADA AMERIKANE PËR TREPÇËNMimoza Kusari - Lila nuk e di mirë nëse fati i “Trepçës” është diskutuar në Bruksel. (05.18.2013)
'MAQEDONIA E MADHE' - PËRFSHIHEN EDHE TERRITORE TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (05.18.2013)
MATI NË HONIN E HARRESËSNga FITIM SULA (05.18.2013)
DITA E JETIMËVE… “20 MAJI”Nga FRITZ RADOVANI (05.17.2013)
Nard Ndoka: Berisha e ka shndrruar Partinë Demokratike në kazermë dhe individët trajtohen si merecenarëNARD NDOKA - NË VITIN '97 BERISHA MË KËRKOI MERCENARË PËR TË SHTYPUR PROTESTAT E JUGUT (05.17.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]