Disa ditë më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati
një takim me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqsi shqiptar
vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të
vendit dhe theksoi "kontributin parësor", të medias në zgjedhjet e
ardhëshme parlamentare. Roli i medias është gjithmonë aktual, por siç u tha
edhe presidenti Nishani përfaqësuesve të medias shqiptare javën që kaloi, ky
rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit
presin nga media që të informojë publikun mbi politikën, fushatën dhe
zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë
arsyeja se pse ekziston shtypi ose media e lirë --sidomos gjatë një fushate
elektorale -- është që t'i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike,
duke u komunikuar zgjedhësve çështjet me rëndësi me të cilat përballet vendi
dhe për të cilat duhet të interesohen votuesit, nëqoftse dëshirojnë të jenë të
mirë-informuar se në favor të cilti kandidat ose parti të hedhin votën e tyre.
Nuk është roli i medias që të bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet
të votojnë, por kontributi i saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me
informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me progamin e partive, mbi
qendrimet politike të kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me
qëllim që votuesi -- në bazë të këtij informacioni -- të marrë vet vendimin më
të mirë që është i mundur se për cilin kandidat ose parti të votojë. Në asnjë vend
nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.
Natyrisht, se në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqsuesit e tyre, gjithmonë
përpiqen të përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë
kontributin e vet duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike
duke theksuar dhe duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të
interesuara partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të
influencojë debatin publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe
publiku në shkallë vendore dhe kombëtare. Shtypi është, si të thuash, mbikqyrës
i zhvillimeve politike, dhe nëqoftse e luan këtë rol në mënyrë të ndershme dhe
të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në informimin mbi zhvillimet
e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të krijojë një atmosferë më të
pranueshme dhe më të njerëzishme në marrëdhëniet midis forcave politike dhe
njëkohësisht edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë
në gjëndje të kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që
informacioni i paanshëm dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e
duhur dhe të mirë-informuar. Roli i medias është mbi të gjitha roli i saj si
burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe rolin e edukuesit. Në
këtë fazë të fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në
informimin e votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet dhe qendrimet e
partive dhe kandidatëve mbi çështjet me rëndësi të vendit.
Ky është një rol kryesor i medias! Rol i pazëvendësueshëm për funksionimin
normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi politike dhe shoqërore, por mbi
të gjitha përgjegjësi kombëtare. Mediat e kontrolluara nga partitë politike,
nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk
ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por
vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe
për mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat duhet që të sigurojnë mbulimin e
të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe
objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet
publike.
Respektimi ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së
zgjedhjeve por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie
funksionale, por edhe jë tregues i respektimit ose jo të lirisë së të
shprehurit në përgjithësi. Autoritetet kanë përgjegjësinë morale dhe kombëtare
që të respektojnë dhe të inkurarojnë zhvillimin e mediave me të vërtetë të
pavarura, ndërkohë që organet mediatike, nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e
vet për të mbështetur proceset demokratike nepërmjet mbulimit objektiv dhe të
paanashëm të fushatës së zgjedhjeve dhe jo nepërmjet interesash të ngushta
partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht nuk kanë të mirën e
përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre -- por interesat e ngushta e të
përkohëshme politike ose ekonomike të tyre. Ato media mund të jenë të lira por
nuk janë të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në
punën e tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur. Media e
pavarur, objektive dhe e paanshme është një e drejtë e qytetarit për të qenë i
informuar.
Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se,
''Monopolizimi ose përqëndrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të
vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi
pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm." Në raportin e fundit organizata
Freedom House, tha në lidhje me pavarësinë e medias në Shqipëri, se "Liria
e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por përparimi drejt
rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka ngecur në vendnumëro.''
Legjislacioni shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që
të furnizojë shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të
plotë dhe të saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e
informacionit. Ligji kërkon gjithashtu që entet mediatike të mbulojnë, në
mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët dhe partitë pa dallim. Në një raport
parazgjedhor që bëri në Shqipëri, Marsin që kaloi një delegacion amerikan i
Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, "Pronarëve të medias,
redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete mbrenda organizatave të
tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të
integritetit gazetaresk...."
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë,
Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që
ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur -- në një deklaratë për shtyp
me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, "Kuvendi i Shqipërisë, entet
mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të
përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të
avancojnë lirinë e medias në Shqipëri. E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në
Bashkimin Evropian varet nga një medie e fortë dhe e pavarur", nënvijoi
ai.
Në një demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të
shpalosen dhe të dëgjohen. Një gazetë ose një media e çfarëdo lloji qoftë,
elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari objektive, të paanshme dhe
profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq një numër të madh lexuesish
dhe shikuesish. Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjëshëm si përfaqsues i
shtetit duhet të dëgjojë hallet e popullit, nepërmjet medias, e cila duhet të
informojë qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e
thirrur nga Presidenti Bujar Nishani, me përfaqësues të shtypit dhe medias javën
që kaloi, është një nismë që duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe
faktor i zakonshëm në marrëdhëniet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të
qeverisë, me përfaqësues të medias. Askujt nuk i pëlqejnë kritikat për ato që
mund të shikohen si të meta ose dështime, por një përfaqësues i popullit është i
detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të cilat përballen qytetarët dhe
media e ka për detyrë morale dhe profesionale të informojë qytetarët në mënyrë
objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në standardet më të larta etike të
gazetarisë.