Në fund të kësaj jave në Ohër të Maqedonisë pritej të mbahej mbledhja 16-të e
nivelit të lartë e kryetarëve të Shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të
Evropës Jug-lindore (SEECP). Konferenca - tashmë e anulluar - me titull, "Solidarësi në Akcion"
thuhej se do të trajtonte zgjidhje të përbashkëta rajonale, por me rëndësi
globale. Mision i madh ky që kishte marrë përsipër kjo konferencë për rajonin,
por pa pjesëmarrjen e një pjese të rajonit të rëndësishme të rajonit, pa
pjesëmarrjen e Shqiptarëve.
Presidenti maqedon Ivanov, si organizues i radhës i këtij takimi, refuzoi
të ftojë në këtë takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me
justifikimin se po të bënte një gjë të tillë, disa shtete të rajonit nuk do të
merrnin pjesë në takimin e organizuar nga ai. Reagimet ndaj përjashtimit të
përfaqësimit të shtetit të Kosovës, në personin e Presidentes Jahjaga, ishin të
shpejta nga Tirana zyrtare dhe nga diaspora në Amerikë.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) reagoi ashpër ndaj vendimit
të Shkupit për të mos ftuar Prishtinën zyrtare në mbledhjen e nivelit të lartë
në Ohër. KKSHA dënoi ashpër vendimin e presidentit Ivanov si dhe prapaskenat e
presioneve të qeverive së Serbisë dhe të Bosnjës për të mos ftuar Kosovën në
këtë takim rajonal, dhe njëkohësisht dënon fuqishëm edhe autoritetet maqedonase
që u përkulën para këtij presioni. KKSHA, me të drejtë nënvijon faktin se ky
qëndrim i Serbisë është në kundërshtim të plotë dhe njëherazi shkelë edhe
marrëveshjen e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia angazhohet se
nuk do të bllokojë procesin e integrimit evropian të Kosovës. KKSHA, organizata
lobiste shqiptaro-amerikane me qendër në Uashington -- e cila promovon të
drejtat dhe interesat shqiptare si dhe paqën dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan
-- kritikon udhëheqësin maqedon Ivanov duke thënë se "ai humbi një rast të
volitshëm për të treguar vendosmërinë e tij si udhëheqës, dhe për të vënë në
dukje frymën e bashkpunimit rajonal si dhe angazhimin e tij ndaj vlerave
europiane." Organizata shqiptaro-amerikane, në reagimin e saj, thekson se
në qoftë se SEECP, si organizatë do të ketë ndonjë rëndësi ose efekt të dukshëm
për zhvillimet pozitive në rajon, ajo duhet të zbatojë parimin se "kur një vend
përjashtohet nga pjesëmarrja në konferencat e saj, atëherë të gjitha vendet janë
të përjashtuara."
KKSHA mirëpriti gjithashtu edhe vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në
mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të
Kosovës. Gjithashtu i tillë do të ishte vendimi i Kroacisë, çka, më në fund, e detyroi Maqedoninë të anullonte Konferencën.
Në një deklaratë në portalin e Presidencës shqiptare thuhet se Presidenti i
Republikës së Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit të
organizatës SEECP. Ndër të tjera udhëheqësi shqiptar thotë se orgnaizata SEECP,
"duhet të mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë
vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të
gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre
për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen
evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë
kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij", thotë presidenti Nishani në
sqarimin e tij për mos marrë pjesë në mbledhjen rajonale të Ohrit, pa
pjesmarrjen e Kosovës. Presidenti Nishani, pasi shpreh keqardhjen për "thyerjen
e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok", njofton se ai nuk do të
shkojë në Ohër duke theksuar, "zhgënjimin (e tij) lidhur me kushtëzimin
destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin
e Ohrit", përfundon udhëheqësi shqiptar, duke shpjeguar arsyen e refuzimit për
të marrë pjesë në takimin e SEECP-it në Ohër.
Edhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Jozefina Topalli
njoftoi mospjesëmarrjen e saj në takimin e kryetarëve të parlamenteve të
vendeve të procesit të Bashkpunimit në Evropën Juglindore, në kuadër të
takimeve të SEECP-it, "në shënjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të
mosftesës së Prishtinës në takimin e nivelit të lartë të bashkëpunimit rajonal."
Duke refuzuar pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e Ohrit, kjo konferencë e
organizuar nga maqedonët, do të ishte më mirë të kishte titullin, "Solidarësia
serbo-maqedonase kundër Shqiptarëve", në vend të titullit, "Solidarësia në
Veprim" ("Solidarity in Action"). Fjala është Solidarësia kundër kujt?
Hipokrizia e mosftesës së Prishtinës nga ana e Shkupit, nën presionet e Serbisë
dhe të Bosnje Hercegovinës, qëndron në faktin se SEECP u themelua në vitin
1966, me qëllim për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhëniesh së
fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe paqës në rajon. Shkupi e ka ditur mirë
se pa pjesëmarrjen e Prishtinës, as Tirana nuk kishte si të merrte pjesë. Por
maqedonëve u ka interesuar më shumë pjesëmarrja e Serbisë se sa prania e
Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në Ohër. Ka kaluar koha kur Shqipëria dhe
Shqiptarët injoroheshin. Mund të mbahen konferenca, madje edhe të nivelit të
lartë, si kjo në Ohër, por ato janë humbje kohe sepse pa pjesëmarrjen e
shqiptarëve nuk as paqë as stabilitet rajonal, dhe as përmërsim të fqinjësisë
së mirë midis popujve të Ballkanit. Duan e s'duan fqinjët e Shqiptarëve, është
mirë dhe në interesin e të gjithëve që tanimë të të njohin realitetin në
Ballkan. Shqiptarët kanë qenë dhe janë aty, që sipas At Gjergj Fishtës, aty ku,
"Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë
thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë
njerëzore....ky popull ashtë bash ai popull i vogël shqiptar, aq pak i njohun
dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktikat e shpellave
jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuash prej vetë rranjëve të
vjetra, ai ashtë sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta." (At
Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës, 1919).
Mos të tradhtohen organizuesit e mbledhjes së Ohrit dhe përkrahësit e tyre në
Beograd se pa pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve, nuk do të realizohen objektivat
bazë të organizatës SEECP-it, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe
transformim të rajonit të Ballkanit në një zonë paqeje dhe stabiliteti që
është një dëshirë e madhe e Shqiptarëve.
*Frank Shkreli, ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
At Gjergj Fishta