VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - A KRIJON SISTEMI ZGJEDHOR QËNDRUESHMËRI POLITIKE DHE NJË PËRFAQËSIM TËRËSOR TË PUBLIKUT?Nga ROMEO GURAKUQI

                                                                                      

E Mërkurë, 10.30.2024, 02:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
A KRIJON SISTEMI ZGJEDHOR QËNDRUESHMËRI POLITIKE DHE NJË PËRFAQËSIM TËRËSOR TË PUBLIKUT?
Nga ROMEO GURAKUQI

E Premte, 05.31.2013, 08:22am (GMT+1)



Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, të projektuara mbi bazën e një sistemi elektoral proporcional regjional, me emërime nga lart të kandidatëve dhe servirje para publikut po në nivele krahinore, me një mundësi përzgjedhjeje të reduktuar nga ana e publikut, nuk pritet të ndryshojnë rrënjësisht balancën politike në parlament dhe nuk pritet të nxjerrin një rezultat të pranueshëm nga palët e jetës anarkike politike shqiptare, çfarë është edhe dëshira më e madhe e publikut dhe pritshmëria e faktorëve ndërkombëtarë që po mundohen me e ba me ecë vetë demokracinë shqiptare. Kjo e gjitha për shkak të interferimeve të interesave të hierarkive partiake, mungesës së një regjistri të besueshëm elektronik të popullsisë dhe të votuesve, lehtësisht të kontrollueshëm nga palët dhe Arbitri, mungesës së vetë një Arbitri, mungesës së garancive për zbatimin e procedurave në procesin e votimit dhe në atë të emërimit të numëruesve që respektojnë Ligjin dhe mungesës së masave shtrënguese penale për abuzuesit. Gjasat janë që edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vazhdojnë të jenë të kontestuara që në fillesë. Pasqyra ma e parë e kësaj prognoze është vijimi i kontradiktave pa fund brenda KQZ, disa muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që sondazhet tregojnë serish një rezultat të ngushtë dhe, për rrjedhojë, mjaft të diskutueshëm dhe hipotetikisht ngatërrestar mbi shpinën e të ardhmes politike të Shqipërisë së nesërme.

Sido që të jetë rezultati, asnjë prej dy partive të mëdha apo koalicioneve të mëdha, nuk do të sigurojë shumicën absolute të votave për të qeverisur në mënyrë të qëndrueshme vendin dhe ka për të ndodhur sërish që të gjendet një parti e mirëkalkuluar artificialisht, me tre, katër ose pesë deputetë, që do të jetë edhe më tutje menaxhere e pushtetit dhe e parave publike, në mënyrën e vet dhe për interesat e grupimit politiko-financiar nga i cili komandohet. Kjo ndodh sepse forcat antishtet në këtë vend kanë ardhur duke u përforcuar, ndërsa publiku ndjehet mjaft i lodhur sa të paraqesë ndonjë reagim adekuat për normalizimin e jetës shtetërore dhe të demokracisë në këtë vend, nëpërmjet një votimi plebishitar për forcat politike pro Shtetit dhe së Drejtës, që s'duken asgjëkund në horizontin e jetës shqiptare të shekullit XXI.

Lufta e elitës së sajuar politike shqiptare të tranzicionit për pushtet, (elitë e lindur nga shpërbërja e PPSH dhe deviacioneve të saj të brendshme, në momentin e panikut të rrëzimit të Bllokut Komunist shqiptar), në procesin e sendërtimit të sistemeve elektorale në tërësi, ka lënë në harresë studimin e realiteteve sociale dhe etnografike të shoqërisë shqiptare, nevojat e themelimit të një sistemi zgjedhor që krijon stabilitet, si dhe nevojat e përfaqësimit adekuat të Publikut. Edhe në legjislaturën e fundit, klasa politike shqiptare nuk arriti brenda periudhës katërvjeçare të përshtatë ligjin zgjedhor shqiptar me interesat e stabilitetit të vendit. Politika shqiptare nuk arriti ta bëjë ligjin të atillë funksional, sa të jetë më përfaqësues, duke u dhënë një zë të gjithë komponentëve të shoqërisë sonë. Një ligj që të shprehte mirë dhe drejt nevojat e përfaqësimit edhe të interesave të grupimeve sociale, krahinore kulturore, pse jo, krejt më mirë edhe interesat e minoriteteve etnike dhe ato të emigracionit shqiptar. Klasa politike mbi të gjitha nuk arriti të garantojë barazinë e votës në tërësinë e kolegjeve, të fshijë sistemin proporcional rajonal, (i krijuar nga partitë historike për interesat e tyre të ngushta), i shkueshëm vetëm për vende me organizim shtetëror territorial të ndryshëm nga Shqipëria (shtete me organizim territorial, ku krahina të caktuara kanë autonomi administrative dhe shkallë të caktuara të autonomisë edhe politike) dhe ta përshtatë ligjin me interesat e një vendi me organizim shtetëror unitar e me kompozim social e kulturor të veçantë, siç jemi ne.

Një ligj i krijuar gjoja për të ndihmuar krahinat dhe bashkësitë kulturore në përfaqësim, do vazhdojë të bëjë të kundërtën: të jetë një ligj ku do të shprehen interesat dhe balancat e brendshme partiake, ngjitjet artificiale të partizave servile, sepse emërues të listave do jenë partitë politike dhe numërues të votave do jenë serish militantët e paketës kontrolluese politike të vendit. Në prefektura kemi ndarjen e votave të listave duke filluar nga vendet e para. Renditja është bërë jo duke pasur parasysh kompozimin komunitar të prefekturave gjegjëse, por forcën, peshën dhe besnikërinë e individëve të listës ndaj kryetarëve të partive dhe klientelave partiake drejtuese. Përndryshe, krahinat tradicionale që vazhdojnë të jenë edhe më tutje me prerjen e qëllimshme të periudhës së diktaturës dhe qëndisjen servile dhe bizantine të dekadës së parë të periudhës së postdiktaturës, do të jenë pa asnjë përfaqësues të vetin të mirëfilltë në Parlamentin shqiptar, por vetëm me besnikët e partive të mëdha të ofruar "dhuratë" si deputetë. Kështu, krahinat, në vend që të kenë mundësi të flasin një fjalë të shpirtit të tyre, do të jenë të detyruara sërish të shprehen për prerjet artificiale administrative ku janë futur dikur me ba pjesë dhe për katapultimet e partive. Ndërkohë, segmentet e arnuara të disa krahinave tradicionale të këtij vendi, të shpërndara në mënyre jologjike e artificiale, do të jenë vetëm shtojca votash për grupet që kontrollojnë politikën, ekonominë dhe botën e ekonomisë ilegale në Shqipëri dhe më tutje do të jenë të dënuara të mbesin në varfërinë dhe harresën e ngahershme.

Në rastin tonë, termi grupime kulturore nënkupton një grupim krahinor me veçori historike dhe karakteristika identitare, që kanë pasur tradicionalisht një vendosje të caktuar në shoqërinë shqiptare. Shteti i parë dhe i dytë shqiptar i periudhës bashkëkohore është ndërtuar mbi këtë llogarimbajtje në sistemin përfaqësues politik dhe ndërtimin institucional. Në qoftë se prerjet e padrejta të kufirit të Shqipërisë e ndanë Kosovën mënjanë, Malësinë e Madhe shqiptare në mes, Dibrën në mes, Shqipërinë juglindore në mes, Çamërinë në pjesën e saj më veriore etj., diktatura komuniste shqiptare copëtoi në disa njësi administrative Mirditën; Nikaj-Merturin e shkëputën nga Dukagjini duke ia bashkëngjitur artificialisht Malësisë së Gjakovës, Bregun shqiptar të Jonit e ndau në dy rrethe administrative dhe i ktheu në periferira të Vlorës apo Sarandës, e kështu me radhë. Këtu nuk duhet të lëmë në harresë mospërfaqësimin e krahinave të tilla të rëndësishme si Lunxhëria, Zagoria, Lura etj., që janë shndërruar vetëm në shtojca votash të qendrave të prefekturave, pa asnjë përfaqësues të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Shqipërisë, duke lëne në harresë faktin që banorët e këtyre krahinave, etërit e tyre, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në Rilindjen e brendshme dhe njohjen e jashtme të Shqipërisë. Krahinat që lindën Dedë Gjo' Lulin, Mehmet Shpendin, Primo Doçin, Kapedanët e Mirditës, Petro Pogën, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Andon Zako Çajupin, Petro Markon, Bash Bajramin, Prel Tulin etj., duhet të kenë përfaqësuesit e vet të drejtpërdrejtë në Parlamentin e Shqipërisë, dhe jo të përfaqësohen indirekt nga listat e sajuara të partive politike dhe të kooptuarve artificialisht në ato lista. Ato nuk mund të jenë shtojca votash të qendrave ku janë bashkëngjitur artificialisht.

Aktorët politikë të tranzicionit postkomunist 20-vjeçar nuk bënë asgjë për të rikthyer Shqipërinë në situatën administrative të periudhës kur ka qenë Shtet jo i dhunuar nga politika e brendshme dhe kur Shteti ynë respektonte qytetarët dhe të drejtat e tyre të përfaqësimit adekuat dhe të përputhshëm. Duke mos marrë parasysh këto shtrembërime të djeshme, zyrtarët e Tiranës bashkëkohore të tranzicionit parademokratik, i imponuan elektoratit përzgjedhjet e tyre përfaqësuese nga zyrat e tyre të ftohta, të pandjeshme e të paditura. Nuk harrohet lehtë se si në vitet e "kompromisit të madh" për të mbuluar mëkatet e viteve 1997-1998 , palët politike krijuan apo ndërtuan kolegje elektorale me deformime të spikatshme të kompaktësisë komunitare, duke shkrirë lagje periferike qytetare në zona rurale, ose anasjelltas, vetëm e vetëm që të garantoheshin zgjedhjet e përfaqësuesve të caktuar që zotëronin paketën e kompromisit dhe të mosndëshkimit nga ligji, apo duke bashkuar përfaqësime të dallueshme në një përfaqësim unik të pangjashëm. Kjo ka bërë që në kohët e tranzicionit, elektorate të caktuara të mos jenë të përfaqësuara nga bijtë e bashkësive të tyre, por nga ata që u servirnin artificialisht partitë. Sot, vetëm konkurrenca e lirë mazhoritare, njëemërore mund të kryente një proces të përafërt përputhjeje, por ajo është fshirë nga "mjeshtrit e mëdhenj" të fizikës e matematikës parlamentare.
Partitë politike kanë për mision të përqendrojnë dhe përfaqësojnë interesat e elektoratit. Në vendet demokratike ka një rekomandim konstant për klasën politike për të reformuar strukturat administrative territoriale dhe për të rritur nivelin e përfaqësimit e të vetëqeverisjes. Mirëpo në një vend të prapambetur, në të cilin partitë politike janë shndërruar në bastione të hekurta interesash të ngushta dhe blloqe elektorale të egra gjysmë paramilitare, është shumë e vështirë të kuptohet nevoja e përshtatjes së trupës zgjedhore dhe interesave të publikut, me përfaqësimin politik në organin sovran. Kësisoj, transformimi demokratik i vendit do të jetë edhe më tutje i penguar, deri sa të kemi një reformë të sistemit të partive politike dhe vendosjes së një legjislacioni më të arsyeshëm mbi funksionimin e sistemit multipartiak, që do t'i shndërrojë partitë politike shqiptare në organizata konkurruese demokratike, koalicione të mëdha interesash nacionale, për Shtet dhe të Drejtë dhe në institucione të përgjegjshme dhe të shpjegueshme. Mirëpo në shoqëri të tilla si e jona, që po vuajnë nga një tranzicion i tejzgjatur, shteti i së drejtës ende nuk është vendosur, jeta politike drejtohet më mënyrë të varfër, larg standardeve intelektuale dhe të kulturës politike të kërkuar për një vend që aspiron EU, duke u dhënë mundësi partive politike të kryejnë abuzime me autoritetin dhe të arrijnë përfitime meskine për grupet e ngushta të interesit.

Shqipëria është një vend në të cilin regjionet tradicionale të tij duhet të kenë një përfaqësim sa më adekuat, të paktën të ngjashëm me parimet mbi bazën e të cilave është ndërtuar përfaqësimi në epokën e themelimit të shtetit dhe në periudhën e viteve 1920' dhe 1930', bazuar mbi traditën dhe bashkëkohësinë, që në këtë rast nuk janë në kundërshti. Vetë Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore e lejon mundësinë e riformatimeve të kufizave administrative të njësive përbërëse vendore, nga ku duhet të rrjedhin më pas edhe kufizat në mes kolegjeve elektorale dhe përfaqësimi. Fshirja dhe copëtimi që pasoi, i krahinave tradicionale shqiptare nga diktatura, nuk duhet të afektojë edhe më tutje klasën politike postkomuniste, sa ajo të heshtë edhe në fillimet e shekullit XXI, mbi dëmtimin e kompaktësisë administrative dhe kulturore që komunizmi u bëri një numri krahinash me veçori të qarta në rrjedhën e historisë. Duke harruar se ato krahina kanë nevojë jo vetëm për ringjizjeje administrative, por edhe për një përfaqësim adekuat, bazuar në përzgjedhjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të tyre mbi bazën e votës mazhoritare dhe konkurrimit të lirë njëemëror, klasa aktuale politike ka shkaktuar një shmangie të dallueshme nga parimet bazë të përfaqësimit të realitetit përzgjedhor politik të shoqërisë shqiptare, që bazohen në përputhjen e trupit zgjedhor të shoqërisë me përfaqësinë, përputhjen e Atdheut Real me Atdheun Legal.

Një ligj mazhoritar zgjedhor duhet të paraprihet nga një rregullim administrativ, nëpërmjet riemërtimit të komuniteteve krahinore shqiptare, bazuar më së shumti në identitetet e mirënjohura historike; do të duhej të ripërkufizohen territoret administrative dhe do të duhet të ndodhë kthimi i situatës administrative shqiptare të periudhës së shtetit të mirëfilltë konstitucional shqiptar, i cili ka qenë shumë më i kujdesshëm në respektimin e publikut dhe prirjeve e balancave ndërkomunitare.

Duke e marrë të mirëqenë tezën se partitë politike shqiptare përfaqësojnë elektoratet gjegjëse, është ndërtuar, në fakt, një ligj elektoral që nuk priret drejt përfaqësimit të përputhshëm të interesave të trupës zgjedhore (Atdheut Real), sa të interesave të partive politike dhe mbi të gjitha të partive të mëdha politike, duke sakrifikuar tërësisht interesat e bashkësive shoqërore dhe kulturore. Partitë e vogla politike shqiptare (të drejtuara nga pashallarët tradicionalë të partizave llogarimëdha), që do të arrijnë të ndërtojnë koalicione interesash, do të bëhen artificialisht përfitues të votave të mbetura nën prag, që nuk janë të tyre, duke marrë pjesë në një infiltrim të parregullt të vullnetit të popullit (duke deformuar rëndë përfaqësimin në Atdheun Legal). Por krahinat e shkëputura prej regjimit komunist nga bashkësia themelore dhe të arnuara artificialisht në ndërtimin e rretheve kushinetë, apo në krijimin e kushinetave në rrethe të caktuara, do të vazhdojnë edhe më tutje të votojnë për llogari të interesave të qendrave të vogla dhe qendrës së madhe, pa një zë të tyre real në politikën shqiptare dhe në legjislativin shqiptar.

Qasja tradicionale e procesit demokratizues priret drejt kufizimit e zvogëlimit në minimum të mospërputhjeve të shkaktuara në sistemin përfaqësues, nga shabllonet ideologjike dhe institucionale të Ancien Régime; priret drejt respektimit të parimeve të vullnetit të Publikut në të gjitha poret e shoqërisë së shtetit tonë; drejt mobilizimit të shoqërisë civile dhe krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të partive politike, të cilat do të duhet të jenë përfaqësuese të interesave të gjera nacionale dhe të ndjeshëm ndaj bashkësive shoqërore dhe kulturore, në mënyrë të njëllojtë.
Një ndryshim i arsyeshëm i sistemit zgjedhor, një rikompozim administrativ i komuniteteve dhe krahinave mbi bazën e prerjeve tradicionale historike dhe etnografike, d.m.th. një përputhje midis realitetit shoqëror me realitetin administrativ, do të jetë në të mirë të fuzionit të vetëdijes qytetare shqiptare, një nga hapat e parë që në mandatin e ardhshëm parlamentar do të duhet të rregullohet nga organi përfaqësues i sovranit, marrë në tërësi dhe me vullnet të përbashkët politik.

Mosnjohja e mirë teorike e realiteteve historike, veçorive krahinore, e mënyrës se si duhet të funksionojë një shtet demokratik, liberal, për një pjesë të mirë të udhëheqësive politike dhe përfaqësive parlamentare, vazhdon të jetë një nga vuajtjet më të mëdha të politikës sonë bashkëkohore. Partitë politike po futen në zgjedhjet e ardhshme:1-pa e njohur Shqipërinë që pretendojnë ta administrojnë për katër vitet e ardhshme; 2- pa një elitë gjithë përfaqësuese; 3- pa një platformë të qartë se si do ta bëjnë teknikisht funksional Shtetin e së Drejtës dhe Barazinë e Qytetarëve para Ligjit; 4- pa një plan teknik për të treguar si do ta drejtojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme, garantin e jetës së qytetarit të thjeshtë, dhe pa emrin e kryepolicit profesionist që dëshirojnë me aq ankth qytetarët e thjeshtë; 5- pa një kandidat për superministrinë e Thesarit të Shtetit; 6- pa emrin e një ministri vizionar për rilançimin e ekonomisë së tronditur shqiptare; 7- pa ekspozuar identikitin e një guvernatori inteligjent të Bankës së Shqipërisë; 8- pa emrin e një kryediplomati të krahasueshëm me secilin prej vendeve fqinje, përfshirë edhe Kosovën, etj.

A mos, një nivel të tillë përgatitjeje teorike dhe praktike për të administruar Shtetin meriton Shqipëria e viteve 2013-2017?


ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SOLIDARËSIA SERBO-MAQEDONASE KUNDËR SHQIPTARËVENga FRANK SHKRELI* (05.30.2013)
GJENDJA E MITROVICËS DHE E KOSOVËS LINDORE NË TË KALUARËN DHE SOT...(Kumtesë me rastin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizuar nga Bashkësia e Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër)Nga LEBIT MURTISHI (05.29.2013)
RRITJA E URREJTJES NË EVROPËNga NICHOLAS BURNS, 'The Boston Globe' dhe 'International Herlad Tribune' (05.28.2013)
ZGJEDHJE MES PARTISH TË MAJTA NË NJË DEMOKRACI E LIRI TË ASFIKSUARNga ROMEO GURAKUQI, Instituti i Historisë Bashkëkohore Universiteti Europian i Tiranës (05.27.2013)
MARRËVESHJA E PARTNERITETIT STRATEGJIK SERBI-RUSINga SHABAN MURATI (05.27.2013)
ROLI I MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALENga FRANK SHKRELI (05.27.2013)
SI ËSHTË MANIPULUAR HISTORIA E SHQIPTARËVE NDËR DEKADANga Prof. JAMES PETTIFER (Oxford University) (05.26.2013)
SHQIPTARËT MES EVROPIANIZMIT DHE NACIONALIZMIT MAQEDONASNga EMIN AZEMI (05.26.2013)
KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VËNË ASNJË GURË THEMELI, PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMI PLURI-PAR-TITISTNga ISUF B. BAJRAMI (05.25.2013)
Ndaj e kuptoj Zef Skiroin!PENDESA QË VETËVONOHET AS TEK ZOTI NUK PRANOHETNga LEBIT MURTISHI (05.24.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]