Më duhet t'iu kthehem shkrimeve të mëparshme. Përshembull, këtyre rreshtave të botuar këtu në "TemA" gati dy vjet më parë: "... 80-vjetori i Kampionatit Kombëtar të Atletikës shqiptare dhe të të gjithë kampionateve kombëtare të sporteve në Shqipëri i bije të jetë më 2 shtator 2009, çka do të thotë rreth 20 muaj më mbas. Duken shumë. Në të vërtetë janë pak kur mendon se me festimin e këtij 80-vjetori nuk kuptojmë një mbledhje jubilare, dekorim të disa sportistëve, kjo po e po, sidomos pionierët e atletikës së vitit 1929, prej të cilëve sot e ksaj dite nuk kemi dekoruar apo nderuar asnjërin, e disa ende vazhdojnë të mbeten armiq të Shqipërisë. Kërkojmë dhe marrim me mend diçka më tepër. Kërkojmë dhe marrim me mend shpëtimin e atletikës shqiptare, në mënyrë që përveç të tjerave, Eusebiot, Vojsavat dhe Mirelat të mos mendojnë tjetër përveç Shqipërisë së tyre. Një fjalë goje megjithate.
Nëse mbas Mirela Manjanit dhe Vojsava Likës, Eusebio Haliti do të bëhet shqiptari i tretë i atletikës që "e tradhëton" fanelën e Shqipërisë, pa u revoltuar asesi askush, mbasi jemi bindur tashmâ se edhe atletika shqiptare lind talente botërore, mû përmes këtij mësimi, ne besojmë te 80-vjetori i kthimit të besimit për një të ardhme të atletikës shqiptare. Doemos nëse do të jemi të aftë të shkojmë te 80-vjetori i saj me një mendim krejt të ri. Një mendim që i jep nxitjen e madhe atletikës shqiptare, që i bën nderin asaj si sporti që i dha Kampionatin e parë Kombëtar Shqipërisë, duke çelur e para në histori rrugën kombëtare të sportit shqiptar.
E pra, a shkon që të flasim qysh sot për një 80-vjetor që ende nuk ka hyrë në vitin e tij jubilar?".
1.
Këto rradhë që paralajmëronin 20 muaj përpara këte 80-vjetor të sotëm të themelimit të Kampionatit të parë Kombëtar të Atltikës së lehtë, janë botuar më 22 janar 2008. 80-vjetori erdhi. Madje ka plot 27 ditë të këtij muaji që ka ardhur. Do të kalojë si shumë të tjerë, ndonëse ky 80-vjetor është më i rëndësishmi sepse kemi të bëjmë me themelimin e Kampionatit të parë për sportet në Shqipëri. Para të gjithëve! Edhe para futbollit që themelohet një vit më mbas, më 1930.
Dihet ndërkaq, që edhe Kampionatet Kombëtare të Atletikës të Mbretërisë, emblemë e themelimeve sportive në Shqipëri, Partia Komuniste gjithashtu nuk i njohu asesi për bukur 47 vjet, ndonëse për një farë kohe në krye të sporteve vuri një kampion të shquar edhe të këtyre kampionateve, të nderuarin Vasil Konomi, të cilit po aq nuk ia përmendi asnjëherë se qe Kampion i Shqipërisë i kohës së Mbretërisë! Ndërkaq, shokët e tij, Sabit Çoku e Sandër Kraja, Feti Dizdari e Ibrahim Dizdari, Gaqo Gogo e Ragip Lohja, Peter Andoni e Selman Stërmasi, Qazim Dervishi e Ragip Meta, Sefedin Biçaku e Ibrahim Kodra (piktori i madh) e të tjerë kampionë e rekordmenë në këto kampionate, u cilësuan disa të dyshimtë, disa armiq të betuar, disa u burgosën, ndonjeri edhe u pushkatua. Partia lejonte të përmendeshin përvit vetëm Kristo Isakun apo Dum Allën, thjesht ngaqë këto figura të nderuara dhe të paharrueshme ishin dëshmorë dhe pjestarë të lëvizjes komuniste. Dhe heshtja që na mbulon, ndonëse gati dy vjet më parë, këtu në faqet e kësaj gazete kemi paralajmëruar 80-vjetorin e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë në Shqipëri!
Ajo është një ngjarje që ka ndodhur më 2 shtator 1929. Ka ndodhur në një vit të jashtëzakonshëm edhe për sportin shqiptar. Nuk duhet harruar se kishim vetëm 17 vjet Pavarësi, vetëm 5 vjet shtet të vërtetë, e kësisoj ky organizim i këtij Kampionati Kombëtar vetvetiu përbën një fakt sensacional, madje edhe për Evropën sportive, deri për sot e kësaj dite, duke i bërë një nder të madh historisë së kulturës sonë kombëtare. Dhe na duhet të hyjmë në kohë e të mos kërkojmë themelime anglosaksone në Shqipërinë e vogël e të brishtë të vitit 1929.
Kronologjia modeste sportive e asaj Shqipërie është ndërkaq, vërtet e çuditshme në skajet e ngjarjeve të saj, konkrete e abstrakte, nismëtare e të dështuara, ândrruese e të vërteta.
Gazeta sportive italiane e kohës, "Il Littoriale" ("Corriere dello Sport" e sotme) me titull "Kupa e Ballkanit: Rumania mund Jugosllavinë 2-1", thotë fjalë për fjalë:
"Takimet për zhvillimin e Kupës së Ballkanit në të cilin marrin pjesë Rumania, Bullgaria, Jugosllavia, Greqia dhe Shqipëria, filloi me ndeshjen e përfaqësueseve të Rumanisë dhe Jugosllavisë".
Ajo çka ka rendësi për ne në këte lajm të "Il Litoriales" për fillimin e Kampionatit Ballkanik të Futbollit është fakti se përmendet edhe Shqipëria si pjesëmarrëse! E pra dihet se Shqipëria nuk ka shkuar në Bukuresht. Ndërkohë, qé, tek gjejmë shkrimin e një rëndësie të veçantë të 6 marsit 1929 në "Gazeta e re" me autor të paharrueshmin Prof. Aqif Domini, me titullin joshës "Shqipnija n'Olimpiadën Ballkanike". Prof. Domini, i lënë gjithashtu në heshtje e harresë shembullore gjatë regjimit komunist, ende i panderuar edhe sot e kësaj dite, mbasi njofton se "me gëzim të madh këndova në gazetën "Popolo d'Italia" se në këte Olimpiadë (Ballkanike) do të marrë pjesë edhe Shqipnija", përshkruan mundësitë e pjesëmarrjes. Trajton shkurt përfaqësimin e mundshëm në sporte të tillë si noti, qitja, mundja, boksi, tenisi, atletika, duke dhënë dhe emra të mundshëm sportistësh pjesëmarrës. Dhe ndalet më gjatë te futbolli për të cilin shkruan:
"Më mbetet të flas pak për skuadrën e foot-ballit. Formimi i kësaj skuadre që do të luejë me të tjera mjaft të forta, si të Turqisë, të Jugosllavisë, etje. Duhet të bahet me mendje: Elbasani p.sh. ka një beg mjaft të zot e të shkathët. Po kështu edhe Shkodra, Tirana, Vlona, Durrësi, etje, kanë lojtarë për skuadrën kombëtare që për të parën herë do të formohet në Shqipni. Pas mendimit t'em ja disa që janë të zottë për të veshë fanelën e kuqe me shkabë në maj n'Athinë: Behxhet Jolldashi (Elbasan), Irfan Gjinali (Tiranë), Llazar Miha (Tiranë), Nush Luka (Shkodër), Bik Kovaçi (Shkodër), Bahri Kopliku (Shkodër), etje, që gjenden në qytetet e ndryshme të Shqipnis. Të gjithë ata që do të marrin pjesë n'Olimpiadën Ballkanike, duhet të mblidhen në një vend të caktuem për të bàmë praktikën e duhun, që të mos bàjnë nji figurë të keqe n'Athinë ku në majin që vjen fillojnë lojnat Olimpike".
Prej këtyre emrave që ai përmend, me ndonjë përjashtim, të gjithë do të jenë jo protagonistë të këtij Kampionati Ballkanik të futbollit, por çuditërisht të Kampionatit të parë të Atletikës Shqiptare. Të gjithë këta emra të shquar, autori i këtyre rradhëve i njeh mirë. Madje ndjej përmàllim që midis tyre gjej dhe dajën tim të paharrueshëm, Dr. Bahri Koplikun, një futbollist dhe atlet i shquar i Shqipërisë së viteve '20 me shoqërinë "Studente Shkodra" e një rëndësije të jashtëzakonshme në përhapjen e sporteve në Shqipëri.
Ndërkaq, më 3 korrik 1929, në Durrës zhvillohet një ndeshje e madhe e kohës, Durrësi Tirana 2-1, e cila për fat të keq përfundon me ndërprerjen e saj për shkak të një goli të diskutueshëm. Me protagonistë I.Gjinalin, Kojën, Stërmasin, Karapicin, Hajnalin, Dr. Prosin, Dake Kusin, Margaritin, Dovanën, Moisiun, Tartarin, Pizhën, Nushin... Të gjithë protagonistë të futbollit të kohës, por edhe të atletikës...
2.
Jemi një vit para 6 qershorit 1930 të themelimit zyrtar të atij organizimi që do të quhej Enti Kombëtar "Djelmnia Shqiptare". Eshtë ky Ent ai që nis e organizon me atletikën, Kampionatet Kombëtare.
Ndonëse ato që nuk ndalin janë ngjarjet e futbollit, ende jo të atletikës. Vjen Vlora dhe Durrësi fiton 4-1. Më 17 gusht është ndeshja Shkodra Durrësi. Dhe 3-1 për Durrësin në një ditë të paharrueshme. Orkestër frymore në Fushën e Vjetër të Shkodër, Hymn Kombëtar, autoritete të pranishëm, spektatorë të panumurt! Dhe të mirënjohurit e kohës Dovana, Nushi, Margariti, Dervishi, Dr. Kopliku, por dhe Marketin Gurashi, Lec Ndreka, Shefqet Keçiqi, Ali Paçrami. Dhe 3-1 për miqtë durrsakë, të cilët po habisnin Shqipërinë me futbollin e tyre! Dhe Shkodra që kërkon revansh e Durrësi që nuk pranon sepse futbollistët e tij shkojnë jashtë për studime!
Eshtë një vit i çudtishëm për gjithë jetën shqiptare, shoqërore e politike, sportive e kulturore, të hapjes së Shqipërisë dhe të organizimeve e themelimeve të shumta shtetërore.
Mbreti Zog i kërkon Austrisë mundësinë e kthimit kundrejt një pagese të përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut. Mbreti riafirmon autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Në Mbretërinë e Shqipërisë hyn në fuqi Kodi i ri i procedures Civile. Shqipëria ndahet në 189 komuna në dhjetë prefektura: Tiranë, Durrës, Shkodër, Dibër, Kosovë, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Një komunë duhej të kishte 2500 banorë. Gazeta "Sunday Referee" boton një intervistë të Mbretit Zog, i cili deklaron si parësor "progresin në edukimin publik dhe reformat në të gjitha organizimet e Shtetit". Mandej kur do të shkohet te festimi në Tiranë i 34-vjetorit të lindjes së Mbretit Zog me një paradë të madhe që filmohet prej shoqërisë kinematografike amerikane "Fox Movietone News", në kryeqytetin e mbushur me flamuj kombëtarë, me vajza me kostume kombëtare dhe mbi të gjitha me demostrimin e parë publik të grave myslimane me fytyra të zbuluara për herë të parë. E nga ana e tij, Enti Kombëtar Djelmnia Shqiptare i cili demostron me 5000 të rinj! Eshtë Enti, organizata dhe instanca prej së cilës do të dalin gjithë zhvillimet sportive të Shqipëri, e pra edhe Kampionati i saj i parë Kombëtar në histori, që është ky i Atletikës së Lehtë. Diviza e tij është kjo: "Me marrë kulturë fizike, morale e atdhetare si dhe përgatitje paraushtarake". Për herë të parë në Shqipëri vendoset ai që quhet Inspektori i Kulturës Fizike, i cili emërohet në të gjitha prefekturat. Mos harroni: nuk është 2009, është viti 1929!
Eshtë viti 1929, i cili për sportet dhe kulturën fizike në shkallë kombëtare është një vijë fillese të bujshme historike për një Shqipëri me 1.002.124 banorë, prej ku 688.280 të besimit islam, 210.313 të besimit ortodoks, 104.184 të besimit katolik, me 37.270 minoritarë grekë, me 4709 qyetarë të huaj të pranishëm në tokën shqiptare, prej të cilëve 2074 italianë, 993 grekë, 754 jugsollavë, 80 britanikë. Dhe me tre qytete që po rriteshin fort: Tirana me 30.806 banorë, Shkodra me 29.906 dhe Korça me 22.807 banorë.
Janë shifra zyrtarë të kohës, që merreshin duke i ndry për disa orë shqiptarët në shtëpi si në një shtetrrethim për të bërë regjistrimin civil dhe social më të saktë se kurr!
Dhe më 20 gusht 1929, Enti Kombëtar, i cili nis shpalljen e organizimit të kampionateve kombëtare. Drejtori i Entit, zotni De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve '30, njofton ndërkaq, se:
"Kemi nderin t'ju njoftojmë se simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampjonateve t'Atletikës së lehtë, t'organizueme nga kjo degë, gara në fjalë kanë me u zhvillue në fushën e Shallvares".
Interesant! Thuhet: "simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret. Mund të merret edhe ky Ent i vitit 1929 si themelim i Federatës së Atletikës.
Dhe një pllakat i posaçëm që i kushtohet Kampionatit. Ky duhet të jetë pllakati i parë sportiv në historinë e Shqipërisë. Mëkat që nuk arrijmë të gjejmë autorin. Por pllakati ka një firmë në fund, në anë të tij: "Kosturi". Duhet të jetë firma e cingografisë të të mirënjohurit Nexhdet Kosturi, i cili e kishte mësuar profesionin e tij në Vjenë, siç ma përcakton studjuesi i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni. Po kjo nuk do të thotë se ai është piktori i këtij pllakati. Mos ndoshta është krijim i Shadan Toptanit, deri diku një sportist i kohës, por i mirënjohur për dekada madje si piktor pllakatist dhe i filatelisë shqiptare?...
Kështu shkohet tek 2 shtatori 1929, tek ngjarja e madhe e këtij viti fatthënë demarkacioni si një dëshirë e forte lamtumire midis Shqipërisë Orientale dhe asaj Perëndimore që po kërkonte të vinte. E, kësisoji edhe fillimi i një Kampionati të Parë Kombëtar të Atletikës nën patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen është një provë drejt këtij "oksidentalizmi". Eshtë e pashembullt në historinë tonë.
Kampionatin e organizon ai që organizon dhe ndeshjet e futbollit "Enti Kombëtar i Djalërisë". Njeriu që merret personalisht është mû Ministri i Arësimit, Hil Mosi. Dhjetë vjet më parë, më 1919, ai kishte qenë organizatori kryesor dhe kryetari themelues i asaj që njihet deri sot e kësaj dite si Shoqnia "Vllaznia" e Shkodrës, prej ku vjen Vllaznia e sotme, ajo shoqëri kulturore sportive e cila më 1920 kishte organizuar garën e parë atletike në Shqipëri, një marathonë rrugëve të Shkodrës, të fituar prej të quajturit Kol Gjoni, dhe padyshim kjo ndjesi atletike e atdhetarit të shquar, tash Ministër, ka patur rol parësor edhe në këte organizim të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë. 60 vjet më vonë, nipi i tij, i përkujtueshmi Prof. Dr. Arben Jorgoni, do të bëhej Presidenti i parë i Komitetit Olimpik Shqiptar në Shqipërinë moderne! Eshtë një përkim i pashembullt në histori.
3.
E vërteta është se pak javë më parë qe zhvilluar një kampionat atletike ndërshkollor, siç quhej dhe sot kemi në dorë pamjen autentike të medaljes së këtij kampionati nxënësish që i paraprin Kampionatit Kombëtar të 2 shtatorit. Askund tjetër përveçse në shkollë, në ato të mesme a gjimnaze nuk kishte ku t'i gjente atletika shqiptare atletët e saj. Atletika në Shqipëri ishte vërtet një sport i shkollës. Kujto për këte sidomos Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, Liceun e Korçës, Normalen e Elbasanit, po ndoshta duke vënë në vend të parë Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, e cila qysh në themelim kishte ate që ajo e quante "Shoqnia Athletike e Shkollës Teknike", e drejtuar personalisht prej drejtorit Harry T. Fultz, e cila zhvillonte në Shallvare Kampionatet e saj model të atletikës!
Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë do të ishte një kampionat i vërtetë atletik, i cili bazën e tij e kishte mû në shkollë. Ai do të shpallte për herë të parë Kampionët e Shqipërisë në 100, 200, 400, 800, 1500, 5000 dhe 8000 metra; Kampionët në 110 metra me pengesa; Kampionët në kërcim së larti, së gjati, trehapësh, shkop; Kampionët në gjyle, disk, shtizë, çekiçin e kohës (topi me dorezë); Kampionët në stafetat 4x100 dhe 4x400; Kampionët në pesëgarësh e dhjetgarësh. Emrat e këtyre kampionëve, me ndonjë përjashtim edhe sot e ksaj dite janë krejt të panjohur, ashtu si dhe rezulatet e garave të fituara prej tyre, e po aq edhe shokët që konkuruan me ta.
I kemi "zbuluar" të gjitha këto jo pa mundim, e tash e mbrapa besojmë se në Shqipëri do të formohet institucioni i historisë sportive kombëtare, çka mungon në mënyrën më të papranueshme të kohës kur jetojmë! Ata kampionë të parë të vitit 1929, janë protagonistë të themelimit të një historie të re, të fillimit që daton në atë dhjetvjetësh të tretë të tij, të shekullit të kaluar, kur sapo themelohej vetë Shqipëria, shteti i saj, njinjishmënia e saj, kultura dhe sporti i saj.
Të gjithë ata pionierë themelues të atletikës janë personazhe historikë, të cilët valët dhe kapriciot e jetës dhe historisë i shpërndanë andej e këndej, mbrenda e jashtë Atdheut, në udhët e fatet e një jete sa befasuese po aq dhe pamshirshme, sa nënvleftësuese po aq dhe harrruese.
Do ta shpalosim veprën e tyre në rubrikën tonë të së martës së ardhshme. Dhe po për herë të parë do t'iu zbulojmë emra të pafund atletësh shqiptarë të epokës, të zhdukur prej harresës shqiptare që nuk ka shoqe në botë, aq fort e kultivuar sidomos mbas vitit 1944...